Shashka e Guvernatorit Fullani

Prof. Alqi Naqellari August 2, 2013 13:07

Shashka e Guvernatorit Fullani

Guvernatori deklaroi dije se Këshilli Mbikqyrjes i BSH vendosi të uli normën bazë të interesit nga 3.75% në 3.5%. Me këtë vendim theksoi se do ndikojë në nxitjen e rritjes së kërkesës agregate e për pasojë në stimulimin e rritjes ekonomike. Kjo sepse norma bazë e interesit do ndikojë në uljen e normës së kredive dhe për pasojë subjektet ekonomike do ti drejtohen marrjes së kredive në lekë. Në këtë mënyrë leku do shkojë te biznesi për zhvillimin e ekonomisë dhe jo te shteti për mbulimin e deficitit buxhetor.

Ata që nuk e njohin mirë ekonominë do thonë:”Bravo Banka e Shqipërisë, po ndikon në rritjen ekonomike”. Në fakt nuk është kështu, këto janë veprime të dështuara të saj, veprime vetëm për të treguar se do ti përshtaten politikave të qeverisë së re dhe do qëndrojnë në krahun e saj, në sensin pozitiv.

Një veprim i tillë do ishte efektiv nëse në Shqipëri do qarkullonte vetëm leku shqiptar. Momentalisht në ekonominë tonë qarkullojnë euro dhe dollari njësoj si monedha kombëtare. Norma bazë e interesit të euros është 0.5% dhe varet nga Banka Qëndrore Europiane. Po kaq është edhe norma bazë e interesit të dollarit dhe që varet nga FED(Banka Qëndrore e Amerikës). Banka e Shqipërisë e çoi normën bazë të lekut 3.5%. Kështu norma e kredisë në euro është shumë më e ulët sesa norma e kredisë në lekë. Në këtë mënyrë subjektet ekonomike marrin kredi në euro dhe jo në lekë. Leku është në kushte konkurence jo të njëjta si me euron ashtu edhe me dollarin pikërisht për llogari të kësaj norme. Subjektet ekonomike janë të interesuara të çojnë si depozita lekun por jo të marrin kredi në lekë. Kjo sepse depozitat në lekë kanë norma interesi më të larta se euro dhe dollari. Ky veprim krijon një kontradit midis depozitave dhe kredive në lekë, ku depozitat rriten ndërsa kreditë mbeten në vend pasi njerzit i drejtohen euros.

Po ku shkojnë lekët që nuk i tërheq biznesi në formën e kredive? Zgjidhja është fare e thjeshtë, Bankat Tregtare blejnë me lekë Bonot e Thesarit të Qeverisë. Pra, leku shqiptar nuk shkon në formën e kredive për zhvillimin e biznesit, për pasojë të ekonomisë por shkon për mbulimin e deficitit buxhetor. Për zhvillimin e ekonomisë shkon euroja dhe dollari, ndërsa lekun tone, me organizimin e sotëm të sistemit bankar, Banka e Shqipërisë e ka nxjerrë në pension. Qarkullimi i tij është i kufizuar përgjithësisht në blerjen e mallrave të konsumit të gjerë sepse sa i përket faktorëve ekonomikë përdoret valuta.

Konkluzioni është i thjeshtë, Banka e Shqipërisë nuk ka ndonjë ndikim mbi kërkesën agregate përsa i përket zbatimit të politikave të saj monetare. Përsa i përket normës së inflacionit, që Banka pretendon se e kontrollon, e kemi thënë që nuk e kontrollon dot sepse inflacioni në Shqipëri nuk është inflacion monetar por thjesht i varur nga jashtë, pra është inflacion që provokohet nga oferta, përgjithësisht i importuar.

Që Banka e Shqipërisë të ketë ndikim duhet përmbysur sistemi. (Kam shkruar 4 artikuj të botuar në revista shkencore brenda dhe jashtë Shqipërisë për këtë problem). Si duhet përmbysur sistemi? Pa u bezdisur shkurt duhet që:

1. Të ndryshojë objektivi i Bankës së Shqipërisë. Nga “arritja dhe ruajtja e nivelit të çmimeve” pa kurfarë objektivash të lidhura me rritjen ekonomike dhe normën e papunësisë siç i ka BQE-ja në “Rruajtja e kursit të këmbimit dhe fuqisë blerëse të lekut me synim rritjen ekonomike dhe rënjen e papunësisë”.

2. Të ndërpriten depozitat dhe kreditë në valute prej Bankave Tregtare. Subjektet të kenë vetëm llogari transaksionesh.

3. Valuta të konsiderohet njësoj si ari dhe të jetë monopol i bankës së Shqipërisë.

4. Çdo veprim që kryhet brenda teritorit të Republikës së Shqipërisë të kryhet vetëm në lek. Kjo e vlefëshme për të gjitha llojet e mallrave dhe të shërbimeve, përfundimtare ose jo përfundimtare, pavarësisht nga shitësit dhe blerësit. Transaksionet në valutë të kryhen vetëm me subjektet jashtë Shqipërisë.

5. Të krijohet Bankë Tregtare me kapital tërësisht shtetëror, bankë e cila do jetë bazë e BSH për zbatimin e politikave monetare. Do jetë bazë edhe për mbështetjen jo vetëm të BSH por edhe të politikave fiskale. Mendoni për një çast sikur banka Raifajzeni të ishte me kapital shtetëror, të gjitha borxhet që qeveria ja ka asaj për letrat me vlerë do tja kishte vetes së vet. Është më normale që qeveria ti ketë borxh qeverisë sesa tju ketë borxh të tretëve. Më tej kjo bankë do stimulojë sektorët strategjikë shqiptar të cilat nuk janë vlerësuar thuajse fare prej bankave të huaja që operojnë sot në Shqipëri.

6. Banka Qëndrore të aplikojë kursin fiks të këmbimit. Duke bërë këtë do ti japi hapsirë (Qeverisë) politikave fiskale të jenë efektive. Momentalisht me kurse fikse dhe me kushtet aktuale politikat fiskale e kanë pasur efektivitetin zero. Edhe Qeveria e Edi Ramës nëse nuk bën këto që unë shkruaj do jetë me efektivitet zero . Në këto kushte efektive janë vetëm politikat monetare që për shkaqet e mësipërme edhe ato nuk kanë të tilla. Përfundimisht, teorikisht, në gjithë këto vite nuk ka pasë asnjë motiv për rritje ekonomike. Në Shqipëri prej vitit 2009 dhe deri sot nuk kemi pasur rritje ekonmike. Ekonomia shqiptare ka qënë në stanjacion me tendenca të dukëshme rënëse. Për këtë ju rekomandoj të shikoni sasinë e parave jashtë banke. Ky tregues ka ardhur në rënje. Si mund të pretendohet që ka rritje ekonomike në një vend kur paratë në qarkullim janë ulur ????!!!!

 

7. Të vendosen rregulla të repta ndaj nxjerrjes së valutës jashtë teritorit të Shqipërisë, të konsiderohet si ari, dhe të ketë të tilla rregulla për administrimin e saj. Valuta tu shitet vetëm nga Banka e Shqipërisë personave që dëshirojnë të bëjnë pushime jashtë Shqipërisë ose për arsye të tjera jo ekonomike.

8. Banka të ndikojë për stimulimin e bizneseve vendase në fitimin e tenderave në mënyrë që të pengohet dalja e valutës jashtë Shqipërisë.

Veç sa thashë më lartë mund të vendosen edhe një sërë rregullash të tjera. Si shembull duhet të meren Bankat Qëndrore të vendeve në zhvillim dhe jo Banka Qëndrore e Europës sepse ekonomia jonë nuk krahasohet me asnjë ekonomi europiano-perëndimore. Ne duam, nëse do marrim në konsideratë ritmet e rritjes reale, edhe nja 50 vjet të arijmë vendet e BE-së.

Prof. Alqi Naqellari August 2, 2013 13:07
Komento

5 Komente

  1. beni August 2, 13:46

    Bravo ketu ne fund ke thene te verteten,se ne duam 50 vjet te arijme ekonomin Europiane!
    Norma e interesit ne BE apo ne USA eshte 0.50 e 0.25 ne dollar per te simuluar ekonomine,ku investoret te investojn ne letra me vlere,kur nuk ka perqindje te larte interesi!
    Me vone se si rotullohet Bursa,eshte politike,pra shum humbin e nje pakice fitojne,keshtu luhet ne sistemin financiar kapitalist,ku ritja ekonomike bazohet tek humbsit ne Burse e jo prallave se eksportet jan ritur?Njeher me vleren e Ariit,njeher me fucin e naftes,e njeher tjetr me bonot e thesarit,ku investorve nuk u garantohet 100% perqindja,por thjesht nje premtim,ku ne leter shkruhet se edhe mundet ti ulet vlera?
    Pak si i komplikuar menyra se si funksionon ekonomia kapitaliste,ku ju jeni shum e shum larg asaj qe sistemi ti mbijetoje krizave ekonomike!

    Reply to this comment
  2. nastradini August 2, 18:33

    ASNJE SHTET NE BOTE NUK KA PROSPERUAR ME FINTE MONETARE BANKARE.

    Keto qe propozoni ju prof. Naqellari ka kohe qe i perdor Fidel Kastrua ne Kube, por pjeserisht i perdorte edhe Enver Hoxha ne Republiken e tij Personale. Prandaj me mire mos jepni leksione te Kohes se Qepes, sepse rezultatet e sistemit te kufizimeve valutore dhe te nje Banke Qendrore Tregetare ne dore te shtetit jane mjaft tragjike ne praktike. Ekonomia e renuar shqyptare e vitit 1990 e tregoi me se miri kete gje. Por edhe ekonomia e falimentuar e Kubes Komuniste e ka vertetuar fare qarte se FINTET monetare bankare nuk te cojne ASKUND. Si nuk te cojne ASKUND edhe FINTET fiskale me taksat PROGRESIVE socialiste apo me ZERIME taksash enveriste. Pak a shume teoria parazgjedhore e drejtimit te Edi Rames dhe ekipit te tij ekonomik. Qe per fatin e shqyptareve hoqi dore nga premtimet dallkauke menjehere pasi fitoi zgjedhjet. Atehere ketu lind pyetja thelbesore:

    KUSH ESHTE CELESI MAGJIK PER ZHVILLIMIN DHE PROSPERITETIN E POPUJVE?

    Kete teme e kane zhbiriluar shume KOKA dhe BOSA te shkences ekonomike majtas dhe djathtas politikes. Prandaj nuk i mbetet nastradinit ta hulumtoje me tej dhe ta komentoje sepse do te behet qesharak ne syte e lexuesve te gazetes DITA ne kete forum te nderuar elektronik. Por dihet nje gje per te cilen te gjithe shkencetaret kane rene dakord qe eshte formula magjike e prosperitetit te popujve. I pari qe e ka zbuluar ka qene shkencetari skocez Adam Smith, i cili ne vepren e tij madhore “The Wealth of Nations” publikuar ne vitin 1776 thote se formula e pasurimit te popujve e ka bazen tek PRODHIMI i te mirave materiale dhe tek natyra e njeriut me EGOIZMIN e lindur tek ai per te drejtuar procesin e PRODHIMIT dhe per t’u pasuruar vazhdimisht. Ku jane shqyptaret ne kete mesele? Atje ku i la Ahmet Zogu kur sapo kishin hedhur hapat e para si nxenes te zellshem te Adam Smithit dhe Kapitalizmit Boteror. Pse keshtu? Sepse Shqypnia nuk PRODHON asgje te hajrit qe mund te shitet dhe te tregetohet. Me falni pervec atyre qe u ka falur Natyra dhe Zoti ne Qiell. Prandaj nastradini ju thote i nderuari prof. Naqellari se metodat monetare tuaja per sherimin e shqypnise sone te semure qe nga Koha e Qepes jane njesoj si magjite qe i bejne fallxhoret nje te semuri pa shprese ne shtratin e vdekjes.

    Reply to this comment
  3. Pellumb zaimi August 3, 09:05

    Ky fullani mè duke nje klloun bankar me shume se nje drejtues bankar. Eshte i pabesueshem sepse nuk ka integritet profesional. Ju kujtohet blerja 30 milion usd e hotel dajtit per interesat politike te saliut. Bankieri beri blerje politike dhe kjo flet shume sesa vlere kane pikpamjet e tij bankare…!!?

    Reply to this comment
  4. shkodrani i balshajve August 3, 09:59

    Eshte e treta here qe ju shkruaj dhe e fshini komentin. Per kuriozitet hyra pak me thelle per t’ju njohur dhe pashe qe jeni ta mbeshtetur ne nje server françez (nuk ka ne Shqiperi server qe afrojne te njejtin sherbim?) dhe eshte me i blinduar se sekretet e Sali Ram Berishes. Pastaj duke pare vullnetin tauj te mbroni kete “profesor” nga Struga me le te kuptoj shume me teper. Me kujtohet protecionizmi françez i tere koheve per serbet e Serbine…. Komplimenti

    Reply to this comment
  5. Alqi Naqellari August 4, 19:31

    Faleminderit per mendimet jo per fyerjet. Kam marre shume mesazhe falenderimi per komentin. Kush ka mendime te tjera le ti hedhe publikisht. Une kete e kam kerkuar kur e kam nxjerre ne fejsbuk para se ta publikoja te DITA. Kam kerkuar mendime te ekonomisteve qe sadopak te kontriuojme per qeverine e re. Askush nuk u pergjigj. Juve nese e njihni ekonomine jo me fyerje por me argumente provoni te kunderten. Se shpejti do ti dergoj kesaj gazete nja dy artikuj te tjere ku ne te parin do provoj qe ne keto kushte kane efekt vetem politikat monetare dhe jo fiskale dhe tjetrin do ta shkruaj per veprimin qe duhet te beje qeveria e re per te dale nga situata. Sa i perket prones shteterore shikoni Kinen, Izraelin, Singaporin, Korene, Hong-Kongun, europen perendimore, e te tjere vende a kane apo jo prone shteterore. Prone shteterore nuk do te thote socializem.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*