SHBA, Karta e Adriatikut dhe zgjerimi i NATO-s në Ballkanin perëndimor V

November 3, 2019 12:48

SHBA, Karta e Adriatikut dhe zgjerimi i NATO-s në Ballkanin perëndimor V

Një cikël analizash e kujtimesh nga diplomati dhe sociologu i njohur Fatos Tarifa, ish-ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (prill 2001-maj 2005), aktualisht Profesor i Sociologjisë dhe i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës dhe anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Si një protagonist i ngjarjeve shumë të rëndësishme në marrëdhëniet e vendit tonë me administratën amerikane të asaj kohe, Tarifa shpjegon në detaje “sekretet” se si u ngjiz ideja e “Kartës së Adriatikut” në Uashington dhe se si ky dokument i rëndësishëm u nënshkrua në Tiranë, duke e ndihmuar dhe ofruar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

 

Prof. Fatos Tarifa

 

Pjesa V

 

Zëvendësndihmësja e Sekretarit të Shtetit Janet Bogue

Një ndër zyrtarët e rëndësishëm në Departamentin e Shtetit, me të cilën bashkëpunimi im si ambasador ka qenë i ngushtë dhe shumë i frytshëm, ishte znj. Janet Bogue, Zëvendësndihmësja e Sekretarit të Shtetit Colin Powell, e cila mbulonte nga afër Europën Juglindore. Znj. Bogue u emërua në këtë detyrë në qershor të vitit 2001, vetëm disa ditë pasi unë i kisha dorëzuar Letrën Kredenciale Presidentit George W. Bush. Ky fakt, veç të tjerash, ndikoi që ajo dhe unë të krijonim qysh në fillim të njohjes sonë dhe të ruanim për dy vite me radhë, deri sa ajo u largua nga ajo detyrë, lidhje shumë të ngushta pune dhe një marrëdhënie të ngrohtë miqësore.

Takimet e mia me Janet Bogue kanë qenë të shpeshta e të shumta. Ashtu sikurse unë isha shpesh vizitor në zyrën e saj, edhe ajo ishte ndër vizitorët më të rregullt të ambasadës së Shqipërisë në Uashington. Janet Bogue ishte “porta” e parë tek e cila unë trokisja sa herë që më duhej t’u përçoja një mesazh të qeverisë sime zyrtarëve më të lartë të Departamentit të Shtetit, të takohesha personalisht me ta, ose të përgatisja vizitat e drejtuesve të lartë të shtetit shqiptar në Uashington. Kjo portë ishte gjithnjë e hapur dhe vetë Janet Bogue kurdoherë e interesuar dhe e gatshme të bashkëpunonte e të ndihmonte mesa mundej.

Gjatë dy viteve që Janet Bogue qëndroi në këtë detyrë, ajo e vizitoi Shqipërinë disa herë. Pas vizitës së saj të parë në Tiranë, më 2002, koleksionit të saj të albumeve fotografikë nga vendet e Europës Juglindore iu shtua edhe një album i bukur mbi Shqipërinë, të cilin e shihje gjithnjë mbi një tryezë të vogël në zyrën e saj.

 

Circle Bistro

Në korrik të vitit 2002, dy muaj pas vdekjes së ambasadorit amerikan në Tiranë, Joseph Limprecht, Uashingtoni nuk kishte dërguar ende një ambasador të ri në Tiranë. Ambasadori i ri, James Jeffrey, i cili do të zëvendësonte ambasadorin Limprecht, ishte emëruar në këtë post qysh në qershor, madje, po në qershor, kishte dëshmuar përpara Komisionit të Marëdhënieve me Jashtë në Senatin amerikan. Sidoqoftë, në korrik ai nuk kishte marrë ende konfirmimin e Senatit. Jeffrey u konfirmua nga Senati Amerikan si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri disa muaj më vonë, në tetor 2002.

Në një nga ato ditë korriku, kur mugesa e një ambasadori të Shteteve të Bashkuara në Tiranë ndihej shumë, veçanërisht në klimën politike të vendit, kur Presidenti Rexhep Meidani, në mbarim të mandatit të tij 5-vjeçar, sapo i kishte lënë vendin Presidentit Alfred Moisiu dhe Fatos Nano, pas dorëheqjes së Pandeli Majkos nga detyra e kryeministrit, pritej të krijonte një kabinet të ri qeveritar, i telefonova znj. Bogue dhe e ftova atë për një drekë pune.

Uashingtoni është një kryeqytet shumë kozmopolitan, veçanërisht kur është fjala për të zgjedhur një restorant, në të cilin të ulesh për një drekë ose darkë pune me zyrtarë të administratës, anëtarë të Kongresit, ambasadorë, drejtues të institucioneve think-tank ose lobistë. Edhe pse pëlqimet e tyre janë të diferencuara, unë kisha vënë re disa kategori preferencash. Për shembull, anëtarët e Senatit ose të Dhomës së Përfaqësuesve, nëse arrije t’i gjeje ata të lirë një mbrëmje, pas orëve të gjata të punës, ose pas votimit në Capitol Hill, preferonin kryesisht restorantet më të mirë pranë Kapitolit, fjala vjen “The Capital Grille” apo “Occidental Grill” në Pennsylvania Avenue, ose “The Caucus Room” në 9th Street dhe Square North. Ata, rrallëherë mund të kishin predispozicionin të vinin deri në Georgetown, i cili, edhe pse ka disa nga restorantet më të mirë, në një qytet të vogël si Uashingtoni, është “shumë larg” qendrës së “planetit” të tyre: Kapitolit. Lobistë të ndryshëm, të cilët kishin llogari shpenzimesh të konsiderueshme, preferonin të të ftonin në restorantet më të mirë të K Street si, fjala vjen, në “The Prime Ribe”, në “Morton’s of Chicago, ose në “Ruth’s Chris Steak House”, të cilët ndodhen në Connecticut Avenue, jo shumë larg zyrave të tyre. Ambasadorët europianë zakonisht preferonin restorantet italianë dhe ata francezë në Georgetown, si “Café Milano” në Prospect Street ose “La Chaumiere” në M Street. Të tjerë kishin të preferuar klubet “Cosmos” ose “Metropolitan”.

Sidoqoftë, sa herë që më është dashur të ftoj për një drekë ose darkë pune zyrtarë të Departamentit të Shtetit, ose të Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë, ata gjithnjë kanë qenë modestë dhe kanë preferuar restorante më të thjeshtë e më të lirë. Një i tillë ishte “La Tomate”, një restorant italian në Connecticut Avenue, një bllok larg nga ambasada e Shqipërisë, të cilin e preferonin edhe shumë ambasadorë dhe diplomatë të tjerë për shkak të proksimitetit të tij nga Massachusetts Avenue, rruga ku kanë selinë e tyre pjesa më e madhe e ambasadave në Uashington dhe që, për këtë arsye, njihet ndryshe edhe me emrin “Embassy Row”.

Edhe pse Janet Bogue e njihte “La Tomate”, të cilin ia propozova unë, atë ditë ajo më kërkoi të uleshim për drekë në “Circle Bistro”, një restorant që ndodhet jo shumë larg Departamentit të Shtetit, pranë Washington Circle, midis Pennsylvania Avenue dhe 23th Street. Biseda me të, si gjithnjë, ishte shumë miqësore. Unë sapo isha kthyer nga samiti i vendeve të grupit Vilnius, që ishte mbajtur në Riga të Letonisë dy javë më parë, ku kisha shoqëruar Kryeministrin Pandeli Majko. Majko u detyrua të jepte dorëheqjen si kryeministër disa ditë pas kthimit në Tiranë nga samiti i Rigës.

Pas katër vitesh qeverisjeje relativisht të suksesshme të socialistëve, qysh nga shtatori 1998, kur Nano faktikisht e braktisi postin e kryeministrit nën presionin e dhunshëm të opozitës së asaj kohe, periudhë e cila çoi në formimin e katër kabineteve qeveritarë që në mënyrë alternative patën për kryetarë Pandeli Majkon dhe Ilir Metën, në pranverë dhe gjatë verës së vitit 2002 Fatos Nano kishte vendosur të kthehej sërish në krye të qeverisë shqiptare. Janet Bogue nuk e njihte Fatos Nanon. Gjatë vizitës së saj të parë në Tiranë ajo ishte takuar me Presidentin e atëhershëm Rexhep Meidani dhe me kryeministrin Ilir Meta. Në maj 2002, kur ajo, bashkë me shefen e saj, Elizabeth Jones, vizitoi Tiranën për shkak të vdekjes së papritur të ambasadorit Limprecht, Bogue takoi për herë të parë edhe kryeministrin Majko.

Ndryshimet e asaj vere në Tiranë sollën në krye të shtetit shqiptar dy fytyra të reja për znj. Bogue: Presidentin Moisiu, i cili deri atëherë kishte qenë një figurë thuajse e panjohur, dhe Kryeministrin Nano, emri dhe bëmat e të cilit, si kryeministër i dikurshëm dhe njëherësh kryetari i partisë politike më të madhe në Shqipëri, ishin të njohura për të, por jo vetë ai personalisht.

Biseda me znj. Bogue gjatë asaj dreke u përqendrua kryesisht në zhvillimet politike në Tiranë dhe në nevojën për ruajtjen e stabilitetit politik në vend. Më tej u diskutua mbi atë çfarë kishte ndodhur në Rigë, si dhe mbi mundësinë që vendi ynë të merrte ftesë në samitin e ardhshëm të NATO-s, i cili do të mbahej në nëntor të atij viti në Pragë, gjë që, siç kam vënë në dukje më sipër, nuk ndodhi.

Ndryshe nga ç’kisha planifikuar, Janet Bogue nuk më la që ta paguaja unë atë drekë.

“Janet, ftesën ua bëra unë”, i thashë kur pashë se ajo insistoi të paguante.

“Po, Fatos, por unë e kisha bërë ndërmend me kohë të të ftoja”, tha ajo. Pastaj shtoi: “I’ll take a rain check” (do të pranoj një herë tjetër).

 

Agjenda e ngjeshur e Sekretarit Powell ndryshoi planet

Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2002 dhe në gjysmën e parë të vitit 2003, Janet Bogue do të luante një rol shumë të rëndësishëm në forcimin e marëdhënieve mes Departamentit të Shtetit dhe qeverisë shqiptare. Ajo ishte ndër të parat që e përkrahu qysh në zanafillë, madje me shumë entuziazëm, idenë e “Kartës së Adriatikut”, duke marrë pjesë rregullisht në të gjitha aktivitetet e organizuara nga ambasada shqiptare dhe nga ambasadat e Kroacisë e të Maqedonisë në Uashington deri në nënshkrimin e kësaj Karte nga Sekretari Powell në Tiranë, ngjarje për të cilën flas më poshtë.

Për hir të së vërtetës, më duhet të pohoj se ishte pikërisht Janet Bogue ajo që më ndihmoi të realizoja vizitën e Sekretarit të Shtetit Colin Powell në Tiranë, më 2 maj 2003, për të nënshkruar “Kartën e Adriatikut” me ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë.

Historia e organizimit të vizitës së sekretarit Powell në Tiranë është fare e thjeshtë. Zakonisht, vizita e një Sekretari Shteti të Shteteve të Bashkuara përgatitet me kohë. Në rrethana normale, ajo parashikohet disa javë, ose disa muaj më parë. Sekretari Powell kishte qenë në Ballkan dy herë brenda dy viteve: një herë në Shkup, në pranverën e vitit 2001, dhe një herë në Beograd, më 2 prill 2003, tri javë pas vrasjes së kryeministrit të Serbisë dhe Malit të Zi, Zoran Djindjic. Nuk kishte asnjë arsye që Sekretari Powell të vizitonte Ballkanin, aq më pak Tiranën, përsëri në maj të po atij viti, kur Shtetet e Bashkuara ishin angazhuar tashmë ushtarakisht në Irak.

Unë dhe kolegët e mi ambasadorë të Kroacisë dhe Maqedonisë kishim kohë që po merreshim me përgatitjet e vizitave të ministrave tanë të jashtëm në Uashington për të nënshkruar së bashku me Sekretarin Powell “Kartën e Adriatikut”. Fillimisht, siç kam vënë në dukje më sipër, ceremonia e nënshkrimit të “Kartës së Adriatikut” ishte planifikuar të organizohej në Uashington, aty nga fillimi i muajit prill 2003. Ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë do vinin në kryeqytetin amerikan për ta nënshkruar atë dokument së bashku me Sekretarin Powell. Data e nënshkrimit ishte shtyrë dy-tri herë nga java e parë e prillit, në javën e tretë të atij muaji dhe pastaj u shty në 2 maj. Ambasadat tona në Uashington po bënin të gjitha përpjekjet për të organizuar me këtë rast një varg aktivitetesh të përbashkëta me ministrat e jashtëm Ilir Meta, Tonino Picula dhe Ilinka Mitreva, si dhe takime të veçanta dypalëshe me zyrtarë të lartë të administratës dhe me anëtarë të Senatit e të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan.

Ditët e fundit të prillit, Janet Bogue më njoftoi mua të parin dhe pastaj kolegët e mi Ivan Grdesic dhe Nikola Dimitrov se Sekretari Powell e kishte të pamundur të merrte pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të “Kartës së Adriatikut”. Atij i duhej të bënte një udhëtim urgjent në Damask, ku duhej të ishte pikërisht më 2 maj, ditën që ishte planifikuar nënshkrimi i “Kartës” në Uashington. “Në këto kushte”, më tha Janet Bogue, “mua më është kërkuar t’ju njoftoj se Sekretari Powell nuk do të jetë në gjendje t’i presë ministrat e jashtëm të tri vendeve tuaja në Uashington më 2 maj’.

 

Pse Colin Powell zgjodhi Tiranën për të nënshkruar “Kartën e Adriatikut”

Pas kaq muajsh përgatitjesh intensive për këtë vizitë të ministrave të jashtëm të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në Uashington dhe për nënshkrimin me Sekretarin Powell të “Kartës së Adriatikut”, lajmi që më dha Janet Bogue më gjeti të papërgatitur dhe më mërziti. Për një çast qëndrova në telefon me të, pa folur nga që s’dija ç’të thosha. Pastaj e pyeta Znj. Bogue:

“Ç’bëhet tani, Janet?”

“Unë nuk ua kam komunikuar këtë lajm ende ambasadorëve Grdesic dhe Dimitrov. Mendova t’ju njoftoj juve të parin. Ju, natyrisht, do të bisedoni me ta dhe me ministrat tuaj të jashtëm. Alternativat që propozojmë ne janë dy: ose ministrat tuaj të vijnë në Uashington më 2 maj dhe për palën amerikane “Kartën” ta nënshkruajë Zëvendëssekretari i Shtetit, Richard Armitage, ose nënshkrimi i “Kartës” të bëhet nga Sekretari Powell duke e shtyrë datën e nënshkrimit të saj për një kohë të ardhshme, e cila nuk mund të jetë më shpejt se muaji tetor.

“Tetori është larg, Janet”, i thashë unë. “Sa për nënshkrimin e ‘Kartës’ me Zëvendëssekretarin Armitage, mua dhe kolegëve të mi na duhet të bisedojmë me kryeqytetet tona”.

“Prandaj ju mora në telefon”, tha znj. Bogue. “Tani do të flas edhe me Ivanin dhe Nikolën që t’ua komunikoni ministrave tuaj të jashtëm këtë lajm dhe të merrni sa më parë pëlqimin e tyre se për cilin nga dy propozimet tona bien dakord për nënshkrimin e ‘Kartës’: më 2 maj me Zëvendëssekretarin Armitage, apo në vjeshtë me Sekretarin Powell?”

Aty për aty, pa u menduar shumë dhe pa pasur asnjë ide se si do i priste fjalët e mia Janet Bogue, i thashë:

“Janet! Ju jeni përpjekur, së bashku me ne, për muaj me radhë, që ‘Karta e Adriatikut’ të nënshkruhet sa më parë dhe të nënshkruhet nga Sekretari Powell. A mund t’ju propozoj unë një zgjidhje tjetër?

“Çfarë, z. Ambasador?” pyeti ajo.

“Meqenëse Sekretari Powell do të shkojë në Damask më 2 maj, a mundet që ta sjellim atë në Tiranë po atë ditë, për disa orë, që të nënshkruajë me kolegët e tij ‘Kartën e Adriatikut’ në kryeqytetin shqiptar?”

Janet Bogue heshti për një çast, pastaj, me një ton disi skeptik, tha: “Më duket shumë e vështirë, Fatos. Koha është shumë e shkurtër”.

Unë e dija se sa kohë duhej zakonisht për të përgatitur një vizitë të Sekretarit të Shtetit në një vend të huaj, por pse provoja nuk humbisja gjë.

“Do të ishte një zgjidhje e mrekullueshme, Janet”, vazhdova unë. “Nëse kjo ndodh, unë ju siguroj se, me këtë rast, Sekretari Powell mund të nënshkruajë në Tiranë me Kryeministrin Nano edhe marrëveshjen bilaterale mbi paragrafin 98 të Traktatit të Romës, për të cilën kemi kohë që bisedojmë. Pra, një vizitë e Sekretarit Powell në Tiranë zgjidh dy punë. Ai ka qenë në Shkup dhe nuk bën kuptim të shkojë për herë të dytë. Midis Zagrebit dhe Tiranës, Sekretari me siguri do të preferonte Tiranën për shkak të angazhimeve që ka Shqipëria në Irak. Përveç kësaj, unë jam i pari ndër tre ambasadorët që ju vij me këtë propozim, apo jo?”.

“Nuk mund të them dot gjë”, tha përsëri Janet Bogue, pastaj shtoi: “Sidoqoftë do t’ia sugjeroj Sekretarit Powell këtë propozim tuajin”.

“Është e mundur, Janet”, insistova unë, duke e ditur se për një njeri të mirë si ajo nuk mund të tingëlloja jo diplomatik. Pastaj shtova: “Po të përpiqemi, është e mundur”.

“Më lër ta bisedoj me Sekretarin dhe njerëzit e tij dhe do të të kthej përgjigje”, tha Bogue.

Fill pas kësaj bisede telefonike me Janet Bogue i telefonove z. Paige Reffe, i cili, i propozuar nga unë, kishte tre muaj që punonte si konsulent strategjik për qeverinë shqiptare në Uashington.

“Paige”, i thashë sapo ai ngriti receptorin. “Je i lirë për drekë? Dua të bisedoj me ty diçka shumë të rëndësishme”.

“Në 12, te ‘La Tomate’?” pyeti Paige.

“Në 12, te ‘La Tomate’”, konfirmova unë.

Gjatë drekës i shpjegova mikut tim të mirë, Paige, mbi bisedën që sapo kisha bërë në telefon pak më parë me Janet Bogue.

“Është një ide e shkëlqyer, Fatos”, tha ai. “Nënshkrimi i ‘Kartës’ me Armitage është OK, por nëse atë e nënshkruan Sekretari Powell, ngjarja merr tjetër rëndësi dhe do të ketë publicitet më të madh. Nëse Sekretari vendos të vijë në Tiranë, gjithçka merr një dimension tjetër”.

“Ç’mendon ti, sa e mundur është që Powell të vijë në Tiranë?” e pyeta unë.

Paige Reffe, i cili, kur kishte punuar në Shtëpinë e Bardhë kishte drejtuar organizimin e mbi 40 vizitave të Presidentit Bill Clinton anë e mbanë globit, shpjegoi se, nëse Colin Powell dëshironte të ndalonte në Tiranë, kjo, në fund të fundit, varej vetëm nga ai dhe nga askush tjetër. “Por Janet Bogue mund të ndihmojë shumë”, shtoi Paige.

“Janet tha se do më marrë vetë në telefon të më kthejë përgjigje”, ia ktheva unë.

“Do flas edhe unë në telefon me të sot pasdite dhe do kërkoj ta takoj në zyrë që ta përforcoj kërkesën tënde”, tha Paige.

Janet Bogue më telefonoi të nesërmen pasdite.

“Ambasador”, tha ajo. “Kam një lajm të gëzuar për ju”.

Për një çast nuk u besova veshëve. “Vërtet, Janet?”

“Sekretari Powell e priti me kënaqësi propozimin tuaj dhe, po, vendosi të vijë në Tiranë”, tha ajo.

Mora frymë thellë, i emocionuar, pastaj thashë: “How can I thank you, Janet?”

“Nuk ka përse të më falënderosh, Fatos”, tha ajo. “Unë, që në fillim, e pëlqeva edhe vetë këtë ide. Veçse, të lutem, mbaje konfidencial këtë lajm dhe mos ua thuaj në Tiranë derisa ta njoftojë zyrtarisht zyra e Sekretarit Powell”.

E falënderova edhe një herë Janet Bogue, duke e siguruar se do prisja një OK prej saj para se lajmin t’ia bëja të njohur Tiranës.

Po atë ditë, ky lajm iu komunikua në mënyrë konfidenciale Ambasadorit Jeffrey në Tiranë. Po atë ditë, këtë lajm unë dhe Ambasadori Jeffrey ua komunikuam në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri dhe në të njëjtën mënyrë “konfidenciale” Kryeministrit Nano dhe Ministrit të Jashtëm Meta, që në atë kohë mbante edhe postin e zëvendëskryeministrit.

Atë mbrëmje Ivan Grdesic më telefonoi për të më uruar: “Të lumtë, Fatos!”, tha ai. “Ju e meritoni. Ministrit Picula i ka mbetur pak qejfi që Powell zgjodhi Tiranën dhe jo Zagrebin, por sidoqoftë, ju e meritoni. Edhe Picula të dërgon përgëzimet e tij. Ai po bëhet gati për të shkuar në Tiranë”. Nikola Dimitrov më telefonoi pak më vonë për të më shprehur edhe ai përgëzimet e tij. Ivan Grdesic dhe Nikola Dimitrov kanë qenë dhe mbetën deri në fund miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë në Uashington.

A farwell to Janet Bogue, një mikeshe të çmuar të shqiptarëve

Janet Bogue e la detyrën e Zëvendësndihmëses së Sekretarit të Shtetit në qershor 2003, një muaj pas nënshkrimit të “Kartës së Adriatikut”. Më 17 korrik të atij viti, i dërgova asaj këtë letër lamtumire: “E dashur Janet, duke ju shprehur urimet më të mira për suksese të mëtejshme në detyrën tuaj të re në Departamentin e Shtetit, më duhet të pranoj me sinqeritet se më vjen keq që ne ju humbëm juve si Zëvendësndihmësen e Sekretarit të Shtetit. Këta dy vite kanë qenë një periudhë e një bashkëpunimi shumë të frytshëm, për të cilin unë ju jam shumë mirënjohës. Sidoqoftë, ju siguroj se ju do të mbeteni gjithmonë një mikeshë e dashur dhe se do të vazhdoj të jem në kontakt me ju. Kjo është një periudhë shumë e bukur në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe unë shpresoj ta vazhdoj bashkëpunimin e ngushtë që kam pasur me ju edhe me pasardhësin tuaj, Ambasadorin Rossin, për ta çuar më tej atë çka kemi arritur deri më sot dhe për të cilën ju keni meritën më të madhe. Ata që do të punojnë me ju në detyrën tuaj të re janë me fat që do ju kenë juve në gjirin e tyre. Edhe pse Shqipëria nuk do të jetë më në sferën e interesimeve dhe të detyrave tuaja funksionale, unë shpresoj se ju do të vazhdoni, si deri më sot, të jeni një mysafire e nderuar në aktivitetet tona në ambasadën e Shqipërisë. Me konsideratën më të lartë, Juaji, Fatos Tarifa”.

 

(vijon)

November 3, 2019 12:48
Komento

1 Koment

  1. Irma November 3, 23:29

    Faleminderit Profesor.
    Ju respektoj si gjithmone per analizat tuaja te niveleve Te larta dhe mesimdhenese.
    Cdo fjali e qarte e kapshme dhe e kuptueshme nga në.

    Me respekt,

    Irma

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*