Sfida e të qenit Kryebashkiak i Tiranës

September 23, 2016 10:54

Sfida e të qenit Kryebashkiak i Tiranës

 

Erion Veliaj ndan me Prishtina Insight (PI) qasjen e tij lidhur me ndërhyrjet akupunkturale, si një mënyrë për të rregulluar kryeqytetin e Shqipërisë, si dhe betejën e tij të vështirë kundër zaptimit të hapësirës publike

 

Menjëherë pasi u shpall fitues në zgjedhjet e qershorit të vitit 2015, Erion Veliaj vuri re se nxënësit e shkollave në qytetin e tij kishin një problem: humbisnin 33,000 orë mësimi çdo javë, si pasojë e mungesës në orën e parëpasi mbeteshin në trafik. Fajtori kryesor? Furgonët që transportonin ushqime, të cilët bllokonin rrugët.

“Ishte [një situatë] kaotike”, tha Veliaj për PI, gjatë vizitës zyrtare në Prishtinë, javën e kaluar. “Ata duan të shpërndajnë mallrat ushqimore nëpërmjet makinave të mëdha dhe në këtë mënyrë bllokojnë trafikun”, pohon ai. Pavarësisht protestave të bizneseve, Veliaj publikoi një urdhër nëpërmjet të cilit ndalonte lëvizjen e furgonëve që shpërndanin mallra ushqimorë prej orës 7 deri në orën 9 të mëngjesit.

“Mendova se kjo është fillimisht një çështje vlerash. A janë 100,000 fëmijë të cilët humbasin orën e parë të mësimit më të rëndësishëm se 1000 furgona çamçakëzësh? Ky është vetëm një detaj i vogël, mes një mijë gjërash të tjera, që tregon se ne na mungojnëhapësirat. Prandaj, gjëja më e mirë që mund të bëjmë është të vëmë rregull nëpërdorimin hapësirën që kemi në dispozicion”, shprehet kryetari i Bashkisë. Këtë vit të ri shkollor, zërat kundërshtues ndaj këtij urdhri janë shuar, por kritikuesit kanë gjetur kauza të reja, kundër disa nismave të tjera të ndërmarra nga Veliaj. Një prej tyre ishte lëvizja e detyruar e familjeve të komunitetit rom, për të zhvilluar ambiente rekreacionale pranë parkut të liqenit.

Problemin e nxënësve të shkollave dhe trafikut të mëngjesit, Veliaj e ndeshi përmes një aplikacioni të prezantuar prej skuadrës së tij, që synonte të afronte administratën me qytetarët duke marrë informacion të drejtpërdrejtë prej tyre, për t’iu përgjigjur më mirë nevojave që ata kishin. Veliaj, një aktivist i shoqërisë civile, i cili u bashkua me Partinë Socialiste të Edi Ramës në vitin 2009, më pas në 2013 si ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, e nisi fushatën për kryetar bashkie vetëm 45 ditë para zgjedhjeve. Ai dhe skuadra e tij zhvilluan një aplikacion që do të grumbullonte informacion mbi nevojat e komunitetit dhe në bazë të këtij informacioni ata do të zhvillonin propozime te detajuara, në varësi të nevojave specifike të njësive të ndryshme të Tiranës.

Përdoruesit e këtij aplikacioni dërguan foto apo raportime mbi kapakë të munguar pusetash, xhama të thyer dritaresh, kazanë të tejmbushur me mbetje dhe problematika të tjera që ndeshnin në zonën ku ndodheshin. Ai e cilëson këtë qasje si faktor kryesor që e ka ndihmuar të fitojë, në një garë të fortë elektorale. Pas emërimit, Veliaj instaloi sensorë trafiku, vendosi kamera në rrugë dhe e ktheu aplikacionin fillestar, që bazohej në të dhënat e dërgurara nga qytetarët, në atë që u quajt më pas “Tirana Ime”. Gjatë vizitës zyrtare, ai ia ofroi këtë platformë për përdorim edhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke theksuar se një prej ngjashmërive të shumta mes dy kryeqyteteve është sfida që shfaqet prej përdorimit masiv të makinave.

“Deri në vitin 1990, shqiptarët nuk mund të kishin një makinë në pronësi. Sot në Tiranë, një qytet në të cilin banojnë gati 1 milion banorë, ka 130,000 makina që kryejnë rreth 800,000 udhëtime në ditë”, thotë Veliaj. Sipas të dhënave të mbledhura nga skuadra e tij, gjysma e këtyre udhëtimeve me makinë, janë më të shkurtra se 1 kilometër. “Është tejet e qartë që ky fakt nuk lidhet me hapësirën e parkimit apo distancat e mëdha brenda qytetit, por me mentalitetin”, thotë Veliaj. Tirana po kthehet në një qendër të artit, arkitekturës dhe kuzhinës. Edi Rama, i cili përpara se të zgjidhej Kryeministër i vendit, ka shërbyer si Kryetar Bashkie, është i njohur për gjallërimin e ndërtesave të zbehta post-komuniste, nëpërmjet lyerjes së tyre me motive plot ngjyra. Veliaj, anëtar i Partisë Socialiste, po ndjek hapat e tij, por kësaj radhe duke i ndryshuar ndërtesat.

“Rem Koolhaas do të vijë këtë muaj [në Tiranë] për të vlerësuar mundësinë e ndërtimit të një ndërtese”, thotë Veliaj. “Stefano Boeri, arkitekti i famshëm italian i cili ka projektuar Pyllin Vertikal (Bosco Verticale) po punon mbi Planin e Përgjithshëm të Tiranës. Një ndërtesë gjigande e Winy Maas sapo u hap në qendër të Tiranës. Mendoj se për shumë prej tyre duhet të jetë interesante të kenë Shqipërinë në CV-në e tyre dhe për ne është shumë e rëndësishme të vendosim qytetin në hartë, duke sjellë personazhe të tillë, për të lënë shenjën e tyre në qytet”.

“Por ndryshimet nuk janë vetëm në nivel kozmetik”, thotë Veliaj. Sipas tij, lipset që edhe qytetarët e Tiranës të ndryshojnë zakonet e tyre. “Njëzetë e pesë vjet më parë, ne vuanim prej urisë dhe mbaj mend radhën e bukës në Tiranë. Isha 10 apo 11 vjeç dhe qëndroja duke pritur me orë të tëra kamionin e bukës. Sot problemi ynë kryesor është obeziteti. Dhe kjo brenda një gjenerate! Në fillim kritikat ishin të mëdha: Ti je kryetari i Bashkisë, ti je këtu për të shtruar me asfalt, për të rregulluar parqet dhe për të ndërruar poçat e dëmtuar të ndriçimit, jo për t’u mësuar njerëzve se si të rrisin fëmijët e tyre”, thotë ai. “Por duhet t’i bësh të dyja, infrastrukturën dhe kulturën”.

Këto ditë në Prishtinë, thotë Veliaj, po flitet shumë mbi çështjen delikate të demarkacionit të kufijve me Malin e Zi, pa marrë parasysh mënyrat se si jeta e qytetarëve në qytet çdo ditë demarkohet. “Ështe tema e preferuar e bisedës për gjithkënd, kush është më shumë turbo patriot… E di se njerëzit janë të shqetësuar për këtë çështje, është e kuptueshme. Por na duhet demarkacioni në qytet, sepse ne jemi duke uzurpuar çmendurisht hapësirat publike: po uzurpojmë rrugët ku gjithkush duhet të jetë i barabartë dhe ku njerëzit ecin, po uzurpojmë trotuaret për të vendosur makinat luksoze, po uzurpojmë parqet për të krijuar më shumë kafene dhe për të shtuar numrin e dembelëve të cilët rrinë gjithë ditën duke pirë cigare, në një vend ku duhet në fakt të luajnë fëmijët. Na duhet ca nga ky lloj demarkacioni, e askush nuk flet për të, ndërkohë që flitet për një hapësirë të gjelbër në të cilën s’ka qenë askush, por që duket shumë mirë në fotografi”, shprehet ai.

Veliaj thotë se në datat 26 dhe 27 Nëntor, pak ditë para festës së pavarësisë, do të organizojë në Tiranë një takim të kryetarëve të Bashkisë, të qyteteve kryesore në pesë shtete Ballkanike, ku jeton një numër i madh popullsie shqiptare. “Dëshiroj të sjell kryetarët e secilit prej qyteteve kryesore me popullsi shqiptare, kryetarin e Bashkisë të Prishtinës, të Ulqinit, të Tetovës, të Preshevës. Për një herë të vetme le të mos flasim për Shqipërinë emadhe, por për Shqipërinë e Mirë. Në këto qytete jeton një e treta e popullsisë shqiptare të rajonit. Dhe nëse këto qytete bashkëpunojnë me sukses me njëri-tjetrin, atëherë kemi bërë shumë për një të tretën e bashkë-atdhetarëve  tanë”, deklaron ai.

Kjo mendësi edrejtoi atë në Galerinë Serpentine në Londër, së bashku me artistin kontemporan Anri Sala. I kërkuan nëse Tirana mund të kthehej në një shtëpi të dytë për instalacionet e kësaj Galerie, duke filluar me Renë, një pavijon i ndërtuar me shufra të bardha nga artisti japonez Sou Fujimoto. Kjo strukturë është sot një vend i shumëkërkuar për organizimin e eventeve. Veliaj thotë se ka 361 evente të planifikuara nga 365 ditë të vitit. Kjo është vetëm një pjesë e asaj ç’ka ai konsideron qasje akupunkturale e rregullimit të qytetit, duke u fokusuar intensivisht në përmirësimin e hapësirave më të rëndësishme të qytetit.

“Akupunktura nuk masazhon çdo pjesë të trupit, thotë ai, – por prek nervin i cili mund të ndikojë në mënyrën se si funksionon i gjithë trupi. Mendoj se qyteti është si trupi i njeriut, ti nxit një nerv dhe të gjithë qytetarët me tej tërhiqen dhe drejtohen drejt asaj nxitje”. Ai nuk ndjek detyrimisht modelin e vendeve të zhvilluara të Evropës Perëndimore, por është fokusuar në nxjerrjen në pah të shpirtit unik të qytetit dhe në inovacionet e ardhura nga hapësirat më dendësi të lartë të popullsisë urbane në Amerikën e Jugut.

“Unë nuk kam muzeun e Luvrit, por mund të kem Renë e Foujimoto dhe kam gjithashtu bunkerin e Enver Hoxhës”, thotë ai. “Kam kuptuar se risitë më të mira nuk po vijnë nga Evropa, por udhëtojnë prej vendeve si Bogota dhe Medellin, apo edhe nga shumë qytete të Amerikës Latine. Ata kanë një mentalitet shumë të ngjashëm me tonin, jetojnë pranë detit, dëshirojnë të pijnë kapuçino gjithë ditën, janë qejf-dashës, të apasionuar ndaj aktiviteteve që zhvillohen jashtë, në ambiente të hapura. Mendoj se një pjesë e mirë e risive sot vjen prej konteksteve të ngjashme, që nuk gjenden në Evropën Veriore. Le të tregohemi të sinqertë, shqiptarët nuk do munden kurrë të kthehen në Kalvinistë”.

Jo të gjitha përpjekjet e Veliajt për zbukurimin e qytetit janë mirëpritur nga masa. Vjeshtën e kaluar administrata e tij u kritikua për largimin e 48 familjeve të komunitetit rom, të cilat jetonin pranë parkut të Liqenit të Tiranës. Sipas planit, familjeve të cilat ishin të regjistruara në Tiranë, iu ofrua zgjidhje e përkohshme strehimi, ndërkohë që atyre të cilët ishin të regjistruar në bashki të tjera, iu ofrua transporti pa pagesë deri në qytetet nga vinin.Ky plan u kritikua nga Këshilli i Evropës dhe institucione të tjera që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në shkurt kabineti i Veliajt nisi punimet për ndërtimin e një parku për fëmijë pranë Liqenit të Tiranës, zona mëe preferuar rekreative e qytetit. Anëtarë të shoqatave mjedisore dhe partive opozitare u vendosen në çadra në park për 78 ditë, për të protestuar kundër ndërtimit të parkut, duke u ndeshur shpesh herë edhe me forcat policore. Sipas një investigimi të BIRN, kontrata që përfshinte ndërtimin e faciliteteve rekreacionale përfshirë këtu një pistë kalërimi, fusha futbolli dhe basketbolli si dhe një bar kafe, u shpall pa organizuar një tender.

Së fundmi, administrata e Veliajt u kritikua edhe si pasojë e vdekjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, një punonjës i paregjistruar i turnit të natës në landfillin e qytetit. Në një përpjekje për të ndaluar riciklimin informal dhe dukurinë e grumbullimit të mbetjeve pranë kazanëve që është shumë e përhapur në Tiranë, në mars, Veliaj vizitoi pikën e grumbullimit të mbetjeve në Sharrë, duke u shprehur se grumbulluesit informalë të mbetjeve, kryesisht anëtarë të komunitetit rom, do të kishin mundësi të punësoheshin në pikën e grumbullimit, në përputhje me të gjitha ligjet dhe procedurat e rregullta. Partia Demokratike, opozitare, protestoi pas vdekjes së të riut dhe kërkoi dorëheqjen e Veliajt.

Veliaj thotë se vdekja tragjike po përdoret për përfitime politike, duke insistuar se Bashkia nuk e menaxhon pikën e grumbullimit të mbetjeve në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe se kjo çështje do të investigohet plotësisht. Administratori i pikës së grumbullimit të mbetjeve është në shpallur në kërkim. “Sigurisht ata [menaxherët e pikës së grumbullimit] shkelën kodin e punës”, shpjegon Veliaj. “Le të lejojmë vijimin e hetimeve. Në Tiranë momentalisht kam 100 kantiere të hapura pune. Në secilën prej urave, në secilin prej bulevardeve, në secilën prej brigjeve të lumenjve në të cilët po punojmë në zonat rurale, mund të ndodhë një aksident. Në rast se bëhemi pjesë e lojës së hienave politike, që shprehen se gjithkush në këto kantiere pune është i lidhur drejtpërdrejt me kryetarin e bashkisë që siguron këtë punë, kjo thjesht nuk do të funksionojë”.

Ashtu si Rama, i cili la pas fasadat shumëngjyrëshe të pallateve dikur të rrënuara, Veliaj është i vendosur në vizionin e tij për një qytet më të rregullt. “E di se mund të ketë njerëz të cilët dëshirojnë vërtetë të jetojnë poshtë statujës së Skenderbeut [në qendër të Tiranës], por kjo thjesht nuk mund të ndodhë”, thotë ai. “Por di gjithashtu se ka një mënyrë për t’i bërë të dyja. Mua nuk më duhet të zgjedh mes ofrimit të mundësive të banimit për qytetarët, apo të paturit të një qyteti të lirë, me hapësira të lira”.

Kryetari i Bashkisë pranon se zgjedhjet e tij, që në thelb synojnë lirimin e hapësirave publike në Tiranë do të kritikohen. Por ai thotë se nuk lëkundet prej tyre, sepse e di gjithashtu që do t’i sigurojnë edhe shumë mbështetës. “Nëse shkatërron garazhin ku dikush mban Mercedesin e tij luksoz, ai do të urrejë, por nëse kjo të lejon të lirosh hapësirën e lojërave të fëmijëve, 100 persona të tjerë do të të duan për këtë”.

September 23, 2016 10:54
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*