SHBA, Bushati takon Nuland

February 27, 2016 19:01

SHBA, Bushati takon Nuland

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, në kuadër të vizitës së tij në SHBA, u prit në takim në Departamentin Amerikan të Shtetit, nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Victoria Nuland.

Intensifikimi i bashkëpunimit në kuadër të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rakordimi i bashkëveprimit për sfidat me të cilat përballet sot komuniteti ndërkombëtar, siguria energjetike, situata dhe perspektiva e rajonit të Ballkanit Perëndimor, ishin disa nga çështjet e trajtuara gjatë takimit. Bashkëbiseduesit u ndalën tek kalendari i marrëdhënieve dypalëshe, i cili këtë vit përkon me 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, në prag të 1-vjetorit të nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit Strategjik dhe në vijim të vizitës tejet të rëndësishme të Sekretarit të Shtetit John Kerry në Tiranë.

Ministri Bushati e njohu Nuland mbi zhvillimet më të fundit në vend, ecurinë e reformave shtet-konsoliduese në Shqipëri dhe angazhimin e qeverisë shqiptare për përmbylljen e  reformës në drejtësi, si një reformë me efekt të drejtpërdrejtë në forcimin e shtetit ligjor, përmirësimin e klimës së biznesit dhe sundimit të së drejtës në ekonomi. Ai e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë dhe vijojnë t’i japin Shqipërisë në proceset demokratizuese, konsolidimin e shtetit ligjor dhe kryerjen e reformave në vend.

Duke u ndalur në marrëdhëniet dypalëshe, Ministri Bushati siguroi për angazhimin e Shqipërisë për të vijuar si partner i vendosur përkrah SHBA për stabilitetin, paqen e prosperitetit në rajonin tonë e më gjerë, si dhe në drejtim të përballimit të sfidave të përbashkëta.

Ndihmës Sekretarja Nuland shprehu mbështetjen e SHBA-ve në proceset domokratizuese, integrimin e mëtejshëm euroatlantik si dhe në prosperitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon. Ajo vlerësoi reformat kurajoze të ndërmarra nga qeveria shqiptare për konsolidimin e shtetit të së drejtës në vend si dhe shprehu mbështetjen për përmbylljen sa më shpejtë të reformës në drejtësi.

Nuland vlerësoi Shqipërinë si një aleate e fortë e besueshme e NATO-s, si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe kontribuese e pa lëkundur për sigurinë globale, duke u ndalur në kontributet e rëndësishme të Shqipërisë në misionin e NATO-s në Afganistan, proceset stabilizuese në Irak si dhe në luftën kundër kërcënimit të terrorizmit ndërkombëtar dhe fenomenit të luftëtarëve të huaj.

Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se zhvillimi i mëtejshëm i partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara do të luajë një rol kyç në rritjen e sigurisë së rajonit tonë e më gjerë.

February 27, 2016 19:01
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*