Sfida e “sfidës së parë”

Gjergji Duro & Artur Kurti* August 22, 2013 22:54

Sfida e “sfidës së parë”

Një propozim për Reformën Administrative dhe Ndarjen Territoriale: A duhet që përgjithësisht bashkitë të ndërtohen në bazë të rretheve të dikurshme, të cilët kanë edhe kufi territorialë të përcaktuar? Nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm kjo është një zgjidhje nga më efikaset – propozojnë dy autorët e këtij punimi në DITA.

Kohët e fundit ka një inflacion të “sfidës së parë”, për problemet që priten të zgjidhen nga qeveria e ardhshme. Sfida e modelit (qëndron), sfida e kapërcimit të krizës ekonomike, (pa tjetër edhe kjo qëndron), sfida e integrimit (edhe kjo në plan të parë), sfida antikorrupsion dhe rishikimi i trasaksioneve që kanë në themel korrupsionin, (pa dyshim që edhe kjo qëndron), e kështu me rradhë mund të rendisim disa të tilla, njëra më e rëndësishme se tjetra, njëra më në plan të parë se tjetra. Por në gjykimin tonë sfida e sfidave është reforma administrative dhe ndarja territoriale. Pse e rendisim si të tille:

Së pari, sepse është një ndër katër sfidat e rekomanduara nga Këshilli i Europës dhe që do shërbejë si shtrat ku do lëkunden gjithë sfidat e tjera. Çdo sfidë e ndërmarrë pa reformën administrative do ta bëjë atë të cunguar dhe do ulë ritmet e zbatueshmërisë së saj.

Së dyti, sepse jemi të kufizuar në kohë. Kjo reformë duhet të jetë e kompletuar para zgjedhjeve vendore të vitit 2015 në të kundërt humbim 6 vjet, ndërkohë që “nuk kemi kohë të humbasim kohë”.

 

Në vitin 2004 u bë një tentative për t’i hyrë një reforme të tillë, por atëhere veç të tjerash mungonin dy faktorë esencialë: baza ligjore dhe konsesusi politik.

Një reformë e tillë, në atë kohë bëhej dhe në një vend tjetër, anëtar të BE-së, që synonte të shkurtonte numrin e njësive vendore nga 181 në rreth 100 të tilla, ndërkohë që ne kishim po aq sa kemi dhe sot rreth 374 njësi vendore.

Në takimin që patëm me këshilltarin e kryeministrit për këtë reformë, që në fillim të bisedës ai na tha: me ligjin aktual ju e keni shumë të vështirë t’i hyni kësaj reforme sepse ligji juaj favorizon shtimin e njësive vendore dhe jo rregullimin e tyre. Brenda tij fshihet një person shumë i madh që do e shfrytëzojë politika (sikundër dhe ndodhi, që edhe para pak kohësh kryeministri në detyrë premtoi që edhe Lushnjen ta ngrinte në rang prefekture (!) dhe do vini në një pikë që do jeni të kënaqur me gjendjen që keni…

Tendenca në vetë njësitë vendore, – përmendi ai, – është që të shkojnë drejt ndarjes, sepse ju ngushtohet rrethi i administrimit dhe janë më komode, ndërkohë që në krahun tjetër janë disa të tjerë që e miklojnë këtë ndarje për interesa të ngushta deri në personale. Këto lloj interesash i “mbështesin” në veçoritë e zonës, në zakonet e veçanta etj etj. Ligji juaj pikërisht këto i amplifikon dhe nuk i amortizon.

 

Nëse tek ne do të aplikohej skema dhe kriteret e tyre, që natyrisht mbështeteshin në direktivat e BE-së, ne duhet të kishim gjithsej 35-40 njësi vendore të nivelit të parë dhe 3-4 njësi të nivelit të dytë, pra qarqe.

Më poshtë, pa pretenduar që me një shkrim, të ezaurojmë gjithë problematikën e një reforme të tillë, tej e tej të vështirë, do të ndalemi në një skemë që për gjykimin tonë është më e “lehta” në aplikim dhe më e mundshmja në përqafim.

 

Për nivelin e parë të qeverisjes vendore, për mendimin tonë, në parim është rikthimi në rrethet e dikurshme. Kjo s’ka të bëjë me nostalgjinë, por me eficensën e tij si njësi administrimi dhe tradiconalisht e pranueshme edhe sot në jetën e përditshme. Kur e pyet një fermer nga fshatrat e Korçës, se prej nga je, përgjigja e parë është: nga Korça, po kështu edhe një fermer gjirokastrit apo shkodran. Në territorin që mbulon Bashkia Berat nuk kultivohen ullinj, po në treg reklamohen ullinj Berati etj etj.

Pra, ideja jonë është që përgjithësisht bashkitë të ndërtohen në bazë të rretheve të dikurshme, të cilët kanë edhe kufi territorialë të përcaktuar. Nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm kjo është një zgjidhje nga më efikaset.

Nuk do ishte bërë ajo badërdi ndërtimore në vijën bregdetare të liqenit të Ohrit nëse e gjithë ajo do ishte në administrim të Bashkisë Pogradec. Me patjetër do kishte një plan zhvillimi të studiuar dhe mbase dhe nuk do ishte betonizuar bregu i liqenit ashtu si po veprohet aktualisht, mjaft që të çojmë rrugën në Pogradec. Po si mund ta menaxhojë Bashkia një territor kaq të gjerë jo thjesht në sipërfaqe por për më tepër në njerëz? Përsëri mendojmë se do jetë më e lehtë dhe më racionale dhe efektive. Le të marrim shërbimin e pastrimit. Kur projektonim ndërtimin e land-filit në Korçë, me nismën e Bashkisë lindi nevoja e domosdoshme të bënim (me hir a me pahir) një “Memorandum Mirëkuptimi” që 5 bashkitë e qarkut dhe disa komuna binin dakort të përdornin të njëjtin land fil për depozitimin e mbetjeve urbane. Ky ishte kushti fillestar i vënë nga donatori, në të kundërt nuk sigurohej financimi.

Me gjithë përpjekjet e lodhshme disavjeçare edhe sot nuk është arritur ai nivel i parashikuar në studimin e fizibilitetit të kryer këtu e dhjetë vjet përpara. Pse? Sepse harmonizimi i interesave të 20 apo 25 njësive vendore që duhet të përfshihen në të është tej i vështirë dhe problematik. Por edhe vetë procesi i pastrimit të këtij territori do të jetë më cilësor dhe më i kontrollueshëm nëse menaxhohet nga një firmë e cila mund të ketë edhe nën kontraktore apo filjale në vatësi të rajonizimit që do bëjë ajo vetë në interes dhe efektivitet të proceseve dhe kostove përkatëse.

 

Kurse nga pikpamja e shërbimeve të drejtpërdrejta që ofrojnë aktualisht njësite vendore, ato mund të mbeten si janë aktualisht, bile edhe me një shtrirje më të thellë. Një rajon i qyetit të Korçës ka në juridiksion rreth 25-30 mijë banorë dhe i administron ata me 2-3 nënpunës, kurse Maliqi me 5 apo 7 mijë banorë është bashki më vete. Asgjë nuk do ndryshojë në shërbimin e këtyre qytetarëve nëse edhe Maliqi do jetë një rajon i bashkisë së Korçës!

Është e kuptueshme, çdo zgjidhje do ketë specifikat dhe axhustimet e nevojshme, por thelbi i organizimit të jetë i njejtë. Psh nuk mund të jetë e njejta zgjidhje si në rastin e mësipërm edhe me Bashkinë e Tiranës dhe atë të Kamzës, sepse Kamza tani po shkon gati 100 mijë banorë! Por nëse kjo ndarje e re do të shoqërohet edhe me dekoncentrimin e kompetencave (e theksojmë dekoncentrimin dhe jo decentralizimin) atëhere edhe Kamza mund të jetë një minibashki si 11 minibashkitë e tjera aktuale të Bashkisë Tiranë.

 

Në përgjithësi për kryeqytetet ka dy modele: njëri sipas të cilit bashkia mëmë është “bashki e fortë” dhe minibashkitë janë thjesht “honorifike” dhe tjetri ku minibashkitë janë “të forta” dhe bashkia mëmë luan rolin e organizatorit dhe politikbërjes, pra me kompetenca të dekoncentruara në drejtim të minibashkive. Tek ne është një hibrid midis të parës dhe të dytës dhe gjithmonë minibashkitë që janë të një krahu politik me bashkinë mëmë, janë të superkënaqura dhe ato të krahut tjetër të super të pakënaqura. Kjo medoemos duhet të korrigjohet nëpërmjet dekoncetrimit të kompetencave. Pra ajo çka duam të nënvizojmë nuk ka të bëjë thjesht me aritmetikën, ç`bëri 370 ç`bëri 40 njësi vendore!

Thelbi është rritja e efektivitetit të shërbimeve ndaj qytetarëve, standartizimi i tyre për të siguruar të njejtën cilësi si për atë që banon në qytet edhe për atë që banon në fshat, minimizimi i administratave jo eficente e që vegjetojnë për hir të institucionit, administrimi dhe përdorimi me efektivitet i fondeve publike dhe atyre të donatorëve! E shumë arsye të tjera po që nuk është vendi të zgjatemi në këtë shkrim!

 

Për nivelin e dytë të qeverisjes vendore, pra qarqet mendojmë se duhet të zgjidhen dy probleme:

Problemi i parë ka të bëjë me ristrukturimin e tyre për t’i përafruar rreth një popullsie përfituese prej minimalisht 800 mijë banorë. Panvarësisht nëse do jetë i pëlqyeshëm propozimi ynë, por një gjë është e sigurt, nëse duam të ecim sipas kritereve të BE-së, ato nuk mund të jenë me 12 të tilla. Ristrukturimi i qarqeve është një domosdoshmëri imperative, veçanërisht në kushtet e marrjes së shpejti të Statusit nga Bashkimi Europian, gjë e cila përkon me vitin 2014 kur fondet e akorduara nga BE-ja në interes të tyre do të kalojnë vetëm nëpërmjet Grupeve Lokale të Veporimit (LAG). Pra edhe një herë del në pah që jemi të vonuar në strukturimin e tyre dhe shumë të vonuar në ngritjen e LAG-eve, të cilat duhet të hartojnë platformat e bashkëpunimit dhe projektet përkatëse për ansorbimin e fondeve të akorduara.

 

Në gjykimin tonë një variant oportun i ristrukturimit të qarqeve është si më poshtë:

Qarku Tiranë, pa Kavajën dhe që përmbledh vetëm kufitarët e tij (Kamëz, Farkë, Bërzhitë, Dajt, Vaqar, Ndroq etj)

Qarku Shkodër, që përmbledh veç qarkut aktual të Shkodrës edhe qarkun aktual Lezhë e Kukës.

Qarku Elbasan, që përmbledh veç qarkut aktual të Elbasanit edhe qarkun aktual të Dibrës dhe të Beratit.

Qarku Durrës, në të cilin përfshihen edhe Kruja, Kavaja dhe Rrogozhina.

Qarku Fier, që do të përfshijë edhe Tepelenën dhe Memaliajn.

Qarku Vlorë, që do të perfshijë edhe Sarandën dhe Gjirokastrën.

Qarku Korçë, që do të përfshijë edhe Përmetin.

 

Problemi i dytë, në kuadrin e ristrukturimit të nivelit të dytë të qeverisjes vendore, lidhet me Institucionin e Prefektit dhe Këshillin e Qarkut. Aktualisht duken si të tepërt të dy këto institucione, dhe kjo nga niveli i punëve që menaxhojnë, nga mungesa e kompetencave dhe nga paaftesite e tyre “për t’i hapur punë vetes”.

Në fakt janë dy organizma që shpesh përplasen jo vetëm midis tyre por edhe me nivelin e parë të qeverisjes vendore, sidomos kur vjen puna për fondet apo kontributet, për ligjshmërine e akteve dhe të drejtën e tyre mbi to. Jo absolutisht, por përgjithësisht në vendet e Europës nuk ka nivel të dytë të qeverisjes vendore dhe aty ku ka nuk është “për të patur zili” marrëdhënia midis dy niveleve. Kurse prefekturat, si përfaqësuese të qeverisë qëndrore në rajon, janë ku e ku sa më “të forta” dhe me kompetenca të kompletuara. Gjithsesi, kjo është një çështje që do diskutim me shumë faktorë e aktorë, por natyrisht pa u tjerë e stërtjerë!

Për të përfituar në kohë në gjithë këte proces, ne do gjykonim që do ishte ndihmë e madhe nëse do të angazhohej në rolin e liderit apo dhe të partnertit një organizëm i huaj prezent në Shqipëri, si psh PNUD-i, që ka eksperiencë dhe prani në gjithë vendet e botës dhe mund të shmangë preferencat lokaliste dhe të çastit të një grupi apo institucioni tjetër që mund të përfshihet në hartimin e kësaj reforme.

* Gjergji Duro është ish-kryetar i Bashkisë së Korçës /  Artur Kurti është ish-kryetar për 4 mandate i Bashkisë së Kuçovës

Gjergji Duro & Artur Kurti* August 22, 2013 22:54
Komento

3 Komente

  1. pecua August 23, 08:19

    Shiko keta.

    Dy kambere ne nje dere.

    O deshtake!

    Reply to this comment
  2. inskene August 23, 11:30

    Po! Nje reduktim do te thote nje rritje ngarkese per pjesen e mbetur. Nje rritje ngarkese do te kerkoje rendiment. Nje rendiment me i larte sjell me shume produkte. Midis shume produkteve ke per te vleresuar. E athere natyrisht ke dhe per te analizuar e punuar.
    Po ku do behet kjo ? Ne Shqiperi….! Pas kesaj pergjigjeje te krijohet pershtypja se do te jete si ajo ushtria me gjenerale dhe pa ushtare.
    Kjo pasi ju qe te dy e njihni mire njesine e qeverisjes aktuale vendore dhe nuk jeni pa eksperience. Si do te pushohet simpatizanti, partiaku,i afermi etj etj dhe kush do te jene kuajt qe do ta terheqin kete karrroce te rende te administrimit vendor. Eshte e pranueshme si praktike dhe teori por ne terenin e thare shqiptare ku mendja eshte ne vleren me minimale te mundshme ngelet enderr. Ne kete vend ku kemi lindur e po rritemi, burrerohemi e jetojme me pare duhet te lindi shpresa qe e kemi te vrare pastaj le te qeverisemi me ekonomikisht, me pak burokratikisht dhe me social se der sot. Zoterinj ne mendimin tim ju jeni nje cicerime ne pyllin e thare te rruges per ku po shkojme. Ju duhen shume cicerima te tjera qe me pas zeri juaj te behet kende e kenga te kendohet nga me shume se nje grup. bashkojeni cicerimen tuaj me projektet e rilindjes qe me pare te lindi dita e pastaj te percjellim eksperienca qe nuk ka nevoj per artikuj por pragmatizem realist. Gjithesesi pergezime qe jeni pjese e enderrimit ekonomik.

    Reply to this comment
  3. beso August 23, 20:38

    Shkrim teper interesant, analize e pasqyruar qarte…zbatimi nuk varet nga autoret

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*