SHBA, Karta e Adriatikut dhe zgjerimi i NATO-s në Ballkanin perëndimor II

October 31, 2019 12:08

SHBA, Karta e Adriatikut dhe zgjerimi i NATO-s në Ballkanin perëndimor II

Prof. Fatos Tarifa

 

Pjesa II

Shumëkush ka dëgjuar për “Kartën e Adriatikut”, por askush deri më sot, madje as vetë zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar në gjysmën e parë të viteve 2000, nuk i kanë mësuar detajet mbi historinë e formulimit të këtij dokumenti të rëndësishëm që mundësoi, disa vite më vonë, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Më poshtë unë shpjegoj për herë të parë se si lindi ideja e “Kartës së Adriatikut” dhe si nisi realisht në Uashington përpjekja për hartimin e këtij dokumenti dhe nënshkrimin e tij.

Vetëm dy muaj pas Samitit të Pragës, në Uashington, madje pikërisht në selinë e Ambasadës së Shqipërisë në atë kryeqytet, nisi të materializohej për të parën herë ideja për krijimin e “Kartës së Adriatikut”, si një dokument dhe një instrument që do të formalizonte dhe zgjeronte marrëdhëniet politike e ushtarake mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tre vendeve të Ballkanit perëndimor, të cilët nuk morën ftesë në Pragë (Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë). Detaje mbi ngjarje të veçanta që çuan në materializimin e kësaj ideje lexuesi do të mësojë më shumë në kujtimet e mia nga Uashingtoni, pasi ato të botohen në një kohë të afërt. Këtu dëshiroj t’i prezantoj publikut shqiptar një individ, si Bruce Jackson, me të cilin drejtuesit më të lartë të qeverisë shqiptare në vitet 2002-2005 (Presidenti Moisiu, Kryeministri Nano, Zëvendëskryeministri Meta, Ministri i Mbrojtjes Majko dhe Ministri i Jashtëm Islami) u njohën nga afër. Ai dhe dy ndër bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, Paige Reefe dhe Randy Schuneman (të cilët, në atë kohë lobuan në Uashington për anëtarësimin në NATO respektivisht të Shqipërisë e të Maqedonisë), kishin menduar, në fakt, qysh para Samitit të Pragës, të ndërmerrnin një lëvizje të re për zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s me tre vendet e mbetur jashtë saj nga Grupi Vilnius.

Një “memorandum” dhe një plan për Ballkanin perëndimor

Më 11 nëntor 2002, Bruce Jackson u kishte dërguar Këshilltares së Presidentit Bush për Çështjet e Sigurimit Kombëtar Condoleeza Rice, ambasadorit Dan Fried dhe Nënsekretarit të Shtetit Mark Grossman një memorandum, subjekti i të cilit ishte “The Adriatic Charter”. Një kopje të këtij dokumenti, i cili ishte dhe mbeti për një kohë tepër konfidencial, Jackson ma dha mua në fillim të janarit 2003. Qëllimi i atij memorandumi, siç formulohej në paragrafin e parë të tij, ishte që të analizonte agjendën “post-Pragë” të Administratës amerikane lidhur me Ballkanin perëndimor dhe t’i sugjerohej Shtëpisë së Bardhë që politika e Shteteve të Bashkuara në Europën Juglindore të avancohej më tej, duke krijuar një mekanizëm për përshpejtimin e ndryshimeve demokratike në këtë rajon. Në të argumentohej―dhe për herë të parë formulohej―pikëpamja se ekzsitonin “mundësitë për të koordinuar përpjekjet integruese rajonale dhe euro-atlantike të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në kuadrin e një “Karte të Adriatikut”.

Në memorandumin e z. Jackson theksohej se vendimi që do të merrej dhjetë ditë më vonë, në Samitin e Pragës, për të ftuar shtatë vende të grupit Vilnius të anëtarësoheshin në NATO, rrezikonte që t’i izolonte tri ndër demokracitë më të brishta të Ballkanit Perëndimor. Këta vende, thuhej në memorandum, nga njëra anë ishin dëmtuar prej luftrave që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë dhe, për këtë arsye, kishin mbetur prapa me reformat e tyre demokratike e ushtarake dhe, nga ana tjetër, në dallim nga vendet e Vishegradit dhe vendet balltike, përpjekjet e tyre integruese pengoheshin nga mungesa e kohezionit rajonal.

Në rrethana të tilla, thuhej në memorandumin e z. Jackson, duket se s’ka asnjë gjasë që demokracitë e reja të Adriatikut të mund të arrijnë atë “kohezion politik” që arritën vendet e Vishegradit, ose tre vendet balltike, pa një farë ndikimi dhe drejtimi nga jashtë. Për këtë arsye, ky dokument rekomandonte që, ndërsa pas Samitit të Pragës Aleanca do të kishte një periudhë kohe prej 18 muajsh për ratifikimin e vendimit për zgjerimin e saj me shtatë anëtarë të rinj nga Senati amerikan dhe nga parlamenti i çdo vendi të veçantë anëtar i NATO-s, zgjedhjet presidenciale të vitit 2004 dhe krijimi i administratës së dytë të Presidentit Bush e bënin “të besueshme në mënyrë të arsyeshme” se mundësia tjetër për t’u bërë ftesë këtyre tre vendeve që të anëtarësoheshin në NATO do të ishte, afërsisht, qershori i vitit 2006. “Kështu”, vijonte më tej memorandumi, “Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia kanë tre vite e gjysmë kohë për të përfunduar reformat e tyre demokratike dhe për të dëshmuar se ato mund t’i kontribuojnë sigurisë euro-atlantike. Një ekzaminim i shpejtë i këtyre dy objektivave tregon se ato mund të arrihen më së miri (madje, ndoshta vetëm) përmes veprimit të përbashkët”.

Mbështetur në këtë logjikë, në memorandum theksohej se “një forum rajonal, i cili do u lejonte vendeve të Adriatikut të shfrytëzonin resurset e përbashkëta dhe eksperiencat më të mira të njëri-tjetrit, mund të shërbente për të përshpejtuar reformat në fushën e mbrojtjes, për të thelluar integrimin e minoriteteve dhe për të organizuar operacione të përbashkëta kundër trafikantëve”. Në memorandum vihej në dukje, gjithashtu, se eksperienca e sukseshme e vendeve të grupit Vilnius konfirmonte se “demokracitë e vogla të Europës Qendrore [dhe vendeve balltike] mund t’i kontribuojnë sigurisë euro-atlantik duke i kontribuar sigurisë rajonale”. Ky argument, theksohej në memorandum, nuk është askund më i vërtetë sesa në Ballkan, prandaj “the Holy Grail (Kupa e shenjtë) e Europës juglindore është ai mekanizëm, ose institucion, që përfundimisht do t’i lidhë kombet e Ballkanit perëndimor në një marrëdhënie të vazhdueshme bashkëpunimi, respekti reciprok dhe qëllimi të përbashkët, të ngjashëm me marrëdhëniet që kanë sot vendet balltike dhe ato nodrike”.

Më tej, memorandumi vinte në dukje se politika e Shteteve të Bashkuara nuk është tërësisht indiferente ndaj rezultatit të përpjekjeve të këtyre tre vendeve për t’u kualifikuar për anëtarësim në NATO në periudhën pas Pragës. Ai theksonte se “integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në Aleancë do të siguronte pjesën më të pastabilizuar të Europës, do të mundësonte forcat tona [ushtarake] të ridislokoheshin dhe do të përforconte lidhjet mes Turqisë dhe Europës. Për më tepër, suksesi i transformimit demokratik në Ballkanin Perëndimor do të ishte jo më pak sesa finalizimi i vizionit të Presidentit George W. Bush për një Europë të lirë, nga Balltiku në Detin e Zi. Integrimi i Ballkanit perëndimor do të ishte prova e parë se politika e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur paqen dhe për të zgjeruar zonën ku shtrihet ajo ka rezultuar në fitoren e demokracive të reja multietnike dhe multifetare, në luftë me diktaturën, me mungesën e stabilitetit dhe me urrejtjen. Provat se Aleanca Atlantike ka pasur sukses në krijimin e demokracive të qëndrueshme në Ballkan do ta përforconin argumentin se ne [amerikanët] mund t’u ofrojmë alternativa demokratike popujve të Afganistanit dhe të Irakut”.

Në këtë memorandum, Bruce Jackson argumentonte, gjithashtu, se “gjatë dhjetë viteve të fundit, institucionet e përkohëshme ad hock kishin qenë mjaft të efektshme. Duke filluar me vendet e Vishegradit, pastaj Partneriteti për Paqe [Partnership for Peace―PfP], Plani i Veprimit për Anëtarësim [Membership Action Plan―MAP], Karta e Balltikut, Grupi Vilnius dhe dimensioni i tij jugor, këto asociacione të ndërmjetme dhe struktura të përkohëshme kanë shërbyer për të përshpejtuar reformat demokratike në të gjithë Europën Qendrore dhe Juglindore”. Sipas tij, politika e Shteteve të Bashkuara duhej të rikonsideronte përdorimin e mekanizmave tranzitorë në Ukrainë, në vendet rreth Detit të Zi dhe në Ballkanin perëndimor. Jackson vlerësonte në këtë memorandum se “Karta e Balltikut është modeli më i përshtatshëm për atë që mund të bëhet ‘Karta e Adriatikut’”.

Bruce Jackson, një misionar jozyrtar i Uashingtonit

Në Tiranë, emrin e tij e kishin dëgjuar për herë të parë vetëm në tetor të vitit 2002, kur z. Jackson shprehu dëshirën të vizitonte Tiranën për të parën herë. Duke komunikuar në atë kohë me kryeministrin Fatos Nano, i shpjegova atij se ç’përfaqësonte ky individ në Uashington dhe cilat ishin lidhjet e tij me Shtëpinë e Bardhë. Unë e cilësova z. Jackson një farë “ministri pa portofol” për administratën e Presidentit Bush dhe i shpjegova pse ishte e rëndësishme që të bashkëpunohej me të. Jo rastësisht, ndoshta, disa muaj më vonë, më 1 may 2003, revista American Prospect botoi një portret të z. Jackson, shkruar nga John Judis, i cili titullohej, po ashtu, “Minister without portfolio”.

Në fund të viteve 1990 dhe pothuajse gjatë gjithë periudhës së administratës së Presidentit George W. Bush, Bruce Jackson ka qenë një ndër ata të paktë qytetarë amerikanë, të cilët, pa pasur asnjë funksion në administratë, kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm (si këshilltarë) në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Një rol të tillë në politikën e jashtme të Presidentit Reagan kishin luajtur më parë, gjatë skandalit Iran-Contra, individë si Michael Ledeen e të tjerë.

Gjatë administratës së Presidintit Bush, individë të tillë kanë lujtuar një rol të rëndësishëm në projektimin e politikave qeveritare, veçanërisht lidhur me zgjerimin e NATO-s, me politikën ndaj Lindjes së Mesme dhe, veçanërisht, me përgatitjet dhe justifikimin e Luftës në Irak. Rasti i neokonservatorit Richard Perle, i cili kishte qenë Ndihmëssekretar i Mbrojtjes në administratën e Presidentit Regan dhe, pas vitit 2001 (deri më 2003), kryetar i Bordit të Politikave të Mbrojtjes, është mjaft i njohur. Edhe pse thjesht një konsulent, si kryetar i këtij bordi, Perle ushtroi një influencë mjaft të madhe në hartimin e strategjisë së administratës së Presidentit Bush për Irakun, sidomos lidhur me strategjinë që duhej të ndiqte Uashingtoni ndaj qëndrimit të Kombeve të Bashkuara për Irakun. Edhe pse më pak i njohur sa Richard Perle, Bruce Jackson ishte një ndër ata konsulentë, i cili ka ndikuar mjaft në politikën e jashtme të administratës Bush.

Në vitet 1980, pra, në periudhën e presidentëve Ronald Reagan dhe George H. W. Bush, Jackson kishte punuar në shërbimet sekrete, derisa u emërua të punonte në Pentagon, si ndihmës i Richard Perle dhe i neokonëve të njohur Paul Wolfowitz dhe Dick Cheney. Në vitin 1993, Bruce Jakson u largua nga Pentagoni dhe nisi të punonte për korporatën Martin Marietta, e cila, më 1995, u bashkua me kompaninë Lockheed, duke krijuar gjigandin Lockheed Martin, një ndër kontraktuesit më të mëdhenj të prodhimit të armëve në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1997, Jackson u emërua drejtor për zhvillimin global në Lockheed Martin, detyrë që synonte gjetjen e tregjeve të reja ndërkombëtare për produket e kësaj korporate.

Në mes të viteve 1990, ndërsa punonte për Lockheed Martin, Jackson u bë një promovues i zellshëm i zgjerimit të NATO-s në Europën Qendrore dhe Lindore dhe, në vitin 1995, krijoi organizatën think-tank “U.S. Committee on NATO”, në të cilën bënin pjesë figura të tilla republikane të njohura, si Donald Rumsfeld, Dick Cheney, Colin Powell, Stephen Hadley, Richard Perle etj. Jackson ishte dhe mbeti deri në fund (2002) President i kësaj organizate. Ai dhe Komiteti i tij luajtën, në fakt, një rol shumë të rëndësishëm për të siguruar mbështetjen e Senatit amerikan që të votonte, më 1997, në favor të pranimit të vendeve të Vishegradit (Polonisë, Hungarisë dhe Republikës Çeke) në NATO, duke u shprehur, siç mbahet mend të ketë thënë, se “kostoja e çdo taksapaguesi amerikan për pranimin e këtyre vendeve në Aleancën e Atlantikut Verior do të ishte sa ajo e një karameleje”. Fill pas pranimit të vendeve të Vishegradit në NATO, më 1 maj 1999, Bruce Jackson dhe “U.S. Commitee on NATO” filluan punën për formalizimin, vetëm një vit më vonë, në maj të vitit 2000, të një grupi të ri vendesh, që u quajt “Vilnius Ten”, për të cilin kam shkruar më sipër.

Edhe pse angazhimet e tij me Komitetin për NATO-n i merrnin z. Jackson shumë kohë, në vitin 1999 Lockheed Martin e promovoi atë duke e bërë Zëvendëspresident të korporatës. Një politikan neokonservator i njohur në Uashington, emri i të cilit nuk më vjen ndër mend ndërsa shkruaj këto radhë, e ka njohur nga afër z. Jackson në vitet 1990 dhe e ka cilësuar atë si “ndërmjetësi mes industrisë së mbrojtjes dhe neokonservatorëve. Ai na përkthente ne tek ata dhe ata tek ne”. Në fakt, Bruce Jackson ka qenë tepër aktiv në politikën republikane. Në vitin 1996, ai kishte qenë bashkëkryetar (për çështjet financiare) i fushatës presidenciale të kandidatit republikan Bob Dole. Në vitin 2000, gjatë fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Bruce Jackson u bë hartuesi i platformës për politikën e jashtme në konventën e republikanëve. Më vonë, senatori republikan John McCain e angazhoi atë në grupin e këshilltarëve të tij të afërt për politikën e jashtme gjatë fushatës presidenciale në vitin 2008.

Bruce Jackson u largua nga Lockheed Martin në vitin 2002, për t’iu përkushtuar tërësisht zgjerimit të NATO-s dhe për të lobuar në Uashington për realizimin e këtij misioni. Ndërkohë, ai ishte bërë një misionar jozyrtar i administratës së Presidentit George W. Bush. Në shkurt të vitit 2003, gazeta Le Monde komentonte se Bruce Jackson kishte qenë kontraktuar nga qeveria rumune për të bërë të mundur që ky vend të merrte në Samitin e Pragës ftesën e anëtarësimit në NATO, pretendim të cilin (edhe pse Rumania e mori vërtet këtë ftesë në Pragë), vetë Jackson, në atë kohë, e kishte përgënjeshtruar.

Pas ardhjes në krye të Shtëpisë së Bardhë të Presidentit George W. Bush, zyrtarë të lartë të disa vendeve të Europës Lindore filluan ta shihnin z. Jackson si një “përfaqësues” të administratës amerikane, edhe pse ai nuk kishte asnjë pozicion zyrtar në atë administatë. Kolegu im ambasador i Lituanisë në Uashington, Vigodas Usackas, është shprehur në një rast se, për qeverinë e vendit të tij, Bruce Jackson mund të konsiderohej si “ambasadori jozyrtar i Shteteve të Bashkuara në NATO”. Eduard Shevardnadze, Presidenti i Gjeorgjisë nga viti 1995 deri më 2003, pas takimit të tij në Tbilisi me z. Jackson, e kishte cilësuar atë si “një zyrtar me influencë, opinioni i të cilit dëgjohet në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara”. Nga ana e vet, Nicholas Burns, në atë kohë ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO, i cilësonte angazhimet e z. Jackson si “një pjesë shumë e rëndësishme e përpjekjeve [të Uashingtonit] për të siguruar bashkëpunimin e qeverive të vendeve ish-komuniste”. Julian Avans, duke shkruar për Euromoney, e cilësonte Bruce Jackson-in si “njeriun që e zgjeroi NATO-n në Lindje”.

Në vjeshtën e vitit 2002, kohë në të cilën Bruce Jackson më shprehu dëshirën që të vizitonte Tiranën, ai sapo ishte ngarkuar të krijonte një Komitet për Çlirimin e Irakut (Committee for the Liberation of Iraq). Në një intervistë të tij në atë kohë, mbaj mend që Jackson është shprehur, pak a shumë, me këto fjalë: “Njerëzit e Shtëpisë së Bardhë më thanë: ‘Ne duam që ju të bëni për Irakun të njëjtën gjë që bëtë për NATO-n’”.

Ky ishte Bruce Jackson dhe, si ambasadori i Shqipërisë në Uashington, në këtë dritë ia prezantova atë Kryeministrit Nano dhe zyrtarëve të tjerë më të lartë të vendit tim, duke u rekomanduar që ta prisnin në Tiranë e të bashkëpunonin me të.

 

(vijon nesër)

October 31, 2019 12:08
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim