Rrëfimi i një çifti francez për Shqipërinë e viteve ’82-’89

April 27, 2016 10:35

Rrëfimi i një çifti francez për Shqipërinë e viteve ’82-’89

Libri “Bulevardi Stalin nr. 57” është rrëfimi i një çifti francez për Shqipërinë e viteve ’82-’89.

Ata ishin pedagogët e parë të huaj në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.

Udhëtimi i Elisabeth dhe Jean Paul Champseix në Tiranë, përkoi me degradimin e sistemit.

Çifti francez përshkruan se si përgjoheshin nga Sigurimi dhe “shpikjen” e sërfit të parë shqiptar, kur të huajt lejoheshin të bënin plazh mes bunkerëve, ruajtur me ushtarë.

Më poshtë, pjesë nga libri:

 

Vendi i dytë është plazhi i Durrësit. Të huajve, që nuk u lejohet të shkojnë në bregun e konsideruar si zonë ushtarake, u lejohet të rrinë në një rrip rëre që ndodhet mes bunkerëve të parë që mbrojnë portin tregtar dhe postbllokut që ruhet nga një ushtar i armatosur dhe që ndalon këdo të afrohet në bllokun e rezervuar për udhëheqësit shqiptarë.

Me gjithë kërkesat tona të herëpashershme, asnjëherë nuk na u dha mundësia të përdornim ndonjë vend plazhi më të këndshëm. Në verë, uji i detit është i ndotur dhe shtohen infeksionet.

Në “zonën e ngushtë turistike” të rezervuar për të huajt, ngrihet një hotel i stilit musolinian, Adriatiku. Dy do të kishin qenë aktivitetet tona: Shullimi në diell dhe “spiunazhi” mondan, sikur shqiptarët të mos na kishin lejuar sërfin me velë. Në 1986 ishin 6 të tilla, velat e larmishme të të cilave e zbukuronin disi bregun e zymtë.

Më duhet të përgëzoj francezin e parë, i cili, disa vjet më parë e kishte përdorur i pari sërfin në dallgët shqiptare. Madje këtë veprim e kishte bërë pa leje, sepse e dinte mirë që po të kishte pyetur, do ia kishin refuzuar pa një pa dy.

Dominimi i detit u ikën nga dora francezëve, ditën kur shfaqet një marifet i çuditshëm. Në verën e vitit 1986, shfaqet sërfi i parë shqiptar me velë. Pjesa e poshtme ishte prej druri dhe peshonte rreth 28 kg, një shtizë metalike shërbente si direk dhe një kallam peshkimi si wishbone (pjesa ku mbahesh).

Kurse vela ishte sajuar me copa të ndryshme najloni. Ky send nuk ecte shpejt, por lundronte ama. Republika Socialiste e Shqipërisë, krenare për arritjen në fjalë, e afishoi foton e kësaj vegle në hyrje të hotelit! Lundruesi guximtar i kishte këqyrur me kujdes sërfat tanë, kur ishin në breg dhe i kishte marrë masat.

Një vit më pas, copa e drunjtë u zëvendësua me një strukturë të lidhur me beze. Por për fat të keq, ajo merrte ujë dhe duhej zbrazur rregullisht. Ai djalosh kishte meritë të veçantë, s’ke ç’i thua!

Kemi pasur vetëm një incident detar me ushtrinë. Gjatë punimeve të Kongresit IX të Partisë komuniste në Tiranë në 1986, mbikëqyrja e plazheve ishte përforcuar. Pushteti, si zakonisht, u druhej “qëllimeve të këqija që vinin nga jashtë”. Unë çaja dallgët me velën “Bic”, ndërkohë që Elizabeta bënte vrap në breg.

Dy ushtarë të armatosur iu afruan për ta pyetur a e njihte personin me velë dhe nëse ishte turke. E habitur, ajo iu përgjigj që i zoti i velës ishte i shoqi dhe se nuk ishim aspak pasardhës të osmanllinjve. Duket sikur u lehtësuan, por nuk e kuptuan pse vela kishte çerekhënën islame në majë.

Elizabeta e këqyri me kujdes nga larg dhe e vuri re përbuzjen e ushtarëve: Nga larg, logoja e baronit Bic, një rreth i bardhë i vendosur në cep, brenda një rrethi të zi, dukej si çerekhëna islame. 

Një të diel, ishim bërë gati të dilnim me sërf: Me materialin shumëngjyrësh shtrirë në një cep të plazhit, kur shfaqet një “Mercedes”. Vinte të merrte njërin prej djemve të Enver Hoxhës, Sokolin i cili kishte ngrënë në restorantin e hotel Adriatikut. Dukej si i mërzitur dhe i hodhi një vështrim plot ëndje materialit tonë dhe pastaj u ngjit në makinën luksoze.

Plazhi bëhet krejt i yni në vjeshtë dhe në dimër. Një grusht francezësh bashkëjetojnë me agjentët e Sigurimit që mbikëqyrin hotelin. Këta, të cilët fshihen mes turmës në verë, bien shumë në sy në dimër, sepse numri i tyre e tejkalon numrin e të huajve. Janë të veshur më mirë se sa njerëzit e zakonshëm, kanë një stil të veçantë në ecje dhe një vështrim të mefshtë.

Detyra e këtyre zotërinjve të trishtë është të mbajnë larg nesh shqiptarët dhe kur këta ia kanë arritur të na afrohen, t’i largojnë sa më shpejt. Kur luanim bejsboll në plazh, shpesh na afroheshin fëmijë të cilët mblidhnin topat dhe nganjëherë në zell e sipër rrekeshin të luanin me ne.

Dukej haptazi që argëtoheshin shumë! Mirëpo pas një farë kohe shtangnin dhe largoheshin papritur, duke na përshëndetur me dorë. Ia mbathnin nga sytë këmbët, sepse përtej xhamave të hotelit ose nga bregu, sigurimsat u bënin shenja kërcënuese.

Një ditë, dy vajza të moshës 6 – 8 vjeçe na u afruan për të folur. Biseduam gjatë dhe vumë re se na e hapën zemrën.

Ishin jetime, por për to kujdeseshin disa fqinj. Ishin të ndërgjegjshme se ishin “të varfra”, por kishin mirënjohje për fqinjën zemërgjerë. Më e madhja nxori nga xhepi një letër dhe nisi ta lëpinte, pastaj ia dha edhe të motrës. E kalonin kështu zamrën, duke lëpirë atë pak margarinë në ambalazh.

Kur po largoheshin, i ndoqëm me sy. Sa ishin me ne, nuk u ndodhte gjë, sepse sigurimsat nuk e kishin për zemër të vepronin në sy të të huajve, një shfaqje e naivitetit të tyre përpara detyrës së urryer që kishin. Po kjo nuk zgjati shumë: Një punonjës i hotelit doli me nxitim dhe po drejtohej nga vajzat.

U drejtuam dhe ne drejt tij dhe i thamë të mblidhte mendjen dhe mos u bënte gjë. Nuk nguli këmbë dhe u kthye mbrapsht me një buzëqeshje si prej të zëni në faj. I ndoqëm me sy deri në kthesë siluetat e dy vogëlusheve që po largoheshin.

Frika jonë po ulej pak nga pak, me hir a me pahir na duhej të përshtateshim. Kërkuam të mësonim shqip dhe na vunë një profesoreshë në dispozicion.

Ngaqë do bëhej mësim privat, pra kokë më kokë, e mira e donte të mos kishim gjuhë të përbashkët. Ajo zonjë fliste vetëm rumanisht. Sidoqoftë Shqipëria, ngaqë po mësonim edhe gjuhën, u bë për ne një subjekt interesi.

Studimi i historisë, zakoneve, traditave na bënte të kuptonim më mirë reagimet e studentëve tanë. Guxuam edhe të udhëtojmë dhe vendi mori për ne një fytyrë tjetër. Nën ngjyrën ushtarake staliniane, po dallonim një shoqëri tradicionale shumë të gjallë, por të fshehtë.

April 27, 2016 10:35
Komento

7 Komente

  1. Ballist i PENDUAR. April 27, 10:49

    Te ishe antifashist ne vitet 1940
    ishte sacrosanto , Sot kjo eshte nje alibi e nje te Majte qe ka ndaluar se qenuri Antikapitaliste ,
    duke mbajtur Identitetin e saj me Antifashizmin ,
    kur mungon fashismi .

    Reply to this comment
  2. fshatari pafshat April 27, 15:17

    Po ne France, pse nuk botohen rrefimet e cifteve shqiptare te emigracionit?
    Apo Franca eshte Tabu, ndersa Shqiperia eshte Hale.
    Boll, e shterpezuat Nenen Shqiperi. Qe do te thote: te jetosh midis enderes dhe te vertetes

    Reply to this comment
  3. Edi April 27, 16:41

    Ja dhe këto pallavrat e këtyre.

    Reply to this comment
  4. ble-ta April 27, 17:52

    Keto qe shkruhen nga ky cift shumica jane gjepura koti per brezat qe kane lindur mbas viteve ’90. Shqiperia ka qene e izoluar por pastertise se detit ti merrnin te keqen se Durresi ka qene nje perle e vertete per rinine shqiptare. Serfe nuk ka patur shume por kane qene disa edhe ne Vlore dhe megjithese te ndertuar ne menyreartizanale ishin shume praktike modeste dhe jo larg atyre te deteve franzeze dhe jo me shtize si thote ky shtiza franceze pa koke. Ka patur vende te prapambetura si Shqiperia sepse kishte vende qe kolonizonin popujt e tjere si Franca e tj. Nje popull qe roberon popujt e tjere nuk eshte i lire as vete. Dengla dhe pordhe mos na shesin shume.

    Reply to this comment
  5. dridhe like April 27, 21:40

    JU te DITES me duket se e shihni q RAMA ka me e hup pushtetin dhe keni filluar te anoni nga LUL BASHA. Mire e keni, duhet jetuar. Dridhe Like,se Like keni edhe alet si ju edhe PD

    Reply to this comment
  6. Lili April 27, 23:14

    Libri flet ma shume per paragjykimet e Franceze se sa per shqiperine!
    Syndromi ‘Blond aux yeux bleux’ -nje nga shprehjet qe gjindet ne librin e qe tregon paragjykimet racizte te autoreve- u be hit tek shqiptaret e Frances qe perqesheshin debilitetet e Francezeve per shqiptaret me kete thirrje !

    Reply to this comment
  7. Shqiptar qe banon ne Kanada April 30, 23:47

    Nuk e kam lexuar kete liber dhe nuk dua ta lexoj kurre sepse kam lexuar me pare bile dhe ruaj librin e ketyre fare “pedagogeve ” qe jane antishqiptar te terbuar dhe racist te paskrupullt ndaj çdo gjeje shqiptare,te titulluar Shqiperia ose logjika e deshperimit.Kur e kam blere dhe lexuar per here te pare kam qene ne Shqiperi.Vite me vone kur e kam rilexuar dhe kur kisha shume vite qe jetoja larg Shqiperise i kam bere pyetje vetes perse shqptaret e kane perkthyer dhe lejuar kete botim qe nxin çdo gje shqiptare ne emer te gjoja te antikomunizmit.Eshte e tmerrshme dhe e paimagjinueshme qe keta antishqiptare te flliqur te vazhdojne te perhapin te pavertetat e tyre me duart e shqiptareve,natyrisht te shqiptare te shitur.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim