Sfidë dyfishe në Kavajë, të dielën zgjidhet edhe kryebashkiaku

June 23, 2017 15:56

Sfidë dyfishe në Kavajë, të dielën zgjidhet edhe kryebashkiaku

Në ditën e fundit të fushatës  se dyfishtë në Kavajë, tensionet ndihen. Një grua në lagjen e Teqes të Kavajës, i tha policisë se është kërcënuar me armë në kokë nga militant, për shkak të pjesëmarrjes së saj në mitingun e socialistëve një ditë më parë.

“Na kanë kërcënuar me armë. Unë dua të di kush e bëri këtë gjë”, thotë qytetarja e kërcënuar.

Dhe në qytet atmosfera e zgjedhjeve të së dielës ndihet kudo. Fushata për zgjedhjet e përgjithshme të së dielës ka ecur paralelisht me fushatën për kryetarin e ri të bashkisë. Gjithçka duket shumë ndryshe nga zgjedhjet e 7 majit, kur Klodian Shehi, i vetëm në garë, e kishte të sigurt fitoren. Këtë herë në garë janë tre partitë e mëdha.

Zyrat elektorale janë hapur në të gjithë qytetin, madje edhe pranë njëra-tjetrës. Flamujt e partive, logot e fushatës apo makinat e veshura me fotot e kandidatëve për bashkinë e Kavajës i sheh në të gjithë qytetin.

Kandidatët edhe në ditën e fundit kanë vijuar takimet e tyre. Dy prej tyre, ish-vartës të Elvis Rroshit, njëri në zyrën e urbanistikës e tjetri drejtor i Aluiznit, garojnë kundër njëri-tjetrit. Pas Klodian Shehit në maj, tashmë përzgjedhja e socialistëve është Dorian Murati, diplomuar për Inxhinieri dhe Juridik.

“Fushata ka qenë shumë e qetë, Kavaja e di mirë kush është rruga e ndryshimit. I kemi treguar këto 4 vite që ne dimë të bëjmë punë, të ndryshojmë qytetin. Me ne do vazhdojë kjo rrugë. Do vazhdojmë të investojmë në infrastrukturë, rrugë, çerdhe, shkolla, kopshte. Bujqësia është gjithashtu pjesë e rëndësishme e fushatës tonë. Tani jemi bashkia e madhe e Kavajës, jo bashkia e vogël”, shprehet Dorian Murati, kandidat i PS për Bashkinë Kavajë.

Përballë tij në garë është kreu i PD-së së Kavajës, Isa Sakja.

“Ne i kemi premtuar qytetarëve që do ta nxjerrim bashkinë nga monopolet e interesit. Kemi premtuar se do ta kthejmë në punë bashkinë, do e kthejmë në shërbime, rrugica, kanalizime të ujërave të zeza, pastrim, gjelbërim. Do investojmë në projekte të vogla dhe të thjeshta. Në krye të Bashkisë së Kavajës për 6 vjet nuk ka qenë PS, por krimi. I njoh rivalët në garë, njoh Maks Konën dhe kam respekt për të, njoh përciptazi Dorian Muratin, njoh Gent Dajën dhe Elvis Rroshin. Ndoshta publikisht këta dy të fundit nuk janë kandidatë, por janë kryesorët që lëvizin fijet e kandidatëve të tjerë”, shprehet Isa Sakja, kandidat i PD për Bashkinë Kavajë.

PS dhe PD garojnë më 25 qershor kundër LSI, që përfaqësohet nga inxhinieri Maksim Kona, i cili deri një muaj më parë punonte në Bashkinë e Kavajës, ndërsa prej gati 20 vitesh jetonte në Torino të Italisë.

“Kavajën e kam sjellë në projektet e mia. Kam projekte konkrete. Ideja e rikthimit tim këtu erdhi si pasojë e problematikave të infrastrukturës e punësimit. Këto më detyruan të futem në garë. Projektet e mia janë koncepte zhvillimore. Dua ta transformoj Kavajën në një qytet bregdetar. Do shkurtoj edhe distancën e rrugës Kavajë-Tiranë përmes kodrave të Kavajës. Këto projekte janë të lidhura edhe me programin e LSI-së”,shprehet  Maksim Kona, kandidat i LSI-së për Bashkinë Kavajë.

June 23, 2017 15:56
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*