SËMUNDJA SEKRETE E EVËS

January 15, 2018 01:22

SËMUNDJA SEKRETE E EVËS

Fjala është për sëmundjen e  Eva Peronit, gruas së parë të Argjentinës, që i mori jetën në moshën 33 vjeçare. Ishte Janari i  vitit 1950, kur gruas së Presidentit Juan Peron, i ra të fikët në një aktivitet publik, kur ajo ishte 30 vjeç. Atë e diagnostikuan për apendicit dhe e operuan.  Por ajo vazhdoi të ndjehej e dobët, e lodhur, me dhimbje barku dhe rrjedhje gjaku nga vagina.

 

Dhjetë muaj më vonë, Eva Peron i u nënështrua operacionit te histerektomisë, me heqje të të  gjithë gjëndrave limfatike. Operacionin e kreu kirurgu i famshëm amerikan  George Pack. Ai fluturoi fshehurazi në Argjentinë dhe nuk hyri në sallën e operacionit përpara se Evën ta kishin venë nën narkozë. Eva dhe gjithë populli i Argjentinës, kurrë, nuk e morën vesh se Dr. Pack e ekzaminoi dhe pastaj e operoi atë.  Argjentinasit, kurrë, nuk mësuan se Eva Peron kishte kancer në qafën e mitrës.

Eva Peron, gruaja më e famshme e Argentinës, vdiq 59 vjet më parë dhe u bë subjekt i hitit muzikal “Evita”, i shkruar nga Andrew Lloyd Webber. Për popullin argjentinas ajo ishte një shënjtore, një mbrojtëse e pasionuar e të  varfërve dhe një luftëtare për të drejtat e gruas .

Eva Duarte, fëmija ilegal i një  pronari tokash të rrënuar, u rrit në varfëri të madhe në një familje me pesë fëmijë. Kur ishte 15 vjeç u largua nga fshati dhe shkoi në Buenos Aires, për t’u bërë aktore. Jeta e saj ishte e vështirë. Vetëm kur u martua me Peronin në vitin 1945, jeta e saj mori  kthesën për mirë. Gjashtë muaj më vonë ajo ishte gruaja e parë e Argjentinës.

Ajo filloi fushatë për të drejtën e grave argjentinase për të votuar. Ajo zhvilloi një program social për descamisados (njerëzit që nuk kanë as këmishë) dhe për më të varfrit. Argjentinasit janë të bindur se motivimi i saj për këto vepra, ka qenë dashuria pa kufi për njerëzit.

Ajo ishte e bukur, e modës dhe shumë e fuqishme. Por, Eva vdiq tragjikisht në vitin 1952 nga  kanceri agresiv dhe i përhapur i qafës së mitrës. Kanceri kishte filluar kur ajo ishte 30 vjeç. Askush nuk di të thotë me siguri pse diagnoza u mbajt sekret në atë kohë. Por dëshpërimi i argjentinasve ishte aq i madh për shëndetin e saj, sa që Evitës i duhej t’u drejtohej bashkëatdhetarëve të saj duke kënduar :”Don’t cry for me Argentina”.

Pas vdekjes së saj, përkrahësit lobuan në Vatikan që Eva të bëhej shënjtore. Burri i saj vendosi të ndërtonte një mausoleum ku të vendosej trupi i saj i balsamosur. Ndërkohë që pritej të ndodhnin këto,  regjimi militar që erdhi në pushtet e  përmbysi Peronin në vitin 1955. Evën e varrosën në një varezë Milaneze. Ata e bënë këtë nga frika mos varri i saj bëhej symbol për opozitarët e diktaturës.

Në vitin 1976, më në fund, trupin e saj e vendosën të pushojë në varrezën Recoleta të  Buenos Airesit, që është një varrezë e përbashkët për të pasurit dhe të varfrit.

Andrew Lloyd Webber dhe Tim Rice, mrekullisht, e treguan jetën e Eva Peronit në një nga muzikalet më të suksesshme të të gjitha kohëve. Këtë pjesë muzikore ata e titulluan Evita. Gjithkush në Argjentinë e këndoi “Don’t Cry for Me, Argentina”

Duheshin 20 vjet plot diskutime pa fund, për të vendosur se kush duhet ta dirigjonte dhe kush do të ishte ylli i muzikalit, që do të rivinin në skenë muzikalin e Webber-it.  Më në fund Madona luajti rolin e Evitës dhe Alan Parker e drejtoi muzikalin. Në vitin 1996, të gjithë kënduan përsëri Don’t Cry for Me Argentina .

Tregova fare pak për Eva Peronin me shpresën, se dashuria e saj për popullin, do të inspirojë dikë edhe në politikën shqiptare.

Eva Peron vdiq nga kanceri i qafës së mitrës. Por, fatmirësisht, pas vdekjes së saj në të gjithë botën, janë rritur njohuritë për këtë tip të veçantë kanceri. Kjo ndodhin sepse Pap- testi u tregua shumë efektiv për zbulimin e hershëm të kanceret dhe i rriti shumë shanset për të luftuar me të.

CFARË ËSHTË KANCERI I QAFËS SË MITRES?

Nën këtë term përmblidhen disa lloje kanceresh, që formohen në indin e qafës së mitrës, e cila është organi që lidh mitrën me vaginën. Kanceri i qafës, zakonisht, është një kancer që zhvillohet ngadalë  dhe mund të mos ketë simptoma për një kohë të gjatë. Duke përparuar kanceri, shfaqen dhe simptomat që janë: gjak derdhja vaginale dhe dhimbjet në fund të barkut.

Shumica e kancereve të qafës së mitrës fillojnë në qelizat e shtresës së brendshme të saj. Qelizat nuk shndërrohen shpejt në qeliza kanceroze. Ato fillimisht kalojnë në fazën e ndryshimeve qelizore prekanceroze. Këto qeliza në këtë fazë mund të zbulohen me ndihmën e Pap- testit(merren qeliza nga qafa e mitrës dhe shikohen në mikroskop). Ndodh, që këto qeliza pre-kanceroze zhduken vetiu pa mjekim, por herë të tjera ato kthehen në kancer. Mjekimi i të gjitha gjendjeve prekanceroze i parandalon të gjitha kanceret e vërteta. Ja pse kryerja e Pap-testit, në mënyrë të përsëritur, nga çdo grua është me rëndësi shumë të madhe.

CFARË E SHKAKTON KANCERIN  E QAFËS SË MITRËS?

Akoma nuk është e qartë se çfarë i detyron qelizat e shëndosha të qafës  së mitrës të kthehen në kanceroze. Sot, shkencëtarët na mësojnë  se shkaku i këtij transformimi qelizor është  infeksion me “human Papilloma Virus” (HPV). Ky virus përhapet nëpërmjet kontakteve seksuale të pambrojtura. Ja pse seksi i sigurtë duke përdorur kondomin, parandalon shumë nga sëmundjet që transmetohen seksualisht, midis tyre dhe  shkakun kryesor të kancerit të qafës së mitrës, Human Papilloma Virusin.

Në shumicën e rasteve, sistemi imun i trupit është i aftë ta luftojë vetë infeksionin dhe virusi të zhduket. Herë të tjera, HPV çon në kancer. Ka prova të sigurta që tregojnë se virusi ekziston. Ai është gjetur në shumicën e kancereve të qafës së mitrës. Ndërkaq, shumë gra edhe pse e  kanë këtë virus, kurrë, nuk sëmuren me kancer. Kjo do të thotë se ka edhe faktorë të tjerë rreziku, që lozin rol në shfaqjen e kancerit. Këto faktorë janë tymosja e duhanit dhe faktori gjenetik.

MASAT PARANDALUESE

Ju mund të bëni shumë gjëra që të parandaloni kancerin cervikal.

E para– Të bëni rregullisht Pap- testin, çdo vit,  për të zbuluar sa më herët qelizat anormale.

E dyta– Vaksinimi me Gardasil ndihmon të parandalohen disa tipa të HPV. Duhet të dini se ka shumë tipa të HPV. Studimet tregojnë se vaksina parandalon 70 përqind të kancereve të qafës, kur vaksinën e bëjnë vajza dhe gra përpara se të kenë bërë seks për herë të parë.

E treta– Praktikoni seks të sigurtë

E katërta– Kufizoni numrin e partnerëve seksualë.

E pesta –Evitoni tymosjen e duhanit

E gjashta– Mbajeni të fortë sistemin tuaj imun, duke bërë ushtrime fizike dhe të përdorni ushqim të shëndetshëm.

Para vitit 1955 kanceri i qafës së mitrës ishte një nga shkaqet më të zakonshme të vdekjes së grave. Sot ky kancer është 74% më pak. Arsyeja kryesore e kësaj rënieje është aplikimi i Pap- testit. Me gjithë këto suksese, akoma, çdo vit diagnostikohen një numër i madh grash me kancer të qafës së mitrës. Kjo tregon për rëndësinë që ka testimi i rregullt i grave dhe kujdesi për shëndetin e tyre.

Dr. Adem Harxhi

 

January 15, 2018 01:22
Komento

1 Koment

  1. halleluja... January 15, 09:50

    Respekt Dr.Harxhit.
    Nji shkrim i goditur ,
    nji kombinim i kendshem i Historise Dramatike ,te nji nder Figurave te Shquara Feminile ,te ksaj Bote , me semundjen njerezore .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*