Sekondat që të bëjnë krenar

Pranvera Kola November 28, 2012 02:23

Sekondat që të bëjnë krenar

Në radhë për të parë Shpatën dhe Përkrenaren e Skënderbeut, të ardhura nga Vjena për 100-vjetorin. Kureshtja për të kaluarën, tashmë një realitet i prekur me dorë

Pranvera Kola

E di kush e ka thënë “Ndë Belvederë, në Vjenë, sikur pashë Skënderbenë”? Një fytyrë e moshuar, por me sy që shkëlqejnë, më kap dorën me shumë butësi dhe pret përgjigjen, teksa e vetmja përgjigje që mund t’i jap, është një buzëqeshje. “I madhi Naim”, vijon ajo, duke mos e kuptuar fare hutimin tim. “Dhe unë sot pashë Skënderbenë”, përmbyll. Me një fytyrë plot emocion, më kthen kurrizin dhe largohet…

Rëndesa e hapave që nuk kanë të mbaruar e ngjeshin edhe më fort tapetin e kuq në shkallët e bardha të Muzeut Kombëtar. Grupe të pafundme vizitorësh, ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, qëndrojnë në radhë për t’iu bashkuar më pas bashkëbisedimit të heshtur (që zgjat vetëm pak sekonda, por domethënës) me simbolet që mbartin historinë dhe krenarinë e kombit tonë të fituar ndër shekuj. Në një kuti të qelqtë janë vendosur dy shpatat dhe përkrenarja e Skënderbeut.

Është ndryshe t’i shohësh. Ndërsa që kur afrohesh e ndien pështjellimin, më kurioz të bën largimi që aty. Vetëm 10 sekonda kohë (ndoshta dhe më pak) për të soditur përkrenaren. Nuk ke mundësi të shohësh asnjë detaj përtej asaj që tashmë e di: kokën e dhisë. Shpata e drejtë me një dekorim është mbresëlënëse, por më e frikshme shfaqet shpata e harkuar (e cila përdorej në rastet e luftimit mbi kalë).

Një nga vizitorët e përhumbur përpara xhamit, pasi dëgjon zërin e rojës se duhet t’u lërë vendin të tjerëve, megjithëse një burrë i madh në trup, lëshon  një zë lutës: “Por më lër ta sodis pak sekonda…”. Më pas, një tjetër shprehje: “Ehhh… ky ka qenë burrë”. Dhe nuk është i vetmi që e thotë.

Pastaj, ka dhe nga ata qytetarë që pasi kanë qenë një herë, janë rikthyer për të rrëmbyer edhe pak sekonda më shumë pranë kutisë së qelqtë, që mbart historinë e lartësimit të ndjenjave të krijimit të një shteti. I ardhur nga Kosova, Argjenti tregon se ishte hera e dytë në muze. “Isha një natë më parë. Por kishte shumë njerëz dhe munda të qëndroj vetëm pak çaste para shpatës dhe përkrenares, sepse një dorë më binte nga pas në kurriz për të më thënë se duhej të liroja radhën dikujt tjetër që ishte ngjitur pas meje.

Megjithatë erdha sërish, me shpresën se do të vidhja edhe disa sekonda të tjera para kutisë së qelqtë, që të mund të kënaqja më shumë përshtypjet e një ditë me parë”.

“Është e pamundur ta shijosh”, thotë një tjetër. “E si mundesh me aq pak kohë?!”.

Ka dhe nga ato duar që shtrihen për të prekur kutinë që i ndan vetëm pak centimetra, por që detyrohen t’i tërheqin sërish mbrapsht pasi ruajtësit e sigurisë bëjnë me shenjë për një veprim të palejueshëm. Ndërkohë që përballë dëshirës për t’i bërë një foto shpatës dhe përkrenares së Skënderbeut të gjithë mbeten të zhgënjyer, pasi edhe kjo përfshihet në listën e gjërave të ndaluara. Më të lumturit kanë qenë vizitorët e pasdites, të cilët përveç bashkëbisedimit të heshtur me “kutinë magjike” që në çdo moment ka shumë gjëra për të thënë, kanë mundur të rrëmbejnë edhe shpjegimin e ciceronit.

Pas largimit, të gjithë i drejtohen daljes së muzeut për t’iu bashkuar gumëzhitjeve të rrugës, të cilat prej disa ditësh janë shndërruar në një arenë gjigante të veshur kuq e zi e plot aktivitete argëtuese, kulmimi i të cilave do të shpërthejë gjatë ditës së sotme. Vetëm pak metra larg muzeut, një shqiponjë e vendosur në sheshin para Pallatit të Kulturës është shndërruar në një kënd fotografish, ku të gjithë pa përjashtim ndalojnë për pak, për të kundruar Tiranën që noton nën flamujt shqiptarë të vendosur në çdo cep.

Skena të ngritura në çdo kënd, me grupe muzikore dhe shfaqje kanë çelur prej disa ditësh siparin e festimeve me aktiviteteve për të gjitha grupmoshat. Sikundër është bërë traditë sërish pedonalja “Murat Toptani” është bërë pjesë e panairit ku mund të blesh vetëm produkte shqiptare. Pa përmendur më tej bustet e vendosura me rastin e 100-vjetorit në sheshet kryesore të Tiranës, dhe veshjen festive të fasadave, të cilat kësaj here i kanë gjetur shqiptarët në unitet.

Shpatat

Njëra shpatë është me dorezë kadifeje në të cilën shënohet emri i Skënderbeut. Shpata është e gjatë 88.5 cm dhe e gjerë 5.7 cm, me dy tehe me një formë të drejtë dhe me një majë të kthyer që përmban disa shkronja latine ku lexohen këto fjalë: “Heroi i Perëndisë, Iskander Beg”. Doreza është prej druri, e mbështjellë me lëkurë. Pesha e kësaj shpate është 1300 gr dhe këllëfi i saj peshon 600 gr. Anët e jashtme përshkohen prej fildishi dhe në anët e brendshme shohim disa shkronja të kuqe, të cilat janë shkruar në shekullin XVI.

Shpata tjetër është me dorezë lëkure, e cila nga pesha e rëndë dhe prej shenjave të gjakut që duken akoma, është më e madhërishme. Shpata me dorezë, e veshur me lëkurë shagen, ka në anët e jashtme katër arabeska të thella, tre rripa për hijeshi. Shpata është e përkulur në formë harku, gjatësia e saj është 121 cm dhe doreza është e zbukuruar me ar dhe lëkurë. Pesha e shpatës është 3.2 kg.

Kalorësit e mbërritur nga Mitrovica

Kalorësit e nisur nga Mitrovica për të marrë pjesë në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë pas tre ditësh mbërrijnë në Tiranë. Pas takimeve me kreun e bashkisë, kalorësit i janë drejtuar Vlorës, për të qenë prezent në sheshin e flamurit duke i hapur udhë festimeve të themelimit të shtetit shqiptar.

Promovohet përmbledhja me këngë patriotike,

Bashkia e Tiranës ka përzgjedhur që në këtë 100-vjetor të Pavarësisë t’u japë një dhuratë të veçantë të rinjve të kryeqytetit, një përmbledhje me 36 këngë patriotike, një numër i madh prej të cilave dëgjohen për herë të parë. Dje ka nisur shpërndarja  e  CD-ve, në të gjithë shkollat e mesme të kryeqytetit. Profesor Agron Gjyzari, me durim dhe këmbëngulje për 10 muaj, arkiv më arkiv i gjeti këto këngë, i restauroi dhe bëri të mundur këtë dhuratë për fëmijët e kryeqytetit.

“Një ndër gjërat që i ka dhënë më shumë kuptim kësaj feste është mënyra se si e kanë festuar qytetarët e Tiranës, Shqipërisë dhe mbarë kombit. Të rinj e të reja, prindërit tanë anembanë vendit, anembanë trojeve shqiptare e kanë kthyer këtë festë, nga një festë zyrtare, në festën e tyre, në festën e qytetarëve”, tha kryebashkiaku Lulëzim Basha.

Tirana dezinfektohet para festës, solucionet sillen nga Italia

Bëhet gati Torta e Pavarësisë  

Torta gjigante e pavarësisë është bërë sipas standardeve më të larta të sigurisë ushqimore, kështu që qytetarët nuk duhet të kenë frikë në konsumimin e saj. Me këtë thirrje u janë drejtuar qytetarëve gjatë ditës së djeshme ekspertët e  higjienës të cilët kanë deklaruar masat e  që janë marrë për të siguruar qytetarët të mos ngurrojnë për ta ngrënë. Sipas tyre, 100-vjetori i pavarësisë e ka gjetur Tiranën më të pastër, pasi ekipet e epidemiologëve kanë dezinfektuar pothuajse të gjitha ambientet ku do të zhvillohen aktivitetet e lajmëruara më parë nga Bashkia e Tiranës. Specialistët e Drejtorisë së Shëndetit Publik, thonë se për dy ditë me radhë kanë pastruar ambientin pranë Teatrit të Operas dhe Baletit, me solucione të sjella nga Italia, të cilat sigurojnë imunizimin nga mikrobet. Për përgatitjen e pjesëve të tortës kanë punuar 150 pastiçierë. Shega do të jetë shija e saj, që simbolizon rilindjen dhe bashkimin, ndërkohë që do jetë e stolisur me gjethen e ullirit që simbolizon paqen dhe ngjyra e saj do të jetë kuq e zi si simbolet kombëtare.

Me një sipërfaqe prej  550 metra katrorë, e përgatitur nga pastiçerët më të mirë shqiptarë, kjo do të jetë torta më e madhe e ndërtuar ndonjëherë në botë. E fundit më e madhja, ka qenë 500 metra katrorë, tek fqinji ynë, Italia, me rastin e 150-vjetorit të Pavarësisë së saj. Ndërsa për therjen e një mijë deshëve është caktuar Ministria e Bujqësisë, e cila sipas burimeve zyrtare ka konfirmuar dorëzimin e sasisë së mishit të therur të bagëtive pranë organizatorëve të festës në Bashkinë e Tiranës.

Pranvera Kola November 28, 2012 02:23
Komento

1 Koment

  1. OLTA November 30, 08:24

    AJO goca ne quhet ONI dhe eshte nje nga patriotet me te zjarrta qe kam pare ndonjehere dhe nje njeri i persosur ……. UNE E DUA SHUME…..;)

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*