“Shah Nameja“ e Firdusiut, Vehxhi Buharaja dhe kultura shqiptare

May 19, 2017 10:13

“Shah Nameja“ e Firdusiut, Vehxhi Buharaja dhe kultura shqiptare

 

Moikom Zeqo

Një botim i shkëlqyer tipografik i një kryevepre poetike të njerëzimit na vjen nga skaji i largët i kohërave “Shah Nameja“, ose “Libri i Mbretërve“, i Firdusit. Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi“ në Tiranë, bëri atë që dukej e pamundur: realizimin e këtij botimi, duke plotësuar një hieatus të bibliotekës së letrave shqipe.

Ky libër ka edhe një ikonografi të brendshme me miniatura persiane me ngjyra të bëmave kalorsiake të heronjve të lavdishëm iranianë.

Është një botim jo vetëm honorifik, por substancial i krijimtarisë postume të personalitetit të mrekullueshëm, orientalist, poetit dhe shqipëruesit Vehxhi Buharaja.

Tani që po shkruaj këto rreshta, më dridhet dora, vetëtimthi më përplasen imazhet e njohjes sime të gjatë me njeriun dhe dijetarin Vehxhi Buharaja.

Ka qenë viti 1971, kur unë gjatë një udhëtimi në Berat kërkova të shihja me sytë e mi dy simbole: një skulpturë druri, që përfaqësonte ritin e sakrificës njerëzore në një nga kamaret e urës mbi lumin Osum, pra, imazhin e gdhendur të një simotre të Rozafës në Berat dhe një njeri të gjallë, të identifikueshëm me një simbol antropomorf gjithashtu të sakrificës, që quhej Vehxhi Buharaja.

Skulptura e personifikuar, shumë e çuditshme dhe e veçantë e gruas, që duhej të sakrifikohej që ura të mos rrëzohej, nuk ndodhej më në kamare, dikush më tha se qe çuar në fondet e Muzeut Etnografik dhe Arkeologjik, fill pas Çlirimit të vendit në Tiranë.

Gjithnjë kam dështuar në kërkimet e mia për ta gjetur, për ta fotografuar dhe për të shkruar diçka për këtë skulpturë sui-generis.

Ky është një subjekt etnografik i klasit të parë dhe një skulpturë mitologjike unikale në llojin e vet.

Por megjithatë përtej dëshpërimit tim të paduruar pata një gëzim të beftë dhe të madh: takova në shtëpinë e varfër, ku jetonte me një thjeshtësi spartane pikërisht Vehxhi Buharanë.

Më tronditi thjeshtësia e tij, çiltërsia e tij gati naive. Ai mbante të përqendruar në qenien e tij kulturën e shekujve, dinte enigmat e mëdha, që mua më dukeshin gati të pazbërthyeshme të gjuhëve orientale, që kanë ndikuar në modelimin e qytetërimeve të botës.

Unë kisha lexuar disa poezi të Buharasë, një poezi për Margarita Tutulanin më pëlqente shumë, njihja nga përkthimet e tij, sidomos përkthimin e mrekullueshëm shqip të librit të parë të Naim Frashërit në persisht “Ëndërrimet“, po përkthimin në shqip të novelës “4 stinët“, shkruar turqisht, po nga Naim Frashëri dhe sidomos librin e shqipëruar të Saadiut “Gjylistani dhe Bostani“. Gjithashtu më qe ngulitur në mendje një kumtesë shkencore e Vehxhi Buharasë që e lartësonte atë në rrafsh evropian.

Dihet që mbishkrimet në osmanisht të kështjellës së Elbasanit, qenë studiuar dhe zbërthyer nga orientalisti gjerman me famë botërore Franc Babinger.

Babingeri qe një autoritet i madh dhe në disa pika gati i padiskutuar.

Ky dijetar e donte Shqipërinë dhe na ka bërë ndere të mëdha.

Studimi i tij monografik për familjen princërore të Arianitëve e ruan deri në ditët e sotme përsosmërinë e një modeli.

Por Vehxhi Buharaja në studimin e tij vërtetoi se leximi dhe zbërthimi i shkrimeve osmanisht të kalasë së Elbasanit prej Babingerit kishin pasaktësira dhe nonsense filologjike dhe kuptimore. Kështu orientalisti shqiptar pa emër i provincës e “mundi” dhe triumfoi mbi orientalistin gjerman me famë botërore. Po kush arrinte ta kuptonte këtë gjë në Shqipërinë e viteve 70 të shekullit të kaluar?

Aleks Buda dhe ndonjë dijetar tjetër i dinin vlerat e mëdha të Buharasë.

Ai punoi si bashkëpunëtor i jashtëm shkencor i Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë për të bërë përkthime të ndryshme nga gjuhët orientale.

Gjithë jetën u mor me mbledhjen dhe shqipërimin e korpusit të shkrimeve orientale, vepër që është ende dorëshkrim, të cilën e kanë vjelë, ose grabitur shumë nga dijetarët tanë të historisë, shpesh, pa ja përmendur as emrin Buharasë.

 Unë e kam lexuar këtë korpus dhe them me bindje që botimi i tij nga ana e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë do të përbënte një ngjarje madhore, pa një të dytë jo vetëm për shkencën në rrafshin shqiptar, por edhe në atë evropian. Mbaj mend që gjatë bisedave me Vehxhi Buharanë ai më tregoi edhe për një mbishkrim, të lënë në një mur të Xhamisë Mbret në Berat, shkruar prej Abdyl Frashërit.

Në shumicën e shkrimeve orientale ka dhe shumë pronograme poetike vendase, që të mahnisin, në shumë prej tyre përdoret edhe sistemi i quajtur Ebxhet, që përbën një kod kronologjik nëpërmjet fjalëve të ndryshme poetike, gati njëlloj kabale e poezisë, të njohur edhe në Shqipëri, për këtë subjekt kam shkruar disa herë në studimet e mia, për fat të mirë kemi dhe dëshmitë e eruditit dhe dijetarit të madh turk të shek. XVII Elvija Çelebiut, që ka lënë shënime të patjetërsuara për Shqipërinë në këtë shekull.

Vehxhi Buharaja më tregoi edhe dorëshkrimet e tij të pabotuara, të shumta, disa me shkrim dore dhe disa mjerueshëm të daktilografuara.

Ai kishte studime për filozofinë e Lindjes, një kopje të këtij studimi ma dhuroi dhe mua, dhe unë e kam botuar më 1992 në një revistë, si dhe pas në librin tim “Princërit e Mistikës”. Por dorëshkrimi më i çmuar dhe më i gjithmbarshëm i Buharasë, qe ai i shqipërimit të “Shah Namesë” të Firdusit.

Më vonë kam patur letërkëmbime me Vehxhi Buharanë dhe gjatë kohës që punova si redaktor në gazetën “Drita” 1971-1973 kam botuar edhe ndonjë shkrim të tij.

Tani Vehxhi Buharaja ka kohë që ka vdekur. Atë që nuk e arriti në të gjallë, por e arrin në një siguri padyshim mbas vdekjes.

Fama e tij në të gjallë qe një famë e pamohueshme, por e paartikulueshme nga të tjerët për shumë arsye të dobëta, politike dhe xhelozie.

Fama pas vdekjes ka filluar të artikulohet, madje ka njerëz që kërkojnë ta përvetësojnë këtë famë, dukuri kjo e rëndomtë në kulturë.

Dhe ja tani pas vdekjes , gjë që edhe vetë Buharaja nuk kish se si ta përfytyronte, fama e tij ka një shkëlqim të plotë. Buharaja i shëmbëlleu gati në mënyrë tragjike edhe analogjike fatit të varfërisë së vetë Firdusit.

Është një poezi baladike e poetit Kedrin, kushtuar Firdusit, shqipëruar mrekullisht nga Dritëro Agolli.

Ky shqipërim ka vetëm një afërsi me letrat shqipe, me atë të Poezisë baladike “Korbi” të amerikanit të madh Edgar Allen Poes.

Por një rastësi gjithashtu simbolike ka qenë po Dritëro Agolli, që i ka dhënë librin me origjinalin në persisht të Firdusit Vehxhi Buharasë para shumë viteve, duke u bërë kështu një ndërlidhës, gati në mënyrë transcendentale midis Firdusit dhe Vehxhi Buharasë.

Botimi në shqip i “Shah Namesë” na njeh me një kryevepër të hatashme të Firdusit që është quajtur Homeri i Lindjes, por njëkohësisht na jep rastin e përsiatjeve të një nderimi të shumëfishtë dhe të pashpërbërshëm dot më ndaj Vehxhi Buharasë.

Mund të them se ky libër është kështu i dyfishtë: në portretin dhe trupin e Firdusit fshihet shpirti i shqiptarit Vehxhi Buharaja, ose ndërsjelltas. Vehxhi Buharaja nuk arriti ta shohë të botuar këtë punë kolosale, që përfshin gati 9 mijë vargje në distikë me rima.

Po me siguri që nga vdekja e tij ai do t’i braktisë trishtimet dhe persekutimin e sforcuar, do të ngazëllehet dhe do të na përshëndesë padyshim.

Shkronjat nuk kanë zë, por secili nga ne tashmë mund të artikulojë me zërin e vet fjalët në shqip, të cilat i shkroi me penë i paharruari Buharaja. Amen!

***

Është rasti të themi diçka për Firdusin, për Iranin, Persinë e lashtë. Persët janë popull i madh i një qytetërimi të madh. Historianët e qytetërimeve e dinë shumë mirë këtë gjë. Vetë emri Iran do të thotë vendi i arianëve. Historia e Iranit lidhet me dinastitë e mëdha ahemenide, arsakide dhe sasamide. Irani është vendi i kulteve dhe feve botërore si mazdeizmi dhe i profetit të madh, Zarathustra, një nga reformuesit më të mëdhenj në historinë e religjioneve të botës, krijues i doktrinës dualiste, të luftës midis së Mirës dhe së Keqes.

Është e habitshme, por ilirët e lashtë, ashtu si dhe grekët kanë patur histori të lidhjeve me iranianët e lashtë, persët. Kjo gjë duket dhe me objektet arkeologjike dhe sidomos në qeramikën e periudhës arkaike.

Irani është vendi i përmbledhjeve të teksteve fetare Zarathustriane, të quajtura Avesta, plot poezi dhe imazhe, që kanë ndikuar në kulturën botërore.

Por kultura antike perse ka një shkëlqim të veçantë edhe në mesjetë.

Spikat poeti Unsuri, që ka vdekur më 1039, Asgadi, që ka vdekur më 1040 dhe padyshim më i madhi i të mëdhenjve Firdusi.

Firdusi ka lindur më 934 në Tus, të Horosanit. Gjithë jetën e kaloi në vendlindje, larg bujës dhe rretheve oborrtare. Veprën e tij letrare e filloi me interpretimin epik të historisë së Iranit.

Para tij një poet më i hershëm Daqiqi e kishte ndërmarrë këtë nismë, por Firdusi arriti të krijonte një epos prej 15.000 distikësh, pra 30.000 vargje. Këtu ai paraqiti historinë e Iranit nga fillimet deri te pushtimet arabe. Punoi i përkushtuar, në varfëri, plot 20 vjet. Në shtratin e eposit është koncepti i poetit për luftën e përhershme të Dritës dhe Errësirës, me Dritën ai personifikon iranianët, kurse me Errësirën pushtuesit turanë (turqit).

Ky epos ka një strukturë legjendare, por Firdusi e kalon mitologjinë dhe shfrytëzon edhe kronikat e mirëfillta historike. Këtu ka shumë personazhe dhe shumë ngjarje. Dallon nga eposet e Perëndimit sepse nuk ka një personazh kryesor.

Libri i Firdusit është një afresk i jashtëzakonshëm e historisë popullore dhe mitologjisë së Iranit.

Është një epope e madhe e trimërisë fantastike, e harbimit trimëror, ku epika zbukurohet me lirika të një bukurie të rrallë, sidomos në përshkrimet e natyrës dhe të historive të dashurive njerëzore.

Vargjet e Firdusit janë në metrin heroik, të quajtura mekarib, gjuha poetike është e thjeshtë, e qartë.

Kur Firdusi e përfundoi eposin e tij vendosi tia kushtojë sundimtarit të kohës, por ky sundimtar u tregua indiferent, sipas një legjende Firdusi i dëshpëruar përpara se të vdiste bëri një satirë kundër Shahut.

Për t’i shpëtuar hakmarrjes së Shahut, Firdusi u largua në Bagdat, ku shkroi një epos dashurie, të quajtur “Jusufi dhe Zelihaja», ku trajton një legjendë biblike por edhe kuranore të Josifit të Bukur. Firdusi ka jetuar dhe krijuar në shek. X.

Një shekull më vonë do të lindte një tjetër çudi e shkencës botërore i madhi Omar Khajam, që është absolutisht poeti më i njohur në Perëndim.

Dihet që shqipërimi i Fan Nolit, i rubairave të Khajamit, është një nga mrekullitë më të larta estetike edhe të kulturës sonë shqipe.

***

Tashmë lexuesit kanë në duar kryeveprën “Shah Nameja » të Firdusit. Ajo që u shkrua persisht në shek. X u arrit të botohet shqip në shek. XXI. Të depërtosh me shpejtësinë e vetëtimës në hapësirën e njëmbëdhjetë shekujve, është padyshim çudi e intelektit njerëzor.

Botimi i kësaj kryevepre në shqip është kontribut i një dashamirësie të shumë njerëzve dhe personaliteteve.

Shpresoj se unë kam qenë i pari, që kam botuar përpjekjen e parë të shqipërimit të “Shah Namesë» nga Naim Frashëri në fundin e shek. XIX.

Janë afro 100 vargje të shqipëruara prej Naim Frashërit. I vëllai i Naimit, Sami Frashëri, la një dorëshkrim prej 409 faqesh të një përkthimi në turqisht të «Shah Namesë», duke e paraqitur në trajtë rrëfimi.

Buharaja eci në gjurmët e Naimit dhe Sami Frashërit. Dorëshkrimi i Buharasë u ruajt nga qytetari beratas Abdyl Pilafi.

Tashmë ky epos në gjuhën shqipe na jep mundësinë e dijes së krahasueshmërisë midis eposeve të ndryshme mesjetare të Europës. Nuk duhen harruar motivet shtegtuese e të përbashkëta edhe me Eposin e madh të Veriut shqiptar.

Kështu poezia bëhet substancë e shkencës në të gjitha kuptimet.

 

May 19, 2017 10:13
Komento

2 Komente

  1. demo May 20, 00:24

    Mirenjohje per Abdyl Pilafin.Mirenjohje per Aleks Buden,Dhimiter Shuteriqin qe pa u ndier e angazhuan orientalistin e shquar ne nivel boteror Vexhi Buharaja,ne perkthime shkencore.E botuan ne revisten Studime historike,ku ndodhet edhe studimi i tij per mbishkrimet e kalase se Elbasanit.Nuk ishte aq e lehte,se Vexhi Buharaja kishte vuajtur nje 6 vjet burg politik bigarihak kot nasikoti..Me vepren e Vexhi Buharase me pat njohur nje hoxhe i urte kavajas ne fund te viteve 70.Peripecite e jetes se tij i di gjithe Berati.E katandisen te punoje fshesaxhi ne berberhane.Se nuk kishte nje vend per mesues fshati per Vexhi Buharane;nuk kishte nje vend biblioteka e Beratit.N`ato vite njoha nje shef arsimi te Beratit,kur e pyeta per Vexhi Buharane me tha textualisht:-Aman e se nuk na lejne skraparllijte!Na jane qepur skraparllijte me biografine.Beratin e kane pushtuar skraparllijte.Gjithe kapterrat e Skraparit dalin ne pension ne Berat,.sa letra kane derguar per mua ne komitet te partise!

    Reply to this comment
  2. demo May 20, 17:36

    Po cfare pa komente,kam 24 ore qe e kam postuar komentin moderatori!,se nuk kam thene fjale te pista si Saliu me Edin.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*