Sfidat e mëdha politike të Kosovës

February 27, 2018 10:56

Sfidat e mëdha politike të Kosovës

Bedri Islami

Kosova i ngjan ende një kantieri të stërmadh, në të cilin gjërat e ndërthurura me njëra tjetrën janë ende një mishmash i pakapërdishëm.

Tashmë nuk është e vështirë të pranohet se eksperimenti ”Kosova” është ndër më të dështuarit e botës diplomatike, e cila, si duket e mjaftuar me faktorin përcaktues në lirinë e saj, veproi më tej në një rrëmujë provash dhe fillesash, të cilat sollën, edhe sot e kësaj dite, një gjendje amorfe, e papërcaktuar, ku ligjësitë jo rrallë herë i bien ndesh njëra tjetrës.

E gjithë bota ishte e një pjesë e saj vazhdon të jetë në Kosovë. Ka pasur drejtues policie egjiptianë, që pasi nuk merrnin përgjigje pozitive për martesë të tretë a të katërt nga përkthyesja e tij, e vrisnin dhe “dërgoheshin” për gjykim në vendlindje; ka pasur drejtues bashkie – komunash deri nga Bangladeshi, gjykatës që më pas u akuzuan për korrupsion, prokurorë për krimet e luftës që më pas shkonin si ndihmës të prokurorit special serb për këto krime, duke marrë me vete fashikuj të tërë dosjesh, ende në hetim, etj.

Të gjithë janë paguar mirë, por jo aq sa deklaron me gojë Lulzim Basha. Po të ishin “paguar” të gjithë si ai, buxheti i Bashkimit Europian do të kishte pasur disa dhjetëra e dhjetëra milionë euro më pak.

Duke u larguar, të huajt, që kishin bërë ligjet, ikën duke lënë pas vetes tre probleme të mëdha dhe që, në zgjidhjen e tyre, do të krijojnë ndasi të mëdha politike, por edhe probleme për të ardhmen.

Problemi i parë: Demarkacioni me Malin e Zi

Më tepër se një lojë politike, e gjithë kjo ka të bëjë me rreth 8200 hektarë tokë shqiptare që mund të kalojë në pronësinë e malit të Zi. Zona të njohura historikisht shqiptare mund të tjetërsohen. Perëndimorët ngulin këmbë se kjo është rruga më e mirë për të shkuar drejt Europës, por një shumësi politikanësh në Kosovë nuk janë të bindur për këtë, ashtu si edhe shumica e popullsisë nuk beson se ndarja e kufijve, në këtë mënyrë, është në dobi të vendit të tyre.

Fillimisht Demarkacioni u mbështet nga dy partitë më të mëdha të kohës, PDK dhe LDK. Dy liderët e saj, Thaçi dhe Mustafa, ishin më të prirë për kalimin e shpejtë të Demarkacionit dhe nënshkruan disa vite më parë një marrëveshje, e cila, ishte pak politike dhe shumë kufitare.

Demarkacioni në fillimet e tij u kundërshtua nga opozita e kohës, AAK e Haradinajt, VV e Kurtit dhe Nisma e Limajt.

Pakicat serbe, të njohur si Lista serbe, fillimisht bënë sehir se deri ku mund të shkojnë grindjet brenda shqiptare, për të përfituar më shumë.

Në kohën kur ujërat u mendua se mund të qetësoheshin dhe mund të kishte një fillesë të re, Lista Serbe doli në skenë, ashtu si sot, me një propozim tjetër, edhe më bjerraditës, që i fuste zekthat gjithë politikës. Kjo ka ndodhur përherë; nga grindjet brenda shtëpisë kanë përfituar të ardhurit.

Qeveria ndryshoi. Kundërshtarët e djeshëm u bënë aleatë, ndërsa aleatët e djeshëm u bënë kundërshtarë. AAK, PDK dhe Nisma, tri parti politike shqiptare që drejtohen nga ish figura të larta të UÇK-së, që kanë qenë pjesë e së njëjtës organizatë klandestine çlirimtare, ndërtuan një qeveri të përbashkët dhe, meqenëse nuk u dilnin votat, thirrën në ndihmë Listën serbe dhe , si pa u ndjerë, ndonjë deputet i opozitës shkau pa u ndjerë në mbështetje të qeverisë Haradinaj.

Me to u bashkua edhe Pacolli, mjeshtri i përftimit masiv, pasi, me tre a katër deputetë të futur në Listën e LDK-së, mori më shumë nga sa kishte parë në ëndërr; zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm, ministra e zëvendësministra, si dhe premtimin e shkruar se, pas mbarimit të mandatit të presidentit aktual Thaçi, ai do të jetë kandidati i bashkimit të forcave çlirimtare për presidentin e ri.

Një marrëveshje e pashembullt

Qeveria e re e ka kthyer edhe një herë në parlament çështjen e Demarkacionit. Ajo ngriti një grup të ri pune, i cili, pasi hodhi poshtë marrëveshjen e parë, ndërtoi një të dytë, që në thelb nuk kishte asgjë të re. Gjërat mbetën ashtu si më parë. Vetëm se tani është shtruar një paragraf, ide e zotit Limaj dhe sugjeruar nga presidenti i Shqipërisë, zoti Meta, përmes së cilës krijohet mundësia që në të ardhmen të verifikohen mes dy shteteve gabimet e bëra dhe të korrigjohen ato.

Pyetja e parë: kush do i korrigjojë? Parlamenti i Malit të Zi e ka miratuar menjëherë Demarkacionin dhe qeveria e tij është e kënaqur me atë çka është arritur. Ajo vetë, më mirë se të tjerët, e di se përfitimi është shumë i madh se sa humbja e ndonjë përroske. Do të jetë e vështirë që një parlament, ku mbi 35 për qind, në mos më shumë, janë nacionalistë nostalgjikë me sytë nga Serbia, të rikthehet nesër, edhe një herë, dhe të zhbëjë atë që kanë përfituar në një tavolinë të shpejtë.

Pasi u bënë lojërat e zakonshme shqiptare mes forcave politike që duan miratimin e Demarkacionit, pra, si i thonë, hiq këtë e mos shto aty, tani, katër forca të mirëfillta politike dhe një partizë qeveritare, janë të gatshme ta votojnë atë, por, si duket edhe brenda tyre do të ketë “rebelë” që do të bëjnë si ua thotë mendja. Njëri prej tyre, i njohur për rebelizëm, herë-herë spontan, Nait Hasani, deputet i PDK-së së Kadri Veselit, që tani është gati të mos e votojë. Nëse votimi do të jetë i fshehtë mund të ketë edhe të tjerë. Dhe votimi bëhet vetëm një herë. Nëse nuk kalon përmes votave të duhura, 80 të tilla, ligji hidhet në kosh, loja me Demarkacionin merr fund, gjithçka është bërë dhe nënshkruar kthehet pas dhe do të duhet një fillim i ri.

Ndërkombëtarët ngulin këmbë që duhet votuar dhe pa asnjë vonesë. Ka edhe kërbaç, edhe kulaç. Kërbaçi jepet herë pas here me mos dhënien e vizave, vizitat e ambasadorëve në selitë partiake, në qeveri, bisedat kokë më kokë. Kulaçi është më i freskët – premtimi për liberalizimin e vizave. Por, askush nuk është i sigurtë nëse do të ketë liberalizim të vizave këtë pranverë apo do të pritet një pranverë e ardhshme dhe një lëshim i ardhshëm, si për shembull, projekti i quajtur Zejednica, që është edhe sfida e dytë e Kosovës.

Por, le të rrimë këtu, Demarkacioni. Një fjalë që, ose rikthen 8200 hektarë në kufirin shqiptar të Kosovës, ose i tjetërson ato.

Vetëvendosja është kundër, si edhe më parë. Ajo bëri disa lëvizje propagandistike, të cilat nuk sollën asgjë, si ngulja e një flamuri në kufirin e dikurshëm dhe të tashëm, ende pa u ndarë, të cilin e hoqi era një ditë më pas. Në Komisionin e ri ata nuk u pyetën,megjithëse presioni i tyre kishte rol.

Por edhe ajo, si të tjerat, është ndarë – sëmundje tipike e politikës aguridhe shqiptare. Të inatosurit, ku prin ish-shefi i VV, Ymeri dhe ku roli i Dardan Moliqajt është më i ndjeshëm, ende nuk dihet se çfarë do të bëjnë. Do të shkojnë me shokët e tyre të vjetër, apo, për inat të tyre do të shkojnë dhe të flenë me shumicën. Inatet shqiptare nuk kanë fund.

Demarkacioni do të kalonte, sipas përllogaritjeve, këtë të mërkurë. Por, si duket, do të presë një ditë tjetër marsi. Për këtë të mërkure ishte ftohtë. Lista Serbe, e zgjuar nga heshtja, tani kërkon haraçin e saj. Nëse do të japë votat e saj, të domosdoshme në këtë rast, ajo kërkon edhe kalimin e projektit Zajednica, krijimit të Asosacionit të Komunave me shumicë serbe, një Serbickë e vogël, e shpërndarë nëpër Kosovë. Pak këtu e shumë atje.

Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë

Nëse ligji do të kishte një emër, si ndodh kudo në botë në raste të tilla, askush nuk do e vinte emrin e tij.

Sepse askush nuk e di se çfarë do të sjellë e ardhmja.

Historia e së djeshmes i ka njerëzit të mendojnë seriozisht.

Vazhdon …

 

February 27, 2018 10:56
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*