SHBA dhe BE: Si zgjidhen gjykatësit dhe prokurori i posaçëm

April 27, 2016 10:30

SHBA dhe BE: Si zgjidhen gjykatësit dhe prokurori i posaçëm

Zbardhet dokumenti me përgjigjet, që ekspertët e huaj kanë dhënë për të gjitha pikëpyetjet që kanë palët politike, për paketën e Reformës në Drejtësi. Ata vlerësojnë se kuorumi prej 2/3 i votave për të zgjedhur gjyqtarët, është i pajustifikueshëm

Arkitektura e sistemit të drejtësisë, që ofron paketa e ndryshimeve kushtetuese, konsiderohet nga ekspertët e huaj si e duhura dhe çdo heqje apo ndryshim i tyre do të sillte prishjen e balancimit dhe kontrollit të këtyre institucioneve.

Kjo është një ndër përgjigjet që ekspertët ndërkombëtarë të OPDAT dhe EURALIUS i japin një prej shqetësimeve që kanë ngritur deputetët e opozitës në Komisionin e posaçëm të Reformës në Drejtësi.

Ata kanë paraqitur një material të shkruar, ku i kanë kthyer përgjigje të gjitha pyetjeve të bëra nga deputetët e të dyja krahëve, në dy mbledhjet e fundit të komisionit.

Që në krye të këtij dokumenti, ata sqarojnë se roli i tyre është të japin asistencë teknike, asistencë që mund t’i vijë në ndihmë Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, në procesin vendimmarrjeve të tij politike.

Ekspertët sqarojnë Komisionin se nuk u kanë dhënë përgjigje vetëm pyetjeve për të cilat kërkohet një vendim politik, apo që përjashtojnë çdo vendim të mundshëm politik.

Gjithashtu, ata saktësojnë se përgjigjet janë dhënë bazuar në Opinionin e Komisionit të Venecias, si dhe në bazë të diskutimeve me përfaqësuesit e opozitës, të zhvilluara në datat 19 dhe 22 prill.

Më poshtë janë përgjigjet e pyetjeve të ngritura nga Komisioni i Posaçëm, gjatë mbledhjeve të datave 23 mars dhe 15 prill 2016.

A është e këshillueshme që të hiqen institucionet e reja që propozohen?

Opinioni i Komisionit të Venecias e thotë qartë se në një sistem balancash e kontrollesh që shfaq problemet e Shqipërisë, të gjitha institucionet e reja që propozohen janë të nevojshme. Gjykata e Lartë Administrative është përjashtim, meqenëse krijimi i saj është shtyrë deri në 2020, dhe analiza e Komisionit të Venecias nuk përfshin këtë gjykatë si pjesë e sistemit të propozuar të sistemit të balancave dhe kontrolleve.

A janë të mjaftueshëm mekanizmat kundër kapjes politike dhe korporatizmit dhe a është i mjaftueshëm sistemi i propozuar i kontrollit dhe balancave?

Duhet të jemi të kujdesshëm për të mos ngatërruar kontrollin dhe balancat me konfliktin e interesit, pasi çdo sistem i kontrollit dhe balancave e presupozon krijimin e konflikteve midis institucioneve. Sistemi i propozuar e redukton ndikimin politik mbi gjyqësorin, në mënyrë që ta bëjë atë të pavarur. Sistemi redukton rolin dhe fuqitë e legjislativit, të Presidentit të Republikës dhe të Ministrit të Drejtësisë. Brenda vetë gjyqësorit, një sërë institucionesh ndajnë mes tyre pushtetin dhe kontrollojnë njëra-tjetrën. Sistemi adreson problemin e korporatizmit, duke ofruar mekanizma kontrolli, si për shembull një numër më i madh anëtarësh, jo magjistratë në Këshillin Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë, si dhe duke ndarë disa pushtete si për shembull pushteti i inspektimit që i lihet Inspektoratit të Lartë, një institucion monokratik dhe llogaridhënës. Parlamenti ka gjithsesi një rol në drejtim të reduktimit të korporatizmit, teksa ai përfshihet në procesin e emërimeve dhe, ndoshta, edhe në hetimin e shkeljeve disiplinore të Inspektoratit të Lartë (përmes një komisioni parlamentar), duke ia referuar gjetjet Tribunalit. Parlamentit nuk duhet t’i jepen pushtete të tjera shtesë.

Kush i heton shkeljet disiplinore të Inspektorit të Lartë?

Një strukturë të cilës mund t’i besohet hetimi i Inspektorit të Lartë mund të jetë një komision hetimor parlamentar. Megjithatë, ky komision mundet të bëjë vetëm hetimin dhe gjetjet t’ia paraqesë Tribunalit.

A është e këshillueshme që Inspektori i Lartë të shkarkohet nga Parlamenti?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë mund të emërohet nga parlamenti, por vendimi për ta shkarkuar atë nuk duhet të jetë politik. Prandaj ky vendim nuk mund të merret nga pushteti legjislativ apo ekzekutiv. Në fakt, shkarkimi i një funksionari të sistemit të drejtësisë si Inspektori është një masë disiplinore që mund të vendoset nga një organ gjyqësor. Propozohet që hetimi i shkeljeve të mundshme disiplinore të Inspektorit të bëhet nga një komision hetimor parlamentar dhe gjetjet e tij t’i dërgohen Tribunalit Disiplinor, i cili merr vendimin përfundimtar.

Si do të jetë kontrolli parlamentar mbi SPAK (njësoj si ai mbi Prokurorinë e Përgjithshme sot)?

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme është përgjegjës përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ai do të emërohet dhe shkarkohet nga ky Këshill. Struktura e Prokurorisë së Posaçme heton në mënyrë të pavarur zyrtarët e nivelit të lartë, përfshi anëtarët e Kuvendit. Personat, të cilët mund të jenë subjekte të hetimit, nuk duhet të kenë më mundësi të ndërhyjnë për askënd. Gjykatat më tej do të gjykojnë rreth rezultateve të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme dhe çështjeve. Kontrolli për shkeljet disiplinore bëhet përmes kontrollit disiplinor. Kompetencat e individëve, pjesëtarë të Prokurorisë së Posaçme janë të kufizuara, pasi do të ketë një kontroll të brendshëm dhe rotacion. Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme mund të hetojnë dhe ndjekin penalisht njëri- tjetrin, në rast se kanë dyshime për korrupsion apo krime të tjera, njësoj siç bën DNA në Rumani dhe USKOK në Kroaci. Më e shumta, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme mund t’i paraqesë Kuvendit ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë një raport vjetor me shkrim.

A është e këshillueshme të emërohet drejtuesi i SPAK-ut nga Parlamenti apo nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë? Me shumicë të thjeshtë dhe ta largojë nga detyra me një shumicë 2/3?

Për momentin, Prokurori i Përgjithshëm, i cili duhet të hetojë edhe në ngarkim të anëtarëve të Parlamentit, zgjidhet, i rinovohet mandati dhe largohet nga detyra nga Parlamenti. Ky nuk ka qenë një mekanizëm i efektshëm dhe ruan ndikim politik. Çdo sistem i zgjedhur duhet të pakësojë ndikimin politik. Sipas Komisionit të Venecias, Këshilli i Prokurorisë duhet të largojë nga detyra Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, kjo kufizuar në rastet e sjelljeve të rënda. Për shembull, modeli i diskutuar nga Komisioni i Posaçëm për Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, që emërimi të bëhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me shumicë të thjeshtë, por të largohet me shumicë të kualifikuar, është një zgjidhje e mundshme.

A është e këshillueshme të ndryshohet shumica e propozuar prej 3/5, meqenëse qeveria aktuale e ka këtë shumicë?

Sipas Komisionit të Venecias, të gjitha shumicat janë të përshtatshme. Shumica prej 3/5 është e pranueshme edhe në qoftë se qeveria e ka këtë kuorum. Komisioni i Venecias nuk gjeti ndonjë argument parimor lidhur me shumicën prej 2/3. Edhe një shumicë prej 50% – siç aplikohet në zgjedhjen e Presidentit të Republikës sipas Kushtetutës në fuqi – është e përshtatshme. Qeverisja nga shumica është një parim i demokracisë dhe një qeveri duhet të jetë e aftë të qeverisë. Megjithatë, një parim plotësues i Komisionit të Venecias është që shumicat nuk mund të përdoren për të pakësuar rolin e opozitës, në mënyrë që ajo të ketë mundësi thelbësore për të ndikuar në marrjen e vendimeve. Kjo gjë mund të çojë në disa variante, ashtu sikurse edhe janë diskutuar. Ky është një vendim politik, që politikanët shqiptarë duhet të marrin vetë.

April 27, 2016 10:30
Komento

2 Komente

  1. anticensurë 25642654 April 27, 11:40

    “REFORMA NË DREJTËSI”??????????
    çfarë do të thotnë këto fjalë??
    thjeshtë duhen analizuar!!
    -përse duhet reformuar drejtësia??
    -çfar e pengon sot sistemin gjyqësor të jetë drejtësi??
    -kush do ta reformojë drejtësinë??
    -si duhet/do të funksionojë drejtësia e reformuar nesër??
    këto janë disa nga pyetjet që duhet të shtrohen!jo thjeshtë të ulërasim “reformim drejtësieeee” dhe pasi ta kemi “reformuar”të zgjohemi nën dhunën e të jëjtës shtrëmbësi si është dhe sot!!

    Reply to this comment
  2. Arben April 27, 13:47

    GJYKATESIT DHE PROKURORET, ZGJIDHEN DUKE I ZGJEDHUR.

    HAHAHAHHAHAHAHHA

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*