Serbët dhe grekët takohen në… Libofshë

June 17, 2016 10:20

Serbët dhe grekët takohen në… Libofshë

Nga Naun Kule

Reciprociteti si rregullator mes shoqërisë njerëzore (dhe jo vetëm) vepron edhe mes shteteve e popujve, aq më shumë kur këta  janë fqinj. Fqinji i mirë është një mundësi më tepër. Një fqinj dashamirës, të nxit për më shumë, për më mirë dhe më bukur. Kësisoj ecin popujt dhe shtetet   drejt progresit global, krah për krah, bashkarisht.

Që në zanafillën e vet shqiptarët u gjendën këtu, vërtet buzë Adriatikut (afër detit-afër mbretit), por edhe  midis dy fqinjëve jugoveriorë (që na gdhendën e tkurrën si sanduiç…), me të cilët kemi bërë dhe ndarë historinë e mbijetesës, shoqëruar shpesh edhe me mbllaca gjaku… Megjithatë, i mençuri fal por… nuk harron!

Por çfarë kërkojnë fqinjët tanë jugoveriorë? Ç’i sjell e i bashkon ata në rrugën e gjatë përkundruall njeri tjetrit gjer këtu, në Libofshë e nën Ardenicë, nga ballkoni i të cilës dëgjohen edhe tallazet e dallgëve në bregdetin e virgjër…?

***

Sot për sot, dy janë objektet e lakmuara nga fqinjët tanë jugoveriorë: shkolla dhe kisha…

Pra, shkollimi i fëmijëve dhe rikthimi ndër kishat e këtejme ortodokse të përkushtimit fetar dhe hyjnor, davaritur aq shumë në gjysmëshekullin e shkuar. Çuditërisht, apo rastësisht (?!), të dy fqinjët tanë i kemi ortodoksë…! Dhe, siç kuptohet, gjithnjë në emër të Krishtit dhe të Kryqit, nxitojnë ta përdorin ortodoksinë shqiptare si “gozhdën e Nastradinit” për të “varur  xhaketën” këtu, në mes të Myzeqesë… Kujtoni fjalimet e kryepeshkopit serb Irenejt në manastirin e Deçanit-në kërthizë të Kosovës, dhe në katedralen e Tiranës, i ftuar si mik i kolegut të tij grek. Grupe priftërinjsh mbushin autobusët në Beograd e Athinë për të vizituar manastiret e Ardenicës e Kolkondasit dhe kishat ortodokse të Myzeqesë. Të dy palët kërkojnë ndër to gjurmë apo ngjashmëri të artit dhe të ikonografisë serbo-greke ndër kishat tona. Ndërsa priftërinjtë serbë i presin në manastirin e Ardenicës sivëllezërit e tyre “serbë” (që s’dinë të bëjnë kryq…!?), priftërinjtë grekë, si më të hershmit ndër këto anë, ndjehen më komodë. Këta bujtin në odat e bëra enkas nga kryepeshkopi “ynë” grek, në manastirin e “shën” Kozmait në Kolkondas, katër-pesë kilometra më tej dhe vetëm ca qindra metra larg shkollës serbe…!

Kur ballafaqohemi më nga afër dhe më konkretisht, me synimet e këtyre “miqve” shohim diferenca  dhe qëllime që na kujtojnë reminishenca të frikshme. Emëruesi i përbashkët i tyre si dikur, mbetet gjithnjë gjuha kombëtare, mësimi ndër shkolla dhe liturgjitë  ndër kisha,  jo në gjuhën shqipe…

“…Në këto vitet e fundit, në mënyrë të heshtur prej shumicës politike të drejtuar nga zoti Berisha, Serbia nuk ka punuar në territorin tonë vetëm për të zgjeruar ndikimin ekonomik por edhe për  krijimin e minoritetit serb dhe zgjerimin e tij… Krijimi i minoritetit serb në Libofshë dhe gjetkë, është toleruar në mënyrë të heshtur dhe të ngjashme si puna e maqedonasve në Gollobordë…”

 (Qëllimet e fshehta të Mrkiçit në Tiranë” Gaz. “Panorama”, 23.10.2012)

 

***

Libofsha, komunë në Myzeqe me 600 vjet histori, qendër administrimi që në shekullin e 19-të, e mbi pesëdhjetë fshatrave, ka hyrë në historinë e arsimit kombëtar për shkollën e parë shqipe çelur këtu që në vitin 1908. Por kjo “Mësonjëtore e Myzeqesë” (jo vetëm), me plot ngjarje dhe figura të nderuara kombëtarisht për pushkë dhe penë, ka rastin tani të futet edhe në historinë e shkollimit  të fqinjëve tanë jugoveriorë, doemos jo më në gjuhën shqipe…

Kolkondasi dhe Rrethlibofsha, janë dy fshatra ngjitur me Libofshën dhe pjesë e administrimit të saj. Tre vjet më parë, në fshatin Rrethlibofshë, u sajua një shoqatë e pakicës serbe në Shqipëri dhe u çel për këtë një shkollë në gjuhën serbisht.

Autoritete të Ambasadës serbe në Tiranë, por edhe titullarë serbë nga Beogradi, shkojnë e vijnë këtu me premtimet se banorët myslimanë të kësaj “pakice serbe” mjafton të mbarojnë këtu shkollën bazë, të tjerat i kanë  gratis në universitetet e Beogradit…

***

Po cilët janë serbët e  Rrethlibofshës?

Janë familje boshnjakësh e kosovarësh të shpërngulur me forcë pikërisht nga çetnikët serbë dhe të ardhur si muhaxhirë ndër këto fshatra në vitet 1926-30 të shekullit të shkuar. Dihet që politika  serbomadhe  nuk lejonte – siç ende sot…- mësimin e gjuhës shqipe ndër shkolla dhe as të flitej shqip ndër zyra. Ndaj shqiptarët e atyre trojeve, flisnin shqip mes tyre por për nevoja zyrtare flisnin a shkruanin edhe serbisht.

Pikërisht këtu zë fill edhe pretendimi i bijve e nipërve të këtyre “muhaxhirëve myslimanë” të vetëquhen sot serbë, sepse gjyshi apo babai  i tyre, fliste e shkruante edhe serbisht…!  Shtoju këtyre edhe shtysën e pronave dhe trojeve nga janë shpërngulur forcërisht, pasi  ndonjë i moshuar ruan edhe tapitë për shtëpinë dhe truallin që ka lënë atje.

Zhvillimet demokratike shqiptare në marrëdhëniet ndërshtetërore, do sillnin domosdo edhe vlerësime të reja të interesave politike, ekonomike dhe kulturore mes fqinjëve dhe popujve tanë. Të gjitha këto janë të pritshme, paçka se jo gjithnjë të mirëseardhura. Kjo e fundit ka të bëjë me reminishencat e së djeshmes. Por, edhe pa mbetur peng i tyre, ende sot pyesim: ç’kërkojnë fqinjët dhe ish-fqinjët tanë kaq larg (dhe afër…!), tek duket sikur garojnë me njeri tjetrin, të përqafen (apo përplasen…?)  në të njëjtin vend, fshat e krahinë? Dhe, më tej, drejt të njëjtëve objekte; shkollës  dhe kishës, ortodoksisë sonë gjoja të përbashkët…!

Dihet se e drejta për shkollim është  legjitime dhe aspiratë e njeriut. Ndaj sa herë bëhet fjalë për veprimtari arsimore, për libra dhe lexime, për abetare por edhe histori e gjeografi të kombeve, askush nuk është kundër. Mirëpo, është e udhës që para se t’i kërkosh dikujt, të thuash edhe çfarë i ke dhënë a po i jep. Përndryshe s’ke ç’kërkon…!

***

Para se të “harxhohet” kaq shumë duke ardhur  gjer në Myzeqe për boshnjakët a kosovarët e shpërngulur nga vetë serbët, qeveria serbe duhet të realizojë detyrimet e veta reciproke ndaj pakicave shqiptare në Luginën e Preshevës, Bujanovc e Medvegjë. Detyrimi reciprok s’mund të jetë midis Luginës së Preshevës dhe Libofshës, por mes Preshevës dhe Mitrovicës. Politika serbe e fqinjësisë së mirë duhet të demonstrojë ndër shqiptarët e Luginës Preshevë-Bujanovcit-Medvegjes, gjithçka kërkon ajo, nga qeveria e shtetit kosovar në Prishtinë, për pakicat serbe në Mitrovicë  dhe në Kosovën lindore. Kësisoj rregullatori-reciprocitet mes shtetesh dhe popujsh do funksionojë normalisht duke shtuar dobitë  e ndërsjellta të fqinjësisë së mirë. Vetëm një qëndrim i tillë mund të na e heqë merakun se historitë e hidhura të  fqinjësisë me serbët nuk do përsëriten më.

Kjo sepse kronika e gjakosur e marrëdhënieve serbo-shqiptare shënon ngjarje dhe emra të frikshëm të politikës serbomadhe. Naçertanija antishqiptare e Ilia Grashaninit, (1844), pasuar me platforma politike dhe raprezaljet shtetërore për “Dëbimin e shqiptarëve” të Vaso Çubriloviçit (1937), vazhduar me spastrimet sipas Ivo Andriq dhe Dobrica Çosiç, (“Shqiptarët-barrë barbare në Ballkan”), deri tek “spastrimi final” nga “kasapi” serb i Ballkanit, Sllobodan Millosheviçi…

Sipas Institutit të historisë të Universitetit të Prishtinës, nga këto fushata spastrimesh dhe dëbimesh me  forcë, deri në vitin 1914, ishin shpërngulur 282.000 shqiptarë. “Njësitë fluturuese” të çetnikëve  dhe ushtria serbe deri në vitin 1938, dogjën 320 fshatra shqiptare, vranë 13.000 shqiptarë,  grabitën 7000 shtëpi shqiptarësh. Deri në vitin 1921 vetëm për në Shqipëri u shpërngulën me forcë 40.000 shqiptarë myslimanë. Pas nënshkrimit të Konventës  turko-jugosllave, më 1938, u shpronësuan dhe u dëbuan nga shtëpitë e tyre edhe 40.000 familje “turko-myslimane” për në rrethinat e Anadollit.

Gjithë makina shtetërore serbomadhe, për dekada të tëra ka punuar me ngut dhe përkushtim për të bërë pastrimin etnik  të shqiptarëve myslimanë, të udhëhequr gjoja nga klubet kulturore serbe nga Akademia  e Shkencave  deri edhe nga kisha ortodokse serbe e cila bekonte përgjakjen e shqiptarëve  vetëm  pse ishin myslimanë…

“…Arnautët  është e pamundur t’i mposhtësh…-shkruante më 1937 ideologu antishqiptar serb, Vaso Çubriloviç.-Mjeti i vetëm është dhuna brutale e një qeverie të organizuar…”

***

Këmbëngulja e qeverisë serbe për të sajuar një pakicë serbe në mes të Myzeqesë, synon modelin grek të fqinjësisë së kushtëzuar pikërisht nga gjoja mirë apo keqtrajtimi i kësaj pakice. Dihet që sa herë Greqia do t’i bëjë presion Shqipërisë “tund e shkund  thesin me miell” të të drejtave të pakicës greke në Shqipëri. Dhe paçka përmirësimit gjithnjë e më mirë të këtyre të drejtave nga qeveria shqiptare, “thesi i miellit” prapë tundet dhe prapë nxjerrë tym (…?!) siç ndodhi edhe pak ditë më parë në vizitën e ministrit grek Kotzias, në Tiranë.

Pikërisht këtë model të fqinjit tonë jugor, po përgatit, madje me ngutje dhe këmbëngulje, edhe ish-fqinji ynë i veriut. Lajmet për vizitën e kryeministrit serb Vuçiç në Shqipëri doemos që i gëzuan banorët e “pakicës serbe” këtu, në Rrethlibofshë, dhe i angazhoi për ta pritur dhe nderuar, mes tyre.

Por, nëse këta banorë kanë të drejtën për të zgjedhur vetë gjuhën, fenë e ndoshta edhe kombësinë(?!),  përshtat interesave të tyre, qëndrimet ndërshtetërore për të drejtat e pakicave kombëtare, duhet të trajtohen si detyrim që burojnë nga e drejta njerëzore e sanksionuar ndërkombëtarisht. Dhe gjithnjë, reciprokisht. Kështu siç sjellin qeveritarët serbë lirshëm tekstet shkollore dhe abetaret e gjuhës serbe në shkollën e porsahapur të Rrethlibofshës, kanë të drejtë edhe shqiptarët, të kërkojmë që të mos bllokojnë librat dhe abetaret shqipe që shkojnë për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës.

***

Por, fatkeqësisht, nuk ndodh kështu. Kronikat e zeza mediatike shpesh kanë përcjellë deri edhe reprezalje ndër shkollat shqipe të Bujanovcit, Preshevës dhe Medvegjës. Kujtojmë se vitin e ri mësimor 2015-16, nxënësit shqiptarë të këtyre shkollave e bojkotuan dhe e nisën me protesta për shkak të mungesës së abetareve dhe librave shkollore të cilat, i bllokoi policia serbe në pikën kufitare “Dheu i bardhë” me pretekstin absurd se ato nuk qenkëshin në përputhje me programet e miratuara nga Ministria e Arsimit të Serbisë…?!

Kësisoj, nga 103 mijë tekste mësimore të dërguara nga Kosova, u lejuan të futen në Preshevë vetëm 20 mijë libra, kryesisht të shkencave ekzakte si kimi, fizikë, matematikë, por jo edhe të historisë, gjeografisë dhe edukimit shoqëror sepse: Ato “…mbajnë qëndrime të ndryshme ndaj pikëpamjeve tona historike dhe gjeografike, për figura dhe ngjarje të historisë së Kosovës dhe sidomos për   UÇK-në”, shpjegon policia serbe.

Në vitin 2010 popullata  shqiptare e Komunës së Preshevës dhe kryetari i saj Ragmi Mustafa protestonin se “…Prokuroria serbe vendosi të “burgosë” një zetor me rimorkio me libra shqip… dhe se policia civile serbe i sekuestroi gjithë librat në shkollat shqipe të Preshevës, Vranjës, Granicës, etj.”

Qëndrime të tilla diskriminuese të politikës serbe ndaj popullsisë shqiptare sollën pasojën e dëmshme. Mbi 12% (baraz me 1165), mbetën pa shkollë vetëm në harkun e një viti shkollor. Pra, nga 10136 nxënës që ndiqnin këto shkolla në vitin shkollor 2014-15, këtë vit i ndjekin vetëm  8971 nxënës. Këto shifra të frikshme, nuk nderojnë aspak politikën gjoja të fqinjësisë së mirë të qeveritarëve serbë. Aq më pak u japin të drejtë t’iu kërkojnë qeverive shqiptare në Prishtinë apo Tiranë, më shumë të drejta dhe detyrime për pakicat serbe të Mitrovicës apo për “serbët myslimanë” të Rrethlibofshës.

***

Me të njëjtat synime por me histori më të hershme, vazhdon të veprojë ndaj shkollave dhe kishës ortodokse shqiptare edhe fqinji ynë jugor, Greqia. Është e njohur në shekuj lufta e Patrikanës greke për të greqizuar ortodoksit shqiptarë, mbështetur gjithnjë në logon mesjetare, “një fe, një atdhe”. “Myzeqeja është shesh i gjerë i fuqive dhelpërore të  Mitropolisë greke të Beratit… Ndërsa Nettovich, shkruante po nga Berati se “…Fusha në të cilën propaganda greke shfaqet më e fortë se kudo, është shkolla…”.

Dhe shikojmë sot me sa përkushtim janë mbjellë shkollat greqisht në të gjithë vendin, ku librat dhe mësonjësit grekomanë, edhe Skënderbeun e nxjerrin me origjinë greke, pale ç’shkruajnë e këndojnë  për “Vorio Epirin”. Synimet e fqinjit tonë jugor fatkeqësisht ende nuk janë zhveshur nga sindroma  mesjetare e Megaliidhesë, të cilën e manifestojnë në meshimin greqisht në kishat tona ortodokse  dhe më keq akoma, përmes shkollave të tyre greqisht, ndonëse më të moderuar janë njëlloj si dikur, që lavdinë famoze të “nënës Greqi”e përcillnin gjoja me lutje fetare, që nxënësit shqiptarë e këndonin në kor:

“…Atdheu im i dashur, e bukura Greqi/ Si nënë tjetër do të dashurojë,/ Do të jap jetën në altarin tënd,/ Dhe në s’bëhem biri yt besnik,/ Le të kem mallkimin e perëndisë. Amin!”

 ***

Ja pra, Greqia, kjo gjoja “nënë e dytë”, sot nuk lejon qindra mijë fëmijë të emigrantëve shqiptarë të mësojnë gjuhën e tyre, gjuhën e nënës.

Shkollat dhe kurset e mësimit shqip ndër qytetet e Greqisë së sotme edhe pse janë vetëm ndërmarrje e vullnetarëve, shpesh kërcënohen nga naziskinët e “Agimit të artë”.

Dhe, më e keqja, shkojnë e vijnë ministra në Tiranë-Athinë e anasjelltas, flasin e premtojnë në emër të “miqësisë së dy popujve miq” dhe politika e marrëdhënieve shqiptaro-greke bën në vendnumëro. E reja e ministrit grek këtë herë në Tiranë, ishte ujdia për të ngritur një… komision?! (Doni ta shpini një problem në kalendat greke? Krijoni një komision…!)

Është e turpshme të dëgjosh qeveritarët tanë tek mburren se rreth 100 mijë fëmijë shqiptarë mësojnë sot në shkollat greke dhe shkëlqejnë aq sa… nderojnë edhe flamurin grek ndër ato shkolla. Po flamurin shqiptar, a e nderon ndonjëri nga këta shqiptarë të vegjël, zotërinj të Ministrisë së Arsimit? Apo vazhdojnë ende të këndojnë lutjet e Megaliidhesë se “Atdheu im, nëna Greqi…!?”

Disa nga këta shqiptarë-nxënës të sotëm në shkollat greke, pas një dekade do vijnë të na shpjegojnë pse Jorgo-Skënderbeu qenka grek dhe se krimineli Zerva qenka shqiptar…!

Dhe ç’është më e keqja, sa herë jemi në bisedime me shtetarë grekë, siç ndodhi edhe këto ditë në Tiranë, axhenda e diskutimeve kthehet e rikthehet tek refreni njëzetvjeçar: Ligji i luftës, Pakti i detit…, varrezat…, pakicat greke… !?

Meazallah se bëhet dikush “trim” t’iu kujtojë shtetarëve grekë kërkesat e përsëritura të qindra mijë shqiptarëve në Greqi për shkolla dhe libra shqip, pse jo, edhe për kishën tonë ortodokse ku do të meshojnë shqip, shqiptarët e atjeshëm, si në çdo vend të botës demokratike. Për sa kohë qeveritë shqiptaro-greke të “fqinjësisë së mirë” ende nuk e kanë gjetur të udhës një marrëveshje për shkollimin shqip të qindramijë fëmijëve shqiptarë atje, kjo ndërmarrje do t’i mbetet vullnetarizmës së njerëzve atdhedashës.

Klasat dhe kurset e sotme të mësimit shqip në disa qendra greke si Athinë, Megarë, Korint, Patra, Tinos, Volos, Selanik, Salaminë, Trikalla, Kallabaka, Dhomoko e ndonjë tjetër, të bëra bashkë, janë vetëm 20% e gjithë kërkesave të fëmijëve shqiptarë që duan të mësojnë shqip atje ku banojnë, në Greqi.

Kjo kërkesë jetësore e brezit tonë të nesërm për formimin kombëtar, zhbëhet që në nisjen e vet edhe përmes historisë kombëtare të pamësuar ose të deformuar.

Pas tablove dhe fakteve të tilla, deklaratat e pushtetarëve këtej e andej kufijve, për politikat e fqinjësisë së mirë dhe marrëdhëniet miqësore, për të drejtat e pakicave kombëtare dhe  reciprocitetit, shndërrohen në konsum mediatik për turmat.

 

 

 

June 17, 2016 10:20
Komento

10 Komente

  1. Niku June 17, 11:01

    Nuk ka maqedonas ne Golloborde. Jemi 99 perqind e popullsise shqiptare. Kete e ka percaktuar historiani vendas Hilmi Sadikaj dhe Kristo Frasheri. Por ka tymnaje te krijuar nga sllavet qe ne shqiptaret e hame “sapunin për djathe” shume lehte. Maqedonasit dhe serbet duhet te pergjigjen per genocidin qe bene ne vitin 1913 ne kete krahine ku vrane edhe nenen e gjyshes time shtatzene.

    Reply to this comment
  2. Dashamirwsi D. June 17, 14:06

    Faleminderit penws atdhetare tw z.Naun Kule qw i ka thwn tw gjitha cduhet thwn pwr sa trajtohet nw kwtw shkrim.
    Qeveritarwt shqiptarw,dipllomatwt sa organizmat shoqwrore, duhet ta thonw fjalwn e tyre.
    Vecanwrisht kwrkojmw na Emigrantwt shqiptarw apo ato shqiptarwt e hershwm nw tw dy shtetet fqinje, tw rigjallwrojnw punwn e tyre nw kwtw drejtim.
    Trajtimi i shkrmit wshtw mwse i pranushwm.

    Dashamirwsi D.

    Reply to this comment
  3. Dashamirwsi D. June 17, 14:13

    Nuk e kuptoj kwtw siglwn: “Stafi Kontakt largohuni”bwrw pas komentit tim nw kwtw shkrim.
    Dashamirwsi D.

    Reply to this comment
  4. dash June 17, 16:00

    Bravo Zoti Kule,ja the Po kujt ja the…

    Reply to this comment
  5. Pano Hallko June 17, 17:46

    Pergezime autorit per kapjen dhe trajtimin me kompetence te nje problemi te mprehte te kohes. Nuk eshte hera e pare, e as shkrimi i pare i tij. E kjo tregon se ai eshte konstant, siç do te duhej te ishte shteit shqiptar…

    Reply to this comment
  6. kris1 June 17, 19:48

    kemi gjitheate akakademi shkencash qe duhet te punoje per ceshtjen shqiptare.Nuk flas per akademiket e plepave.
    Rama mban deri tani nje qendrim te drejte ndersa Berisha e fundosi dhe u tregua servil ndaj fqinjeve

    Reply to this comment
  7. Akilis June 17, 21:11

    Eshte e turpshme yhote zoti Kule per nxenesit shqopetare ne Greqi,por harron se keta jane emigrante dhe te paftuar te paligjshem,kurse ne Amerike qe shkojne te ftuar dhe me dokimente I presin shkollat shqipe posacerisht per nxenesit shqipetare.
    Po si nuk kini pak turp qe sollet turqine prape,ju ndjek nga pas nema e Heroiy Eoirote Jrorgios qe edhe emrin ja pagezuat Gjergj.
    Une nuk di qe ne Orthodokset te kishim ndonje shenjtore me emrin Hjergjj apo Xhorxh.
    A ka ndonje emer zone apo qyyeti te nje
    jte me emrat e qytete te banuara nga Ilyret?
    Pse,se jini armiq te ketij identiteti.

    Reply to this comment
  8. [email protected] June 17, 21:16

    shkrimi eshte teper domethenes .
    por ,me shume keto gjera mbillen nga varferia ekonomike,por edhe nga varferia e cervelit !
    si ka mundesi qe nji grup shqiptaresh te shperngulur nga Kosova me dhunen e serbeve te bjere ne kembet e serbeve pas 100 vjetesh !?
    dhe keta njerez jane te besimit mysliman…….dhe e quajne veten …serbe…TURP TE KENE !
    DUHET QE DREJTUESIT E KETYRE MINORITETEVE TE GENJESHTERTA TE BEJNE MENJIHERE DOREHEQJEN SA NUK ESHTE VONE !
    se sa perqind shqiptare perbehet greqia …nuk do ta besoni !
    nji historiane greke ,thote se perbehet nga ….70% !
    ne serbi besoj se perqindja mund te jete tek 50 % !
    shikoni ne link !
    https://www.youtube.com/watch?v=c0mMTwLn3mA

    Reply to this comment
  9. koco June 18, 05:55

    Qenka bere trim legeni i Libofshes dhe po na flet per serbe e per greke, kur ne e dine mire se serbet dhe greket me te kqinj jane mbledhur ne Shqup-in te cilit ky legeni Kule u ka sherbyer me devotshmeri skllavi. Te pakten te permendete diku fakti qe minoriteti serb i Libofshes u njoh ne kohen e shkelqimit te tij dhe te satrapit Saleh.

    Reply to this comment
  10. Spartaku June 18, 19:30

    Zoti Naun Kule,vertet meriton nje lavderim te madhe,nje nderim dhe respekt te jashtzakonshem per kete artikull brilant.Po vjen kohe e shen Kozmait,kur bente propagande se toka greke,dhe gjuha greke eshte e bekuar nga perendia,kurse toka shqipetare dhe gjuha shqipetare eshte e mallkuar nga perendia.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*