Seksualiteti dhe Spiritualiteti (Në nderim të Nënë Terezës)

September 1, 2016 01:03

Seksualiteti dhe Spiritualiteti (Në nderim të Nënë Terezës)

Dr.Adem Harxhi

Seksualiteteti dhe spiritualiteti janë shumë të afërt me njeri tjetrin. Për këtë ka fakte. Shkenca mbi trurin, ka vërtetuar se qendrat nervore të spiritualitetit dhe seksualitetit në tru, janë të vendosura shumë afër njëra tjetrës. Në eksperimente është provuar se veprimi mbi njërën qendër, ndikon edhe tek tjetra. Këtë lidhje midis tyre, një klerik i njohur, e shpreh shumë bukur e thjeshtë kur thotë: “Po qe se pas rrëfimit, nuk ndryshon seksualiteti i atij, ose asaj që rrëfehet, kjo tregon se procesi i rrëfimit nuk ka qenë as i thellë, as i plotë dhe as efektiv”.

Ata që kanë lexuar këngën e Solomonit në Bibël, e kuptojnë këtë lidhje. Kjo “këngë e këngëve”, është një koleksion i poezive lirike që i gëzohen dashurisë njerëzore.  Poezia e përshkruan natyrën dhe trupin e burrit e të gruas me erotizëm të pasionuar:

Sa e bukur je dhe sa e hijshme je, o e

dashura ime, me të gjitha ëndjet që siguron!

Shtati yt është i njëllojtë me atë të

palmës dhe sisët e tua janë si vile.

Kam thënë: “Do të ngjitem mbi

palmë dhe do të kap degët e saj”. Qofshin

sisët e tua si vilet e rrushit, aroma e

frymës sate si ajo e mollëve.”

(Bibla shqip, 7/6,7,8. faqe 715)

Në të gjithë historinë njerëzore, poezitë erotike më të mirat e më të bukurat i kanë shkruar priftërinjtë dhe murgjit. Kjo nuk mund të jetë rastësi. Prift dhe murg i mirë është ai, që e do në mënyrë më pasionante Zotin. Kjo do të thotë, që ai, ose ajo, duhet të jetë pasionant, një person seksual.

Si shpjegohet atëherë, që disa njerëz, shumica prej tyre religjiozë, zgjedhin dëlirësinë dhe beqarinë si mënyrë të jetuari?

Për këtë ka dy arsye.

E para: Ata që zgjedhin të mos kenë marrëdhënie me njerëz të tjerë, vendosin të jenë shumë të përmbajtur seksualisht. Ata zgjedhin beqarinë dhe dëlirësinë. Këto janë çmimi që duhet të paguajnë, për këtë zgjedhje që kanë bërë.  Dhe ata e gjejnë këtë çmim, të meritueshëm.

Arsyeja e dytë është thellësisht religjioze.  Ata zgjedhin beqarinë sepse nuk duan të largohen nga dashuria e tyre për Zotin.  Ata nuk duan të bëhen viktima të dashurisë njerëzore.  Ata e dinë, siç thosh Shën Auguistina: “ Ju na bëtë ne për Veten Tuaj, i dashur Lord, dhe ne nuk mund të gjejmë qetësi të vërtetë veç tek JU”.  Dhe…. kjo bëhet e mundur, kur marrëdhëniet me Zotin, zënë vendin e parë.

Si bëjnë me urinë seksuale, ata që kanë zgjedhur si opcion të jetës së tyre, dëlirësinë dhe beqarinë?

Rekomandimet janë thënë shumë thjesht. Të gjejnë aktivitete të tjera, që energjitë seksuale t’i harxhojnë në mënyrë shpirtërore të dobishme. Kjo është mënyra më e nderuar, që mposht urinë seksuale. Duhet ajo që frojdianët e rinj e kanë quajtur ”aktivitetet sublime”.

Nënë Tereza kishte gjetur zgjidhjen më të përsosur. Energjitë e saj seksuale ajo i shndërroi në dashurinë pa kufi për më të varfrit e botës. Të gjesh Krishtin në fytyrën plagë, të atyre që vdesin, është mrekullia që e  shndërron dëshirën seksuale në admirim pa fund dhe madhështi për Zotin. Ajo jep satisfaksion personal të jashtëzakonshëm.

Gruaja e famshme shqiptare, Nënë Tereza, kishte gjetur një mënyrë që ishte më e mira nga të gjitha mënyrat. Nënë Tereza e dashuron Krishtin, nëpërmjet dashurisë prej shenjtoreje për njerëzit. Ajo gjeti kënaqësinë e jetës së saj tek Krishti.  Ajo pret ta përshëndesë Atë, tek çdo i varfër dhe i sëmurë që ajo e donte dhe i shërbente. Nënë Tereza thoshte: “ Dashuria për Krishtin i ishte ngulur aq shumë në zemër, sa që e shihte Atë, tek kushdo që i shërbente.” Personi i parë, që gjeti në rrugë të Kalkutës me fytyrë të ngrënë nga krimbat dhe minjtë, nuk mund të ishte tjetër, thoshte Nënë Tereza, veçse Krishti i braktisur. Në shtëpinë që kishte ngritur për ata që ishin duke vdekur, ajo shihte në çdo trup të drobitur, vuajtjet e Krishtit që jep shpirt. Për të dhe për bashkësinë e saj, Krishti, është në çdo plagë leproze që pastrojnë, në çdo fëmijë që ushqejnë, në çdo trup të kredhur në urinë që e lajnë.

Ja si shprehet ajo vetë: “…ndryshe, nuk do të mundja të kujdesesha me dashuri njëlloj për të gjithë. Njerëzit më pyesin shpesh, se si mund ta pastroj plagën e qelbur të leprës. Më thonë: ‘Ne nuk do ta bënim as për para dhe as për dhimshuri’. Ua kthej: As ne nuk do ta bënim. Por e bëjmë për dashurinë ndaj Tij”

Betimi që ato kanë bërë për besnikëri të papërlyer, kërkon që zëmra e tyre t’i jepet Krishtit. “Jam martuar me Të, si ta themi, siç je martuar ti me bashkëshorten tënde.” –u shpreh një herë rastësisht Nënë Tereza. Dashuria shpirtërore e kompenson dëshirën fizike. Shërbimi plot dashuri për njerëzit, është një formë e sublimimit që e vë trupin nën kontroll. Eksperienca religjioze është potencialisht seksuale.

Nënë Tereza është e paarritshme. Asnjë njeri në këtë botë, sado kristian të jetë ai, nuk matet dot me Nënë Terezën. Askush, nuk mund të përdorë mënyrën e Saj të sublimimit, për dëshirat seksuale.  Por, ajo që gjithkush mund të bëjë, është të gjejë ku t’i shpërndajë energjitë e tij seksuale, nëpër oportunitetet që janë kudo, sipas mënyrës e mundësive të tij. Rëndësi ka fakti, që të dashurojmë ata që janë në nevojë dhe të padashuruar. Ky është mësimi i madh që jep Nënë Tereza me jetën e saj, për të gjithë njerëzit dhe kristianët e botës.

Nënë Tereza, është një shpirt që i ka kapërcyer të gjitha dallimet racore, fetare, dhe kombëtare. Ajo nuk kërkoi favore, ndere e mbretëri. Ajo ishte një këngëtare e vërtetë e Zotit, tërësisht, e përkushtuar për të lehtësuar dhimbjen e të tjerëve.

*****

Edhe pse Nënë Tereza është e të gjithë botës, ne kemi privilegjin të jemi bashkëkombës të saj. Ajo e ka pohuar këtë me gojën e saj. Ajo e pohoi këtë kur mori çmimin Nobel në Oslo, më 1979. Po në këtë ceremoni, vëllai i Nënë Terezës, Lazari, tha: “Kur ishte fëmijë, Atë nuk e thërrisnim Anjeze, por Gonxhe, që në gjuhën shqipe do të thotë ‘ lule që s’ka çelur ende, burbuqe’, sepse ajo ishte faqekuqe dhe topolake si gonxhe trëndafili. Mbahej pastër si drita dhe ishte e papërtuar”.

At Celeste van Eksem, udhëheqësi shpirtëror i Nënë Terezës, në ditët e para kur njohu Nënë Terezën thoshte: “Ajo e përshkruante babanë e vet, Kolë Bojaxhiun, si një person të njohur në Shkup, që fliste përveç   shqipes, qe ishte gjuha amtare, edhe serbokroatishten dhe turqishten.”

Ajo ka  doktoraturat, mirënjohjet, dekoratat dhe titujt më të larta dhe më të shumta nga çdo njeri tjetër në këtë planet. Askush nuk ka arritur ti numërojë ato sa ishte gjallë Nënë Tereza, sepse pa mbaruar lista, Ajo merrte të tjera.

Ajo nuk pranoi ndere dhe ceremoni. Shpenzimet që do të bëheshin për ceremoninë e dorëzimit të çmimit Nobel, Ajo, u a ndau të varfërve. Ishte hera e parë që çmimi Nobel dorëzohej pa ceremoni të bujshme.

Është në nderin e të gjithë shqiptarëve, që trojet tona të bëhen vend pelegrinazhi, për të gjithë adhuruesit e shumtë të Nënë Terezës, kudo ne botë. Këtë na i do zëmra të gjithëve. Por që të arrihet kjo, nuk duhet të këtë më lypsa nëpër trotuaret e Shqipërisë. Duhet luftuar varfëria, ashtu siç luftoi me të, Nënë Tereza. Le të heqim të gjithë diçka nga vetia, për t’ua dhënë atyre që kanë nevojë. Ata që nuk e kanë mundësinë të ndihmojnë materialisht, le t’u falin dashurinë dhe ngrohtësinë. Ndërsa ata që rrojnë në luks, dhe nuk dinë ç’ta bëjnë pasurinë e pamerituar që zotërojnë; ata që kanë obligimin të luftojnë me varfërinë që ka pllakosur këtë vend dhe nuk bëjnë asgjë për të; ata ndjehen keq, kur kuptojnë se forca e Nënë Terezës qëndronte tek varfëria e saj. Ja pse ata flasin dhe bëjnë pak në nderim të Shenjtores shqiptare, edhe atëherë kur janë të detyruar ta bëjnë këtë, siç janë këto ditë të shenjtërimit të Saj.

Nënë Tereza ishte nëna e më të varfërve dhe më të sëmurëve të botës. Monumenti më i mirë për Të, do të ishin trojet tona pa të varfër.

Dr. Adem Harxhi – DITA

 

 

September 1, 2016 01:03
Komento

8 Komente

  1. Plaku Xhuxhumaku September 1, 16:19

    O zoteri, besoj se do te kishte qene me mire te mos e kishe shkruar kete budallallek, po sidomos keta te DITAs do te kishin bere edhe me mire te mos e kishin botuar.

    Reply to this comment
    • Mig Jeni September 1, 22:32

      Plako! Safi shkencë është duke bërë ky doktori i seksit. Po ta lexosh me kujdes, do të gjesh shpjegim edhe për ca sjellje të Migjenin. Sipas doktor Harxhit, del se Migjeni është antipod i Nënë Terezës në lidhje me nocionin e mëshirës, me që ka qenë shumë i dhënë pas seksit. Prandaj ai ka një zgjidhje tjetër: “Mjerimi do grusht” dhe jo një lugë supë. “Mëshira, bijë bastarde e etërve dinakë.” Nobeli, po të mos ishte politik, e kishte marrë Migjeni… edhe Kadareja po të ishte arratisur nja dy vjet më parë nga Shqipëria. Dakord me mua, apo jo?

      Reply to this comment
      • Plaku Xhuxhumaku September 4, 12:32

        @Mig Jeni

        Secili zgjedh mjetet dhe menyrat e veta, kush grushtin kush lugen e supes. Ka edhe nga ata qe mundohen te gjejne perse dikush zgjedh grushtin, kurse dikush tjeter lugen e supes. Ka edhe nga ata qe duke mos bere dot as njeren as tjetren perpiqen ta lidhin kete me [email protected], apo me vërat e trupit. Bota eshte e lire.

        Nje gje po desha me ta thone ty or Mig Jeni, sido qe te ishte Nobeli, politik ose jo, Migjeni as nuk kishte per ta marre dot, as nuk ka per ta marre ndonje here. Cfare ka shkruar Migjeni per pune grushtash, e shumta e kuptojne nja dy miljon katunare shqiptare, po deshen ta lexojne kuptohet, kurse lugen e supes se Nenes Tereze e di nje bote e tere, pavaresisht nga gjuha qe flasin.

        Per Kadarene nuk di cfare te them se nuk para me intereson aq shume. Librat e tij me kane pelqyer, sot nuk kam me kohe t’i lexoj.

        Reply to this comment
        • Mig Jeni September 4, 15:12

          Nobelin e morëm vesh. Po ty Plako, kush të shijon më shumë, supa e Kalkutës apo kjo “Novelë mbi krizën”? Vetëm si doktor Harxhi, që na e bëri trurin dhallë mos na fol.

          “Paria e shtetit X nuk dinte ç’të bajë dhe si ta vendosi çështjen e krizës… Varfnia e madhe kish bamë shumë njerz të marrin shkopin e lypsisë dhe shumë gra, me foshnje në gji të shtrijnë dorën për lëmoshë. Por për këtë nuk u tundte Paria e shtetit X. Ngritja e shkopeve të lypsisë, rrëmbimet, vjedhjet, vrasjet, këta e shtyjtnë parinë të kuptojë se nuk asht puna për t’u tallë. Dhe shpejt u mblodhën. U mblodhën për ta shkundë dhe për ta rrafë çashtjen seriozisht, në të gjitha pikpamjet. Ndër biseda të gjata konstatuen se kjo krizë asht një “shtazë” që ka fazat e veta. Ndër analet e shtetit kënduen: në vjetin 1… kishin vdekë do njerzë nga uja, në vjetin 12… do lypsa ishin organizue me qëllime të dyshimta, në vjetin 123… e kanë plaçkitë pasunin e shejtë të një monastiri dhe igumeni asht gjetë i varun në një mënyrë qesharake; e kështu ma e ma. Prandaj Paria dëshironte, një herë e përgjithmonë, ta hjeki qafet kët çashtje, ta mbysi “shtazën” me fazat e saj.

          Përpjekjet e shumta me rryma të ndryshme, të kundërta, të bazueme n’ungjill, në humanitet, n’instinkt, në violencë e në ndoj utopi tjetër nuk mund të bijshin aq shpejt në godi. Shkenca me karakter ekonomik, teknika, mekanika nuk u kqyrshin me sy të mirë në mbledhjen e shtetit X, – arsyeja ishte se ato qenë një shkak i fortë i krizës së tashme, e cila, tashti, si një polip po thith e po shterr trutë e Parisë. Posht’ e përpjetë, djathtas e majtas, në fund të fundit, ra vendimi. U gjet një kompromis. O kompromis, fëmi bastard i të gjitha mbledhjeve!

          Të dalme dredharake! Vendimi i Paris së shtetit X ishte ky: me anë të artit të çdollojshëm të nënshtypen ndjenjat e të gjithë nënshtetasve të shtetit X, si të vorfënve ashtu edhe të pasunve – të vorfnit mos me vjedhë e mos me vue në dajak të pasunit për një krodhë buke, e të pasunit me pas mëshirë për të vorfnit e me ua bamë një hise të vogël. Kur u ba ky vendim. Paria shtrydhte faculetat e mëndafshta, nga të cilat pikonte djersa e ballit të tyne pik… pik… pik… Por ishin të kënaqun. N’urim e sipër, shtërngojshin dorën shoqishojt dhe u shkrijshin në ndjenjën e sadisfaksionit moral. Ai vendim e vlente kët mund.

          Për një kohë të shkurtë shndrroi faqen shteti X. Arti i frymzuem dhe i punuem mbas reçetave të Parisë, shndërroi shtetin në një muzeum artistik. Ishte triumf i reçetës! Ose triumf i artit me qëllim! E qëllimi u mrrinte dalngadalë por me siguri. Kur shndrroi faqen Shteti, zunë të shndrrojnë trajtat dhe shpirti i nënshtetasve. Shpirti, dikur pëllumb, ishte bam skyfter, tash u ba prap pëllumb. Sidomos shumë kish bam për çashtje skulptura. Veprat, që paraftyrojnë të gjithë dashninat e botës, u gjindshin në çdo skaj, ku përparandej u mblidhshin lypsat për t’organizue shoqata vjedhcash dhe terrori. Ç’ndryshim ideal! Tash lypsat, të zbemë nga uja, me supa të mprehtë e kërçikë të ndytë përjashta, rrijnë në podium të monumentave, dhe rrijnë pa bamë kurrfarë lëvizje kundërshtimi. Aty rrijnë gjith ditën; kur vjen nata, futen nëpër zgavrrat e monumentave dhe andrrojnë begatinë shpirtnore.

          E kur zbardh mëngjesi, një nga një, porsi Sharli Shalpini tragjiko-komik, çphen nga gjini i monumenteve, hapin gojën, shtrijnë duert e kambët, dhe ulen në podium për ta çue gjith ditën në inerci të plogët. As nuk hajnë, as nuk pijnë: ushqim’ i tyne asht bukuria e monumentave. Rrijnë me sy të ngulun në ndoj pjesë të monumentit dhe kënaqen. Disa prej tyne dikur tregtarë të mbdhaj e tash në bankrt, që dijnë të lexojnë, lypin ose në dorë të ngurtë të monumentit ose në gju ose në grykë të ndoj nanës monumentale, dhe prej andej, dikur tregtarë e tash lypsa, si zhreca të fanatizuem, lexojnë me za të naltë romanet që s’ka rrahë ende shtypi. Dhe ata nuk dëshrojnë ma pozitën që kishin përpara. Zhelet e tyne u ngjajnë ma të bukura se veshjet e dikurta të tyne të kushtueshme. Përgjithsisht, ndjenjat e tyne janë bamë si ndjenjat e një fëmis së bukur, faq’ e bark të plotë, të paraftyruem në monument. Vdesin lypsat nga uja, nga të ftohtit, por nuk bëzajnë.

          Kalojnë përpara tyne, në parakalim, zotni e zonja me stoli t’arta, me unaza brilanti, topazi, zmaraldi, rubini, të nji çmimi prralluer, e lypsat kënaqen me ndjenjën e bukuris tue i shikue, ndërsa të pasunit dalngadalë vazhdojnë me hapa teatrale në duken impozante. Dredhi! Poshtni! Ndjenjat e ngurta të të pasunve mbeten pa prekë, nsa ndjenjat e lypsave u banë pambuk. Paria e shtetit X mendonte se edhe të pasunit po djerrin kohë me dokla artistike; nuk i shkonte në mend rivaliteti në mes të të pasunve, përmbysja e shoqi-shojtë – gja që okupon të tanë trunin e tyne, e arsyeja pse të pasunit nuk çajnë kryet për art. kështu lypsat nuk u kërcnohen të pasunve, e keta pa frigë, fryhen si bibonat me thalba arrash dhe shkëlqejnë si lustri i këpucës. Fryhen të pasunit, barku i tyne lodërtinë, por me pelsitë – jo! E lypsat vdesin, vdesin dita me ditë, por me u shfarosë – jo! Dersa një ditë, në podium të një monumenti që paraftyron gruan me shtatzanë, një lyps e një lypse lindin një djalë. (Ma vonë legjenda thoshte se u lind nga monumenti me shtatzanë).

          Dhe ky djalë, kur u rrit, u ba i marrë për njerzit e klasës së vet. E mbajshin për të çmendun, se nuk dijti me e thanë asnji lavd për monumentat e shumta; por gjithmonë, kur ishte fjala për art, rrudhte ftyrën e kafshonte buzën me dhambë. E vërteta asht se mendimet e tij ishin t’errta. Një qëllim i msheftë në mbrendin e tij priste të shpallet me gjith fuqitë zhgatrruese. Dhe një mëngjes nuk zbardhën ma monumentat… ose zbardhën, por të thyem, të coptuem, të grimcuem. Duer, kambë, krena, hundë, gjoksa, barqe, të gjitha gurit, mbasi kishin fluturue n’ajr, kishin gjetë qetsi në tokë dhe kishin varrosë një tufë… (jo lule!) lypsa, dhe një milion … (jo buuj!) berre që kullosin nëpër këmisha të ndyta. Te gërmadhat e monumentit të dashnisë vllaznore, vdiste djaloshi zhgatrrimtar.

          E kish mrrijtë lynch-i lypsave, të cilët, posa u shembën monumentat, u lëshuan si ujqit me brinjë të thamë nga uja”.

          Reply to this comment
  2. fteri September 2, 20:39

    Kur plakesh disave si puna juaj u bien trutë në qafë.

    Reply to this comment
    • Plaku Xhuxhumaku September 3, 12:00

      Disave si puna jone, trute u punojne ne rregull deri sa vdesim. Ca si puna jote o fteri, qysh kur lindin e kane kafken plot me pure’ patatesh dhe aty ketu ndonje cope kungull.

      Reply to this comment
  3. Shoku September 3, 10:50

    Mig-jen ashtu si thua ti, Migjeni ishte nje antipod i Nene Terezes. Migjeni luftonte dhe ngrinte zerin per shkaqet e varferise si te dilej prej saj, ndersa Nene Tereza kuronte pasojat e pabarazize eksteme qe rendet shoqerore ( sidomos kapitalizmi) krijojne te njerezit.

    Reply to this comment
    • Mig Jeni September 4, 15:18

      Po si mendon ti Shoku, a arriti të kurojë pasojat dhe të zgjidhë ndonjë padrejtësi Shenjtorja? Migjeni të paktën e ngriti zërin, madje si askush qartësoi një gjë demagogjike: “Mëshira, bijë bastarde e etërve dinakë.”.

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*