Sequi: Vlerësimi ynë paraprak është se këto zgjedhje ishin një proces i mirë

INTERVISTE July 19, 2013 19:15

Sequi: Vlerësimi ynë paraprak është se këto zgjedhje ishin një proces i mirë

Flet ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi

Bisedoi: Arsen Hoxha, TVSH

 

Komuniteti ndërkombëtar i konsideron zgjedhjet parlamentare shqiptare në përputhje me standardet ndërkombëtare. A do të thotë kjo që Shqipëria ka bërë një hap para drejt integrimit në BE?

Për sa i takon Bashkimit Evropian, ne pa dyshim do t’i mbështesim vlerësimet tona në vlerësimet e Misionit Vëzhgues të OSBE-ODHIR-it, që do t’i paraqesë vlerësimet dhe raportin e vet përfundimtar brenda pak javësh. Ne i kemi përgëzuar tashmë shqiptarët dhe politikanët shqiptarë për atmosferën e mirë dhe mënyrën përgjithësisht të rregullt se si u zhvilluan zgjedhjet. Do të thosha gjithashtu se ndajmë vlerësimin paraprak të ODHIR-it. ODHIR-i i ka përcaktuar zgjedhjet si veçanërisht konkurruese dhe me një pjesëmarrje aktive të njerëzve dhe kjo është shumë e rëndësishme. Votimi sipas raportit paraprak të ODHIR-it ka ecur mirë, pavarësisht disa parregullsive procedurale. Ne i konsiderojmë zgjedhjet, dhe këtë e kemi thënë gjithnjë, si një test thelbësor për funksionimin e qetë të institucioneve shqiptare. Vlerësimi ynë paraprak është se këto zgjedhje ishin një proces i mirë.

 

Një hap përpara?

Siç e thashë, Këshilli i dhjetorit, pra vendet anëtare, por edhe baronesha Ashton dhe zoti Fyle, kanë thënë se ky proces zgjedhor është një test thelbësor. Padyshim që nëse testi është i suksesshëm, kjo do të thotë edhe progres në udhën e integrimit evropian.

 

Siç thatë edhe ju, patëm zgjedhje të mira, por ende nuk kemi rezultate zyrtare. Ndonjëherë zgjatja e procesit, sidomos në Shqipëri, sjell shumë probleme. Cilat janë pasojat e mundshme të këtyre problemeve në të gjithë procesin?

Ne kemi kërkuar përfundimin e qetë dhe në kohën e duhur të procesit elektoral, por siç thatë me të drejtë edhe ju, procesi ende nuk ka përfunduar. Në fakt ne besojmë se vlerësimi i ODHIR-it do të jetë shumë i rëndësishëm, sepse do të vlerësojmë perceptimin global për zgjedhjet – si ishte procesi – dhe unë besoj se përfundimet e procesit zgjedhor janë gjithashtu pjesë e këtij vlerësimi. Ajo që mund të them, që është diçka që më ka tërhequr vëmendjen mua dhe disa prej kolegëve të mi ndërkombëtarë, është mënyra se si partitë dhe drejtuesit  e tyre ndërvepruan të nesërmen e zgjedhjeve, deklaratat ishin absolutisht shumë të qeta dhe me dinjitet ata përgëzuan njëri-tjetrin.

 

E shihni këtë qëndrim të drejtuesve politikë si shenjë emancipimi politik në vendin tonë?

Besoj se këtë e pamë si një sinjal shumë të rëndësishme të një mentaliteti të ri. E kemi komentuar të gjithë këtë dhe e konsiderojmë përfundimisht si sinjal shumë pozitiv dhe sidomos edhe në lidhje me atë që thatë ju për përfundimin e procesit elektoral dhe mendoj se liderët u sollën në mënyrë evropiane dhe mua më pëlqen të mendoj se edhe ne kemi kontribuar për këtë.

 

Në çfarë kuptimi?

Në kuptimin se kemi mbështetur çdo ditë …

 

Trysni?

Unë do ta thosha ndryshe, kemi promovuar çdo ditë vlerat evropiane, sjelljet evropiane dhe kjo ndoshta ka ndikuar. Dhe ne pamë pas zgjedhjeve në deklaratat dhe sjelljet e drejtuesve politikë një përqasje më evropiane. Ndaj unë mendoj se procesi evropian duhet vlerësuar edhe për atë që sjell, ngadalë, por është vërtet me vend dhe i rëndësishëm.

 

Ambasador Sequi, cilat janë pritmëritë tuaja për mazhorancën e re gjatë katër viteve të ardhshme. Dua të them, cilat janë sfidat kryesore me të cilat duhet të përballet?

Para së gjithash, më lejoni të them se ne i kemi shprehur vazhdimisht pritshmëritë dhe vlerësimet tona në Progres-Raportin që botohet çdo vit në tetor. Progres-Raporti është një dokument shumë i rëndësishëm sepse përshkruan situatën dhe është si njëfarë rreze X e një vendi dhe gjithashtu shpjegon dhe thekson se çfarë pritet për të bërë përpara në rrugën e integrimit evropian. Siç e ka thënë edhe komisioneri Fyle, do të thosha se tetë vitet e kaluara kanë qenë një periudhë reformash të rëndësishme.

 

Reforma të suksesshme?

Nëse mendoj për shembull, për liberalizimin e vizave, me gjithë përpjekjet që kërkonte liberalizimi i vizave, është pa dyshim një hap shumë i rëndësishëm përpara. Por, nuk mjafton, sepse problemi është se procesi i integrimit është një proces shumë i gjatë, është mjaft kërkues, është një proces që e përkufizojmë si të bazuar në merita, rregullat janë të qarta për të gjithë, për çdo vend, dhe ndonjëherë janë të vështira. Pra, ajo që presim është angazhim, por ajo që presim është edhe fokus në disa fusha specifike, siç është lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar, sistemi gjyqësor dhe ajo që do ta përshkruaja në përgjithësi si shteti ligjor, sepse shteti ligjor është një nga kërkesat kryesore në procesin e integrimit. Nuk është një çështje teorike, por shumë konkrete. Shtet ligjor do të thotë të kesh një vend më efikas me më pak korrupsion, një vend ku çështje si të drejtat e pronësisë trajtohen. Jam i sigurt se mes shikuesve tanë të gjithë kanë apo njohim dikë që ka probleme, për shembull me të drejtën e pronësisë. Procesi i integrimit nënkupton gjithashtu trajtimin e këtyre lloj problemeve. Ndaj mendoj se fokusi te shteti ligjor është fokusi më i rëndësishëm që ne presim nga reforma.

 

Sfida e parë për qeverinë e re do të jetë statusi i vendit kandidati. Cilat janë mundësitë e Shqipërisë që të marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor?

Kohët e fundit komisioneri Fyle ka thënë se Shqipëria ka shanse reale. Statusi i vendit kandidat është i arritshëm. Janë bërë hapa të rëndësishëm si miratimi i të ashtuquajturave tre ligjet e famshme të integrimit. Procesi zgjedhor, siç është thënë, është një proces që pa dyshim u jep një sinjal vendeve anëtare për funksionimin e qetë të institucioneve demokratike në Shqipëri. Duhet të shohim edhe disa rezultate të tjera konkrete në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përgjithësisht do të thosha se statusi i vendit kandidat është pa dyshim i arritshëm në dhjetor. U takon vendet anëtare të vendosin, por mendoj se sinjalet që janë dhënë, gjithashtu edhe nga ndërveprimi politik pozitiv gjatë këtyre javëve të fundit, janë sinjale të mira në këtë drejtim, kështu që është i arritshëm. Nuk është i sigurt, por sipas mendimit tim, ekzistojnë mundësi konkrete.

 

Ju thatë korrupsioni, por gjithashtu edhe komisioneri Fyle ka folur për korrupsionin. A është korrupsioni një kusht që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat?

Mes gjithë çështjeve të tjera korrupsioni është diçka që vlerësohet me vëmendje të madhe nga Komisioni si dhe nga vendet anëtare. Lufta kundër korrupsionit është një proces i gjatë, por një proces në të cilin duhet të shohim pa dyshim angazhim të vazhdueshëm, duhet të shohim për shembull, hapa konkrete si ajo që e quajmë të dhënat e hetimeve, të ndjekjes penale dhe dënimit. Pra, vlerësohet i bazuar edhe në disa tregues mjaft konkretë. Nuk mund të përfytyrojmë në asnjë vend  që çështjet dhe problemet që lidhen me korrupsionin të zgjidhen për një javë, për një muaj apo për një vit. Por ajo që nevojitet, është të kemi fokus, të kemi përkushtim dhe të kemi gjithashtu një përbërës tjetër të recetës, që është theksuar fort kohët e fundit nga miku im i mirë, Ambasadori Arvizu, një bashkëpunim të mirë mes institucioneve në vend, sepse korrupsioni është një çështje që mund të trajtohet kur të gjithë institucionet punojnë së bashku në këtë drejtim.

 

Po bashkëpunimi politik?

Absolutisht.

Është kusht për statusin e vendit kandidat? Do ta shohim në shtator.

Dua ta përshkruaj integrimin evropian, apo progresin drejt integrimit evropian, si një përpjekje të përbashkët nga të gjitha segmentet e një vendi, pra partitë politike, qeveria, opozita, shoqëria civile, media, njerëzit e zakonshëm, sepse përparimi drejt integrimit evropian është një përpjekje që duhet të mobilizojë të gjitha përpjekjet e një vendi. Në Poloni, për shembull, kishte një thënie: “Integrimi evropian – fiksim”. Të gjithë ishin pothuaj të fiksuar nga ky synim, nga ky qëllim. Vendi u mobilizua plotësisht. Mendoj se është përgjegjësi e të gjithëve të bashkëpunojnë. Le t’i kthehemi pyetjes suaj, që mendoj se është shumë e rëndësishme. Pa dyshim që ne duam të shohim një qeveri evropiane të fortë, funksionuese dhe demokratike, por gjithashtu duam të shohim edhe një opozitë evropiane të fortë, funksionuese dhe demokratike. Sepse kombinimi i tyre mund të japë një nxitje.

 

Dhe ju besoni se mund ta kemi këtë në parlamentin tonë?

Kjo pa dyshim mbetet për t’u parë më pas, por më lini të them se kam vënë re njëfarë sinjali interesant dhe do të thosha inkurajues në këtë drejtim. Një çështje tjetër, çdo parti politike, pa përjashtim, e ka vënë në krye të agjendës politike integrimin evropian, ndaj mendoj se ky është një tregues i mirë, është diçka që na bën të shpresojmë për më të mirën, por do ta shohim.

 

Në këtë pikëvështrim, çfarë do të sillte mungesa e bashkëpunimit mes partive në parlament?

Mendoj se kjo është një situatë hipotetike. Pikë së pari, duhet të shohim nëse këto parti do t’u përmbahen programeve të tyre, po flas për partitë pa përjashtim, që promovojnë integrimin evropian, por mendoj se edhe roli i medias, roli i opinionit publik është kritik. Pse? Sepse në fund të fundit, integrimi është diçka mjaft konkrete, është konkrete sepse sjell ndryshim, sjell transformim në të mirë të shoqërisë, sjell përfitime për njerëzit. Sot, për shembull, kishte një lajm për faktin se tarifat për përdorimin e kartave të kredit janë reduktuar me 0.2 për qind në Evropë. Nuk e di sa njerëz, sa shikues i përdorin karta e kreditit, por pa dyshim është një sinjal i vogël, por i rëndësishëm.

 

Jo shumë në Shqipëri.

Mirë, por jam i sigurt se në Shqipëri për shembull ka shumë njerëz që përdorin telefonat celularë edhe për telefonata ndërkombëtare.

 

Sigurisht.

Në këtë rast e shihni se integrimi mund të sjellë shumë, sepse tarifat në Evropë, për shembull për telefonatat me jashtë vendit, janë ulur jashtëzakonisht, por nuk po flas vetëm për shembuj të vegjël, po flas për ajër më të pastër, po flas për rregulla më të mira për sigurinë rrugore, e kështu me radhë. Kështu që mendoj se edhe roli i opinionit publik është kritik këtu.

 

T’i kthehemi statusit të vendit kandidat. Është e arsyeshme të pritet edhe hapja e negociatave për anëtarësim? Ka ndodhur në çdo vend të rajonit.

Gjithçka është e mundur, por çështja është që në fillim duhet të ecim hap pas hapi, në fillim synimi ynë duhet të jetë statusi i vendit kandidat. Hapja e negociatave lidhet me plotësimin e 12 përparësive të famshme, që tashmë janë më pak sepse disa prej tyre janë vënë në zbatim, por unë mendoj se Shqipëria e ka të gjithë potencialin për të ecur me shpejtësi në këtë drejtim. Mendoj se synimi tjetër duhet të jetë statusi i vendit kandidat.

 

Çfarë mesazhi i jep Evropa vendeve të Ballkanit me anëtarësimin e Kroacisë?

Një mesazh shumë të fortë. Para dhjetë vjetësh, në vitin 2003, e ashtuquajtura agjenda e Selanikut e thoshte fare qartë se e ardhmja e vendeve të Ballkanit ishte në Evropë. Pas dhjetë vjetësh, Kroacia është bërë shteti i njëzetetetë anëtar dhe në një farë mënyre, Kroacia po tregon dy gjëra: e para, se perspektiva evropiane për këtë rajon është konkretisht e hapur dhe e dyta, se Kroacia mund të jetë burim frymëzimi për të gjithë rajonin, për të gjitha vendet që ende aspirojnë të bëhen anëtarë, sepse Kroacia ka treguar se me vendosmëri të fortë dhe të qëndrueshme dhe me përpjekje të vazhdueshme është përfundimisht e mundur të arrihen rezultate.

 

Gjithnjë dëgjojmë, por edhe ju e thoni, se integrimi evropian është një rrugë e gjatë. Pavarësisht sukseseve dhe dështimeve, përpjekjet e Shqipërisë kanë qenë të vazhdueshme. Sa e gjatë mendoni se do të jetë kjo rrugë për ne dhe kjo është pyetja e fundit.

Mund t’ju them çfarë mendoj dhe çfarë shpresoj. Ajo çka mendoj është, siç thashë, që Shqipëria ka gjithë potencialin për të ecur shpejt, por sërish kërkohet angazhim dhe ndërgjegjësim dhe Shqipëria i ka të gjitha cilësitë. Shpresa ime është që ky proces të jetë sa më i shkurtër që të jetë e mundur.

INTERVISTE July 19, 2013 19:15
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*