Sektori i ndërtimit, rimerr veten në fund të vitit 2014

April 7, 2015 23:44

Sektori i ndërtimit, rimerr veten në fund të vitit 2014

Sektori i ndërtimit nuk konsiderohet më si një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë tonë. Madje që nga viti 2009 ky sektor ka kaluar në krizë.

Politikat qeverisëse të ndërmarra së fundi kanë sugjeruar se sipërmarrësit që operojnë në këtë sektor t’i drejtojnë kapitalet e tyre në sektorë të tjerë, si bujqësia apo blegtoria.

Por ndryshe nga çfarë ka ndodhur këto vitet e fundit tremujori i fundit i vitit 2014 ishte surprizë në këtë sektor.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, prodhimi në këtë sektor u rrit me 10.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke qenë njëkohësisht dhe kontribuesi kryesor i rritjes ekonomike për këtë tremujor.

Lëvizja në kahun pozitiv të këtij sektori konfirmohet dhe nga treguesit e tjerë të volumit të punës, shifrës së afarizmit, punësimit dhe pagave.

Duke ju referuar të dhënave statistikore, shifra e afarizmit u rrit me 19.3%, ndërsa volumi i ndërtimit me 21.1% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Numri i të punësuarve me pagesë u rrit me 24.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa fondi i pagave u rrit me 16.3%.

Ndërtimi, rritje e investimeve publike

Edhe pse investimet publike mbeten larg realizimit të tyre, rritja e sektorit të ndërtimit sipas specialistëve të kësaj fushe lidhet me rritjen e këtyre investimeve , që ngelen faktor përcaktues për ecurinë e këtij sektori.

Në tremujorin e fundit të vitit, u vërejt një rritje e ndjeshme e fluksit të investimeve, që gjatë nëntë muajve të parë të vitit kishin shfaqur një ecuri të ngadaltë dhe shkallë të ulët realizimi.

Rritja e volumit në punimet inxhinierike ka sjellë edhe një përmirësim të ndjeshëm të gjendjes së këtij sektori. Për sa i takon segmentit të ndërtimeve rezidenciale dhe tregtare, të destinuara për tregun privat, nuk besohet që edhe tremujori i fundit të ketë sjellë zhvillime të rëndësishme.

Tregu ngelet i plogësht dhe kërkesa e dobët, ndërsa numri i lejeve të reja të ndërtimit paraqitet i ulët. Vitin e kaluar u dhanë gjithsej 270 leje ndërtimi në të gjithë vendin./DITA

April 7, 2015 23:44
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*