Sfidat ndaj Brukselit, Orban përjashtohet nga PPE

March 21, 2019 14:04

Sfidat ndaj Brukselit, Orban përjashtohet nga PPE

Partitë Popullore Europiane vendosën përjashtimin e simotrës hungareze “Fidesz”. Partia në pushtet e Victor Orbanit do të qëndrojë jashtë dere, të paktën përkohësisht.

Shumë mendojnë se, vendimi i PPE-së ishte i drejtë. Prej vitesh, Orban provokonte në kurriz të Brukselit, e dozën e shtoi edhe më shumë gjatë këtyre muajve të fundit, duke kaluar sipas këtyre zërave në ekzagjerim.

Politikani konservator është shndërruar në figurën që manifeston qartazi përçarjen Lindje-Perëndim. Vota e PPE-së ishte pothuajse unanime, e duket se kryeministri i Hungarisë nuk e priste këtë. Pak përpara votimit, Orban – i cituar nga BBC, – ishte paraqitur sfidues, duke thënë se “nuk mund të përjashtohemi”.

Pezullimi nuk është i përhershëm, megjithatë vendimi përbën një grusht të fortë për udhëheqësin hungarez në prag të samitit të BE-së.

“Fidesz”-i tani, praktikisht nuk mund të paraqesë më kandidatë për poste në PPE, nuk voton dot më në asnjë lloj asambleje të saj, e siç shpjegoi Manfred Weber, kreu i grupimit më të madh në Parlamentin Europian, as nuk do të lejohet të marrë pjesë në takime.

Brukseli dhe Budapesti janë grindur prej vitesh për tema që nisin nga kufizimi i të drejtave qytetare apo lirisë së medieve, e deri te refuzimi i Hungarisë për të pranuar refugjatë.

o.j/dita

March 21, 2019 14:04
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*