Seanca, 23 gusht ‘83: Feçor Shehu mohon akuzat dhe përplaset me Ziçishtin

Kujtim Boriçi December 16, 2012 18:10

Seanca, 23 gusht ‘83: Feçor Shehu mohon akuzat dhe përplaset me Ziçishtin

Dosja sekrete e gjyqit të Kadri Hazbiut

 

Seanca e 23 gushtit 1983. Feçor Shehu mohon akuzat për tradhti dhe debaton ashpër me kryesuesin e seancës Aranit Çela e prokurorin Rrapi Mino

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Në përfundim të deponimeve në seancën e pasdites së 23 gushtit 1993, Mihallaq Ziçishti, ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme, pasi ka pranuar se “jam një nga anëtarët aktivë të grupit armiqësor puçist të kryesuar nga Mehmet Shehu, së bashku me Kadri Hazbiun, Beqir Ballukun, Feçor Shehun, Fiqret Shehun, etj…”, është përballur me pyetjet e të pandehurve të tjerë lidhur me ato që pohoi për afro 8 orë para trupit gjykyes, të kryesuar nga Aranit Çela. Disa nga të akuzuarit e pranishëm në seancë si Gani Kodra e Ali Çeno, nuk i kanë kundërshtuar deponimet e Mihallaq Ziçishtit. E kundërta ka ndodhur me ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Feçor Shehu. Ai jo vetëm ka kundërshtuar akuzat e Ziçishtit për ‘të, por ka debatuar dhe me kryesuesin e seancës Aranit Çela e prokurorin Rrapi Mino….

Vazhdimi i seancës së 23 gushtit 1983

Kryetari:- Keni pyetje shoku prokuror?

Prokurori:- Kemi nja dy pyetje shoku kryetar. Lidhur me të pandehurin Feçor Shehu, në shërbim të të pandehurit Mehmet Shehu, di ti i pandehur, kur është vënë?

Mihallaqi:- Feçor Shehu është vënë në shërbim të Mehmet Shehut që sa erdhi në ministri.  Këtë e kam marrë vesh që në vitin 1949.

Prokurori:- Për llogari të cilës agjenturë?

Mihallaqi:- Është vënë në shërbim të jugosllavëve. Pastaj, kur vajti në shkollë, në kuadër të asaj që shpjegova, të ngritjes së agjenturës në personelin dhe këtu, është venë edhe në shërbim të agjenturës sovjetike.

Prokurori:- Nga e ke marrë vesh këtë?

Mihallaqi:- Këtë e kam marrë vesh nga Mehmet Shehu, nga Kadri Hazbiu, por dhe nga vetë Feçor Shehu. Pastaj e kam marr vesh nga e gjithë puna armiqësore që kemi bërë së bashku…

Prokurori:- Kur shkoi atëherë Mehmet Shehu në krye të delegacionit në OKB në vitin 1960.. Kur është kthyer që andej, e ke takuar tradhtarin Mehmet Shehu dhe ke biseduar gjë me ‘të. Për ndonjë takim agjenturor bëhet fjalë….

Mihallaqi:- Kur erdhi, patjetër që e takova. Edhe ai më tha që ishte takuar me Fulcin. E mora vesh të tërë atë çështjen e udhëtimit me vaporin ‘Kuin Elisabet’, pra dhe takimin që kishte bërë me Fulcin.  Këtë e dinte mirë se Mehmeti e kishte biseduar dhe me Kadri Hazbiun. Edhe ai më ka folur për takimin me Fulcin, më ka folur për udhëtimin, etj… Bile më tha që ai kishte folur me ‘të në gjuhën angleze…

Prokurori:- Dëgjuat gjyqtarë pohimet e Mihallaq Ziçishtit? Ai shfrytëzoi rrethanat në të cilat u vu në shërbim të agjenturës së huaj. Kushtet në të cilat u bë bashkëpunëtor aktiv i kësaj organizate kundër revolucionare, si dhe tregoi detyrat agjenturore që ka kryer ky dhe pjesëtarët e tjerë të kësaj organizate komplotuese, puçiste e terroriste. Edhe nga pohimet e këtij armiku, të bëra në hetuesi dhe tani para jush, shokë gjyqtarë, tërhoqën vëmendjen disa momente të rëndësishme që hedhin dritë mbi Veprimtarinë e kësaj bande spiunësh të kryesuar nga poli agjenti Mehmet Shehu.

E para, armiku Mihallaq Ziçishti është vënë prej kohësh në shërbim të agjenturës së huaj. Të dhënat tregojnë se ky armik është vënë në shërbim të zbulimit jugosllav, nën përpunimin e agjentëve të tjerë të këtij zbulimi Koçi Xoxe e Panajot Plaku, të cilët kanë shfrytëzuar dobësitë e karakterit, si imoralitetin, prirjet për një jetë të lehtë e të shthurur, si dhe pikëpamjet e tij pro jugosllave që ishin kundër vijës së Partisë dhe në dëm të interesave të vendit tonë. Kështu u rekrutua spiuni i agjenturës jugosllave edhe i pandehuri Mihallaq Ziçishti, duke i mbajtur lidhjet me ‘të me pseudonimin ‘Mihilli’ dhe duke i shërbyer kësaj agjenture deri në fund, deri në shpartallimin e organizatës kundër revolucionare. Përsëri shokë gjyqtarë, del në dritë dora e zezë e klikës së Titos, e agjentëve të tyre, të cilët, dhe disa nga anëtarët e tjerë të kësaj organizate kundër revolucionare që po gjykoni, i ka rekrutuar si agjentë për realizimin e qëllimeve të tyre armiqësore ndaj Shqipërisë socialiste.

Së dyti, Veprimtaria e të pandehurit Mihallaq Ziçishti, ashtu dhe e mjaft nga pjesëtarët e organizatës kundër revolucionare, është e gjerë dhe e shumanëshme. Nuk ka lënë pa prekur asnjë sferë të veprimtarisë shtetërore, qoftë kjo politike, ideologjike, ekonomike, ushtarake, etj… Gjatë gjithë kohës, i pandehuri Mihallaq Ziçishti ka zbatuar detyrat agjenturore që i jepeshin nga ambasada jugosllave e cila është vërtetuar në mënyra të padiskutueshme. Ashtu siç vërtetohet edhe nga ky proces gjyqësor, ministria është kthyer në një çerdhe agjentësh për të vazhduar rrugën e nisur të planeve të errëta që kishte kurdisur Tito ndaj vendit tonë.  Për këtë flet vetë komploti i organizuar në Konferencën e Tiranës, përgatitja për arratisjen e Liri Gegës e Dali Ndreut, arratisja e Panajot Plakut etj, të cilat i shpjegoi me hollësi i pandehuri Mihallaq Ziçishti…..

Së treti, nga shpjegimet e armikut Mihallaq Ziçishti, dhe nga provat që ka në dosjen hetimore, del se, pothuaj të gjithë anëtarët e organizatës kundër revolucionare, komplotuese, puçiste dhe terroriste,  si Mihallaq Ziçishti, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu,  Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno, të organizuar dhe drejtuar nga tradhtari Mehmet Shehu, kishin depërtuar si agjentë të shërbimeve të huaja në Ministrinë e Punëve të Brendshme. E gjithë kjo veprimtari, e shikuar në lidhje me komplotet e ndryshme që organizoheshin nga grupet armiqësore, nga manipulimet për të mbuluar krimet e kryera prej tyre e deri në organizimin puçeve e të akteve të terrorit, tregojnë shokë gjyqtarë, se gjithë kjo bandë kundër revolucionare ishte me një rrezikshmëri të jashtëzakonshme, shumë të theksuar, për fatet e popullit, të atdheut e të socializmit. Por në sajë të vigjilencës ë lartë të Partisë e të shokut Enver Hoxha, organizata kundër revolucionare u shkatërrua dhe pjesëtarët e saj janë në bankën e të akuzuarve për të dhënë llogari para drejtësisë së popullit për krimet e përbindshme që kanë kryer….

Kryetari:- I pandehuri Gani Kodra, keni ndonjë pyetje për Mihallaq Ziçishtin?

Ganiu:- Nuk kam.

Kryertari:- Nuk ke, ulu. Ali Çeno, ke ndonjë pyetje?

Aliu:- Nuk kam.

Kryetari:- Nuk ke. Ke ndonjë pyetje Xhavit Ismailaga?

Xhaviti:- Jo.

Kryetari:- Nuk ke. Llambi Peçini, ke pyetje?

Llambi:- Jo.

Kryetari:- Nuk ke. Feçor Shehu, ke pyetje për Mihallaqin?

Feçori:- Kam

Kryetari:- Hajde këtu, bëji pyetjet..

Feçori:- Problemi i parë që kam si pyetje është se Mihallaq Ziçishti tha se unë kam mësuar nga Mehmet Shehu e Fiqret Shehu, nga Kadri Hazbiu se, dhe Feçor Shehu është në këtë organizatë kundër revolucionare. Unë pyes, si shpjegohet që, në qoftë se është kështu, siç thotë Mihallaqi, që me mua Mihallaqi nuk ka biseduar qoftë dhe një sekondë, qoftë edhe për një aspekt të kësaj organizate, që kur jemi njohur me këtë e deri…..

Kryetari:- Qartë. Mihallaq Ziçishti…

Mihallaqi:- Mua më duket që e shpjegova qartë, nuk e di a ka dëgjuar apo nuk e ka dëgjuar mirë Feçor Shehu. Me ‘të, kemi bashkëpunuar. Kemi bashkëpunuar në Konferencën e Tiranës, kemi bashkëpunuar me ‘të në arratisjen e Liri Gegës e Dali Ndreut. Kemi bashkëpunuar me ‘të për arratisjen e Panajot Plakut. Thashë çështjen e Peshkopisë. Ne i jemi hapur njeri-tjetrit. Gjithashtu thashë që ai i është hapur dhe Fiqret Shehut para Konferencës së Tiranës duke thënë pozicionin e tij.

Kryetari:- Qartë, kjo është përgjigja jote…

Feçori:- Kam një pyetje, lidhur me arratisjen e Liri Gegës e Dali Ndreut. Feçor Shehu, as Dali Ndreun, as Liri Gegën, as Dushan Mugoshën që ka rekrutuar Mihallaq Ziçishtin, nuk i njoh fare. Një kjo. E dyta, Dali Ndreun dhe Liri Gegën e ka ndjekur si përpunim direkt ministria….

Kryetari:- Ato shpjegime jepi pastaj…

Façori: – E kam llafin që këta dy objekte i ka ndjekur direkt ministria dhe në procesin e përpunimit agjenturor, edhe në procesin e  hetimit. Atëherë ç’duhej pjesëmarrja ime në këtë çështje dhe në qoftë se unë paskam marrë pjesë,  për çafër detyre jam ngarkuar unë., se unë s’kam qenë në ministri, unë kam qenë drejtor i Tiranës…

Kryetari:- Po. Përgjigju Mihallaq.

Mihallaqi:- E para, si mundet që të mos e ketë njohur personalisht Dali Ndreun dhe Liri Gegën, por kjo përjashtohet se dhe Liri Gega e Dali Ndreu kishin qenë në përpunim. Është e vërtetë që ata kanë qenë në ministri, por ky ishte drejtor i punëve të brendshme të Tiranës. Ata ishin në Tiranë, e si rrjedhim ministria bashkëpunonte me degën e  punëve të brendshme të Tiranës. Në këtë kuadër, si drejtor i Drejtorisë së Tiranës, ka ardhur në dijeni dhe Feçor Shehu, ashtu siç ka ardhur dhe për probleme të tjera që ka ndjekur ministria. Drejtoria e Tiranës nuk është  mbyllur.

Kryetari:- Po, qartë, kjo është përgjigja jote. Tjetër pyetje?

Feçori:- Kam pyetje lidhur me atë që pretendon Mihallaqi, se unë kam dijeni për arratisjen e Panajot Plakut dhe ky e shpjegoi se vetë Mihallaqi, i udhëzuar nga Kadri Hazbiu, Kadri Hazbiu do të pyetet vetë, edhe nga Mehmet Shehu që ka qenë apo s’ka qenë atëherë, nuk e di, ministër, e kam llafin. Edhe jemi ngarkuar, thotë Mihallaqi me Feçorin. Mihallaqi ka shkuar për të spastruar rojet në Qafën e Thanës, unë qenkam ngarkuar për të filtruar, penetruar survejimin në Linzë. E pyes Mihallaqin: Çfarë do fitonte, çfarë do të bënte survejimi në Linzë!!. Linza është zonë e hapur, Panajot Plaku drejtor i kufirit, anëtar i Komitetit Qendror, gjeneral, e në qoftë se do të ishte ndonjë polic i policisë rrugore, ai do ta nderonte…

Kryetari:- Po,  e kupton pyetjen, përgjigju…

Mihallaqi:- Bash për këtë, organizimin e arratisjes, i cili ishte një veprim i rëndësishëm, prandaj u inkuadrua dhe Feçor Shehu, që pa rrugën, vajtëm atje së bashku, siç e kam shpjeguar hollësisht në proces, ja kam thënë dhe në ballafaqim. Po të dojë, t’ia përsëris edhe një herë….

Feçori:- Unë pyetjen, kryetar, e kisha kështu. Çfarë detyre do të kryente survejimi në Linzë?

Mihallaqi:- Në Linzë nuk kishte punë survejimi. Në atë zonë dihej që dobësohej, çfarë kishin atje, postë policie e njerëz të tjerë çfarë kishim, të dobësohej puna në mënyrë që të garantohej arratisja e tija, kalimi i tija….

Feçori:- Që të kalonte drejtori i Kufirit…..!?

Mihallaqi:- Që të kalonte nga Shëngjergji për të dalë në Labinot Fushë dhe në rrugën nacionale matanë Elbasanit….

Kryetari:- Qartë, kjo është përgjigja jote. Tjetër pyetje?

Feçori:- Ky tha që për planin e arratisjes së Panajot Plakut dinte dhe Fiqret Shehu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj… Fiqret Shehun, megjithëse kam mendime për deponimet e saj, nuk e them tani, por kur të vijë koha, në ballafaqim, nuk e ka thënë një gjë të tillë, si shpjegohet…?

Mihallaqi:- Fiqret Shehu ka qenë në dijeni të çështjes së Panajot Plakut…..

Kryetari:- Këtu në dosje, ti i pandehur Feçor Shehu, del se ajo ka pasur dijeni, e ka pranuar këtë ajo….

Feçori:- Jo, jo që dinte dhe për mua. Edhe ky s’e ka thënë ën ballafaqim. Ju lutemi lexoni dosjet.

Mihallaqi:- Çështja e Panajot Plakut është çështje, kjo nuk është një çështje sot për nesër. Përgatitja dhe arratisja e tija është bërë për një kohë të gjatë, ashtu siç e shpjegova…

Feçori:- Lidhur me të ashtuquajturin takim në Pentarë. Do të pyeten ata që do të shikoni ju të arsyeshme, dhe Kadri Hazbiu që ishte mbi Mihallaq Ziçishtin atëherë. Mihallaq Ziçishti s’e kishte kufirin në lidhje, as unë s’e kisha kufirin në lidhje. Kufiri nuk është han që të hapet kur të dojë një njeri pa dijeninë e komandës së batalionit. Kush vajti në komandën e batalionit të Shkodrës, se në vitin 1962, batalioni nuk varej nga dega e brendshme. Kush vajti nga ne të dy që kërkoi hapjen e kufirit dhe nëse di komandanti e komisari i batalionit dhe komandanti i postës, apo nuk di për këtë….

Mihallaqi:- Për këtë duhet të japësh shpjegime ti. Unë të thirra edhe të thashë që të vije. Ti the, e ashtuquajtura çështja e Pentarës. Ajo nuk është e ashtuquajtur, por është një fakt. Edhe, megjithëse kufiri nuk varej nga dega e punëve të brendshme, tani, të dy kemi punuar në ministri, ne bënim kombinacione edhe me kufirin dhe me forcat e tjera….

Kryetari:- Mirë, tjetër pyetje?

Feçori:- Po nuk ma dha përgjigjen….!!

Mihallaqi:- Ti bisedove…..

Feçori:- Unë e bisedova me Avni Buxhelin.

Mihallaqi:- Tashti nuk më kujtohet mua me cilin, po kur bënim kombinacione të tilla ne nuk vinim borijet dhe të merrnin vesh të

gjithë…….

Kryetari:- Tjetër pyetje?

Feçori:- Nuk e mora përgjigjen. Ky Mihallaq Ziçishti pretendon që ka qenë në lidhje me agjenturat e huaja e me legatën jugosllave. Për këtë ka qenë dhe Kadri Hazbiu, ka qenë dhe Feçor Shehu, etj… Vajtja në takim me Panajot Plakun qenka, pra u reduktua nga ky, që erdhi me një varkë, pruri një letër, mori një letër dhe iku. As biseda, as plane, asgjë. Këtë letër nuk ishte më e mundshme ta merrte Mihallaqi nga ambasada, nga Rexhep Xhija, ose ç’është ai tjetri që thotë ai. Se ne paskemi luajtur rolin e korrierit….

Mihallaqi:- Po, atë  kemi luajtur, rolin e ndërlidhësit, unë dhe ti në rolin e ndërlidhësit. Edhe u bë ky takim në Pentarë, bash sepse ishe ti kryetari i degës së punëve të brendshme të Shkodrës. Pozicionin tënd e njihte mirë edhe Panajot Plaku, prandaj u bë….(Vijon nesër).

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Përplasja mes Mihallaq Ziçishtit e Feçor Shehut në seancën e 23 gushtit 1983. Ziçishti: Ti, unë Kadriu dhe kryetari ynë, Mehmeti, jemi armiq! Feçori: Nuk jam armik, ti shpif fakte të paqena!

-Misteri i udhëtimit ilegal të Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut në Moskë në vitin 1950 dhe detyrat që morën nga KGB për grupin agjenturor në Shqipëri.

-Cila ishte hierarkia në grupin agjenturor në shërbim të zbulimeve të huaja që kryesohej nga Mehmet Shehu dhe roli i agjentëve në qendër e në bazë.

 

SOM 1

“Mihallaq Ziçishti deponoi në gjyq: Pas kthimit nga OKB, Mehmet Shehu më tha që ishte takuar me Fulcin. Tregoi gjithashtu dhe takimet gjatë udhëtimit me vaporin ‘Kuin Elisabet’, problemet që kishin të bënin me detyrat e grupit tonë të vënë në shërbim të agjenturave të huaja dhe detyrat konkrete për të ardhmen. Këto probleme që bisedoi me mua, Mehmeti i ka biseduar dhe me Kadri Hazbiun. Bile, Mehmeti më tha dhe hollësi të tjera si bie fjala, që bisedën me Fulcin e kishte bërë në gjuhën angleze”

 

SOM 2

“Të gjithë anëtarët e organizatës kundër revolucionare, komplotuese, puçiste dhe terroriste, si Mihallaq Ziçishti, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno, të organizuar dhe drejtuar nga tradhtari Mehmet Shehu, kishin depërtuar si agjentë të shërbimeve të huaja në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kishin rrjetin dhe me persona të grupit, të cilët ishin emëruar në poste të rëndësishme në sektorë të ndryshëm në Tiranë e rrethe”

 

SOM 3

“Feçor Shehu, kundërshton Mihallaq Ziçishtin: Ky Mihallaq Ziçishti pretendon që ka qenë në lidhje me agjenturat e huaja e me legatën jugosllave. Thotë që ka qenë dhe Kadri Hazbiu, ka qenë dhe Feçor Shehu, etj… Vajtja ime në takim me Panajot Plakun e arratisur, sipas tij, ishte për të dorëzuar një letër të Mehmet Shehut e për të marr nga Panajoti (jugosllavët) një letër për ‘të. Pra, as biseda, as plane, asgjë. Pse ne paskemi luajtur rolin e korrierit!?”

Kujtim Boriçi December 16, 2012 18:10
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*