Sejko, në Klubin e Guvernatorëve: Korrigjimi i problemeve të së kaluarës, përgjegjësi e përbashkët

May 15, 2018 11:16

Sejko, në Klubin e Guvernatorëve: Korrigjimi i problemeve të së kaluarës, përgjegjësi e përbashkët

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në takimin e 39-të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit.

Ky takim u zhvillua në Bodrum të Turqisë dhe pjesëmarrës në të ishin drejtuesit e bankave qendrore të vendeve anëtare të Klubit, si dhe përfaqësues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Qendrore Evropiane dhe Bankës për Rregullime Ndërkombëtare (BIS).

Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, Murat Çetinkaya.

Gjatë punimeve të Klubit u diskutua mbi perspektivat ekonomike globale, rritjen e qëndrueshme globale, sfidat dhe mundësitë e bankave qendrore lidhur me monedhat dixhitale.

Ky takim shërbeu si një platformë e shkëlqyer diskutimi ku përfaqësuesit e bankave qendrore patën mundësi të shkëmbenin idetë dhe eksperiencat e tyre lidhur me këto çështje.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ishte folësi kryesor i panelit me temë ”Rritja e qëndrueshme globale”.

Guvernatori u shpreh se pas tejkalimit të krizës financiare, ekonomia globale po fiton ritëm.

Ai shtoi se fokusi i vendeve ka qenë trajtimi i pasojave të krizës dhe nxitja e një rimëkëmbjeje sa më të shpejtë.

Guvernatori Sejko solli në vëmendje të pjesëmarrësve, disa faktorë rreziku që mund të ndikojnë në rritjen globale, të tillë si: divergjenca rreth tregtisë së lirë dhe globale; reformat strukturore; turbulencat e tregjeve financiare dhe stabiliteti gjeopolitik. Lidhur me divergjencën rreth tregtisë së lirë dhe globale, ai theksoi se tregjet e hapura lejojnë një alokim më efikas të resurseve dhe ofrojnë mundësi më të mira punësimi. Kjo është vendimtare për Shqipërinë dhe rajonin, i cili përbëhet nga një numër të madh ekonomish të vogla dhe të hapura.

Duke marrë si shembull ekonomitë e zhvilluara, për të cilat fokusi ka qenë në reformat strukturore për rregullimin e sistemit financiar dhe në qëndrueshmërinë e financave publike, ai shtoi se edhe vendet në zhvillim duhet të punojnë në të njëjtin drejtim.

Guvernatori Sejko, gjatë fjalës së tij, nënvizoi gjithashtu integrimin financiar global.

Nga perspektiva e një vendi në zhvillim, siç është Shqipëria, ai u shpreh se më shumë mbetet për t’u bërë për të ulur nivelin e kredive me probleme, për të përmirësuar mbikëqyrjen e segmenteve jobankare të sistemit financiar dhe për të rritur elasticitetin e institucioneve financiare dhe tregjeve financiare.

Në përfundim, Guvernatori Sejko nënvizoi se korrigjimi i problemeve të së kaluarës dhe vendosja e ekonomisë globale në rrugën e rritjes së qëndrueshme është një përgjegjësi e përbashkët.

“Të gjithë ndajmë përfitimet e rritjes globale dhe së bashku duhet të ndajmë përgjegjësinë për të siguruar qëndrueshmërinë e saj”, tha Sejko.

Gjatë takimit të 39-të të Klubit, u zhvillua gjithashtu ceremonia e pranimit të anëtares më të re, Bankës Kombëtare të Hungarisë, në Klubin e Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit.

Informacion mbi Klubin

Klubi i Guvernatorëve u krijua në vitin 1998, me nismën e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë. Vendet anëtare të këtij Klubi janë 26: Shqipëria (që në vitin 1998), Greqia, Turqia, Rumania, Bullgaria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Federata Ruse, Ukraina, Izraeli, Azerbajxhani, Armenia, Gjeorgjia, Kazakistani, Kirgistani, Moldavia, Taxhikistani, Kina, Çekia, Polonia, Kroacia, Sllovenia, Bjellorusia dhe Hungaria.

Qëllimi i tij është të forcojë lidhjet midis bankave qendrore të rajonit dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave më të mira e trajtimit në tryeza të rrumbullakëta në nivel guvernatorësh ose ekspertësh të çështjeve problematike të momentit.

a.s/dita

May 15, 2018 11:16
Komento

1 Koment

  1. i miri May 15, 20:43

    Guvernatori Sejko ka te gjithe standartin e nje drejtuesi

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*