Shaqiri “harron” Xhakën

Gazeta Dita December 18, 2012 15:19

Shaqiri “harron” Xhakën

Lojtari i Bajernit fiton bastin me shokun e kombëtares, me të cilin komunikon rrallë

 

Futbollisti kosovar i Bajernit të Munihut, Xherdan Shaqiri, është rrëfyer për familjen e tij dhe marrëdhëniet me Granit Xhakën, në një intervistë për një gazetë zvicerane. Dy lojtarët e Bundesligës janë ndër dy kosovarët aq të përfolur në prag të ndeshjes Zvicër-Shqipëri, pasi përfaqësojnë ngjyrat helvete, së bashku me tre shqiptarë të tjerë, Behrami, Xhemalji e Mehmedi. Në intervistë, Xherdani thekson se është i lumtur me jetën e tij dhe me kushtet që i ka ofruar skuadra e famshme gjermane, dhe për këtë arsye ai nuk i lë prindërit e tij të punojnë, duke theksuar se është në gjendje të bëjë gjithçka për familjen dhe për Bajernin. “Bajerni më ka ofruar kushte tejet të mira. Tani e kam provuar jetën si i pasur dhe atë si i varfër. Nuk do të lejoj më që prindërit e mi të punojnë, të zgjohen në orën 7 të mëngjesit dhe të shkojnë në punë, pasi ata nuk janë më të rinj dhe do t’i mbaj personalisht për pjesën tjetër të jetës”, thotë lojtari nga Gjilani. Më tej, numri 11 i bavarezëve ka folur edhe për klubin e tij, duke treguar për emocionet që kishte në fillim dhe besimin e fituar nga trajneri Jupp Heynckes. “Ndihem mirë tani, pasi kam fituar edhe besimin nga trajneri dhe jam përshtatur shumë mirë me këtë grup të lojtarëve. Për Bajernin do të bëja gjithçka që kërkohet nga unë, pasi gjithmonë e kam ëndërruar këtë fanellë dhe do të bëj çmos që të bëj histori me skuadrën time”, shprehet 21 vjeçari.

Shaqiri flet edhe për shokun e skuadrës te Bazeli dhe në kombëtaren e Zvicrës, Granit Xhaka, duke treguar se kishte vënë bast me të se do të shënonte në ndeshjen midis tyre, të premten e kaluar. Lojtari i Bajernit thotë edhe se tani kontakton rrallë me Xhakën. “Më në fund arrita të shënoja golin e parë në Bundesligë, atë ndaj Gladbahut, dhe u ndjeva shumë mirë që fitova bastin edhe me Granit Xhakën. Në fillim të sezonit kontaktonim më shumë me sms, por tani jo edhe aq shumë, pasi nuk jam një njeri që interesohem për dikë se a është titullar apo në stol. Graniti e di mirë se çfarë duhet të bëjë, ai nuk e ka nevojën për ndihmën time, ashtu sikur nuk kam nevojë unë për ndihmën e tij”, përfundoi Shaqiri.

Gazeta Dita December 18, 2012 15:19
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*