Sekuestrohen mbi 200 kg kanabis në Greqi, arrestohen 3 shqiptarë

August 27, 2018 09:03

Sekuestrohen mbi 200 kg kanabis në Greqi, arrestohen 3 shqiptarë

 

Antidroga e Igumenicës ka sekuestruar në dy operacione të ndara, një sasi prej më shumë se 200 kg kanabis të mbërritur nga Shqipëria.

Sipas policisë, operacioni i parë u zhvillua në një zonë pyjore në vendin e quajtur Leptokaria.

Dy trafikantët, 34 dhe 24 vjeç dhe shtetas shqiptarë, u ndaluan pasi po transportonin një sasi prej 124.6 kg kanabis.

Lënda narkotike ishte në 77 pako të vendosura në çanta, e sipas deklarimeve të të arrestuarve do të dërgohej në kryeqytetin e vendit, ku edhe do të shpërndahej në sheshin e narkotikëve të Athinës.

Prej hetimeve rezultoi se njëri prej të arrestuarve ishte shpallur në kërkim më parë, pasi nuk u kthye më në Burgun e Patrës, ku edhe vuante një dënim për trafik droge.

Ndërsa operacioni i dytë u zhvillua në aksin që lidh Doganën e Qafë Botës me Igumenicën. Burime policore thanë se, lënda narkotike prej 86 kilogramësh ishte fshehur në shasinë e një automjeti që kaloi në doganën që lidh dy vendet.

Në këtë rast, autoritetet sqaruan se kanë kryer kalim të kontrolluar të lëndës narkotike, pasi ishin më parë në dijeni të transportimit të saj prej një 34-vjeçari, shtetas shqiptar, tashmë i arrestuar.

Sapo automjeti ka hyrë në tokën greke, ai është dërguar për kontroll në skanerin e doganës, por edhe pse rezultoi i pastër, sërish autoritetet ishin të sigurta për informacionin, e pasi prenë me sharrë shasinë e mjetit gjetën lëndën narkotike.

Të arrestuarit dhe materialet në ngarkim të tyre do të dërgohen në Gjykatën e Igumenicës për masë sigurie paraditen e kësaj të hëne.

l.h/ dita

August 27, 2018 09:03
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*