Sekreti i aftësisë së jashtëzakonshme të njeriut që vrapoi në 50 maratona për 50 ditë

March 20, 2017 13:13

Sekreti i aftësisë së jashtëzakonshme të njeriut që vrapoi në 50 maratona për 50 ditë

Kur Dean Karnazes tentoi të zbulonte sa ishte limiti i tij në vrap, zbuloi se nuk ishin këmbët ato që e lanë në baltë.

Ajo që e ndaloi “maratonomakun” pas tre ditëve dhe netëve vrapim ishte gjumi.

“Kisha vrapuar pa pushim për më shumë se 500 kilometra dhe 81 orë dhe mendoj se ky është limiti im. Kalova dy net pa fjetur dhe ndjehesha mirë, por në të tretën fillova të kisha halucinacione, më zinte gjumi ndërsa vrapoja dhe kuptova se ky ishte limiti i asaj që një njeri mund të arrijë”, thotë Karnazes për BBC.

Atleti ka përfunduar 50 maratona në 50 ditë dhe ka përshkruar 217 kilometra pa ndalesë në Luginën e Vdekjes në Kaliforni me temperatura rreth 49 °C dhe Polin e Jugut, ku termometri shënon -25° C.

Ajo që e dallon Karnazes nga njerëzit e tjerë është se për atë nuk ka një prag laktik, apo aerobik që e kufizon, siç ndodh edhe me atletët e talentuar olimpik. Gjatë gjithë jetës së tij ai nuk ka përjetuar kurrë lodhje të muskujve. Për të nuk ka një limit fizik, por mendor.

Karnazes nuk do ta kishte zbuluar kurrë se çfarë ndodh në trupin e tij nëse nuk do të ishte për atë që ndodhi ditën kur mbushi 30 vjeç.

“Isha në një bar, duke bërë atë që zakonisht bëjmë ne në SHBA në ditën e ditëlindjes, duke pirë me shokët”, tha ai.

“Kisha një punë shumë të mirë në San Francisko si ekzekutiv dhe çdo gjë që mund të imagjinosh, makinë të kompanisë, aksione, sigurime shëndetësore… por ndjehesha i mjerë. Dëgjova një si zë të brendshëm që më thoshte “dil nga bari”, kujton ai gjatë pjesëmarrjes në programin e BBC “Incredible Medicine: Dr Ëeston Casebook”.

“Në 11 të darkës, i dehur vrapova 48 kilometra. Ishte hera e parë që u ndjeva i gjallë”.

Karnazes kishte vrapuar në fëmijëri, por e kishte lënë gjatë adoleshencës, prandaj edhe vetë u habit kur të nesërmen nuk ndjente lodhje muskujsh edhe pse kishte 15 vite në pasivitet.

Vetëm në vitin 2006 zbuloi se ishte biologjikisht ndryshe nga të tjerët. “Më dërguan në një qendër në Kolorado. Në fillim më bënë një test të kapacitetit tim aerobik dhe rezultatet ishin në përputhje me ato të atletëve të tjerë të trajnuar, asgjë e jashtëzakonshme”.

“Pastaj bëra një test të pragut laktik. Më thanë se analiza zgjaste 15 minuta dhe më pas do të ndaleshin. Ndaluan vetëm pas një ore dhe thanë se nuk kishin parë kurrë diçka të tillë”.

Për pjesën më të madhe të njerëzve ka një limit përtej të cilit nuk mund të vazhdohet.

Zakonisht gjatë aktiviteti fizik, trupi shndërron glukozën në energji e cila prodhon nga ana e saj acid laktik. Me grumbullimin e acidit laktik në muskuj, fillohen të shfaqen ngërçet dhe lodhja.

Kjo nuk ndodh në trupin e Karnazes që mund të kontrollojë prodhimin e acidit laktik, sepse ka më shumë qeliza të kuqe gjaku se të tjerët.

Super-atleti është i bindur se një jetë e shëndetshme, me ushqim të mirë dhe ekspozimi i ulët ndaj ndotësve ka ndihmuar në përmirësimin e dhuntisë së tij.

 

March 20, 2017 13:13
Komento

1 Koment

  1. demo March 20, 18:34

    Po pse nuk dole kampion bote ne Maratone?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*