Një mik i madh i shqiptarëve

August 27, 2018 20:03

Një mik i madh i shqiptarëve

 

Fatos Tarifa

Më 20 qershor 2001, u prita në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë nga Presidenti George W. Bush, për t’i dorëzuar atij Letrën Kredenciale që më akreditonte ambasador të Shqipërisë në Uashington. Dy javë më vonë, instikti diplomatik dhe përvoja profesionale si ambasador i vendit tim në Mbretërinë e Holandës më shtynë që t’u shkruaja disa prej anëtarëve më me influencë të Senatit amerikan, republikanë dhe demokratë, si Richard Lugar (Republikan nga Indiana),Chuck Hagel (Republikan nga Nebraska), Gordon Smith (Republikan nga Oregon), George Voinovich (Republikan nga Ohio), Kay Baily Hutchinson (Republikane nga Texas), Hillary Clinton (Demokrate nga New York), Joe Lieberman (Demokrat nga Connecticut), Carl Levin (Demokrat nga Michigan), Barbara Mikulski (Demokrate nga Maryland), si dhe një numri anëtarësh të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, si Tom DeLay, Richard Gephardt, Nancy Pelosi, Henry Hyde, Christopher Smith, Tom Lantos, Sue Kelly, Elton Gallegly etj. Një letër të tillë i shkrova edhe Senatorit republikan nga Arizona, John McCain, tekstin e së cilës e botoj më poshtë për herë të parë:

Honorable Senator McCain

I have the honor to inform you that on June 20, I presented to the President of the United States, George W. Bush, the Letter of Credence accrediting me Ambassador Extraordinary and Plenipotentiary of Albania to the United States. As a newcomer to Washington, D.C., I consider it essentialand—indeed—a privilegeto get acquainted with lawmakers and politicians whose reputable knowledge, political experience and commitment to democracy, foreign policy and international affairs are most valuable to my mission. It is therefore an honor for me to kindly request a courtesy audience with you at your earliest convenience.

Looking forward to hearing from you, please accept the assurances of my highest consideration.

Sincerely,

Dr. Fatos Tarifa

 

I nderuari Senator McCain:

Kam nderin t’ju njoftoj se, më 20 qershor, i dorëzova Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhorxh W. Bush, Letrën Kredenciale që më akrediton mua Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Si i porsaardhur në Uashington, D.C., unë e konsideroj esenciale dhe—në fakt—një privilegj, që të njihem me ligjvënës dhe politikanë, njohuritë e spikatura, eksperienca politike dhe përkushtimi i të cilëve ndaj demokracisë, politikës së jashtme dhe çështjeve ndërkombëtare janë shumë të çmuara për misionin tim. Prandaj, e konsideroj një nder t’ju kërkoj mirësisht kortezinë e një takimi me ju në kohën më të afërt të përshtatshme për ju.

Në pritje të përgjigjes tuaj, pranoni, ju lutem, sigurinë e konsideratës sime më të lartë.

Sinqerisht,

Dr. Fatos Tarifa

 

Në vjeshtën e atij viti, pasi situata e rëndë e krijuar nga ngjarjet tragjike të 11 Shtatorit ishte qetësuar disi, Senatori McCain, ashtu si edhe disa prej senatorëve dhe anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, pati mirësinë të më priste në zyrën e tij. Ky ishte takimi im i parë me këtë burrë shteti të shquar të Shteteve të Bashkuara, i cili ishte njëherësh edhe një mik i sinqertë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve.

Pas një sëmundjeje të rëndë e të gjatë, Senatori McCain u nda nga jeta dy ditë më parë, një vit pasi ishte zgjedhur për të gjashtën herë radhazi në Senatin amerikan, ku i shërbeu vendit të tij për 31 vite me radhë. I respektuar nga publiku amerikan si rrallëherë ndonjë senator tjetër në historinë 230-vjeçare të Shteteve të Bashkuara, John MaCain, i cili humbi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008 ndaj kandidatit demokrat Barack Obama, mbeti deri në fund një figurë ikonë e demokracisë amerikane dhe e promovimit të demokracisë në botë, një luftëtar për lirinë e popujve dhe për të drejtat e njeriut.

Pas një karriere të gjatë politike në shërbim të vendit të vet, John McCain u zgjodh për herë të parë në Senatin Amerikan në vitin 1987. Me kushtetutë, në Shtetet e Bashkuara, senator mund të zgjidhet çdo individ që ka mbushur moshën 30-vjeç, që është shtetas amerikan prej 9 vitesh dhe që banon në njërin prej shteteve të Shteteve të Bashkuara që ai përfaqëson. Por, nëse themeluesit e republikës amerikanë e bënë të mundur e të lehtë për këdo kualifikimin për të kandiduar për Senatin amerikan, ata e bënë shumë të vështirë misionin e një senatori.

Thuhet se Senati i Shteteve të Bashkuara është klubi më ekskluziv në botë, por edhe ndër 100 anëtarët e tij në çdo legjislaturëjo të gjithë janë njëlloj. Në vitin 2006, revista “Time” e rendiste Senatorin McCain të dytin ndër dhjetë senatorët më të shquar të Shteteve të Bashkuara (America’s 10 Best Senators), ndërkohë që vlerësime të tjera e rendisin atë ndër dhjetë senatorët amerikanë më të shquar të shekullit të 20-të.

Autoriteti i Senatorit McCain në Senatin dhe në publikun amerikan, si dhe në publikun ndërkombëtar ishte, para së gjithash, një autoritet moral. Axhenda e Senatit Amerikan gjatë këtyre tri dekadave të fundit është ndikuar shpeshherë nga mendimi, qëndrimi dhe vendosmëria e këtij senatori të pavarur (edhe pse republikan) dhe “maverick”. Qëndrimi i tij ka qenë shpesh herë vendimtar në rregullat e lojës së vështirë mes Senatit dhe administratës së Shteteve të Bashkuara. Në të gjitha komisionet e Senatit ku ai ka ka shërbyer, ose ka drejtuar, John McCain ka qenë—dhe do të kujtohet—siç shprehet studjuesi amerikan Norman Ornstein, si “një nga të paktët njerëz që kanë pasur një ndikim të madh në Senat”.

Rasti e solli që unë ta njihja nga afër këtë Senator.Në çdo takim me të kam vënë re se ai ishte një njohës shumë i mirë i politikës së jashtme dhe një admirues i përpjekjeve të popujve europianolindorë për demokraci dhe integrim në Aleancën Transatlantike. Senatori McCain ishte një ndër përkrahësit më të vendosur e më vokalë të zgjerimit të NATO-s me dhjetë vende ish-socialiste të Europës Qendrore e Lindore. Veçanërisht në vitet 2000-2004, veprimtaria e ambasadave të këtyre vendeve në Uashington, përfshirë dhe ambasadën e Shqipërisë, u fokusua në lobimin në Senat dhe në administratën amerikane për anëtarësimin e tyre në NATO. McCain ishte përkrahësi ynë i vendosur.

Në prillin e vitit 2001, gazeta The Washington Times shkruante se “ambasadorët që përfaqësojnë nëntë vendet europiane që kërkojnë të anëtarësohen në NATO [kësaj liste më vonë i ushtua edhe Kroacia—shënim i autorit], kanë gjetur aleatë në një grup senatorësh me influencë, të cilët po e shtyjnë Presidentin Bush që të mbështesë zgjerimin e Aleancës Perëndimore në samitin e vitit të ardhshëm”. Ky grup senatorësh, vijonte Washington Times, përfshinte Kryetarin e Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, Jesse Helms, dhe senatorët John MaCain, Hillary Clinton dhe Joseph Lieberman.

Për mua do të mbetet një ngjarje e paharruar ajo, kur, më 4 dhjetor 2002, në një nga sallat e Senatit, me iniciativën dhe përpjekjet e përbashkëta të dhjetë ambasadorëve të vendeve të grupit “Vilnius 10”, u organizua një ceremoni për të kremtuar vendimin e Samitit të Pragës (në nëntor të atij viti) për të ftuar shtatë vende të këtij grupimi në NATO. Në atë ceremoni merrnin pjesë anëtarë të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë dhe të Departamentit të Shtetit, përfaqësues të Pentagonit, të institucioneve think-tank dhe të komuniteteve etnike nga vendet tona në SHBA.

Për mua ishte veçanërisht një nder që u zgjodha të përfaqësoja ambasadorët e dhjetë vendeve të grupit “Vilnius 10” duke mbajtur fjalën e hapjes në atë ceremoni, ku ndër të tjera, siç janë regjistruar, thashë këto fjalë: “Kjo mbrëmje bëhet për të kremtuar ftesat që morën në Pragë shtatë nga vendet tona, për të garantuar se dyert a NATO-s do të mbeten të hapura për vendet tona që aspirojnë të anëtaresohen në këtë organizatë, si dhe për të konfirmuar vazhdimesinë e këtij procesi…Ftesa për anëtarësimin në NATO të shtatë vendeve të grupit Vilnius është një sukses i madh jo vetëm për këtoa vende mike të Shqipërisë, por edhe për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë, të cilat nuk e morën këtë ftesë pak ditë më parë. Siqodoftë, unë besoj se suksesi i çdo vendi demokratik në Europë është sukses për të gjitha vendet tona demokratike”.

Në atë ceremoni, pata nderin t’i jepja fjalën edhe Senatorit McCain, i cili, në përshëndetjen e tij, teksoi: “Unë dëshiroj t’i shpreh urimet e mia çdo vendi të ri anëtar në NATO, t’i përgëzoj përfaqësuesit e të gjitha vendeve të grupit Vilnius për gjithçka që ju po bëni për ta forcuar Aleancën tonë, si dhe të shpreh optimizmin tim për të ardhmen e atyre vendeve që akoma nuk janë bërë pjesë e kësaj aleance…Miqve tanë nga Kroacia, Maqedonia dhe Shqipëria dëshiroj t’ju them se ne presim me kënaqësi që të bashkëpunojmë me ju, siç kemi punuar me të shtatët e Pragës, për të përmirësuar kualifikimet tuaja për anëtarësimin e plotë në NATO në një kohë sa më të afërt. Ne do të shkojmë në rrugën e anëtarësimit tuaj të plotënë NATO sëbashku”.

John McCain mbeti deri në fund një mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, një përkrahës i vendosur i pavarësisë së Kosovës dhe i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Kur themi se Amerika është aleati ynë më i madh, me këtë kuptojmë edhe se njerëz si Presidenti Klinton, Presidenti Bush, Colin Powell, Hillary Clinton dhe John McCain e kanë mbështetur vazhdimisht kauzën e shqiptarëve, lirinë dhe progresin tone si vend dhe si popull.

Në foto: Ambasadori Tarifa me ambasadorin kroat Ivan Grdesic (i dyti në të majtë), dhe ambasadorin maqedonas Nikola Dimitrov (në të djathtë) gjatë një vizite me Senatorin John McCain në zyrën e tij (Nëntor 2003).

August 27, 2018 20:03