Serenatat korçare, një shpirt rebel ciganësh

Gazeta "Dita" January 14, 2013 15:59

Serenatat korçare, një shpirt rebel ciganësh

Disa të vërteta që nuk janë thënë kurrë deri më sot. Si lindën serenatat në qytetin korccar? Një vështrim historik dhe rrëfim

Vepror Hasani

Korçë- Emrin e saj askush nuk e mban mend, sepse që nga ajo ditë kanë kaluar shumë vite dhe ka rrjedhur shumë ujë. Kanë mbetur të gjalla vetëm tregimet që janë rrëfyer për të. Vazhdojnë të tregohen edhe sot e kësaj dite edhe pse kanë kaluar ndoshta më shumë se 200 vjet. Ajo ishte një cigane, ose siç quhen sot, një rome, e bukur, me një vështrim që të rrëmbente që në çastin e parë dhe nuk mund ta harroje dot kurrë për gjithë jetën. Ishte këngëtarja më e njohur e qytetit. Në atë kohë ciganët jetonin në tre lagje të Korçës, ashtu sikurse edhe sot: në mëhallën e Katavaroshit (Varoshi i Poshtëm), në mëhallën e Radanecit dhe në pjesën jugore të qytetit.

Ciganët dinin të këndonin pothuajse të gjithë. Kur binte mbrëmja lagjet e tyre ktheheshin në një aheng të madh, këndonin gjatë gjithë natës, vallëzonin, deheshin dhe gëzonin pa pasur frikë se çfarë fati do t’u sillte dita e nesërme. Jeta e tyre ishte këngë dhe brengë, por trishtimi nuk i lodhi dot kurrë. Netëve të vona ata thurnin këngë, si për jetën ashtu edhe për vdekjen dhe i këndonin ato me lot në sy.

Më të vjetrit thonë se ata këndonin me zërin e shpirtit. Prej shpirtit të tyre rebel do të lindte serenata korçare, e cila këndohet edhe sot e kësaj dite. Deri më sot kjo e vërtetë e madhe ka mbetur e pathënë.

 

Varoshi dhe Kasabaja

Dy lagjet e tjera të qytetit, ajo në anën lindore të lumit që mbante emrin “Kasaba” ku jetonin myslimanët, dhe tjetra në anën perëndimore që quhej “Varosh”, ku jetonin të krishterët, të cilat përbëheshin nga disa mëhalla, qëndronin krejtësisht  të heshtura njësoj sikur të mos ndodhte asgjë. Dëgjonin këngët dhe muzikën e ciganëve dhe çuditeshin me ta se si arrinin ta përballonin dot jetën. Më shumë se kënga, ciganëve nuk u pëlqente asgjë tjetër. Martoheshin që në moshë të vogël dhe lindnin shumë fëmijë. Edhe pasardhësit e tyre bënin të njëjtën gjë: këndonin. Edhe pse e kalonin natën me ahengje, në mëngjes sërish ngriheshin herët dhe dilnin në rrugët e Korçës për të gjetur punë. Bashkë me ta ishte edhe ajo cigania e bukur me vështrimin rrëmbyes që, nëse ashtu si fshehurazi të shkelte synë, të turbullohej jeta e të kthehej në mjegull, aq sa nuk mund të gjeje dot shteg për të dalë. Ajo bashkë me disa të tjera e nisnin mëngjesin duke kënduar këngë portë më portë për të siguruar bukën. Në kujtimet e tij, Vasil Ballauri shkruan se ato i quanin ndryshe “llazore” ose “rusica”, që sipas Ballaurit, këto emra e kishin marrë kuptimin nga festat fetare. Të të këndonte te pragu i portës një vajzë si cigania dhe të mos i dhuroje diçka si shpërblim, ishte e pamundur, madje ndodhte që më të rinjtë t’i kërkonin asaj të këndonte dy edhe tre këngë, vetëm e vetëm për ta mbajtur aty edhe një çast më shumë.

 

Magjia e këngës

Kështu kalonte jeta e tyre. Ata ishin të vetmit këngëtarë që këndonin me vegla muzikore. Përveç ciganëve, së paku deri pas viteve 1800, ishin të rralla ato familje në Korçë që mund të kishin në shtëpitë e tyre një buzuk, fyell apo dajre. Për vegla të tjera muzikore as që bëhej fjalë. Violina konsiderohej “mollë e ndaluar”. Sipas kujtimeve të Vasil Ballaurit, të sjella nga biri i tij, Ilia Ballauri, te libri “Një dritare në historinë e muzikës së Korçës”, thuhet: “Muzika asi kohë, me sa tregojnë pleqtë, ishte fare pak e zhvilluar dhe njerëzit argëtoheshin me këngët karakteristike të vendit, ato të dasmave, të qejfeve e të tjera dhe të paktat vegla muzikore që përdoreshin thonë të vjetrit, ishin buzuku, dajreja dhe fyelli”.

Kjo ishte arsyeja pse cigania që këndonte e luante në dajre ishte bërë e famshme në gjithë qytetin. Zëri i saj ishte një drithërimë e vërtetë. Kënga e kënduar prej saj: “O bandill të paçim sa malet/, pse nuk vjen një natë që të qajmë hallet…” i bënte gjithë njerëzit ta dëgjonin në heshtje. Banorët ishin mësuar që mëngjeset t’i prisnin me trokitjet e saj në derën e shtëpisë, por erdhi një ditë dhe cigania e bukur nuk  doli më në rrugë. Thuhej se ishte martuar në një vend të largët. Largimi i saj mbeti një trishtim i thellë. Qyteti kishte filluar të ndjente mungesën e saj. Djemtë që ktheheshin nga kurbeti pyesnin për të, që të dëgjonin një këngë të kënduar prej saj, por tashmë nuk e kishin më atë fat.

Atje në kurbet ata kishin pasur rastin të dëgjonin këngë edhe nga ciganë që shëtisnin sa në një vend në një tjetër. Të nxirrje bukën duke kënduar nuk kishte qenë turp.  Vetëm me ikjen e saj po e kuptonin se përçmimi i ciganëve kishte qenë i pavend. Megjithatë vendin e ciganes së bukur me vështrimin rrëmbyes do ta zinin cigane të tjera. Gjatë vitit, ciganët shkonin edhe në vende të tjera dhe sillnin prej andej këngë të reja edhe më të bukura nga ato që ishin kënduar deri atëherë.

 

Dasmat

Kurbetlinjtë që ktheheshin në qytetin e Korçës dëshironin që dasmat e tyre t’i bënin me këngë e valle, me orkestër dhe këngëtarë. Të merrje në dasmë një grup këngëtarësh nuk ishte e lehtë, por ata ishin të gatshëm të paguanin. Tashmë dëshira për këngë të shoqëruara nga instrumente muzikore po përfshinte gjithë qytetin.

“Kurbeti solli në Korçë dhe zonat përreth rritjen e mirëqenies; njerëzit filluan të rronin më mirë, të pasuroheshin, të kulturoheshin dhe të rrisnin kërkesat për jetën dhe për rrjedhojë edhe kërkesat për muzikë dhe argëtim”, thotë në kujtimet e tij Vasil Balluri. Ndërsa më tej shkruan: “Në atë kohë familjet e mira korçare, familjet pra që kishin një farë niveli ekonomik, filluan të thërrisnin nëpër “sebepe” të ashtuquajturat dikur “saze”. Ç’ishin sazet? Nuk jam i qartë për etimologjinë e kësaj fjale, por dihet se sazet përbëheshin nga një grup orkestrantësh popullorë, të cilët luanin vegla muzikore si violinë dhe fyellin. Më vonë në këtë grup, pra në sazet, u inkuadruan edhe gërneta ose klarineta si dhe dy llahuta. Sazet këndonin dhe shfrehnin dufin, shpirtin, gëzimet dhe andrallat e jetës së përditshme”.

Më mirë se kushdo tjetër këtë gjë e bënin orkestrinat e ciganëve të Korçës. Sazexhinjtë këndonin dhe luanin në instrumente, por gjithnjë kishin me vete edhe një këngëtare të dëgjuar që linte të mahnitur këdo. Shpirtin e tyre prej artisti kishin filluar ta kuptonin vetëm ata që vinin nga kurbeti

 

Sazet

Gjithashtu, sipas Vasil Ballaurit: “Në fillim të periudhës së sazeve (në qoftë se mund të shprehemi kështu), qyteti i Korçës nuk kishte të tilla dhe për këtë arsye, familjet e pasura i merrnin ato nga zonat etnografike fqinje, si: Ohri, Kosturi, Leskoviku. Asi kohe, sazet më në zë ishin ato që vinin prej Kosturit. Më vonë, meqenëse kërkesat shtoheshin dhe me qenë se qyteti po zmadhohej dhe numri i dasmave rritej (popullsia e Korçës në këtë kohë nuk ishte as 10 mijë banorë por, për krahasim, të mos harrojmë se edhe Beogradi në atë kohë nuk kishte më tepër se 30 mijë frymë), shohim se sazexhinjtë e Leskovikut filluan të vendosen me banim të përhershëm në qytetin e Korçës.

Në këtë mënyrë, në qytetin tonë u bënë një sërë sazesh, të cilat mbanin emrat apo llagapet karakteristike të orkestrantit më në zë të sazes dhe për këtë arsye ato quheshin sazet e këtij apo atij personi. Orkestrantët e sazeve të vendosur në Korçë filluan t’u mësojnë vendasve myslimanë e të krishterë veglat muzikore.

Sazexhinjtë më të mirë në atë kohë ishin ata myslimanë. Sazet e huaja dalëngadalë filluan të thirreshin në qytetin e Korçës gjithnjë e më rrallë”. Pikërisht në këtë kohë nisën të dëgjoheshin gjithnjë e më shpesh këngët e Leskovikut: Leskovik o fryn një erë/, dilni hapni penxheretë/, se vjen djali vetë i tretë/, me llahutë e me gërnetë…”.

Për djemtë e Korçës ngritja e një grupi kishte nisur të bëhej një ëndërr e madhe. Përse të mos këndonin edhe ata ashtu si ciganët, të çonin peshë zemrat e njerëzve dhe të ndiznin zjarre në shpirtrat e vajzave që adhuronin. Dhe vërtet ata do të sillnin këngë të tilla, si: “Perëndeshë e bukurisë më je/, Unë për ty moj do të pëlcas/, Dashurinë që kam shtënë me ty/, U bu bu si do t’ia ngas…”.

 

Fillimet

Gjithçka nisi të ndryshonte aty nga vitet 1860. Te të rinjtë e qytetit të Korçës kishte shpërthyer dëshira që edhe ata të kishin grupet e tyre të këngëtarëve. Nuk e kishin atë mundësi që kishin ciganët, që bashkë me ta të këndonin edhe vajzat e mëhallës, sepse familjet e tyre nuk i lejonin, por ata ëndërronin t’u këndonin atyre netëve të vona dhe të zbraznin nga shpirti gjithë mallin dhe brengën që kishin për to.

Pikërisht në këtë kohë edhe ciganët nisën të forconin pozitat e veta. Tashmë në qytetin e Korçës kishte dalë një këngëtare tjetër e quajtur Qerime. Këndonte dhe luante me dajre. Fama e saj po i kalonte edhe kufijtë e qytetit të Korçës. Ishte krijuar edhe një orkestër tjetër që mbante emrin “sazet e Ibrahimit me violinë”, e cila kishte fituar emër të madh. Edhe kjo e fundit përbëhej nga ciganët. Të krijohej përshtypja se tashmë qyteti i Korçës kishte hyrë në një garë të madhe muzikore.

Shpirti i qytetit po trazohej. Kishin nisur të krijoheshin grupet e para të këngëtarëve edhe pse vazhdonin të ishin tepër të vakta. Tashmë për qytetin e Korçës mbrëmjet kishin filluar të vinin ndryshe, të mbushura me tingujt e instrumenteve muzikorë dhe me zërin e djemve të dashuruar. Ata kishin filluar mblidheshin lëndinave, lokaleve, kafeneve apo burimeve përreth qytetit dhe këndonin këngë për dashurinë dhe jetën.

Për ta pranvera ishte stina më e bukur, pasi vajzat i shihnin nëpër sokaqe dhe rrugë, sepse dimri i mbyllte të dashurat e tyre në shtëpi dhe mundësitë e takimit i bënte më të rralla. Mbase për këtë arsye nisën të këndoheshin edhe këngë të tilla: “Kur vjen behari, çel qershia/, vajza të bukura, faqka paputhura/, andej-këndej kërkojnë djemtë/, duan të lozin-ë, të qeshin-ë!… Kush nuk këndoi njëherë një serenatë,/  Kush nuk dashuroi njëherë me çmenduri/, Për të jeta është një mandat,/ Eshtë thjesht një epitaf i zi…”.

 

Mandolinatat

Sipas Vasil Ballaurit, “aty nga viti 1860-1880, veglat muzikore të rinisë korçare të kësaj periudhë ishin buzuku dhe fyelli. Veglave të tjera e kishin për turp t’u binin, meqenëse ato përdoreshin nga sazexhinjtë të cilët ishin kryesisht evgjitë, (siç quheshin atëherë). Tek-tuk violinën e përdornin edhe qytetarë korçarë me origjinë nga Voskopoja, por edhe këta nuk e zotëronin dhe nuk e njihnin mirë këtë vegël”.

Por në të vërtetë ecuria e serenatës nisi të merrte një hov tjetër që me çeljen e gjiminazit grek në Korçë në vitin 1856. Mësuesit grek të ardhur nga Greqia vunë re se të rinjtë korçarë kishin dëshirë gati të papërmbajtshme për interpretimin e këngës. Për këtë arsye, ata sollën këngët e tyre për t’u kënduar nga të rinjtë e Korçës, sollën edhe vegla muzikore, ofruan edhe përkushtimin e tyre pa kushte për realizimin e ëndrrës që kishte lindur te të rinjtë. Shumë prej këngëve që këndoheshin, ishin në gjuhën greke.

Megjithatë shumë të rinj dhe kurbetlinjtë që ktheheshin kohë pas kohe, nisën të kompozonin këngë shqiptare. Ciganët vazhdonin të këndonin ashtu edhe si më parë këngët e tyre për jetën dhe vdekjen, ndërsa vajzat cigane shkonin portë më portë për të interpretuar këngët e tyre.  Ato vazhdonin të mbeteshin një magji, ndoshta edhe për faktin që këndonin këngët më të vjetra të vendit.

Qerimeja ishte këngëtarja më e kërkuar në dasmat e qytetit. Edhe dy lagjet e tjera “Kasabaja” dhe “Varoshi” nuk ishin më të heshtura ashu si më parë. Të dy lagjet po nxirrnin këngëtarët dhe instrumentistët e tyre. Megjithatë, sipas kujtimeve të Vasil Ballaurit, “vetëm në fund të shek 19-të dhe në fillim të shek 20-të, pra në kapërcyell të dy 100-vjeçarëve, grupet e këngëtareve zunë të organizohen më mirë duke u futur në formë eminente në ansamblet (grupet) e tyre muzikore mandolinën, gjë që solli kështu krijimin e mandolinatave”.

Vasil Ballauri në kujtimet e tij thotë se në këtë kohë ishte krijuar shoqëria “Anagjenisi” (greqisht Rilindja) e tipit mandolinatë, “Banda muzikore”, shoqëria “Ta patria”, përsëri e tipit mandolinatë dhe me këngë korale, si dhe shoqëria e Komitetit Shqiptar “Liria” me kor dhe “Bandën e Lirisë”. “Gjithashtu duhet theksuar, thotë Vasil Ballauri, se në këtë kohë erdhën në Shqipëri edhe shumë atdhetarë nga Amerika dhe vende të tjera, të cilët sollën me vete shumë këngë të bukura shqip të kompozuara në kurbet. Ata sollën në atdhe edhe mjaft vegla muzikore, të cilat i përdornin me mjeshtëri, duke lënë kështu mbresa të thella të Korçarët e asaj kohe”. Fara që kishin hedhur ciganët me zërin e tyre, me tingujt e veglave muzikore, me meloditë shqiptare tashmë kishte nisur të hidhte shtat.

 

Francezët

Më 1916-n francezët hynë në Korçë, por ndryshe nga grekët të cilët më së pari dëshironin të sillnin këngën greke, profesorët e Liceut francez Rollandi, Leglizi me violinë dhe zonja Legliz në piano, si dhe profesorët Fransua de Lor, Granie, Boi, Garik, Maraval u kujdesën që rinia korçare të përmbushte ëndrrën e vet. Një tjetër atmosferë po ndihej në qytetin e Korçës.

Pikërisht në këtë periudhë erdhi nga amerika edhe Banda e Vatrës. Kishte qenë e shkruar që gjithçka të hynte në rrugë të mbarë “Me këtë rigjallërim të muzikës, kujton Vasil Ballauri, filluan të kompozohen këngë të reja, të shfaqen tablo muzikore, të organizoheshin koncerte madhështore, të cilat nuk ishin parë ndonjëherë në qytetin e Korçës, u formua  edhe shoqëria e “Arteve të Bukura”, e cila dha një sërë shfaqesh të shumta, ballo etj. Në mandolinatën e asaj kohe e përbërë nga mbi 20 veta kishte mandolina, mandola, mandolonçelo, benxho, kitara dhe flauta”.

Në këtë kohë, prej grupeve korale të shkollave u ngjitën në skenë operetat “Nabukodonosor” dhe “Perlat e peshkatarit”. Tashmë serenata korçare e kishte nisur udhëtimin e saj. Emrat më të spikatur të këngëtarëve dhe instrumentistëve ishin“Shana” (Dhosi Ballauri) Thanas Floqi, Ilo Mosko, Ilo Nuke, Vasil Bimbli, Petro Bimbli, Kristaq Mosko,  Aleko Kondili, Jorgji Kroi, Thimi Naçi, Filip Mano etj. Po kaq viruoz ishte dhe dhëndri i Belul beut, i cili luante në llahutë dhe buzuk. Djemtë e Ali Efendi Grinzës u dalluan në lojën me piano, madje ishin të parët që sollën këtë instrument në Korçë. Isuf Gjata shkëlqeu në klarino, Xhelal Rusi ishte gjithashtu po kaq i talentuar.

Edhe ciganët tashmë kishin orkestrën më në zë të Korçës, e cila udhëhiqej nga Demka i Hajros, e cila do të merrte pjesë edhe në dasmën e mbretit Zog në Tiranë dhe pas kësaj do t’u mbërrinte ftesa për një vizitë disa ditore në Itali, ku do të prezantoheshin me rrethet më të njohura të këngës. Ishin këta artistë rebelë që përçmoheshin pse luanin në violinë dhe ajo cigania e bukur me vështrimin rrëmbyes që do të zgjonte te ky qytet, shpirtin e këngës, për të cilën sot Korça shkëlqen.

Gazeta "Dita" January 14, 2013 15:59
Komento

1 Koment

  1. Korab Sejdini February 18, 19:58

    Bukur Vepror! Shume interesant informacioni juaj. Ju falenderoj per keto informime te mrekullueshme e me vlere. Ju pershendes nga zemra i dashtun MIK.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*