Sëmundjet dhe vdekjet e njerëzve të famshëm

September 13, 2017 10:48

Sëmundjet dhe vdekjet e njerëzve të famshëm

Prof.Dr.Bardhyl Çipi*

Njerëzit e dëgjuar  janë ata persona, jeta e të cilëve është bërë e njohur dhe ka ndikuar në zhvillimin historik, në kulturën, artin, shkencën, letërsinë e një ose shumë vendeve, apo të gjithë botës.

Të tillë do të konsiderohen udhëheqësit e vendeve të ndryshme, diktatorët, drejtuesit e ushtrive në luftrat e zhvilluara, artistët, këngëtarët, apo kompozitorët e shquar etj. Kështu, sipas poetit  francez Lautréamont: “që një njeri të bëhet i dëgjuar, ai duhet të zhytet me dashje në lumenj gjaku”, gjë që nënkupton diktatorët dhe krimet e kryera prej tyre.

Prof.Dr.Bardhyl Çipi

Jeta e personave të famshëm, fjalët, gjestet, vendimet, po kështu sëmundjet apo vdekjet e tyre, marrin dimensione të reja që mund të kenë ndikuar në shumë drejtime për shoqërinë, historinë e saj të shkuar etj. Nganjëherë, dyshimet në lidhje me rrethana të ndryshme të vdekjes së tyre amplifikohen menjëherë nga mediat dhe publiku.

Në vazhdim do të analizohen, nga pikëpamja mjekoligjore, sëmundjet dhe vdekjet e këtyre personave të dëgjuar: Napoleoni, Lenini, Stalini dhe Hitleri.

NAPOLEONI  

Napoleoni, ka qenë udhëheqësi më i shquar i Francës, nga viti 1893 kur në Francë fitoi revolucioni borgjez dhe deri në vitin 1815, kur ai arriti të pushtojë pothuajse të gjithë Evropën.

Pas disfatës në betejën e Vaterlosë, ai u internua në ishullin e largët të Shën Helenës që i përkiste Anglisë, ku arriti më 1 Gusht 1815. Ai jetoi atje disa vjet, deri sa vdiq në vitin 1821.

Në tre muajt e fundit para vdekjes, gjendja shëndetësore e Napoleonit u keqësua në këtë mënyrë:

-Më 17 Mars 1821, ai detyrohet të zërë shtratin për shkak të dhimbjeve shumë të forta të stomakut. Ai ushqehet me vështirësi shumë pak dhe ka të vjella të rregullta që e dobësojnë gjithnjë e më tepër.

-Më 1 Maj 1821 ai arrin të çohet nga shtrati, por i shfaqet një dobësi që e detyron të shtrihet përsëri.

-Më 3 Maj 1821 simptomat bëhen më alarmante.

-Më 4 Maj 1821 ka një farë shprese për përmirësim, kjo siç duket nga marrja e një doze kalomeli (klorid merkuri që përdoret si lëndë purgative).

-Gjatë natës së 4 Majit deri në 5 Maj 1821 është në gjendje kome, me ndërgjegje pothuajse të humbur.

-Më 5 Maj 1821, ora 17.49, Napoleoni vdes, në moshën 51 vjeçare.

Gjatë gjithë periudhës së qëndrimit të tij në këtë ishull, ai kishte 10 shoqërues, midis të cilëve mjekun O.Meara që u largua  më 2 Gusht 1819 dhe mjekun Francesco Antommarchi që arriti atje më 21 Shtator 1819, shkroi testamentin e Napoelonit dhe bëri autopsinë e tij pas vdekjes.

Francesco Antommarchi (1789 – 1835) ka studiuar në Itali dhe ka kryer më parë autopsinë e Maskanjit në Firenze.

Në autopsinë e Napoleonit, të kryer më 6 Maj 1821, 20.5 orë pas vdekjes, ku ishin të pranishëm edhe 8 mjekë anglezë, u konstatuan: indi dhjamor relativisht i zhvilluar, tuberkuloz aktiv në lobin e sipërm të mushkërisë së majtë, ganglione limfatike të bronkeve dhe mediastinit të infektuara dhe të qelbëzuara, ulcerë e stomakut e perforuar, që u dyshua të ishte me origjinë kanceroze, zemra dhe aorta – normale, mëlçia e forcuar me vëllim të shtuar dhe me aderenca të saj në pjesën që i korrespondonte stomakut, zorrët nuk kishin lezione, veshkat, pankresi – pa veçori,  ndërsa koka nuk u hap.

Pas autopsisë, zemra dhe stomaku u vendosën secila në një vazo të mbushur me alkool, e cila pasi u mbyll dhe u dyllos, u fut në arkivol pranë trupit. Kufoma e Napoleonit, e veshur me kostumin e kalorësit të gardës perandorake, të zbukuruar me të gjitha urdhërat dhe dekoratat që kishte marrë gjatë sundimit të tij, e mbuluar me një qefin që ishte pelerina me ngjyrë blu e qëndisur me argjend, që kishte mbajtur në betejën e Marengos, u vendos brenda një arkivoli prej hekuri të bardhë që u mbyll duke u salduar. Ky arkivol u fut brenda një arkivoli të dytë të bërë prej drurit të moganit, i cili u fut brenda një arkivoli të tretë prej plumbi dhe ky i fundit – në një arkivol të katërt prej druri të moganit, i cili u vulos dhe u mbyll me vida metalike.

Në varr, arkivoli i jashtëm prej mogani, u izolua në të gjithë periferinë e tij dhe u vu mbi 2 copa të forta druri.

Më 15 Tetor 1840, u krye zhvarrimi i kufomës së Napoleonit, për t’u transportuar në Francë, ku do të rivarrosej në muzeun e Invalidëve në Paris, në një ceremoni madhështore në prani të një milion njerëzve.

Gjatë zhvarrimit nën drejtimin e Dr.Guillard, u konstatua sa vijon:

Në gropën e varrit, pas spërkatjes me klorur, u vu re arkivoli i jashtëm prej mogani që nuk kishte asnjë dëmtim. U nxorr dhe u vendos jashtë. U hap me kujdes dhe u zbulua arkivoli i dytë prej plumbi, i ruajtur shumë mirë që u hap gjithashtu; arkivoli i tretë prej mogani nuk kishte ndryshime, ndërsa arkivoli i katërt prej hekuri të bardhë, ishte pak i oksiduar por në gjendje të  mirë. Kur ai u hap dhe u hoq pëlhura mbështjellëse, trupi ishte i ruajtur, por i mbuluar me një shtresë myku të hollë. U la nën ajrosje vetëm për rreth dy minuta dhe u hodh pak kreozot në pëlhurën që mbulonte trupin. Më pas u mbyll kapaku i arkivolit të bardhë, i cili u vendos brenda dy arkivoleve të reja, njëri prej abanozi dhe tjetri prej plumbi.

Pra gjatë këtyre viteve: nga viti 1821 deri më 1840, nuk dukej që të kishte pasur rrjedhje uji dhe lëndësh të tjera që të ishin futur nga toka nëpërmjet arkivoleve, për të arritur te kufoma.

Nga autopsia e kufomës së Napoleonit menjëherë pas vdekjes, si shkak zyrtar i vdekjes është pranuar sëmundja e kancerit të stomakut nga ndërlikimi i një ulcere të stomakut të perforuar, që mund të kishte provokuar një peritonit fatal etj., kjo diagnozë e përforcuar edhe nga fakti që i jati i Napoleonit kishte vuajtur dhe vdekur për shkak të sëmundjes së kancerit të stomakut.

Pas viteve 1950 disa studiues nuk e kanë pranuar këtë shkak vdekjeje të Napoleonit dhe kanë mbështetur hipotezën e një helmimi kriminal kronik me arsenik.

Sipas këtij versioni, komploti për vrasjen e Napoleonit kishte si qëllim që ta pengonte atë të largohej nga Shën Helena dhe të kthehej përsëri në Francë për të marrë përsëri pushtetin, sikurse veproi në internimin e tij të parë në ishullin e Elbës (100 ditët e Napoleonit).

Kjo hipotezë bazohet në radhë të parë, në rezultatet e analizave toksikologjike të mostrave të flokëve të Napoleonit, të marra kryesisht gjatë viteve kur ai ka qenë në Shën Helenë, me anën e metodave të reja të absorbimit atomik etj., të kryera në laboratore të specializuar të FBI, nga të cilat u gjet se ato përmbanin arsenik 45 mgr dhe 38,5 mg, gjë që vërtetonte në këtë rast – helmimin me arsenik. Kontaminimet e mundshme të këtyre flokëve me lëndë të tjera: kozmetike, uji, papastërtitë e ndryshme, ishin përjashtuar.

Por nga ana tjetër, për këto raste mungojnë ekzaminimet gjenetike për të vërtetuar autenticitetin e mostrave të flokëve të ekzaminuar.

Në dokumentet e shumta: libra, ditare të personave që kanë shoqëruar Napoleonin në Shën Helenë, përshkruhen shenjat e sëmundjes nga e cila vuante Napoleoni dhe në të gjitha këto përshkrime, të pavarura nga njëra tjetra, më shumë se 30 simptoma përputhen me ato të një helmimi kronik me arsenik.

Pra Napoleoni është helmuar në mënyrë graduale, në mënyrë që të keqësohej pak nga pak gjendja e tij shëndetësore dhe të dukej që kjo ishte rezultat i sëmundjes nga e cila ai vuante. Vrasja e tij e menjëhershme mund të nxiste shpërthimin e një revolte në Francë, sepse ushtria franceze ishte ende besnike ndaj Napoleonit, sikurse dhe shumica e popullit francez.

Personi që mendohet ta ketë kryer këtë vrasje nëpëmjet një helmimi gradual, duhet të ketë qenë konti Montolon (1783 – 1859), gjeneral francez, shambellan i pallatit, i cili e shoqëroi Napoleonin në Shën Helenë (1815 – 1821).

Këtë krim ai e ka realizuar, duke i hedhur arsenik verës që dërgohej nga Kejptauni vetëm për Napoleonin, që ai e pinte çdo ditë.  Si motiv të këtij krimi mendohet të ketë qenë hakmarrja e kontit Montolon për shkarkimin e tij nga Napoleoni, në vitin 1812, për arsye të marrëdhënieve të Napoleonit me gruan e tij Albinën. Për kryerjen e tij, ai duhet të jetë përkrahur edhe nga qeveria angleze nëpërmjet Hudson Lowe, governatori i Shën Helenës.

Një version i tretë që ka dalë kohët e fundit, është që kufoma e Napoleonit nuk është çuar në muzeun e Invalidëve në Paris, sepse ajo duhet të jetë zëvendësuar me kufomën e një prej shoqërueseve të tij, kryekamarieri Cypriani që kishte vdekur në Shën Helenë, disa vite para vdekjes së Napoleonit, në mënyrë të papritur, vdekje kjo e dyshuar për helmim akut me arsenik.

Në rast se do të kryhet një këqyrje  mjekoligjore e mbetjeve të Napoleonit, të vendosura në muzeun e Invalidëve në Paris, kjo do ta zgjidhte versionin e zëvendësimit ose jo të kufomës së Napoleonit dhe njëkohësisht do të sqaronte përfundimisht  çështjen  e helmimit të tij me arsenik, ku mundësia që arseniku të jetë futur nga dheu për rreth varrit në Shën Helenë, është e papërfillshme, sepse  edhe analiza e tokës përreth varrit të Napoleonit tregoi se ajo përmbante një sasi të vogël arseniku, që e përjashtonte mundësinë që ky helm në sasi kaq të paktë, të kishte shkuar te kufoma pas vdekjes.

LENINI  

Lenini (Vladimir Iliç Uljanov), ideologu dhe organizatori i revolucionit  të 1917 në Rusi, themeluesi i Bashkimit Sovjetik, kryetari i shtetit të parë socialist në historinë e njerëzimit, vdiq më 22 Janar 1924, ora 18.50, në Gorki të Moskës, në moshë 54 vjeç,  pas një ataku në tru.

Më datën 22 Janar 1924 u krye autopsia nga një grup prej 10 mjekësh dhe profesorësh të mjekësisë nën drejtimin e mjekut  të shquar anatomo-patolog Prof. Abrikosov.

Nga autopsia rezultoi një arterosklerozë e përgjithshme, më e shprehur në arteriet e trurit dhe në aortë (pjesa zbritëse), hipertrofi e muskulit të barkushes së djathtë të zemrës, vatra të shumta zbutjeje  të trurit (cerebromalacia) të anës së djathtë të tij në fazën e fundit të zhvillimit të tyre, hemorragji e trurit në plekset e enëve të gjakut në një zonë të caktuar të trurit (corpora quadrigemina), një kallus kockor në klavikulën e majtë dhe prania e një plumbi në indet e buta të shpatullës së majtë.

Si konkluzion në këtë raport është shënuar se: sëmundja kryesore ka qenë arterioskleroza e përhapur e enëve të gjakut që ka dëmtuar muret, ka ngushtuar lumenin e tyre, gjë që ka çrregulluar furnizimin me gjak, duke shkaktuar zbutjen e indit trunor (simptomat e paralizës, çrregullimi i të folurit).

Shkaku imediat i vdekjes ka qenë rëndimi i çrregullimeve të qarkullimit të gjakut në tru dhe hemorragjia në cipat e trurit dhe në një zonë të tij (corpora quadrigemina).

Ky ka qenë versioni zyrtar i shkaqeve të vdekjes së Leninit, por që kjo arterisklerozë kaq e përparuar, sidomos në arteriet e trurit të Leninit, duket pak e çuditshme, sepse ai ishte me moshë jo të kaluar, nuk pinte duhan, përdorte në mënyrë të moderuar pijet alkoolike, nuk vuante nga sëmundja e hipertonisë dhe as nga diabeti.

Ndofta, kjo arteriosklerozë e përparuar mund të jetë ndikuar nga stresi.

Problemet shëndetësore të Leninit filluan të shfaqen pas vitit 1921, kur vendi ishte i shkatërruar nga lufta civile dhe uria. Në këtë periudhë ai filloi të kishte dhimbje koke të vazhdueshme, pagjumësi, gjendje të fikëti.

Më 25 Maj të vitit 1922, pësoi goditjen e parë në tru që u shoqërua me paralizë të anës së djathtë të trupit, çrregullime të të folurit dhe të shkruarit që i vazhduan deri në vdekjen e tij. Në Shtator 1922 dhe 10 Mars 1923 ai pati dhe dy goditje të tjera në tru, deri në vdekjen e tij – gjithsej 5 goditje në tru.

Kohët e fundit, sipas një autori (Cynthia St.Hilaire), arterioskleroza e përparuar shpjegohet nga një mutacion gjenetik (gjeni NT5E), i enëve të gjakut, kryesisht të trurit, të pasuar me paralizë deri në vdekje, që mund ta ketë pasur  madje dhe familja e tij. Në fakt, babai i Leninit ka vdekur në të njëjtën moshë me vdekjen Leninit, gjithashtu mendohet nga një atak në tru.

Një hipotezë tjetër është që arterioskleroza të jetë shkaktuar  ndofta nga sëmundja e sifilisit (sëmundje seksualisht e transmetueshme) që kishte prekur enët e gjakut të trurit, por një test sifilitik i kryer me këtë rast rezultoi negativ.

Kjo hipotezë mbështetet në faktin që Lenini vite më parë ka qenë mjekuar nga sifilisi, ndërsa në vitin 1923, mjekët i kanë dhënë atij medikamentin e salvarsanit që përdorej për mjekimin e sifilisit.

Në lidhje me këtë hipotezë, duhet shtuar se udhëheqësit bolshevikë e konsideronin sifilisin një sëmundje të turpshme dhe prandaj ata mund ta kenë urdhëruar Prof. Abrikosovin,  që të mos bënte asnjë aluzion për sifilisin në raportin e autopsisë të Leninit. Por sipas studimeve të sotme këto dëmtime masive të trurit të Leninit mund të kenë qenë shkaktuar nga sëmundja e sifilisit.

Një shkak tjetër i mundshëm mund të kenë qenë pasojat e atentatit që iu bë Leninit në vitin 1918, nga i cili i mbetën në trup dy plumba (njëri prej tyre u hoq në vitin 1922). Kështu, shfaqja e dhimbjeve të forta të kokës pas vitit 1921 mund të shpjegohen nga infeksioni  prej këtyre plumbave.

Një hipotezë e fundit është që Lenini të jetë helmuar me cianur nga Stalini, sepse vetë Lenini i ka kërkuar shumë herë Stalinit t’ia gjente këtë helm, fakt ky që figuron në shumë dokumente. Por në autopsinë e Leninit u ndalua me urdhër nga lart, kryerja e analizave toksikologjike.

Pas vdekjes,  trupi i Leninit  u balsamos dhe u vendos që nga muaji Janar 1924, në një mauzoleum modest , i ngritur në Sheshin e Kuq  të Moskës për të kryer homazhe dhe për t’u vizituar nga njerëzit, i cili në pranverën e vitit 1924 u zëvendësua me një mauzoleum tjetër provizor deri në vitin 1930,  kur u ngrit mazoleumi aktual.

Sot po bëhen afro 100 vjet që kufoma e Leninit qëndron në mauzoleum dhe ruan një freski impresionuese, kjo në saje të përdorimit të metodave të përparuara të ballsamimit.

STALINI

Josif Stalini, një nga udhëheqësit më të shquar të Bashkimit Sovjetik, shtetit të parë socialist në botë, njëkohësisht një nga diktatorët më të egër, nën sundimin e të cilit u vranë dhe internuan miliona njerëz të popujve sovjetikë, ka vdekur më datën 5 Mars 1953, në rezidencën e tij jashtë Moskës, në moshën 73 vjeç.

Disa ditë para se të vdiste, më datë 1 Mars 1953, rreth orës 6.30, ai pëson një goditje në tru, por meqenëse kishte dhënë porosi që të mos ta shqetësonte njeri, stafi i tij priti deri të nesërmen për të parë Stalinin, të cilin e gjejnë të shtrirë në tokë, gati me ndjenja të humbura.

Në atë kohë ekzistonte një psikozë frike nga Stalini sepse ai sapo kishte dënuar shumë persona që i përkisnin rrethit të tij të ngushtë, përfshirë edhe mjekët e tij kryesorë: “komploti i doktorëve” dhe për këtë arsye këta mjekë ai i kishte burgosur dhe i mbante në një burg të Moskës.

Mjeku Aleksandër Mjasinikov, që i ka shërbyer Stalinit në momentet e fundit para vdekjes, ka deklaruar se Stalini vuante nga forcimi progresiv i arterieve të trurit, gjë që mund të shpjegojë sjelljen e tij paranojake dhe pamundësinë për të dalluar miqtë nga armiqtë. Ai vuante nga tensioni i lartë i gjakut, forcimi i arterieve të trurit dhe dhjamosja e mëlçisë, gjë që u konfirmua edhe nga autopsia.

Në raportin e autopsisë të Stalinit nuk ka asnjë të dhënë për helmim, sikurse është hedhur dyshimi nga shumë historianë ; arkivat ruse nuk japin asnjë arsye përse ky raport nuk u shpall më parë, por vetëm në vitin 2013. Në këtë raport të autopsisë të Stalinit ka rezultuar një hemorragji masive e bërthamave të nënkores të hemisferës së majtë trunore.

Kjo hemorragji ka shkatërruar zona të gjera të trurit, duke shkaktuar çrregullime të pakthyeshme të frymëmarrjes dhe qarkullimit të gjakut. Gjithashtu u vu re një zgjerim i theksuar i barkushes së majtë të zemrës, hemorragji të shumta të muskulit të zemrës, hemorragji të mukozës së stomakut dhe zorrëve si dhe ndryshime arteriosklerotike të enëve të gjakut, sidomos atyre të trurit, rezultat i tensionit të lartë të gjakut (sëmundja e hipertonisë), nga i cili vuante Stalini.

Këto të dhëna, përputhen kështu me ato të mjekëve që kuronin Stalinin, ku pavarësisht nga mjekimi energjik që u krye, nuk u arrit të shmangej fundi fatal.

Por nga studimi i të dhënave mjekësore të vdekjes të Stalinit, këto vitet e fundit, sidomos të studiuesit dhe neurokirurgut Miguel Faria , sëmundja e hipertonisë, nga e cila vuante Stalini, shpjegon vetëm hemorragjinë e trurit, ndësa hemorragjitë në pjesët e tjera të trupit si zemra, stomaku, zorrët, mund të shpjegohen nga një diatezë hemorragjike për shkak të mjekimit me ilaçe antikoagulante, por në këtë rast nuk përjashtohet edhe mundësia e një helmimi kriminal nga marrja e një doze të madhe (mbidozim) të lëndëve antikoagulante, duke shkaktuar hemorragjitë në muskulin e zemrës, stomak dhe zorrë. Pra, në vdekjen e Stalinit, nëse hemorragjia do të ishte lokalizuar vetëm në tru, “hemorragji trunore nga hipertonia”, mund të përcaktohej si shkak i vdekjes, çrregullimi i pakthyeshëm i frymëmarrjes (asfiksi nga sufokimi) dhe qarkullimit të gjakut nga goditja në tru, por situata nuk është e tillë në këtë rast.

Sipas studiuesit Faria: “mjekët sovjetikë që firmosën raportin e autopsisë, mund të kenë nguruar për të përcaktuar një shkak tjetër vdekjeje, përveç shkaqeve natyrale. Në atë kohë, Beria, drejtuesi i policisë sekrete që bënte pjesë në hierarkinë drejtuese të Bashkimit Sovjetik, ishte i dyshuari kryesor që mund ta kishte helmuar Stalinin. Për këtë arsye, helmimi si shkak i vdekjes së Stalinit, nuk u përmend në raportin zyrtar të autopsisë të Stalinit. Këta mjekë, duke vepruar në këtë mënyrë, nga pikëpamja politike, pa rrezikuar veten e tyre nga regjimi shtypës sovjetik, mbrojtën njëkohësisht mjekët kurues të Stalinit. Aq më tepër që në atë kohë ishte ende i freskët në mendjet e njerëzve “komploti i doktorëve”. Por këta mjekë, në këtë raport të autopsisë, duke përcaktuar në mënyrë të kujdeshsme tensionin e lartë të gjakut si shkaktar të vdekjes, lanë shumë gjurmë të ndryshimeve patologjike që vunë re te kufoma e Stalinit, për t’u shqyrtuar në të ardhmen”.

Pra tensioni i lartë i gjakut që vihet re në goditjet hemorragjike të trurit, zakonisht nuk shoqërohet me gjak nga goja (hematemezë) dhe hemorragji të muskulit të zemrës, si në rastin e Stalinit.

Sot ka shumë të dhëna që vërtetojnë dyshimin që doli menjëherë pas vdekjes të Stalinit, që ai u helmua nga kolegët e rrethit të tij të ngushtë, Laërenti Beria etj. Molotovi, në kujtimet e tij ka shkruar se Beria i është mburur atij se ka helmuar Stalinin. Mendohet që Stalini është helmuar nga medikamenti i varfarinës (antikoagulant), marrja e të cilit, ndofta me doza të larta para vdekjes, shpjegon hemorragjinë nga stomaku të Stalinit Sot Stalini nga një pjesë e popullsisë së Rusisë adhurohet si një gjysmë perëndi, prandaj vrasja e tij do të ishte e papranueshme dhe kjo është arsyeja që ajo është mbajtur sekret deri vonë.

Pas vdekjes, trupi i Stalinit u vendos në sallën e kollonave të pallatit të sindikatave të Moskës, ku iu bënë homazhe nga qindra mijra qytetarë. Kaq e madhe, e dendur dhe e çrregullt ishte turma e njerëzve që donin të shikonin Stalinin për herë të fundit, sa ata shtynin dhe shtypnin njëri tjetrin, ku rreth 500 persona kanë vdekur nga kjo shtypje. Më pas trupi i tij u vendos në mazoleumin e Leninit në Sheshin e Kuq dhe më vonë gjatë periudhës të destalinizimit, kufoma e Stalinit u varros në muret e Kremlinit.

HITLERI

Adolf Hitleri, lideri dhe diktatori i Gjermanisë Naziste në vitet 1933 – 1945, që zbatoi politika fashiste dhe nxiti shpërthimin e luftës së dytë botërore që çoi në vdekjen e të paktën 11 milion njerëzve dhe kreu gjenocidin (holokaustin) e rreth 6 milion hebrenjve, përpara disfatës përfundimtare të kësaj lufte, vret veten së bashku me gruan e tij Eva Braun, më 30 Prill 1945, në bunkerin e tij në Berlin, në moshën 56 vjeç. Një ditë më parë, më 29 Prill, ai bën martesën me të dashurën Eva Braun, në dhomën e hartave të bunkerit të tij, ku në këtë ceremoni merrnin pjesë përfaqësuesi i Bashkisë dhe si dëshmitarë: Gëbelsi dhe Bormani. Pas kësaj organizoi një koktej dhe më vonë diktoi testamentin e tij.

Të nesërmen, ndërkohë që ushtria e kuqe po avanconte gjithnjë e më tepër, duke iu afruar bunkerit të Hitlerit, pas drekës ai bashkë me gruan e tij Eva Braun u përshëndetën me oficerët e lartë nazistë dhe stafin e tij dhe u futën në studion e Hitlerit rreth orës 2.30 dhe mbyllën derën. Një orë më vonë, u dëgjua një krismë arme. Bormani dhe personat e tjerë, u futën menjëherë brenda në studio, ku gjetën trupat e pajetë të Hitlerit dhe të Eva Braunit, të shtrira në një kanape të vogël.

Tëmthi i djathtë i Hitlerti kullonte gjak dhe te këmbët ndodhej arma e zjarrit e tij, një Ëalther PPK 7.65. Eva Brauni nuk kishte ndonjë plagë të dukshme në kokë, por në dhomë ndjehesh era e bajameve, karakteristike për helmimet me cianur. Kufomat u nxorën nëpërmjet shkallëve në daljen e emergjencës së bunkerit dhe u vendosën në pjesën e pasme të kopshtit të kancelerisë, tashmë të bombarduar. Kufoma e Hitlerit u mbështoll me një flamur nazist; të dyja kufomat u lagën me petrol dhe iu vu zjarri. Besnikët e Hitlerit e bënë këtë veprim, sepse nuk donin që kufoma e Fyhrerit të tyre të binte në dorë të armiqëve të tij dhe të poshtërohej, sikurse u veprua me kufomën e Musolinit.

Kufomat u dogjën gjithë pasditen, ndërkohë që ushtria sovjetike qëllonte me predha. Në fillim të mbrëmjes, zjarri u shua, pa u arritur djegia e plotë e dy kufomave. Më pas kufomat u hodhën në gropën (kraterin) e cekët të një predhe dhe u mbuluan.

Vdekja e Hitlerit u lajmërua për herë të parë, më 1 Maj 1945 nga stacioni i radios gjermane “Reichssender Hamburg”.

Disa ditë më vonë, të dy kufomat e Hitlerit dhe Eva Braunit u zbuluan nga një njësi e agjensisë inteligjente të ushtrisë së kuqe (SMERSH), që kishte për detyrë të gjente trupin e Hitlerit. Stalini nuk besonte që Hitleri kishte vdekur. Më pas u krye një autopsi e kufomës së Hitlerit dhe më vonë, asaj ju bënë shtatë lëvizje të ndryshme, deri sa përfundoi në zonën e garnizonit të ushtrisë sovjetike në Magdeburg. Në muajin Mars 1970, sovjetikët vendosën ta braktisin garnizonin ushtarak në Magdeburg, për t’ia kthyer qeverisë civile të Gjermanisë Lindore.

Meqenëse vendi i ruajtjes të mbetjeve të Hitlerit në këtë zonë, ishte mbajtur i fshehtë prej sovjetikëve, ata tani druheshin se mos ky zbulohej, gjë që do ta bënte të njohur varrin e Hitlerit dhe ta kthente në një vend të shenjtë për neo-nazistët.

Për këtë arsye, drejtori i KGB-së, Juri Andropov, urdhëroi që mbetjet e Hitlerit të asgjësoheshin. Kështu, ato u dogjën plotësisht, me përjashtim të kockave të nofullave dhe kafkës, të cilat u dërguan për ruajtje në godinat qeveritare në Moskë. Pas djegies, hiri i tyre u hodh në lumin e Elbës.
Për dekada të tëra pas Luftës së Dytë Botërore, vdekja e Hitlerit ka qenë e veshur me një vello misteri. Ajo përbën një nga ngjarjet historike më të diskutueshme të kohës sonë. Sovjetikët për shumë kohë, me qëllime politike, i kishin mbajtur të fshehta të dhënat e ekzaminimit të kufomës së Hitlerit.
Ky qëndrim i tyre si dhe qenia e dëshmive të vdekjes së Hitlerit të shpërndara në vende të ndryshme, mungesa e organizimit për t’i paraqitur ato së bashku, të gjitha këto e kishin vështirësuar identifikimin e kufomës së Hitlerit. Kështu, mjekët ligjorë rusë nën komandën e shërbimit inteligjent SMERSH kryen një autopsi me dyer të mbyllura, një ekzaminim të shpejtuar dhe të përciptë, pa pjesëmarrjen e asnjë dentisti. Në autopsi ata konstatuan gjithashtu se një pjesë e kafkës së Hitlerit mungonte, siç duket e shkëputur nga qitja me armë zjarri, ndërsa dhëmbët e nofullave të kufomës përputheshin me ato të punimeve dentare për së gjalli të gojës s Hitlerit.

Në vitin 1946, u organizua një mision tjetër sekret në Berlin, ku në vendin e kraterit ku ish varrosur në fillim pas djegies, kufoma e Hitlerit, u gjet një pjesë tjetër kafke me vrimë plumbi që u mendua se i përkiste pjesës që mungonte të kafkës së Hitleri, por që nga ekzaminimi me metodën e ADN-së, ajo rezultoi t’i përkiste një femre me moshë 20-40 vjeçe.

Vetëm pas viteve 1960, sovjetikët filluan të botojnë materiale në lidhje me ekzaminimin e kufomës së Hitlerit, ndër të cilat vlen të përmendet libri i gazetarit rus Leë Bezymenski: “Vdekja e Adolf Hitlerit” (Der todd des Adolf Hitler), ku përshkruan të dhëna të hollësishme të autopsisë, veçoritë dentare me foto të punimeve dentare të kufomës, që mendohej që i përkiste Hitlerit; po kështu në konkluzion shënohej se kufomës i mungonte një testikul. Por këto të dhëna të autopsisë, nga shumë autorë mendohet se në një pjesë të tyre mund të jenë të sajuara dhe të manipuluara për qëllime politike, sepse kufoma e Hitlerit ishte pothuajse krejtësisht e shkatërruar nga djegia, me përjashtim të nofullës së poshtme me punimet dentare që u përcaktuan se i përkisnin Hitlerit.

Në vitet 1970 – 1980, në saje të punës këmbëngulëese dhe me pasion të dy dentistëve: Dr.Ferdinand Strom, i Oslos dhe Dr.Reidar Sognnaes, dekan i shkollës mjekësore dentare të Universitetit të Harvardit, ata, nëpërmjet krahasimit të veçorive dentare dhe punimeve stomatologjike të mbetjeve të nofullave të Hitlerit, tashmë të publikuara, me ato të punimeve të kryera nga dentistët për së gjalli dhe grafive të bëra para vdekjes, provuan përputhjen e saktë të tyre; në këtë mënyrë ata arritën ta kryejnë me saktësi të plotë identifikimin e kufomës së Hitlerit (1973) dhe të gruas së tij Eva Braun (1981). Për këtë arsye këta dy dentistë janë konsideruar si detektivë të historisë.

Sidoqoftë, djegia dhe zhdukja e kufomës së Hitlerit, fshehja dhe manipulimet që mund t’i jenë bërë ekzaminimeve mjekoligjore, duke e vështirësuar identifikimin e saj gjatë shumë viteve, kanë bërë që të ngrihen disa hipoteza sipas të cilave, Hitleri nuk ka vdekur me anën e vetëvrasjes në Berlin së bashku me gruan e tij, më 30 prill 1945, por ata janë arratisur nga Gjermania. Dy prej tyre paraqiten si vijon:

-Sipas studiuesit amerikan Jerome R.Corsi, në librin e tij “Gjuetia e Hitlerit. Provë e re shkencore që Hitleri është arratisur nga Gjermania”, botuar në vitin 2015, Hitleri është arratisuar dhe ka jetuar në Argjentinë. Për këtë hipotezë, sipas studiuesit, ka shumë argumente: asnjë njeri nuk e pa Hitlerin të vetëvritej, nuk ka asnjë foto të suicidit të përbashkët të Hitlerit dhe gruas së tij, të dy kufomat e tyre asnjëherë nuk janë rikuperuar dhe ruajtur për një identifikim të qartë të tyre.

Nga ana tjetër, ekzaminimi me anën e ADN-së së kafkës që mendohej se ishte e Hitlerit, rezultoi se ajo i përkiste një gruaje. Përveç këtyre, amerikanët nuk morën asnjë provë materiale të mbetjeve të Hitlerit dhe të dy drejtuesit e lartë: Ajzenhaueri dhe Stalini dyshonin gjithnjë në vdekjen e tij.

-Një tjetër hipotezë është dhënë nga studentja braziliane Simoni Renne Guerriero Dias, e cila në temën dhe librin e saj: “Hitleri, jeta dhe vdekja e tij”, të botuar në vitin 2014, e mbështetur në pikat e errëta të zhdukjes së Hitlerit, ka paraqitur teorinë e saj, sipas së cilës, Hitleri nuk ka vrarë veten por ka inskenuar një ngjarje të tillë, për të maskuar ikjen e tij në Amerikën e Jugut: Argjentinë, Brazil duke kaluar nga Paraguaj, deri në vdekjen e tij në vitin 1984, në moshën 95 vjeç. Si provë kryesore të kësaj hipoteze ajo paraqet fotografinë e një njeriu të bardhë që mendon që është Hitleri dhe që quhet Adolf Leipzig.

* Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë

 

September 13, 2017 10:48
Komento

1 Koment

  1. Pallatet Agimi September 12, 12:15

    Per Leninin ka edhe nje variant. Dihet qe Stalini ka patur miqesi te ngushte me Avni Rustemin. Ne mbremjen e 21 janarit, nje dite para se te vdiste Lenini, ky, Avniu ka darkuar nen shoqerine e Stalinit ne nje lokal te fshehte ngjitur me muret e Kremlinit. Stalini ja ka mbushur mendjen heroit tone se detyrimisht duhej te asgjesohej Lenini. Pasi, sipas Stalinit, ai qe kishte lindur ne Gjirokaster e qe quhej Enver Hoxha, kur te rritej nuk do te ishte ne gjendje te uzurponte kreun e partise komuniste shqiptare, e vendin e tij do ta zinte Qemal Stafa, i jati i te cilit ishte mik e shok i ngushte i Leninit, te cilet njiheshin qysh kur Lenini ishte ne Zvicer e ky shkonte aty here pas here per te bere tregeti me sahata zviceran. Qysh ne ate kohe kishte mare premtimin, qe ne se do te bente nje djale, Lenini do ta perkrahte e ndihmonte per ta emeruar si krytar te partise komuniste e me vone te partise te punes. Avniu u bind nga argumentat e Stalinit, e te nesermen ne nje fshehtesi te plote, u fut te dhoma e Leninit, nxori patllaken dhe i gjuajti me dy plumba pikerisht ne vendin ku e kishin kapur dy plumbat e tjere te atentatit te 1918-es. Lenini vdiq ne vend, duke thene vetem nje fjale, “mos more Avni pse e bere? Kisha nderment ta beja Shqiperine kopesht me lule”…
    Ne fillim skleroze, pastaj stres nga urija e lufta civile, pastaj sifilizi, pastaj dy plumbat e atentatit, pastaj helmim me cianur nga Stalini…
    Sa i politizuar ky doktor “antikomunist”. Per dijeni ky eshte ai mjekoligjori qe ka falsifikuar krejtesisht procesin e vrasjes te 4 qytetareve ne 2 prillin e 1991 te Shkodres.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*