SHBA-BE, drejt marrëveshjes për tregtinë e lirë

March 22, 2013 12:40

SHBA-BE, drejt marrëveshjes për tregtinë e lirë

 

 Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të hedhin një hap përpara në integrimin e ekonomive të tyre duke u angazhuar në një marrëveshje të tregtisë së lirë. Negociatat duhet të nisin mbas 90 ditësh dhe nëse do të finalizohet kjo do të jetë aleanca më e madhe tregtare-financiare në botë

 Shtëpia e Bardhë i ka komunikuar formalisht Kongresit amerikan projektin e nisjes së negociatave me Bashkimin Evropian për tregtinë e lirë. Nëse marrëveshja do të finalizohet, ajo do të përbënte aktin e krijimit të aleancës më të fuqishme tregtare e financiare botërore duke stimuluar kështu një rritje të re ekonomike. Për Uashingtonin bëhet fjalë për krijimin e një mundësie më shumë për eksportin dhe rritjen e punësimit në Shtetet e Bashkuara. Praktika ligjore kërkon që fillimi i bisedimeve të ndodhë mbas 90 ditësh. Por, që një hap i tillë të vihet në zbatim, duhet të jetë aprovuar nga të gjitha institucionet kompetente në një kohë që parashikohet të jetë jo më pak se dy vjet.

“Një marrëveshje mbi standarde të larta mund të sjellë shumë përfitime si për ekonominë e SHBA-së ashtu edhe për atë të Bashkimit Evropian, duke krijuar mundësi të reja eksporti dhe hapje të vendeve të reja pune” deklaroi përfaqësuesi i Tregtisë në SHBA, Demetrios Marantis. Të dyja unionet të marra së bashku përfaqësojnë gjysmën GDP-së botërore dhe pothuajse 1/3 e fluksit tregtar. Marrëdhëniet e tyre ekonomike janë ndër më të pasurat, me 1.8 miliardë euro shkëmbimesh çdo ditë dhe me 700 miliardë gjatë 12 muajve të kaluar.

Komisioni evropian ka përllogaritur se brenda vitit 2027, marrëveshja e tregtisë së lirë mund të rrisë GDP-në e BE-së me një mesatare  prej 86 miliardë eurosh në vit, e barazvlefshme me 0.5% të totalit, ndërsa për SHBA-në kontributi mesatar do të ishte me 65 miliardë euro e barazvlefshme me 0.4% të GDP-së.

Megjithatë nuk mungojnë pengesat për këtë operacion, në veçanti nënvizohet ndryshimi midis tarifave në të dyja brigjet e Atlantikut. Debati është për tarifat shumë të ulëta të Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë favorizuar deri më tani zhvillimin në sektorë si agrikultura, industria kimike, ajo e farmaceutikëve dhe e automobilave. Përshtatja e këtyre tarifave me ato të BE-së, mund të çojë kompanitë amerikane në humbjen e avantazhit të konkurruencës.

Kapituj të tjerë të bisedimeve do të jenë njohja reciproke e standardeve të sigurisë së shkëmbimeve  dhe aksesi për prokurim në kompanitë evropiane nga ana e autoriteteve amerikane. Por as kjo çështje nuk duket e thjeshtë sepse në pjesën më të madhe bëhet fjalë për vendime të marra jo nga qeveria federale e Uashingtonit, por nga shtetet e veçanta amerikane.

Megjithatë edhe pa marrëveshjen, SHBA-BE janë njëri për tjetrin partneri i parë tregtar: rreth 13.8% e të gjitha shkëmbimeve të Bashkimi Evropian ndodh me SHBA-në, që nga ana e saj realizon rreth 17.8% të tregtisë me 27 vendet anëtare të unionit.

 

Përgatiti: Dorina Gjuzi

March 22, 2013 12:40
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

MENDONI SE PËR TË ZGJIDHUR KRIZËN POLITIKE DUHET NJË MARRËVESHJE E RE RAMA-BASHA?