Drejtësia kërkon njerëz me integritet, ku t’i gjesh ata?

September 16, 2017 11:02

Drejtësia kërkon njerëz me integritet, ku t’i gjesh ata?

 

Bedri Islami

Vijon nga numri i kaluar

Në jetëshkrimin e sistemit të drejtësisë, veçanërisht në vitet e fundit, kalvari i përplasjes mes politikës dhe drejtësisë, kur kjo e fundit ka tentuar të rezistojë, ka qenë gjithnjë një përmbysje e plotë në favorin e politikës. Rezistenca, në ato raste të pakta, është dërmuar menjëherë dhe është bërë shëmbëlltyrë se si mund të jesh i pasur nga përkulja, por edhe se si njëkohësisht me drejtësinë përkulet edhe shteti.

Ka disa raste të tilla, të cilat, një ditë, kur vetë shteti të ketë kuptimin real të shtetit, do të studiohen si të turpshme për vetë sistemin e drejtësisë, por edhe më të turpshme për politikën që ka sunduar mbi të.

Ka disa raste flagrante, monstruoze se si mund të përkulet drejtësia nga politika dhe se si kjo e fundit nënshtrohet me kënaqësi pas thyerjes së saj.

Ngjarja e bujshme e 14 shtatorit 1998, kur rruga dhe dhuna pëdëiste, me në krye Berishën, përmbysi shtetin, është e njohur, por pak vetë e dinë se të gjithë ata që u morën me hetimin e ngjarjes, kushdo të ishte dhe që shfaqi sado pak guxim, u katandis jashtë sistemit, u anatemua dhe u braktis. Dosja është hedhur në një qoshe dhe, as pardje, kur qeveriste e majta, as dje, kur qeveriste e djathta, as sot, kur përsëri qeveris e majta, ajo nuk është hapur, por edhe kur është synuar të shfletohet, gjërat janë bërë qesharake dhe të turpshme. Politika e përkuli drejtësinë dhe pjesa që erdhi pas përkuljes ishte e gëzuar që ndodhi kështu.

Gërdeci është një shembull tjetër skandaloz se si përkulet drejtësia nga politika. Megjithë filmimet e turpshme të fëmijëve që punonin si skllevër në minierën e plumbtë të Berishës së vockël, vdekjen e 26 njerëzve dhe plagosjet, megjithë faktin që menjëherë pas ngjarjes sipërmarrësi i njohur kishte biseduar fillimisht me Berishën, sipërmarrësin e passkenës, asnjëherë, absolutisht asnjëherë, ky i fundit nuk u thirr të dëshmonte se çfarë ishte biseduar he se cili ishte roli i tij. Caktimi i grupit të prokurorëve hetues solli shpërthimin paranojak të Berishës së madh në parlament, një nga shpërthimet halucionante, por të përdorura me mjeshtëri prej tij, duke sulmuar me të djeshme, me njerëzit e shtëpisë, me gjithçka prokurorët që do të merreshin me çështjen, deri sa u larguan dhe u tërhoqën. Shteti i kriminalizuar fitoi me drejtësinë, që edhe kur deshi të rebelohej, u gjet nën rrotën e krimit. Askush nuk mbajti përgjegjësi. Ndoshta edhe për shkak se, thuajse të gjithë prokurorët e përgjithshëm, më shumë se gjithçka tjetër kanë qenë një gjetje politike dhe jo një domosdoshmëri ligjore.

Të gjithë e mbajnë mend 21 janarin dhe deklaratën e një specialisti të kriminalistikës, çardaku, i cili zbuloi se plumbi në trupin e Veizit më parë kishte bërë rikoshetë në një lëndë drusore, megjithëse nuk kishte asnjë pemë në trajektoren e tij. E diskutoja me një specialist se si mund të kishte ndodhur kjo dhe përgjigjja e tij ishte e papritur për mua: Kush e di se cilin plumb i kanë dërguar për ekspertizë. Gjithë ai vend ishte i mbushur me plumba…Politika të dërgon “plumbin” që dëshiron, sidomos kur është në pushtet.

Shembuj të tillë ka me qindra. Mjafton shprishja e serverit qeveritar në mesnatën e 21 janarit për të hapur një gjyq të posaçëm, por askush nuk u lodh për këtë. Fajtorët u gjetën të pafajshëm, mjekët që deklaruan si u kishin thënë, dolën të paprekur, gardistët morën shpërblimin e tyre financiar, në gjyqin kundër tyre të dukej vetja sikur ishe në një paraqitje ushtarake dhe më pas në një sallë halucionashtësh nazistë, kur turma vërshëllente, kërcënonte, brohoriste…dhe drejtësia kishte heshtur.

Politika e ka blerë drejtësinë. Që të shërohet drejtësia duhet të heqë dorë politika prej saj. Nëse ndodh ndryshe gjithçka është e kotë, edhe sikur të bëhen një mijë e një vetingje.

Drejtësia kërkon njerëz me integritet, problemi është ku t’i gjesh ata?

Nëse strukturat e larta të sistemit të drejtësisë kërkojnë të bëjnë një proces JO transparent, atëherë të mos vendosin rregullat e konkurimit, si i kanë vendosur dhe deri më tani nuk është pyetur për to. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i cili emëron gjykatësit, mund të ketë vendosur disa rregulla, por asnjë herë nuk kemi parë ndonjë komunikatë të saj që të përcaktojë qartë se çfarë kriteresh duhet të përmbushin të emëruarit prej saj. Nuk mbaron procesi i transparencës me shpalljen e vendeve, por aty fillon. Duhet të ketë një kthesë thelbësore: kush e emëroi, përse pikërisht atë, cilat janë cilësitë e fituesit dhe raporti i tyre në krahasim me rregullat e vendosura.

Në kohën e presidencës Topi – Nishani shumë gjyqtarë, që ishin jashtë sistemit, u rikthyen në sistem, megjithëse shkolla e magjistraturës ishte ende në këmbë. Motivet përse ka ndodhur kështu i di organi përkatës, por koha tregoi se këto prurje nuk ndikuan në cilësinë apo në rritjen e autoritetit të sistemit të drejtësisë. Sepse u sollën përgjithësisht njerëz me integritet njerëzor të shkallës së ulët, të destinuar për përkulje dhe shërbimin ndaj politikës, të cilët, shumë shpejt, përsëri nga arsye që nuk janë arsye, u promovuan në shkallë më të larta të gjyqësorit.

Të gjitha këto janë “patatet” e nxehta të Veting-ut.

Shpesh herë thuhet se vetingu nuk duhet të ketë karakter represiv. Në fakt, duhet të ketë. Në të vërtetë, ashtu si është ndërtuar, ai nuk e ka një karakter të tillë. Ka karakter të drejtë. Drejtësia është e ashpër , por nëse bëhet vërtet drejtësi, do të thotë se është e drejtë. Ata që e cilësojnë vetingun si një proces represiv, si dhunë ndaj sistemit të drejtësisë, për më tepër dhunë e palogjikshme dhe e paarsyeshme, jo vetëm gabojnë, por pozicionimi i tyre në këtë proces është e vazhdon të jetë shumë regresiv.

A do të bëhet Vetingu? A do të ketë më në fund një frymëmarrje edhe në sistemin e drejtësisë, cila do të jetë koha kur do të bëhet kthesa dhe a do të ketë një pikë fillimi i gjithë ky proces, nga i cili pritet shumë, por që mund të ketë edhe zhgënjime të pashoqe?

Nëse Vetingu do të përqendrohet në një masë të caktuar gjyqtarësh, prokurorësh, avokatësh, do të thotë se ka një fillim, i cili, nëse nuk shtrihet në strukturat e larta të shtetit, nuk do të jetë asgjë tjetër veçse vendosja e një kërbaçi të ri në duart e politikës për të goditur drejtësinë.

Vetingu duhet të ketë cakun e parë drejtësinë, por më tej duhet shtrirë domosdoshmërisht tej kësaj strukture. Nëse nuk ndodh kështu, të paktën në atë shkallë sa shpresohet nga njerëzit e zakonshëm dhe politika, oligarkia financiare dhe pasunarë të drogës, tregtisë ilegale dhe paligjshmërisë nuk do të preken, atëherë e gjithë kjo zhurmë do të jetë një vrimë në ujë.

Mbi drejtësinë qëndron politika. Nëse duhet krasitur drejtësia, atëherë duhet shkuar më tej duke krasitur politikën dhe oligarkinë financiare.

Njerëz të politikës që ishin të zakonshëm në jetën e tyre, disa vite më pas zbarkojnë në vilat buzë detit, luajnë me milionat e tenderëve të marrë përmes forcës së kartonit, japin e marrin nga e majta në të djathtë, si ka ndodhur në parlamentin tonë dhe si do të ndodhë edhe në të ardhmen.

Asnjëherë parlamenti ynë nuk ka përfunduar ashtu si ka nisur. Edhe ky nuk do të përfundojë kështu si është. Shenjat janë dhënë e nesër do të jenë edhe më dukshme.

Zakonisht ne kemi frikë nga përdorimi i fjalës sekuestrim. Na duket se është një term i huazuar nga periudha komuniste dhe ekskluzivisht vetëm i tij. Sekuestrim të pasurisë së paligjshme, qoftë në njerëzit e sistemit të drejtësisë, e më tej tek ato të politikës dhe të oligarkisë financiare, ka gjithë bota e qytetëruar, sepse në fakt është shenjë qytetërimi nëse pasuria e vjedhur i kthehet atyre që janë robëruar për ta fituar.

Shteti shqiptar, qeveria socialiste, do apo nuk do, sfidën më të madhe të saj e ka pikërisht në këtë proces, që njerëzit e njohin tashmë nën një emër të huaj: Veting.

Mund të dështojë dhe të gjitha fjalët e deri tashme të jenë të hedhura në erë, si paralojë elektorale dhe atëherë do të ketë ndëshkimin që duhet, sepse nuk ndëshkoj krimin; por edhe ka të gjitha shanset për të realizuar një proces të madh, jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe, nëse në katër vitet e para nuk e ka bërë sepse rreth tepsisë së  pushtetit ishin  ulur pak si shumë, tash është e vetme të realizojë procesin e ndëshkimit të së keqes që ka gërryer shtetin dhe nesër mund të përmbysë atë.

Shansi i fundit është ky. Nëse nuk e bën të realizueshme një aspiratë, atëherë qeveria do të mbetet në kujtesë si ajo që premtoi ndëshkimin, por që në fund u bë palë me krimin.

Rrugë tjetër nuk ka e nuk mund të ketë.

 

September 16, 2017 11:02
Komento

4 Komente

  1. Arben September 16, 15:16

    ATA GJENDEN VETEVETIU,

    PASI TE DENOHEN SIC E MERITOJNE KRIMINELAT

    QE SHKATERRUAN SHQIPERINE, DO VIJNE

    NJEREZIT ME DINJITET NE KRYE TE VENDIT.

    Reply to this comment
  2. jetimet e 21 Janarit September 16, 15:59

    TE PARET NE BANKEN E TE AKUZUARVE PROKURORET QE KANE BERE AVOKATINE E KRIMIT DHE ARSHIVUAR E QE AMBASADORET AMERIKANE SI SHUME KRRIMINELEVE ME PUSHTET U KA DHENE STREHIM POLITIK NDERSA NJERIN PREJ TYRE INA ‘LLALLEN’ E KA VENE NE KRYE TE VETTING-ut TE HETOJE ADRIATIK ‘RAMEN’

    Reply to this comment
  3. QInam QIrjo QIrjazi September 16, 16:07

    Edvin Rama akoma nuk ke ven re
    sot populli te ngre ne qiell e neser ne hale

    Edvin Rama puna smatet sa te gjat ke pallen po me reforma te linde shteti e ne burg ta shpjere liken dhe Salen

    Reply to this comment
  4. shqip September 17, 12:33

    Ju do thoni qe perseris veten . Dakort , po deri ne momentin qe s’ke alternative tjeret , une vazhdon ti qendroj idese sime . Gazetari pyet . Ku do ti gjejme njerezit me integritet ? Atehere idea sipas veshtrimit tim , eshte nje ” EULEX ” . Kerkon para te shumta , kerkon miratim nga shume vende pjesmarrese , kerkon te ndryshosh ligjin themelor , kushtetun . Po e gjitha te kthehet ne investim te sigurte . Ne nje hark kohor , afersishte 10 vjete , ti ke pastruar gjyqsorin , ke shpene pas hekurave abuzuesit e medhenj , ke zgjidhur perfundimisht konfliktin e prones , e mbi te gjitha ke hedhur bazat per ndertimin e nje shteti funksional . Sovraniteti e te tjera , jane vetem sebepe per t’ju shmangur nje gjykimi nga nderkombtaret . Une dyshoj shume qe vetingu do çoje ne qeli Sali Ram Berishen . Deri ne momentin qe diplomate , shefa diplomacishe , vene e vine ne kullen ke vegjeton ky njeri , per mua vetingu ka rene . E dini ç’ bejne lideret boterore me sadiste te ketyre permasave ? E injorojne . Nuk ka shtrengim duarsh . Nuk planifikojne takime bilaterale , etj . Pse mos angazhohej bota me nje Eulex ne Shqiperi ? Perderisa ti je i pranishem ne ushtri , ne ekonomi , me banke boterore , fmn , usaid , osbe , e plote organizma te tjere . Çfare sovraniteti do cenohej Nese do kishin inkuadruar Eulex , perfshire edhe rendin . Apo agallaret vetem kete nuk e duan ? Sepse me shqiptarin edhe ja dalin , ja gjejne anen . Ndersa me te huajt nuk kane shanse te shpetojne gjene e vjedhur . Bile do duket e tepert . Por ne kemi patur interes te ishim njesi administrative e qeverisur nga ndonje shtet ” kujdestar” . Shba , Gjermania , Franca , kushdo qe te ishte e mundur . Ç’ te keqe pane Hong Kongu nga Britania ? Me mire , e me shpejte do ndertohej shteti i se drejtes . Mos nxjerrim pretekse te kota . Kemi deshmuar katerciperishte qe i veme flaken vendit . Dmth politika . Demet qe kemi bere ne keto tre dekada , jane ne shifra marramendese . Shpenzimet per nje guvernator e per nje administrate te huaj , me fuqi vendimarrje , do ishin therrime para baterdise e babezise se pushteteve “tiranike” te pas 90es.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*