Sërish për arrivistët

Kopi Kyçyku March 31, 2016 12:34

Sërish për arrivistët

Kohë më parë u mora me këtë kategori sociale që ka përfaqësues në të gjitha fushat e nivelet. Numuri i tyre nuk përcaktohet lehtë me saktësi sepse individualiteti i secilit përshfaqet në trajta nga më të ndryshmet, madje nga më të çuditshmet e befasueset. Arrivisti nuk humb asnjë rast për të rënë në sy të të gjithëve, me synim që kudo të gjejë simpatizues e përkrahës të mundshëm. Ai gjarpëron, zgjat veshët për të kapur ndonjë fjalë, e cila më pas mund t’i hyjë në punë, cënon, tradhton dhe spekulon me intimitetet, me hapjen e zemrës të të tjerëve,  dhe mban një numur të pafundëm maskash, që i ndrron sipas rrethanave. Nuk është e domosdoshme të jetë shumë i zgjuar dhe as të ketë kulturë të gjerë. Papritmas, nga njeri i thjeshtë që gjer dje ndante hallet me të tjerët, tjetërsohet krejt. Sigurisht që për të arritur deri në këtë pikë ka harxhuar jo pak energji. Ëndrrat për pushtet nuk e kanë lënë në vendnumëro, idealet pozitive i duken tashmë të tepërta, madje të kota, sepse sa më shumë “bagazhe” të mbartësh, aq më të vështirë e ke udhëtimin.

Tipi i arrivistit apo i karrieristit të skajshëm është portretizuar në letërsinë botërore  përmes personazheve të Stendalit (Zhyliën Sorel), të Balzakut (Rastinjak) apo të Dikensit (Uriah Hip). Figura arrivistësh hasim në mënyrë sporadike edhe në letërsinë e vjetër, paraqitja më e plotë dhe më e thellë e tipareve të tyre është shënuar nga proza dhe dramaturgjia e shekullit XIX, çka shpjegohet me kushtet e favorshme sociale që iu krijuan disa njerëzve energjikë, me shpirt ndërmarrës, por, mjerisht, në shumicën e rasteve, gjithaq të pacipë, të cilët ia dalin mbanë të bëjnë pasuri dhe t’i sigurojnë vetes një status social më të lartë nga ai i pikënisjes së tyre.

Emri gjenerik i arrivistëve vjen nga folja në frëngjisht “arriver”, që ka kuptimin “të mbërrish, të arrish”. Arrivistët s’lenë gur pa lëvizur për të kapur majat: që nga servilizmi, intriga, shpifjet, tradhtia, pabesia dhe deri te qëndrimi me dy fytyra. Me të hipur në majë të kreshtave, ata tjetërsohen. Gjithçka fillojnë ta shohin nga lart poshtë dhe, nga qëngja të butë që “pinë dy nëna”, shndrrohen në bisha, që nuk e njohin mëshirën. Arrivisti mosmirënjohjen e përligj me bindjen se të tjerët e kanë pasur dhe e kanë për detyrë ta ndihmojnë, madje, po qe nevoja, edhe të sakrifikojnë për të, meqë është “vlerë kombëtare”.

Në mjaft vepra letrare arrivisti ka pamje është nga më të larmet, jo rrallë të gërshetuara: Pronar tokash e godinash, me llogari të majme bankare dhe njëherazi deputet në disa legjislatura. Një nga metodat e parapëlqyera të arrivistit është krijimi i klaneve, që synon t’i përdorë si masha e, me t’i shtrydhur si limon, t’i flakë tej pa ngurrim. Këtë stil e quan modern dhe dëshmi që ai është ndryshe nga të tjerët: më i zgjuar, më i kohës, dhe, si i tillë, ka të drejtë të zhdukë nga faqja e dheut çdo pengesë të mundshme.

Duke pasur pikësynim themelor vënien e figurës së vet në qendër të vëmendjes, ai e heq veten trim mbi trima; godet sa majtas djathtas, përfshi eprorët, që, duke ua ulur vlerat, t’ua zerë edhe vendin. Kujdes të posaçëm në betejat që shpreson ta nxjerrin ngadhnjyes, tregon për shpalosjen e aftësive që mendon se vetëm ai i ka, në shumë fusha. Kur është politikan, arrivisti, – ky propagandues i zellshëm i besnikërisë së tij ndaj idealeve të partisë, në radhët e së cilës bën pjesë, – hyn në të thella në emër të mbrojtjes së parimeve që pasqyrohen në dokumente themelorë, në radhë të parë në statutin e partisë, por edhe në platformën e saj në fushën e ekonomisë, në atë sociale etj. Dhe, gjithmonë, ky i kudondodhur e i gjithëpranishëm, vetëquhet më kompetenti, më përparimtari, më parimori.

Kur e ngre zërin edhe jashtë “mureve” të debateve normale, – duke nxjerrë si mburojë demokracinë, – me qëllim ose jo (efekti është i njëjtë!), mohon çdo arritje të shënuar me djersë e mund nga qeveria e dalë nga partia e tij dhe është gati që, “për inat të së vjehrrës, të flirtojë me mullixhinë”.

Mendoj se tipa të tillë, si kur janë të majtë, ashtu edhe të djathtë, nuk duhen përkëdhelur se tolerancën e durimin e treguar ndaj tyre, nuk i quajnë zemërgjerësi, por dobësi dhe çapiten më tej në udhën e tyre pa krye, duke dëmtuar parreshtur imazhin e partive ku bëjnë pjesë. Ca më tepër: duke pasur liri veprimi të pakufizuar, pa e marrë përgjigjen fort e ballazi, lenë shteg që në opinionin e gjerë të krijohet përshtypja sikur e drejta është me ta.

Janë si ai qeni që ha të zonë dhe nuk e kanë për gjë të hanë me dy e më shumë lugë, me një dorë në revani e me tjetrën në bakllava.

Kopi Kyçyku March 31, 2016 12:34
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim