Secilës ditë i del mjaft pikëllimi i vet

Nga Bedri Islami August 20, 2014 11:34

Secilës ditë i del mjaft pikëllimi i vet

Ajo që ndodhi në qytetin e Sarandës, tepër e dhimbshme dhe natyrisht përbuzëse – me të gjitha çka në vete: pra me grishjen, joshjen, afrimin, perversitetin; me aferën dhe mediat, partitë politike dhe qytetarët, e sidomos me gjendjen e rëndë përmes së cilës detyrohet të kalojë një fëmijë që sapo shkel në rininë e parë – zgjoi edhe një herë dy pamje të politikës sonë, të cilat, edhe ashtu si janë, mbartin shumë dhimbje.

Partia Socialiste, përmes drejtuesit të saj, Edi Rama, i cili është njëkohësisht edhe shefi i qeverisë, bëri një deklaratë të shkurtër, thelbi i së cilës lehtësisht mbahet mend, “e arrestuam, e përjashtuam nga Partia Socialiste”. Deputeti i zonës, Kokëdhima, i cili në fare pak muaj ka bërë që edhe një herë emri i tij të lakohet vend e pa vend, me të drejtë e pa të drejtë, bën një deklaratë miope, përmes së cilës, në vend që të verë vetulla, fillon e nxjerr sytë, dhe, duke dashur të shkarkojë nga vetja atë që ka ndodhur dhe me të cilën personalisht nuk ka lidhje direkte, bën në fakt, atë që s’duhet: lan duart. Larja e duarve, pas një ngjarje të dhimbshme ose në pragun e saj, është një kumt i lashtësisë, të paktën 2 mijë vjeçar, që kur Pons Pilati, pasi e la Jezus Krishtin në duart e vrasësve të ardhshëm, lau duart e tij, si të donte të çlironte veten nga mëkati i së nesërmes.

Pedofilë shfaqen kudo, edhe aty ku mendja nuk të shkon, në hierarkinë e lartë të kishës, ku mendohet për një virtyt dhe shembulltyrë sa më pranë zotit, shfaqet edhe tek njerëzit e zakonshëm, edhe tek ministrat, edhe tek aktivistët, si ishte rasti i fundit në qytetin e Sarandës. Por, nëse ky aktivist ka qenë i yti, është deleguar nga ti, nga struktura jote partiake; nëse ai ka një zyrë në godinën e partisë ku je pjesë, dhe, mos ma keq, prej aty ai lëshon direktiva, pret njerëz, mban shënime, informon, kjo do të thotë se ai është pjesë e jotja, dhe, për pjesën mban përgjegjësi edhe e tëra. Atë forcë ia dha mandati i një deputeti dhe mandatin deputetit ia ka dhënë partia që i përket.

Dikush duhet të kërkojë ndjesë për atë që ndodhi, të thotë sinqerisht,”më falni, o njerëz, që ju dërguam të qanit hallet tek një njeri i tillë, i cili, edhe nëse është viktimë e një manipulimi ose loje të sajuar bukur, përsëri në këtë vend ka ardhur prej nesh, nga besimi ynë dhe ky besim është shkelur”.

Një ndjesë e tillë, e domosdoshme në këtë rast, nuk të largon nga njerëzit, nuk të bën fajtor, përkundrazi, të bën edhe më njerëzor.

Socialistët rierdhën në pushtet jo thjeshtë për të përmbysur një oligarki të dhunshme dhe thellësisht mizore, mizore deri në vrasje; por për të ndërtuar një meritokraci të emancipuar, dhe, në vetë përbërjen e saj, ajo ka me dhjetëra e mijëra militantë, të ndryshëm nga metingashët, të cilët i bëjnë nder vendit të tyre, por, meqenëse ende nuk shfaqen në krahët e deputetëve, si zogj që presin mëshirë , janë lënë anash, nën hijen e shqetësimit të një dite, së cilës i del mjaft pikëllimi i vet.

Të mos thërrasësh pranë vetes njeriun e ditur, do të thotë se ke humbur një investim të vyer, që përsëritet rrallë. Njëra ndër figurat e ndritura të shkencës dhe letërsisë shqipe, përshembull, Moikom Zeqo, autor i më shumë se 75 librave, nga të gjitha fushat, poet, eseist e historian njëkohsisht, erudit i një shkalle të lartë, ish drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, i dëbuar nga qeveria Berisha, duke vënë në vendin e tij një gjysëm anonim, përsëri është pa punë, sepse ” të rinjve” u duket i vjetër, ndërsa ” të vjetërve” u duket tepër i dinjitetshëm.

E vërteta është se në strukturat e larta të qeverisjes, socialistët vendosën njerëz të aftë, personalitete të dinjitetshme, të arsimuar në mjediset më të kualifikzuara dhe të njohura ndërkombëtare , dhe krijuan kështu rrethin e parë të një qeverisje solide. Por ata harruan se kjo nuk është e mjaftueshme, shpesh herë zyrat e deputetëve po kthehen në zyra pune, dhe ai, që mund të quhet rrethi i tretë i punësimit, tashmë ka rrezikun të shndërrohet  në një përngjashim berishian dhe kjo do të ishte humbja e parë e saj.

Nga ana tjetër, e gjithë ajo që ndodhi në Sarandë, e theksoj, sa ishte e dhimbshme për një vajzë në fillimin e jetës së saj, aq ishte monstruoze për një njeri që është drejt përmbylljes së jetës së tij; zgjoi edhe një herë gëzimin me të keqen e Partisë Demokratike, liderëve të saj, të shpallur e të pashpallur.

Në më shumë se një vit në opozitë, PD-ja ka shfaqur dy tipare të saj: protestën, të cilën e ka motiv politik, me thirrjen ” bjeruni t’u bijmë, katundarë e punëtorë…”, dhe së dyti, që është edhe më e përbindshme, gëzimin me të keqen që ndodh. Asnjëherë një forcë politike nuk ka qenë kaq e gëzuar me vrasjet që ndodhin, me aksidentet, me plaçkitjet, me vjedhjet, me rrahjet. Të duket sikur nuk është parti politike e një vendi, po është një forcë amfibe, e cila merr frymë pikërisht nga e keqja që ndodh, nga dhimbja që ndahet.

Liderët pëdëistë që morën në mbrojtje krejt hapur Lazaratin, si një qendër e kultivimit të drogës dhe simbol i përhapjes së saj, që janë shpesh palë e së keqes së mbartur nga pushteti i tyre, kanë në vete një emfazë lumturie kur një dhimbje është e pranishme në jetën e shqiptarëve të tjerë. Nxjerrin në tribuna dy a tre figura të mllaçitura, të cilëve, ndërsa sytë u shkëlqejnë nga gëzimi, lëshojnë thirrjet për kushtrim. Ndodh një vrasje, që nga e zakonshmja e deri tek gjakmarrja, e përsëri në tribuna, dy a tre “trima”, pasi e përmendin shkurt ngjarjen, sepse në thelb ajo nuk u intereson, fillojnë edhe një herë nga mallkimet.

Është e vetmja opozitë në botë, që i thotë qeverisë së saj, e cila ka fituar dërmueshëm mbi to, dhe ka votat e shumicës së shqiptarëve se është “qeveria e qelbësirave” (!)  Fatmirësisht ka rënë marramendshëm shpejt numri i njerëzve që shkojnë pas halucinacioneve të një njeriu, të cilin Zoti e ka krijuar për të keqen e Shqipërisë,  por kjo mbetet një opozitë e llojit të veçantë. Për ta nuk ka rëndësi ngjarja, e rëndësishme është që diku të ketë lidhje me një njeri të pushtetit, dhe pas saj, vjen pashmangshmërisht përbaltja përmes gëzimit të egër të revanshit, që sa më shumë po vonon, aq më tepër i bën të patjetërsueshëm në egersinë e tyre.

Por, nëse ndodh që ngjarja të jetë në domenin e tyre, në prokurori, në SHISH, në Këshillin e lartë të Drejtësisë, në bankën qendrore, në presidencë, falangat janë të gatshme për një kundërsulm, dhe, të vjen për të qeshur e për të qarë se falangistët kryesorë janë një treshe groteske: Ristani i pijeve të forta, Halimi i Argites së klasës,dhe Muli i Kukësit.

Një skizofren i SHISH, i larguar nga puna disa vite më parë, rimerret në punë nga Visho Ajazi. Ky i fundit siç ka rikthyer shumë nga falangistët e vitit 1997, rikthen në punë edhe një tjetër, i cili, duke e ndjerë veten mbi pushtetin, vret në mesin e ditës një djalë të ri. Dhe për çfarë: për një gomë makine. Ajo që bëri Visho Ajazi, me kthimin në punë të këtij vrasësi gjakftohtë, është e njëjtë me atë që bëjnë disa ndihmës deputetësh, dhe më e rëndë, sepse Visho Ajazi nuk është askushi, por shefi i Shërbimit Sekret. Askush nuk e dëgjoi Ajazin të thotë: “Më falni, more njerëz, që e rimora në punë këtë njeri, që e vesha me pushtet, që gjakftohtë vrau një njeri, me armën që ia besova unë”. Por askush nuk e dëgjoi as Berishën apo Bashën të denonconte vrasësin apo punëdhënësin, sepse ata janë nga domeni i tyre. Po të kishte ndodhur kjo në kohën kur SHISH drejtohej nga Bahri Shaqiri?! Qindra trumbeta mallkimi e gëzimi do të hidhte përpjetë SHPK-ja e SHQUP-it, Berisha e Basha. I gjithë stafi i SHISH do të ishte vënë në shenjestër, bashkë me shefin e qeverisë, etj, etj.

Pra, askush nuk e ka dëgjuar deri tani Berishën apo Bashën, aq më pak treshen triumfaliste të tyre, të denojë skandalet e drejtësisë, gjingjonizmin që ka shpërthyer aty, kur kushdo e di që sistemi i drejtësisë është më i korruptuari dhe më antishteti në Shqipëri.

Të gëzohesh me të keqen, të lumturohesh nga ajo, është një veti e monstrave të politikës, të cilët, së bashku e veç e veç, sjellin mes nesh kumtin e fatkeqësisë, sjellin ndjenjën e humbjes, dhe sado në pak vetë të depërtojë kjo, të gjithë kemi humbur diçka nga vetja.

 

Nga Bedri Islami August 20, 2014 11:34
Komento

12 Komente

  1. Arif Gjongjini August 20, 13:28

    Si tërë artikujt të tjerë të Bedri Islamit: i shkëlqyer, në analizë, në ndjenjat që e udhëheqin, në dashurinë për të drejtën e të moralshmen, si përherë përkrahës i së mirës duke i veshur asaj kostumin më të bukur të argumentit…

    Reply to this comment
  2. Biku August 20, 13:33

    E drejte dhe renqethese

    “GJINGJONIZIMI” i drejtesise=e forte, shume e forte, term qe do futet ne fjalorin e politikaneve, gazetareve e analisteve

    Reply to this comment
  3. adem August 20, 14:01

    Analize e sakte, pergezime, mik i nderuar dhe mire se te vish ne Kosove.Familja Zhitia.

    Reply to this comment
  4. Al August 20, 16:30

    Fjalet me te mira per autorin per kete analize te sakte !

    Reply to this comment
  5. Hallalli August 20, 16:34

    Edi Rama duhej qe te perjashtonte nga grupi parlamentar Koco Kokdhimen pasi perjashtimi i Canaj nga partia eshte nje pese me hic. Iku koha e PPSH ku perjashtimi nga partia ishte pushkaptim politik, ndersa sot perjashtimi apo vetlargimi nga partia eshte nder, pasi udheheqjet e partive jane varrmiheset e Shqiperise. Keshtu qe edhe me kete shkrim, i dashur Bedri, i ke ardhur ne ndihme Edi Rames. Shih se ka me te shperbly Edi, te lumte.

    Reply to this comment
  6. Taulant August 20, 16:44

    Dmth.Po u fut Moikom Zeqo ne pune,.Po e mbylli gojen opozita per bemat e disata te Kokedhimit,po u zgjidh vrasja e gomistit shpeton Shqiperia.Medioker me hartime te Gazetarit komunist.Fajin e ka Saliu por edhe Zeneli e ishin ne nje parti dhe nga nje krahine.Coje nje arsyetim deri ne fund jo duke lidhur paten me lopen

    Reply to this comment
  7. raimond vlonjati August 20, 17:03

    Ky artikull eshte nje perpjekje ne rugen drejt respektimit te se …Drejtes ne vetvete, dhe kjo eshte gje shume e mire

    Sa per opoziten eshte normale qe ajo ti perdori gabimet e pushtetit si kapital politik …..pro politikes se saj.

    Por nje gje me cudit, perse.nuk.permendet Fullani ?

    Ne ceshtjen Fullani, eshte e vetmja ceshtje ku opozita diskretitihet se aty Sala po mbron nje …mega_hajdut qe shkateron sistemin tone monetar….dhe ne kete ceshtje gjithe populli i majte dhe i djathte jane sensitive .
    Dhe pikerisht me kete ceshtje PS_ja e siguron pushtetin edhe per te ardhmen…

    Mirpo nga sa shihet ju nuk e prekni kete ceshtjen e Fullanit……, perse ?

    Dhe kam frike se eshte pikerisht ky Fullan qe e bllokon ngritjen e Burses shqiptare, pasi po te ngrihet Bursa Fullani nuk ben dot vjedhje monetare duke perdorur kursin e lekut me dollarin dhe euron, …..Ne kete kambizem.sic duket i ngjyejn gishtat nga pake gjithe pilitikanet ndaj dhe as qe duan tja dijne per ngritjen e Burses shqiptare dhe e trajtojn Fullanin si Perendi , dhe vazhdojne avazin e vjedhjeve me kursin e lekut shqiptar ndaj monedhave te huaja…

    Porse ju gazetaret nuk keni asnje perfitim., ndaj duhet ta trajtoni patjeter problemin e ngrithes se Burses shqiptare ne Tirane….se keshtu i vini freh nje vjedhje barbare qe ben Fullani per shoket e tij politikane..

    Reply to this comment
  8. gregor August 20, 17:30

    Per zotin Bedri dhe koleget e mij komentues
    Jam plotesisht dakort me analizat, konstatimet, revolten migjeniane te z.Bedri dhe te komentuesve, te cilet ashtu si dhe une, kemi te drejte te revoltohemi dhe te shprehim dufin tone dhe te kenaqemi qe opinionet tona na I boton Dita. Ten tilla analiza the forta kemi lexuar
    Vazhdimisht nga zoti Bedri dhe koleget e tjere te tij ne gazeten Dita. I tille ishte dhe shkrimi I dites se djeshme per spurdhjaket e politikaneve tane, konstatime qe edhe ne I njohim dhe revoltohemi perdite e me shume me menyren se si na e paraqesin situaten ne vendin tone, shume te pasur,por tmerresisht te varfer nga grabitja e perditeshme dheskandaloze e nje grupi te Vogel njerezish prane ish qeverise. Do te desha qe nga zoti Bedri, dhe ne pergjithesi nga stafi teper guximtar e professional I gazetes DITA te jepte mendime, te bente analiza te till qe te ngrinin ne kembe mbare qytetaret per te shperbere kete shtrese hajdutesh,per konfiskimin e pasurive te tyre marramendese. Nuk mundet ky vend te duroje mbi shpine per nje kohe te gjate kete lloj vjedhje, te hapur dhe pa ua bere syri terr hajduteve.

    Reply to this comment
  9. Zaho Koka August 20, 18:01

    ISLAMI ,SHKRIMI YT I PARE AKULLORE!
    Ne kete shkrim ke rene viktime o e facebook te Saliut o te ‘gazetareve’ qe asnjehere nuk kane bere informacion.’Ngjarja’ e Sarandes eshte nje grimce nje qelizore jo vetem brenda trupit kadaver te ketij vendi por edhe brenda ‘llojit’ perdhunim.
    Po qe se do trajtoje fenomenin perdhunim apo pedofilinuk meret shembull nje Cane pas 24 vitesh aqe me teper qe nuk eshte vertetuar nga drejtesija as perdhunim e akt seksual e aqe me teper te futet ne burg pa e gjykuar e qe nuk paraqet asnje rrezik as per shoqerine per tu ndjekur i lire,por duhet te trajtoje PERDHUNIMIN 25 VJET QE U BEHEN FEMIJEVE SHQIPETARE E GRUAS SHQIPETARE BRENDA DHE JASHTE E QE JANE KTHYER NE BIZNESE PER KRRIMINELET QE E SHFRYTEZOJNE KETE FENOMEN ME PRAPAVIJA POLITIKE.Tragjedija me e madhe e ketij vendi ngelet informacioni.Jashte problemit FULLANI çfardo informacioni do ish leter higjenike e salisjaneve si deri me sot.Kjo qeverri e re ne fakt NUK E KA SHUMICEN DHE ESHTE PA OPOZITE PER TA VENE NE PUNE.Kryeministri mendoj se si kryetar i shumices po e ben keq punen ndersa ministrat i ka mire keshilltaret duhet ti marre per b..si ata te huaj edhe ata te Bathores..Respekt.

    Reply to this comment
    • Raimond Vlonjati August 21, 05:23

      Jo, jo , je shume gabim ti —
      Shkrimi eshte i shkelqyer, por ne shkrim duhej shtuar edhe fenomeni “Full-hajni” edhe do ishte perfekt
      -Sepse ky fenomen eshte me shqetesuesi ne kete kohe, pasi po e le Shqiperine pa opozite, se opozita po e mbron hapur ate sharlatan Fullan
      dhe ne te njejten kohe ky Fenomen -Full/hajn ka paralizuar edhe pushtetin…

      Por qe sidoqofte ky shkrim eshte tamam me fryme demokratike moderne
      sepse perqendrohet
      tek e Drejta si fenomoen me vete , duke qendruar mbi partite : Pozite-opozite –

      -Dhe pikerisht per keto lloj shkrime te pa-anshme ka nevoje shoqeria shqiptare sot , qe te edukohet
      me respektin per drejtesine, si princip moral kryesor per mbarevajtjen e nje shoqerie moderne …..

      Ne kete fryme te kritikes kunder kujtedo qe gabon duhet te ecin shkrimet e gazetareve tane
      ne menyre qe neser te mos na ikin nga jeta njerezit tane , sepse ne urgjencat e spitalit doktoret sharlatane e te koruptuar , te vendosur nga pazaret politike , nuk dijne te japin as nje diagnoze te thjeshte fare , sic eshte Tensioni i larte arterial,

      Apo korupsionet qe behen duke vendos ne krye te institucioneve tona njerez sharlatane , te miqve e shokeve , te cilet i kane kthyer institucionet ne qebaptore, e ne vende qejfi etj etj

      Bedriu ne kete shkrim eshte i sakte fare , pavaresisht ndonje pinello te holle qe i jep kreut te vendit, por eshte e natyrshme ne stadin qe jetojme , E rendesishme eshte trjatimi kritik konstruktiv i fenomeneve negative ne pozit-opozite qe ju ben Bedriu eshte shume i sakte

      Reply to this comment
  10. shqip hesapi August 21, 06:08

    Pedhunim ,gjithe popullit shqiptar i ka bere Fullani ,saqe ai i Sarandes eshte nje pike uji ne oqeanin Paqesor.Jam per denim te tij por pasi te kete nxjere cfare ka ngrene Fullani me Saliun e CO. Ti Bedri shkruan mire,qellimi yt eshte i larte,i paster dhe largpames.po kush ta fishkellen ty dhe mua ,ti nje cope gazetar,une nje cope qytetar.

    Reply to this comment
  11. gjok August 22, 07:18

    Perderi sa kishim Xhuvelizmin,dhe se fundemi edhe Kacizmin pse te mos kemi edhe Kokdhizmin e plot te tjera se populli eshte vital e mbane shume……………

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*