Serbët bashkë mund të dalin forca e parë politike në Kosovë

August 1, 2013 09:28

Serbët bashkë mund të dalin forca e parë politike në Kosovë

Nëse serbët pajtohen të dalin në zgjedhje me një subjekt të përbashkët politik, mund të renditen të parët për nga numri i votave. Është gati 300 mijë trupa elektorale e atyre që janë brenda Kosovës, por edhe e serbëve që kanë statusin e refugjatit, e për të cilët Prishtina zyrtare është pajtuar që të kenë të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhje, shkruan “Koha Ditore”. Partia më e madhe në pushtet, PDK-ja, në zgjedhjet e fundit kishte marrë saktësisht 224.339 vota.

Njohës të çështjeve elektorale shprehin dyshimin për një fluks të mundshëm elektoral të organizuar nga Serbia, e që do të mund të prodhonte një rezultat që nuk do të pasqyronte gjendjen demografike në terren.

Trupa elektorale serbe është më e madhe sesa numri i kosovarëve që në zgjedhjet e fundit ia kanë dhënë votën Partisë Demokratike- subjekt politik që e drejton kryeministri Hashim Thaçi.

Në zgjedhje mund të votojnë edhe mbi 200 mijë serbë që ndodhen jashtë kufijve të Kosovës. Në zgjedhjet e fundit, në listat e votuesve kanë figuruar diku 39 mijë banorë me të drejtë vote, që e popullojnë veriun. Në Leposaviq kanë qenë 16.730 të regjistruar, në Zveçan 8475 dhe në Zubin- Potok 7563.

Mitrovica në zgjedhjet e shkuara është trajtuar si njësi e vetme, prandaj nuk ka pasur një shifër për numërimin e votuesve të veriut që tash do të trajtohet si komunë me vete. Por vetëm është vlerësuar të jenë në këtë pjesë 7-8 mijë votues. Gati po kaq serbë kanë pasur të drejtë vote në lokalitete të tjera të Kosovës.

Mazllum Barali, ish-kryeshef i KQZ-së, ka thënë se nëse serbët organizohen mirë për të votuar, mund të shkaktojnë rebalancë të cilën nuk mund ta imagjinojë 99 për qind e njerëzve që nuk e njohin problematikën e të zhvendosurve.

“Pra, mund të ketë të paraqitura dhe mund të ketë numër më të madh sesa që janë atje”, ka thënë Baraliu.

 

August 1, 2013 09:28
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*