Sëmundjet e gjakut kërcënojnë qytetet e mëdha

Pranvera Kola March 23, 2013 09:07

Sëmundjet e gjakut kërcënojnë qytetet e mëdha

Sëmundjet malinje të gjakut kanë predispozita të shtuara për t’u përhapur me ritme të shpejta në qytetet e mbipopulluara. Shkak për këtë bëhet konsumi në rritje i duhanit, alkoolit, produkteve ushqimore të kontaminuara me kimikate, si dhe ekspozimi ndaj efekteve të rrezatimeve.

Duke iu referuar rasteve të paraqitura në spitale, autoritetet tona shëndetësore tregojnë se çdo vit evidentohen mbi 200 raste të reja të pacientëve që manifestojnë komplikacione të rënduara shëndetësore, si rrjedhojë e sëmundjeve malinje të gjakut. Fatkeqësisht këto sëmundje mbartin shifra të larta sa i takon nivelit të vdekshmërisë së shkaktuar në radhët e pacientëve.

Megjithatë, mjekët vënë theksin tek mungesa e njohurive që qytetarët kanë rreth ekzistencës së sëmundjeve malinje të gjakut, çka konfirmohet edhe me pasojat në rritje të vdekshmërisë së shkaktuar tek këta pacientë, të cilët sëmundjen e zbulojnë në stade të rënduara.

Kundrejt riskut në rritje që shfaqin sëmundjet malinje të gjakut, mjekët hematologë nga vendi dhe të huaj janë mbledhur dje në një konferencë të përbashkët ku kanë diskutuar në lidhje me problematikën e diagnostikimit dhe mënyrave efikase të trajtimit që duhet të zbatohen kundrejt pacientëve që preken nga sëmundjet e gjakut.

Disa nga sëmundjet e gjakut të lindura dhe më të përhapura klasifikohen: talasemitë, hemofilitë, leucemia etj.  “Të gjitha llojet e atyre që quhen produkte toksike, pra të gjitha produktet kimike janë të mundshme që të jenë shkaqet e kancerit të gjakut, por edhe ato që janë më të prekshmet dhe më të përditshme janë alkooli dhe duhani. Ka edhe faktorë të brendshëm që janë individual nga secili person dhe kjo është edhe arsyeja se përse studiojmë qelizën dhe studiojmë kromozomet, se pikërisht këta faktorë të jashtëm veprojnë mbi këto faktorë të brendshëm”, bëri të ditur mjeku hematolog në QSUT, Arben Ivanaj.

Sipas tij, këto sëmundje mund të prekin të gjitha moshat, teksa nuk kanë qenë të pakta rastet e tyre që në fëmijëri. Kjo kryesisht për rastet kur sëmundja është e trashëguar. Sa i takon trajtimit të këtyre pacientëve. ekspertët e fushës së hematologjisë kanë vënë në dukje se spitalet shqiptare raportojnë mungesa të theksuara në medikamentet që duhet të sigurojnë për të sëmurët.

Ivanaj shton se spitalet në vend nuk i kanë të gjithë ilaçet për trajtimin e sëmundjeve të gjakut, duke kërkuar me ngulm mirëmenaxhim të fondeve dhe investime në shërbimin e hematologjisë. Sipas tij, një diagnozë e mirë dhe trajtimi i duhur do të ulnin jo vetëm kostot, por do të jepnin efekt më të shpejtë në shërimin e pacientëve, çka jo vetëm rrit cilësinë e jetesës, por edhe jetëgjatësinë e pacientit.

“Janë disa sëmundje të gjakut, të cilat relativisht kanë frekuencë të shpeshtë në popullatë. Pavarësisht se janë sëmundje të rënda kthehen në sëmundje të shërueshme, sepse duhen trajtuar sipas mekanizmit të lindjes së sëmundjes. Konkretisht flitet për rastet kur sëmundja zbulohet që në stadet e para të shfaqjes, dhe jo në stade të rënduara”.

Kryerja e aktiviteteve të shpeshta fizike, kujdesi në dietën ushqimore, shmangia e ekspozimeve në rrezatimet e dëmshme, si dhe pakësimi i konsumit të duhanit e alkoolit janë ndër këshillat më të vlerësuara që ndihmojnë në kontrollimin e këtyre sëmundjeve.

 

Leucemia kronike

Kryerja e një analize të thjeshtë mban larg kancerin e gjakut

Kryerja e një analize të thjeshtë gjaku mund të parandalojë rëndimin e sëmundjeve të gjakut, siç është leucemia kronike. Strukturat shëndetësore vënë në dukje se gjatë viteve të fundit edhe në vendin tonë raportohet një rritje e numrit të pacientëve që vuajnë nga kjo sëmundje,në përbërje të cilëve përfshihen edhe fëmijët.

Hematologu Arben Ivanaj thotë: “Leucemia kronike është një sëmundje gjaku, gjatë së cilës trupi i njeriut prodhon qeliza të bardha jonormale ose kanceroze. Këto qeliza janë të paafta të kryejnë funksionin e tyre normal. Ndryshe kjo sëmundje njihet edhe një lloj kanceri i gjakut me zhvillim të ngadaltë, i cili mund të vazhdojë në disa vjet, por në disa raste mund të përparojë shumë më shpejt.

Kjo zgjatje në kohë i jep mundësi pacientëve ta diagnostikojnë atë herët, të zgjatin jetën e tyre, si dhe të përmirësojnë cilësinë e saj. Zbulimi i hershëm i kësaj sëmundjeje bëhet vetëm nëpërmjet kryerjes së një analize të thjeshtë gjaku. Njëkohësisht duhet të dimë se mjekimi i saj varet shumë nga grada në të cilën zbulohet sëmundja”.

Rastet e paraqitura në spitale vënë në dukje se leucemia kronike mund të prekë të gjitha moshat, por ajo zakonisht prek moshën e mesme e lart. Megjithatë, kjo sëmundje nuk kursen as të vegjlit, ku rreth 2 për qind e rasteve të diagnostikuara u përkasin moshave të vogla.

Sa i takon simptomave dalluese, Ivanaj thekson se edhe leucemia kronike në stadet e hershme mund të mos shoqërohet me shenja dalluese. Gati gjysma e personave të prekur nga kjo sëmundje në kohën e diagnostikimit nuk kanë shenja.

Megjithatë në rastet kur sëmundja shoqërohet me simptoma të dukshme, pacienti ndien lodhje të vazhdueshme që nuk largohet për një kohë të gjatë. Sëmundja pasohet me humbje të pashpjegueshme në peshë, ethe, vështirësi në frymëmarrje, djersë natën, rënie të oreksit, dhimbje barku etj.

“Në pjesën dërrmuese të rasteve, leucemia kronike shfaqet në tre faza. Këtu bëhet fjalë për fazën kronike të sëmundjes me mbi 10 vjet mbijetesë, faza e tjetër është ajo e zhvillimit me rreth 1 vit mbijetesë, si dhe faza më e rënduar, që është ajo e krizës me rreth 6 muaj mbijetesë.

“Kjo situatë nuk duhet t’i trembë pacientët, pasi me zbulimin e hershëm të sëmundjes, si dhe me mjekimet e sotme këto të dhëna kanë ndryshuar mjaft. Ndërsa në rastet kur neglizhohet dhe nuk mjekohet, leucemia mund të rëndohet së tepërmi, duke bërë që mbijetesa të shkurtohet mjaft”, vë në dukje Ivanaj.

 

Talasemikët, të varur nga transfuzioni i gjakut

Talasemia është një tjetër sëmundje e shpeshtë e gjakut. Nëse kjo sëmundje nuk merr trajtimin e duhur mund të çojë në prishjen e funksionit të zemrës. Pacientët që vuajnë nga talasemia janë të varur nga transfuzionet periodike të gjakut, pasi ky është i vetmi mjekim i përshtatshëm sot për sot për pacientët talasemikë.

Ky pacient duhet t’i nënshtrohet transfuzionit të gjakut çdo 3-4 javë, në bazë të nevojave të faktuara nga analizat laboratorike që tregojnë përqindjen e hemoglobinës në trupin e tyre. Sipas përcaktimeve të bëra nga ekspertët e shëndetësisë pohohet se një i sëmurë talasemik ka nevojë për rreth 50 dhurime në vit.

Ndërkohë, dhurimet që bëhen gjatë vitit në vendin tonë janë shumë të ulëta krahasuar me nevojat në rritje të këtyre pacinetëve. Mungesa e gjakut është bërë shpeshherë problematike, pasi nëse këta pacientë nuk bëjnë në kohën e përcaktuar transfuzion gjaku, gjendja e tyre shëndetësore pëson komplikacione të rënda që mund të mbartin dhe pasoja fatale.

 

Hemofilia, mpiksja me vështirësi e gjakut

Hemofilia është një tjetër sëmundje e gjakut, e cila manifestohet me vështirësitë që shfaqen tek disa pacientë në mpiksjen normale të gjakut, siç ndodh në kushte natyrale. Pacientët që vuajnë nga hemofilia, në rastet e dëmtimeve gjakderdhja në zonën e dëmtuar vijon për një kohë shumë më të gjatë se sa ndodh tek njerëzit normal.

Pacienti gjithashtu mund të ketë edhe gjakderdhje të brendshme, sidomos në gjunjë, nyje dhe bërryla. Kjo gjakderdhje mund të dëmtojë organet dhe indet duke e vënë pacientin përballë rreziqeve të shumta shëndetësore.

 

Pranvera Kola March 23, 2013 09:07
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*