Sejfulla Malëshova nëpër duart e dy komunaleve

July 31, 2016 11:58

Sejfulla Malëshova nëpër duart e dy komunaleve

 

Nga Haxhi Kalluci

 

Është i njohur fakti se si ka vdekur personaliteti i shquar shqiptar Sejfulla Malëshova. Këtë qershor kaluan 45 vjet, që nga koha kur komunalja e shtetit të atëhershëm, e nisin trupin e tij pajetë vetëm me karrocierin dhe karrocën e vet dhe e kallnin në dhe, ku pjesë mori vetëm motra e shkretë e tij, Zenepja, që nga dera e të shoqit ku shkoi mbante mbiemrin Çafka dhe nuk lindi vetë fëmijë, por edukoi e rriti fëmijë me kujdes e dashuri të rrallë, si një nënë e vërtetë e me dhembshuri të pashoqe.

Sipas rrëfimeve ajo, motra, Zenepja, kishte një ngjashmëri të madhe me vëllanë e saj, aq sa njerëzit nuk e kishin të vështirë, nëse njihnin njërin, të shëmbëllenin tjetrin. Në gjallje të tij, pas internimit të tij në Fier, vetëm motra i shkonte shpesh për vizitë, dhe askush tjetër. Megjithëse nga njerëzit që e njihnin, Sejfulla Malëshova adhurohej masivisht. Por nga distanca. Të gjithë ata që e kanë njohur, qoftë nga afër, qoftë nga larg, pësonin e asimilonin ndikim, në mënyrë të sjelljes, në mënyrë të gjesteve, në mënyrë të veshjes me shije estetike e klasike, të sportivitetit e rregullit të organizimit të vetvetes, frymës së hapur e komunikuese, cilësive të matura e energjike, përkundër topitjes, vegjetimit e mediokritetit, prakticizmit e racionalitetit, frymës njerëzore, dëgjueshmërisë e kujdesit, aksionit pa dogma e pa pompozitet, por me gjallëri, sepse struktura e formimit të tij ishin dituria dhe erudicioni, të cilat i përjashtojnë detyrimisht këto.

Por çudia, në mënyrën më fatkeqe ndodh me këtë njeri dhe personalitet të shquar historik, shoqëror, kulturor e atdhetar.

Tërë ajo që ai, Lame Kodra, predikonte në tërë sjelljet e veta, për rendin shoqëror të ardhshëm, të iluminuar, të shpresuar, e të aspiruar si kauzë, që kishte përparimin, progresin, luajalitetin, harmoninë, diversitetin, hapjen e jo mbylljen e këtij vendi, demokracinë në shkallën e kuotën më të lartë, e në shtratin e saj më të gjerë të mundshëm. Pikërisht, të gjitha këto, i ranë si shpata e Demokleut e u vërtetua thënia e një të dituri se: “Revolucioni ha bijtë e vet!” Dua të them, nisur nga kjo, se Sejfullai, ndoshta ishte një nga bijtë më të mëdhenj të tij e që u vu nën presën pneumatike të absurdit të kohës. Kohërat edhe ndryshojnë, por në thelbin e tyre ndryshimi ngelet sipërfaqësor. Ato ngelen thuajse e njëjta gjë, pasi ndryshon vetëm kopertura nëpërmjet ndryshimit të pushteteve. Të mbyturin në lumin e marrëzisë e nxjerrin si gjoja për ta shpëtuar, e ndërkohë, pa vonuar i lidhin edhe një gur mbi qafë a mbi supe dhe e rimbytin sërish. Ky ishte dhe fati i Sejfulla Malëshovës në vitet e diktaturës 45 vjet më parë…

***

Një administratë e përkohshme që ka në vartësi ndërmarrjen e komunales sot në shekullin 21, në prag të 45 vjetorit të vdekjes së Sejfulla Malëshovës, e pushkaton figurën e tij për së dyti. Por që e llogaritur që nga fillimi, i takon për së treti. Në fillim politika e kohës, më pas komunalja e tij me shërbimin e ofruar bujarisht falas për në banesën e fundit, dhe së fundi komunalja e një qeveritari të përkohshëm lokal me arrogancë të pajustifikuar për ta shkulur dhe zhdukur një herë e përgjithmonë kujtimin e tij nga qyteti i Fierit ku ai dha shpirt. Bëhet fjalë për heqjen brutale të portretit (një kokë e derdhur në bronx) dhe e vendosur në një shesh të vogël të qytetit të Fierit në shenjë të respektit ndaj kësaj figure të rëndësishme të historisë sonë moderne.

Sejfulla_MalëshovaKy portret i realizuar në përpjesëtim të lindjes dhe të vdekjes së tij është realizuar, derdhur në bronz dhe vendosur më 18 korrik të vitit 2010, në kuadër të 110 vjetorit të lindjes së Sejfulla Malëshovës. Rehabilitimi i figurës së tij prej një shtetari të vërtetë me pikëpamje socialdemokrate u neglizhua për vite me radhë edhe pas shembjes së diktaturës që e kishte dënuar. U neglizhua se shumë prej shtetasve që asokohe kishin sadopak vendimmarrje, porsi burrecë krahinash dhe asnjëherë me këllqe shtetarësh, e quanin akoma “tradhti ndaj idealeve” që këtij intelektuali brilant, këtij burrështeti të shquar i cili në vetvete përfaqësonte të majtën europiane shqiptare, t’i rikthehej dinjiteti i nëpërkëmbur pikërisht prej tyre edhe pas vdekjes. Të gjithë këta sot mblidhen rreth partive politike të majta dhe lëvdojnë europianizimin e tyre dhe emancipimin që medemek ato i kanë sjellë në ditët tona shoqërisë shqiptare, po ata personalitete të së majtës shqiptare përparimtare dhe me prirje europianiste që u viktimizuan nën brohorimat e tyre paradoksalisht nuk pranojnë t’i rehabilitojnë, të paktën si një gjest ndjese për dhunën dhe padrejtësinë kriminale që i detyruan të përjetojnë dikur në gjallje të tyre.

Portreti monumental i Sejfulla Malëshovës, i vendosur në Fier, nuk ka qenë një dëshirë individuale e imja si autor i atij portreti, as dhe vetëm e një grupi njerëzish; ka qenë një dëshirë dhe vullnet ftillëzues i mbarë qytetarisë së Fierit, duke e vlerësuar figurën e tij me vlera për historinë e shtetit dhe të kulturës shqiptare në një rrafsh mbarëkombëtar.

Në piedestalin e tij, i cili është ende nën rrënoja, përveç emrit, janë akoma e tij vargjet të gdhendura: “Unë e dua Shqipërinë si poet i dhemshuruar!” Koka në bronz, e shkulur me vinç dhe piedestali prej guri monolit, rrëzuar dhe vithisur me fadromë, pranë apartamentit ku ai mbylli sytë, e ku aty afër qe mbjellë dhe një ulli i ardhur enkas nga Spanja në nderim të Lame Kodrës, është edhe kësaj dite si një rrënojë, a thua se më 20 mars 2016, të kishte plasur Lufta e Tretë Botërore e artileria e ajrit duhet ta bombardonte pikërisht atë shesh e atë vepër arti …!

Duhej dhënë dhe argumentuar shkaku i kësaj sjelljeje që mund t’iu shkonte për shtat vetëm kanibalëve, por jo pushtetit vendor. Nuk ndodhi asnjëherë. Edhe kur u hoqën 5 heronjtë e Vigut në Shkodër, ai pushtet pusht, i çoi, sado në pozitë e pozicion fyes, por ama i degdisi diku në periferi dhe u vuri një “diçiturë”. Po këtu në Fier?! Kush e shtrëngoi këtë urgjencë?! Kush e nxiti dhe e zbatoi këtë dhunim?! Ta zëmë se në Shkodër kishte segmente ekstreme të së djathtës që qeverisnin në atë qytet, e heronjtë konsideroheshin prej tyre si të rënë për shkak të “revolucionit të majtë”. Po në Fier?! Kur personazhi është një figurë e ndritur e socialdemokracisë shqiptare nga këndvështrimi historik dhe politik, por dhe personalitet kombëtar i kulturës, që i kapërcen barrierat midis së majtës e së djathtës?

Sejfulla Malëshovën, jam i sigurt që nuk e nxinin kostumet e këndvështrimeve politike. Atij i shkonte dhe i rrinte për bukuri dhe në masë kostumi i atdheut, kostumi i interesave të të gjithë shqiptarëve. Jeta biologjike e tij tashmë është e mbyllur. Jeta e përjetshme e tij ka filluar, siç ndodh me të gjithë personalitetet botërorë, që kthehen të përbotshëm dhe jeta e tyre s’fiket.

Ftoj me këtë rast njerëzit e thjeshtë, elitat dhe intelektualët, që e duan këtë vend, të reagojnë dhe t’iu kundërpërgjigjen veprimeve të tilla të dhunshme që dëmtojnë konstitucionin shpirtëror e kulturoro-historik, siç është rasti konkret, ku një prej kolonave të rëndësishme të këtij konstitucioni me vlera kombëtare është padyshim Sejfulla Malëshova. Dhe në antitezë me të gjitha normat e qytetarisë dhe detyrimeve shtetërore, në këtë 45 vjetor të vdekjes së tij, në qytetin e Fierit ku ai jetoi vitet e fundit dhe dha frymën e fundit, në vend që të organizoheshin veprimtari përkujtimore në nder të figurës së tij, i hiqet dhe i vetmi portret që u realizua 6 vite më parë nën kujdesin e kryetarit që e drejtonte Bashkinë e Fierit asokohe, Baftjar Zeqaj, i cili në të vërtetë meriton ende sot të falënderohet për atë gjest.

Në qoftë se pretendohet se portreti i Sejfulla Malëshovës u hoq në kuadër të rikonstruksionit të rrugëve dhe shesheve, (gjë që nuk u deklarua asnjëherë zyrtarisht), edhe sikur të jetë kështu, prapë nuk ka justifikim. Rrugët dhe sheshet mund të rikonstruktohen edhe pa i dëmtuar monumentet e veçanta që i dekorojnë ato. Pozicioni ku ishte vendosur portreti i Malëshovës ishte i mënjanuar dhe nuk rrezikonte asnjë devijim rruge. Në qoftë se duhej ta hiqnin se duhej ta vinin në një vend tjetër, (gjë që edhe kjo akoma nuk është deklaruar), prapë nuk ka asnjë justifikim, sepse monumentet nuk janë plaçka që mund të lëvizen sipas dëshirës, pa borde konsultimi dhe realizimi dhe pa zërin e popullit, nga njëra anë kjo, dhe nga ana tjetër, monumenti lidhej me vendbanimin e tij, me lagjen ku kishte jetuar vitet e tij të fundit, pranë atyre njerëzve që e kishin dashur në fshehtësi, pa ia shprehur dot asnjëherë respektin e mirënjohjen e tyre për atë çfarë përfaqësonte ai për ata, sepse ruheshin mos binin pre e diktaturës. Asnjë arsye nuk e bën të arsyeshëm gjestin arrogant ndaj portretit të tij, që sinjifikonte kujtimin e tij, nderimin dhe respektin e qytetarëve të Fierit për shtetarin Sejfulla Malëshova, i cili lindi në Malëshovë të Përmetit, kaloi nëpër meridiane e koordinatat e pamata të kontinentit dhe shkoi për t’u prehur përjetë pranë tyre.

Ende sot, në Fier, qytetarë të ndryshëm kur lënë takim me njëri-tjetrin në atë shesh ku ishte vendosur portreti i tij i bronztë, i thonë njëri-tjetrit: “Takohemi te Sejfulla Malëshova”.

Sejfulla koke

Shënim

Diskriminim apo papërgjegjshmëri ndaj Sejfullait?

Nga Xhevdet Shehu

Në një ditë të zhegtë qershori të vitit 1971, një karrocë e komunales së Fierit në rrugët e boshatisura të qytetit përcillte për në banesën e fundit një njeri të shquar: Sejfulla Malëshovën. Përveç karrocierit dhe dy varrmihësve, ndodhej e pranishme edhe motra e tij që u kujdes për vëllanë e saj të shtrenjtë deri në ditën e fundit të jetës. Asnjë lajm nuk u dha për vdekjen e këtij njeriu të shquar, madje shumë pak banorë të qytetit përcollën lajmin vesh më vesh se “ka vdekur ai armiku”.

Këtë cilësimin “armik” ata që e kishin njohur Sejfullain e thoshnin me dhimbje dhe ironi. Sepse, duke jetuar për gati një çerekshekulli në qytetin e tyre si magazinier në ndërmarrjen e grumbullimit e dinin se cili ishte ai njeri… Vonë, shumë vonë ata do të merrnin vesh se kishin të bënin me një njeri të madh: me një poet dhe një njeri shumë të ditur, atdhetar dhe poliglot, përkthyesin e Internacionales, që bëri të flisnin shqip kolosë të letërsisë ruse, që ai ishte autori i fjalorit rusisht-shqip, (më i miri i fjalorëve dy-gjuhësh edhe sot e kësaj dite) i botuar dhe ribotuar kushedi sa herë që nga vitet 1950 (natyrisht pa përmendur emrin e tij)… Ishte mik dhe sekretar i Fan Nolit, kishte qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe ministri i parë i Arsimit e Kulturës dhe kryetari i parë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë…

Nuk ishte hera e parë që ndodhte kështu në atë kohë. Diktatura kishte ligjet dhe sjelljen e saj për ato që ndodhnin, për “armiqtë’ që pushkatoheshin, apo për ata që vdisnin burgjeve e internimeve. Ndaj dhe shumëkush besoi se me përmbysjen e diktaturës erdhi koha për rehabilitimin dhe vënien në vendin e merituar edhe për Sejfullain. Së pari disa intelektualë u kujdesën t’i rregullonin një varr normal atje në varrezat në jug të qytetit.

E megjithatë, ky shkrim nuk do të ishte bërë nëse do të ndodhte ajo që ndodhi në mars të këtij viti, kur një portret (kokë në bronx e realizuar nga artisti Haxhi Kalluci) e vendosur në një shesh të vogël para shtëpisë ku kishte banuar Sejfullai, të hiqej arbitrarisht dhe pa asnjë arsyetim. Për më tepër 45-vjetori i vdekjes së Sejfullait kaloi në heshtje të plotë si në Fier dhe në Tiranë. Të jetë kjo sjellje një diskriminim i ri apo papërgjegjshmëri?

Në shkrimin që bën autori i veprës, Haxhi Kalluci, në njëfarë mënyre shprehet edhe indinjata e qytetarëve fierakë që kërkojnë më shumë se rivendosjen e portretit të Sejfulla Malëshovës…

Kush ishte Sejfulla Malëshova

Sejfulla Malëshova lindi në Malëshovë të Këlcyrës në 2 mars 1900 dhe vdiq në Fier në 9 qershor 1971, ku dhe u varros nga disa punonjës të komunales së atëhershme të qytetit myzeqar. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, kurse studimet e mesme i kreu në Itali në kolegjin e Shën Dhimitrit në Koronë, atje ku dikur kishte studiuar edhe De Rada. Këtu së bashku me mikun e tij Odhise Paskalin botoi revistën Studenti Shqiptar, në të cilën botoi edhe vjershat e tij të para. Më pas kur do të studioje mjekësi në Romë do të botojë poemën e tij të parë me pseudonimin Kostandini në vitin 1923. Kthehet në atdhe një vit më vonë dhe do të jetë për gjashtë muaj sekretar i kabinetit të kryeministrit Fan Noli. Pas dështimit të Revolucionit të qershorit do të emigrojë dhe në vitin 1926 do të fillojë studimet në universitetin Lomonosov të Moskës për filozofi, studime që i përfundoi në vitin 1930. Pas një debati në organizatën e partisë të BS, ku bënte pjesë, do ta largojnë nga Moska dhe për tre vjet do të punojë në një uzinë në Kaukaz. Në vitin 1933 rehabilitohet dhe emërohet pedagog dhe dekan i fakultetit të filozofisë në universitetin Lomonosov. Ndërkohë që në vitin 1932 u martua me një moskovite me të cilën u nda pas tre muajsh për arsye divergjencash, duke vendosur kështu të mos martohej asnjëherë.

Në vitin 1934 pranohet në Komintern dhe me këtë detyrë vjen në vitin 1941 në Shqipëri dhe bëhet pjesë e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar, aktivitet që i siguroi një pozitë drejtuese në Shqipërinë e pasluftës. Në vitin 1946 do të jetë ministër i arsimit dhe kulturës në qeverinë e Enver Hoxhës. Ndërkohë që në vitin 1945 u zgjodh kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA), kryetari i parë i kësaj organizate. Po këtë vit do të botohet edhe vëllimi i tij poetik vjersha me pseudonimin letrar Lame Kodra. Në vitin 1946 për divergjenca të shumta që kishte me Enver Hoxhën në fushat e ekonomisë, kulturës dhe drejtimit të Partisë, përjashtohet nga ajo dhe shkarkohet nga të gjitha funksionet. Kështu intelektuali dhe njeriu më i mirëarsimuar i Shqipërisë internohet në Ballsh e Fier, ku jetoi për 24 vjet, duke punuar si magazinier në ndërmarrjen e grumbullimit.

Pas një jetë të vetmuar në 9 qershor 1971, Sejfulla Malëshova u nda nga jeta dhe u varros në varrezat e vjetra të qytetit. Në vitin 1993 një grup intelektualësh u kujdesën për rivarrimin dhe ceremoninë e munguar për përkthyesin e Internacionales, Gëtes dhe Nekrasovit, apo “poetin rebel” siç i pëlqente ta quante veten.

July 31, 2016 11:58
Komento

20 Komente

  1. katarakti July 31, 13:11

    Shume mire qe keni shkruajtur per kete njeri. Ata “druvaret” e bashkise se Fierit duhet te prononcohen zyrtarisht per kete rast. Perse ia hoqen bustin?! Ku e kane vene? Dhe ç’do bejne me te ne te ardhmen? Ne nje vend normal banoret do te kishin protestuar para nje veprimi te tille, por ne Shqiperine e sotme te varferise, injorances dhe korrupsionit, shqiptaret mendojne vetem per buken e gojes dhe nuk e vrasin mendjen shume per gjera si keto. Ky eshte edhe fati dhe “zotesia” e pushtetareve dhe politikanve tane.

    Reply to this comment
  2. Mehmet Metaj July 31, 13:37

    In memoriam për Sejfulla Malëshovën…

    Urime dhe falenderime p ë r shkrimin…ku mësojme aktin skalnadaloz të kryetari injorant të bashkisë së Fierit-njëlloj si drjtori i Komiunales së kohës së Enverit, mu kujtuan disa biseda të tij të hedhura në letër rreth këtij njeriu “parveny” nga ish-miku i tj më i afërt Dr. Ymer Dishnica…

    Ja disa pasazhe se ç’ishte dhe ç’na thoshte/mësonte Sejfulla Maleshova që Enveri dhe jagot injorantë që e pasonin pasi e proftasen që ishte njeri i mësuar mirë dhe me dinjitet e dengdisi, duke e cilësuar trockist dhe ai u katandis që vdiq ne skamje dhe u varros nga karroca e komunales në Fier se s´kishte as familje, siç e citon dhe i ndjeri dhe i nderuari shok i tij i idealve doktor Ymer Dishnica:

    “Sejfullai e përsëriste shpesh fjalën e W. Wilsonit, të thënë më 1913: “Duhet të shkatërrojmë gjithçka që mban vulën e vogël të privilegjit”, apo diskutonim për “Metafizikën e dashurisë” të Shopenhaurit. Nga nënvizimet që i kishte bërë librit, shkruante në një fletë: “Njeriu i madh nuk ka kërkuar kurre gjënë e vet, nuk ka përjetuar për vete, por për të gjithë…. Gjeniu qëndron në kontradiktë, në konflikt me kohën e vet.

    Kur i përsërisja fjalën e Aristotelit “Gjithë mendjendriturit janë melankolikë”, fillonte një debat i madh. “Kur flitnin per njerëzit e mëdhenj citonim Hygonë, Çehovin…, ishin indiferentë ndaj lavdërimeve të veprave të tyre, por ishim të ndërgjegjshëm se njeriu në jetë ka nevojë për vlerësime e nxitje, ashtu siç ka nevojë për ushqim e për ajër.

    Për këtë temë diskutimi, Sejfullai më thoshte: “Pleqtë e fshatit tim, më thonë shpesh se kalit po t’i biesh nga vithet, bën përpara; po t’i biesh nga koka, ecën prapa”. Ne bënim shumë biseda për artin. Një herë i thashë mikut të dashur se si e shpjegon ai faktin që A. Moisiut nuk iu vlerësua qysh në fillim talenti nga komisioni kur konkurroi. Pa u menduar tha: “Pse, vetëm Moisiu e ka pësuar kështu? Po Lasmani, mësuesi i pasur, që e largoi si të patalentuar Rembrandin e pavdekshëm !?
    Kam lexuar “Artin poetik” të Bualosë. Atje nuk flitet për La Fontenë, por jeta vërtetoi të kundërtën. La Fonteni u bë poeti kombëtar i Francës. Edhe për historinë ne shpesh bisedonim e shkëmbenim mendime. Ne na vinte keq e na shqetësonte fakti që për rolin e historisë, në shekuj kanë folur njerëz të mençur, por që fatkeqësisht, ndër ne ishin nënvlerësuar. Fjala vjen, mendimi i Engelsit se historia kërkon fakte e jo të shpikur e të stërshpikur, ishin lënë në harresë. Sa e sa gjëra u shkruan, sipas oreksit të disave, që patjetër, historia e vërtetë do t’i hedhë në kosh. Sejfullai citonte shpesh Bjelinskin që kishte thënë. “Ta thuash i pari të vërtetën, duhet fisnikëri dhe guxim”, perfundon Doktor Dishnica.

    Reply to this comment
  3. Guri Naimit D. July 31, 14:22

    Mjaft mw! sa herw do ta xhvarosni
    atw KOLLOS Njerisa Poet.Sejfulla Malshova!?

    Faleminderi zotwrinjve;H. Kaluci e Xh. Shehu.

    Nw dhe tw huaj, si dikur i madhi Sejfulla Malshov
    (pa tjetwr jo Ai,qw i kish shkokw tw rrallw), lexova tw mirwt; Haxhi Kalluci dhe Xhevdet Shehu qw i pwrshwndes, sa na ofrojnw e na bwjnw tw jetojmw me atw figurw poliedrike e tw rrallw pwr kombin tonw, Njw NOLI do ta quaja dhe wshtw pakw.Sejfulla Malshoba, njohur masivisht e adhuruar; Lame Kodra Poet.
    Me tw kam jetuar sa bwlbwzuar,si Dangwlliot,yshtur (sot 80 vjetwt kaluar) me mendimin e atdhetarizmin e “Vwllezwrve Frashwri” sa bashkwatdhetarev tw mij “ZAVALANI” qw mw keq se i ndieri Sejfulla Malshova, janw persekutuar nw kohw e pa kohw…
    Sa flisni ju tw nderuar miq artistw tw fjalws e veprws, qwndrojnw e, kush e ka nw dorw(kjo dihet), duhet pa tjetwr ta koregjojw, atw KOREGJIM tw pjeswshwm tw historisw bwrw i miri Haxhi Kaluci, me vendosien e Bustit tw Sejfulla Malshoves,, tw paktwn mes qytetit Fieri,si ishte, kur ai, duhet vwndosur mes Tiranws, krah tw Mbedhenjve Rilinda do tw thoja unw.
    Le ta quajmw njw lapsus te “burokracisw” Fierit e tw vihet nw vwnd nderi dhe dinjiteti i tij, njwhwrwsh i njerrwzve tw ndershwm NJERWZ tw Shqiperise MEME.
    , Me shumw konsiderate.
    nga tej oqeani.

    Toronto 31-07-2016 Guri Naimit D.

    Reply to this comment
  4. stopMatrapazeve July 31, 14:39

    S’mund te harrij ta kuptoj se si nje artist i deshtuar, nje mercenar politik si Kalluci arrin te publikoj shkrime idiote. Kur eshte hequr ky bust ju more zoti deshtak ishit nenkryetar bashkie ne Fier, kur nuk jeni i zote(sepse jeni thjesht nje mercenar politik e jo artist) te mbroni vepren tuaj, nga vartesit tuaj, atehere dorehiquni nga pozicionet tuaja politike, e mbylluni me injorancen tuaj ne ndonje shpelle.

    Shume respekte per vepren e Sejfulla Maleshoves. Kemi nevoje per nje veper vertet perfaquese te personalitetit te tij ne Fier.
    Stop sharlataneve si Kalluci qe jane gati te perbaltosin kedo per dy lek e per çik fame.
    Stop Injorances e Injoranteve

    Reply to this comment
  5. LLL July 31, 15:28

    Pa dyshim , Sejfullai ishte më i kulturuari në udhëheqjen , që e mbante veten për komuniste !
    Kultura e përgjithshme dhe veçanërisht kultura politike- marksiste e Sejfullait e bënte këtë të huaj në rrethin e injorantëve që dolën në krye të Lëvizjes .
    Këta që drejtojnë sot janë edhe injorantë edhe qelbësira . Për këta zagarë – monumenti I Hillari Klintonit , në piedestal , busti i Sejfullait – në plehëra !

    Reply to this comment
  6. Moza July 31, 15:40

    Shkrimet e Haxhi kallucit e Xhevdet Shehut u pasuruan me komentuesit Mehmet Metaj(pylletarit te shquar),e Guri Naimit.Ne vend qe per personalitetin e shquar te Sejfulla Maleshoves te promovoheshin evente perkujtimore nderuese,bashkia e Fierit me Armando Subashin,i heqin bustin.Ky eshte nje skandal qe revolton atdhetare e intelektuale.Te beprononcohen ose ekane bere kete veprim titullare te bashkise,pse jo dhe te qeverise.I bej thirrje intelektualeve e atdhetareve fierake te protestojne per kete veprim.
    Edhe Ministria e Kultures,znj. Kumbaro e drejtorite perkatese per Sejfullain te planifikojne e realizojne botimin e veprave te krijuara e te perkthyera me mjeshteri prej tij, Ai nuk la pasardhes e kete duhet ta bej shteti.

    Reply to this comment
  7. Moza July 31, 15:49

    Atdhetaret e intelektualet fierake duhet te protestojne te bashkia per kete veprim te pavend.Armando Subashi si kryebashkiak te prononcohet me transparence per kete veprim.
    Sejfulla Maleshova nuk la pasardhes,por vepra,perkthime,kontributene sherbim te atdheut e idealizmit.Personalitet i spikatur.vepren e tij ta permbledh shteti e Ministria e Kultures

    Reply to this comment
  8. ALBAN DEGA July 31, 15:50

    ASKUSH NUK NDERON SI I NDERUARI!

    – Detyrim qytetar, moral, njerezor

    Duke nderuar intelektuale e demokrate si Sejfulla Maleshova e qindra te tjere se pari nderojme vetveten.
    Asnjehere nuk eshte vone per te mgritur ne piedestal ata qe me jeten dhe vepren e tyre ngriten ne piedestal popullin e Atdheun tone.
    Vlerat jo plehrat e nderojme dhe lartojne nje vend e nje popull!
    Nje shkrim e analize e vyer e autorit dhe Xhevdet Shehut pendarte e mendjendritur! Faleminderit Dita!

    Reply to this comment
  9. Arber July 31, 18:06

    Ne fakt, busti i Sejfulla Maleshoves nuk e ka vendin ne Fier, por ne Permet.

    Reply to this comment
  10. Guri July 31, 18:32

    Ky vend nuk i do njerzit e zgjuar dhe të ndershëm, sikurse ishte Sejfulla Malëshova. Këtu mbizotron e keqja, prandaj po emigrojnë shqiptarët. Gjërat shkojnë keq dhe më keq….

    Reply to this comment
  11. Raimonda July 31, 18:42

    Nuk mund te shloj apo te new asgje nga ato qe jane shlruar me siper dr Sejfulla Maleshoven te cilin e kam njohur personalisation qe kur kam qene ne klasen e trete. Punonte ne Ndermarjet e Grumbullimit dhe kishte zyren perballe me zyren e administrates ku punonte nena ime. Sa here kishte orar zyrtar( te henen e te marten mbasdite, shkoje e prisja mamane ne pune, takoheshim me Sejfullane… Me pyeste ne matematikes, me vinte te beja bukur shkrim, te vizatimi… Mbaj mend qe edhe me lexon te ndonje tregon te perkryer nga rusishtja. Por per hire te se vertete, Sejfullane I takon te ti emrin ne ndonje rruge apo te vendosen business lagjen 15 Tetor ku ka bazuar per nje kohe shume te gjate ne Batangas e kesaj Lagjen se bashku me disa familje te tjera( nga te cilat me kurohet ajo me know MN er Heqin). Atje ku u vendos busti ai keto vetem 5-6 vjet. Se aI shesh ka pasur nje cesme ku mbushte uje 1/2 e Fierit, Sheqi e Bishanaka, te cilen e kishte ndertuar Vangjel Lulja, nje fietak patriot qe kontributi per kishen ortodokse autoqefale, mbeshtetes e mik I Fan Nolit. Dhe atij sheshit dhe sot e kesaj dite fieraket autoktone e quajne” sheshi I csmes se Vangjel Lules”. Kaq doja ti kujtoj Haxhi Kallucit qe ka ardhur shume vone ne Fier dhe nuk e ka njohur e as pare Sejfulla Maleshoven. Per perkujtimin e ketij portion jam dakort qe duhej dhene vemendje dhe organizimi special nga Ministries e Kultures, Lidhja e Shkrimtreve apo zura perkryer ne Bashkine e Fierit. Ne Fier ka pasur shume te denuar e te internuar te regjimit,,figura te politikes si Sejfullau edhe Sejfulla Vllamasi, Koco Tishko, Xhafer Vokshi, Pellumb Dishnica, Peco Fidhi, Mita Jakova, Dhora Leka apo figura te artit si Kujtimin Spahivogli etj . Sa per ironine qe ti perdor per Bashkine e Fierit ku ti ke qendrruar per nje kohe te gjate si n,/Krytarit ke pergjegjesine tende qe nuk ke organizuara takime per keta personalitetete qe kane ngritur zerin e tyre kunder sistemimit e udheheqjes se periudhes se diktaturesne, ne respekt te jetes e vuajtes se tyre por edhe per tu bere e njohur tolerance e fierakeve qe nuk ja renduam vuajtjen. Po keshtu nuk di cili ka qene kontributi yt per emertimin e rrugeve te Fierit qe e keni mbushur me emrat e prinderve te keshilltaret dhe mungojne emrat te figuraartit fieraket dhe kombtareTe me falesh por ky reagimi yt me teper me duket si mllef per heqjen e vepres tende…Interesohu se ndoshta e duam andej nga Permeti vepren tende

    Reply to this comment
  12. amerikani July 31, 20:05

    1)
    Une mendoj se per vendosjen e nje busti ose shtatore duhet te kete kritere te caktuara.
    Pavaresisht se kush ishte Sefulla Maleshova duhet te analizojme meritat dhe kontributet e tij per qytetin e Fierit.
    A ka kantribuar ai per qytetaret fierake?
    Ne qofte se jo ai nuk meriton te vendoset ne asnje shesh te Fierit por ne vendlindjen e tij ne Kelcyre.

    2)

    I njejti gjykim vlen edhe per Dino Kalenjen.
    Cfare e lidh Dino Kalenjen me Fierin? Asgje.
    Ai, le te shkoje ne Mallakaster ne qofte se e meriton qe ti behet nje bust ne te kundert le ta hedhin ne kazan te plehrave.

    Reply to this comment
  13. Rilindja pa Rilindas August 1, 01:15

    Na more ti, Amerikan vellahu

    me Subashin je ti? nga Subashllinjte paguhesh ti, qe te leshosh mufka te tilla?! Qetesohu, a i vrare dhe pastaj fol.

    Sikur vetem kete kontribut te kishte Sejfullau i gjore (ate qe sapo lexuam nga Raimonda per femijerine e saj…) do ishte mjaft ta kujtonim kete mjeshter te shqipes e njeri te kulturuar, aq me shume te vuajtur aq shume prej verberise politike, qe duket se vazhdon sot e kesaj dite nga kundershtaret e liberalizmes..

    Fieri eshte e mbahet qytet ku njerezit e kultures jane nderuar, sado edhe nen diktature. Meqe ra fjala tek ajo kohe, le te kujtojme respektimin prej nje grup intelektualesh fierake te ish-Sekretarit te Pare te Partise se Punes ne Fier qe ishte sjelle mire edhe me te sjellet aty me “dregez ne biografi”..

    Dhe, kur ndodh kjo me nje ish sekretar partie, si te mos ndodh me Sejfulla Maleshoven?!

    Partia Socialiste ne qender, ajo e Edi Rames, jo thjesht kjo e Armandino Subashit ne ane te Gjanices qe ka dale nga shirat e rrembyer te politikes, PS do duhej ta nderonte Maleshoven.
    Por as Datos Nano s’kishte nge per keto gjera, as Gramos Rrucua, cudi si nuk e shtoi nje kontribut me shume Baftjar Zeqoja, dhe as Kandidati Ben Blushi spritet ta bej: Shutja ishte sebepi qe Sejfullai e mori brinje me brinje, edhe pse ishte tjeter gje nga Lef Nosi…

    Ne Albany, te diturit e kane ngrene, kete thuaj…dhe bjer bej nje sy gjume me enderr te bukur, se endrrat mbajne gjalle aty…

    Reply to this comment
  14. Ismael August 1, 12:12

    Qytetaria fierake e ka për nder ta ketë në Fier bustin e Sejfulla Malëshovës. Nuk mendon kjo qytetari si ca lakej nga administrata dhe ish administrata e dështuar e qeverisjes së Fierit. Këta flasin me mllef, por të vërtetat që thuhen në këtë shkrim nuk hidhen poshtë.

    Reply to this comment
  15. Andi Myzeqari August 1, 19:36

    Nuk po komentoj se kush ka qene Sejfull Malishova, cfare ka bere dhe si eshte diskriminua ai.
    FIERI eshte nje qytet MYZEQAR dhe si. I till ne truallin e tij duhen vendosur bustet e myzeqareve te shquar dhe jo te vlonjateve,mallakastrioteve, permetareve, elbasanllinjeve, korcareve e gjirokastriteve.
    Busti I Sejfullaut nuk ka vend ne Fier.Ne Fier duhet vendosur busti I Kozma Dhimes,Jani Minges, Llazi Spiros, Irakli Pyllut, Spiro Saqellarit, Alush Frrakulles, Gori Myzeqarit, Trifon Lales e shume te tjereve.
    Fieri eshte I myzeqareve dhe jo I skraparllinjeve, mallakasrioteve e permetareve qe na I solli antimyzeqari terrorist Mehmet Shehu dhe lakenjet e tij te komandonin Myzeqene dhe Fierin.

    Reply to this comment
  16. demo August 2, 17:32

    Cfare harbuti! Amerikan arnaud ! Dicka ka bere edhe per Fierin fatkeqi Sejfulla.Psh.grumbulloi per fieraket domate,patate,tranguj dhe fruta qe hahen,se kultura nuk hahet.Fjalori rusisht-shqip ,perkthimet e koloseve te letersise ruse,poezite e tij nuk hahen.C`ka bere per Fierin i ziu Sejfulla?Ja ate qe e lane ne dere te spitalit pa e kapur me dore,megjithese i kishte plasur apandesiti! E lane te vdese pa e kapur me dore,duke u perpelitur nga dhimbjet.I ziu pat kenduar:
    -Une e dua Shqiperine
    per nje stan ne Trebeshine
    une e dua Shqiperine
    qe nga Korca ne Vranine!
    Po cfare t`i duash ketij mileti,o Sejfulla baft ziu????,ketij mileti beja nenen te thote baba,si Enver gjirokastriti dhe Sali maloku!

    Reply to this comment
  17. Lefter August 2, 20:29

    Me vjene keq, me vjene turp dhe si nuk kan turp ata injorant te Fierit qe i jane versulur nje mendje ndritur per te gjitha kohrat si Sejfulla Maleshova.Te gjitha vleresimet qe behen ne keto shkrime i kam ditur ne muajin korrik te vitit 1959 pasi m’i ka treguar Sejfullai ne dhomen e perbashket ne hotel Sazani ne Vlore. Ai me tregoi jeten e tij e ju pergjigje shume pyetjeve te mija prej largimit te tij nga Shqiperia e shkuarja ne B.S., arsimimi e punesimi e puna shkencore atje deri anetar i Akademise se Shkencave atje, shok me kryetarin e akademise se shkencave te Bullgarise ne vitet 60 dhe kthimi ne Shqiperi gjate luftes si udheheqes e pastaj ne vitin 1956 e cuan ne Ballsh e pastaj ne Fier si Magazinier( ne fillim nje magazi e pastaj me radhe deri 5 magazi) me rroge 5000 leke dhe me vone 5400 leke se kaq paguheshin ata me shkolle te mesme pasi me shkolle te larte nuk mendohesh te kishte magazinjer ne ate kohe.Ndonje dite do t’i tregoj te plota keto biseda sic jane zhvilluar ate dite korriku te vitit 1959.Populli i Fierit,intelektualet fierak duhet ta marin ne dore vete kete ceshtje e ta zgjidhin ashtu si e meriton Sejfulla Maleshova se kjo eshte ne nder te tyre pasi Sejfullai eshte gjigand i paarritshem.

    Reply to this comment
  18. Andi Myzeqari August 2, 22:48

    Ky zoti KaLluci nga Skrapari, qe na e pruri ne Fier si skulptor vrasesi terrorist turkoshak me origjine nga Izmiri Mehmet Ismail Shehu dhe kriminelet e tij Fecorr Shehu, Zylyftar Mamuti
    (RAMIZI) e tj, le ta vendosi bustin e Malishoves ne vendlindjen e tij ne Permet, ose ne Skraparin fqinje.
    Ju KA LLUCET e te tjere si ju qe keni ardhur prej nga ha pula gur per te ngopur barkun me buke ne Fier mos na u beni zot shtepie ne Myzeqe.
    Ne Myzeqe sot jane zot myzeqaret dhe jo bejleret e turkoshaket o HAXHI, te ka ngelur ora me ate te anadollakut dhe te shehlereve turq te Corrushit.Po ske faj ti se pasi e ngope barkun ne Fier tani po na bene dhe sherr.Kane faj fieraket qe nuk te kujtojne rrugen nga ke ardhur me opinga gome.Myzeqeja hyjnore ka pare shume bukeshkalur si ju o HAXHI,PO COJENI SEJFULLAUN ne Permet.

    Reply to this comment
  19. Lefter August 3, 02:08

    Duke u njohur me disa mendime lokaliste,nuk po e ngas se jane te padrejta, por permend nje ndodhi i atyre kohrave kur Sejfullai punonte si magazinier e drejtonte 5 magazi dhe gjithmon dilte i dalluar. Njehere drejtoria e ndermarrjes me drejtor Braho Osmanin e nxjerrin Sejfullan te dalluar ne kendin e kuq me fotografi. Ky rast alarmoi komitetin e partise dhe personalisht sekretarin e pare dhe fotografia e tij u hoq menjehere nga kendi i emulacionit socialist. Jane mbajtur leksione per kete rast edhe nga vete sekretari i pare se Sejfullai asnje here nuk duhesh lavderuar sepse trembeshin prej tij edhe si magazinier i dalluar. A e kujtojne fieraket kete ndodhi? Pra per Sejfullain nuk kishte vend atehere por na del se edhe tani nuk ka dy pellemb vend per sekretarin e Nolit,per profesorin e filosofise ne Moske, per anetarin e akademise se shkencave te B.S.,anetarin e shtabit te pergjithshem te ushtrise gjate luftes NACL,ministrin e kultures, kryetarin e pare te lidhjes se shkrimtareve te shqiperise dhe puna e solli qe kjo figure e jashtezako- nshme te punoje si magazinier per 25 vjete ne Fier. Sejfullai nuk eshte vetem i Permetit, atje vetem ka lindur, Ai i takon gjithe Shqiperise e kudo ne trojet shqipfolese.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*