SHBA, Karta e Adriatikut dhe zgjerimi i NATO-s në Ballkanin perëndimor VI

November 4, 2019 12:43

SHBA, Karta e Adriatikut dhe zgjerimi i NATO-s në Ballkanin perëndimor VI

Prof. Fatos Tarifa

 

Pjesa VI

 

Për shkak se Shqipëria ka qenë tejet e izoluar për pjesën më të madhe të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, për shkak se kontaktet dhe ndërveprimi i saj me komunitetin ndërkombëtar kanë qenë shumë të kufizuar, vlerësimet dhe parashikimet për progresin e saj―siç dëshmuan edhe ngjarjet e kohëve të fundit lidhur me refuzimin për çeljen e negociatave mes BE-së dhe Tiranës e Shkupit―për disa vende kanë qenë e vazhdojnë të jenë jo shumë positive dhe optimiste. Rasti i Maqedonisë së Veriut është i ndryshëm nga i yni. Izolimi i gjatë i Shqipërisë deri vonë e ka pas kufizuar shumë njohjen e të huajve për vendin tonë dhe për popullin shqiptar. Kjo është një arsye më shumë pse Shqipëria dhe shqiptarët, kudo që janë, kanë pasur nevojë dhe kanë nevojë t’ua thonë të tjerëve historinë e tyre, si atyre që nuk kanë pasur asnjë eksperiencë të drejtpërdrejtë me Shqipërinë, ashtu edhe veshëve të informuar në administratën amerikane, ose në kryeqytetet e vendeve anëtarë të NATO-s dhe të Bashkimit Europian―edhe në Paris, edhe në Hagë, edhe në Kopenhagen.

Të tregojmë realisht historinë tonë të sotme

Shumë zhvillime pozitive kanë ndodhur në Shqipëri qysh nga fillimi i transformimeve demokratike në fund të vitit 1990. Por, ndërsa flasim për dukuritë pozitive, ne shqiptarët, më mirë se çdo vëzhgues i huaj, i njohim dhe jemi të ndërgjegjshëm edhe për dukuritë negative dhe vështirësitë reale që ndeshim në luftën kundër tyre. Ne kemi akoma një rrugë të gjatë për të bërë, por ne kemi bërë ndërkohë një rrugë mjaft të gjatë për të arritur këtu ku jemi. Ne, të gjithë së bashku, e kemi transformuar Shqipërinë nga një vend autoritarist dhe represiv, përvojën e të cilit në asnjë trajtë të ngjashme vendet perëndimore fatmirësisht nuk e kanë njohur pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në një vend demokratik. Dhe sa rrugë drejt progresit kemi bërë deri më sot dëshmon se sa larg mund të shkojmë akoma në të ardhmen. Unë vet e besoj këtë. Unë nuk mendoj se ne shqiptarët jemi të nëmur të qendrojmë pas popujve të tjerë europianë.

Në mesin e viteve 2000, qeveria shqiptare, përmes ambasadës së saj në Uashington, si dhe përmes ambasadës amerikane në Tiranë, bëri një punë shumë të mirë për t’ua bërë të njohura arritjet e saj administratës dhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Në atë kohë, për gati 12 vite me radhë, Shqipëria ishte bërë një vend anëtar mjaft aktiv dhe kontribues në Partneritetin për Paqe (Partnership for Peace―PfP) të NATO-s. Ajo kishte realizuar me sukses objektivat specifikë që përcaktonte procesi MAP për anëtarësim në NATO. MAP provoi se ishte një proces shumë i dobishëm, i cili ka shërbyer si një instrument matës për vlerësimin e progresit të bërë në fushën e reformës ushtarake. Ky proces ishte jo vetëm një objektiv, por edhe një motivim për progres të mëtejshëm. Plani i Aktivitetit për Anëtarësim ndihmoi që Shqipëria t’i modernizonte forcat e saj ushatarake në përputhje me standartet e NATO-s. Në atë kohë, Shqipëria kishte arritur një rekord shumë pozitiv, që dëshmonte se vendi ishte rreshtuar tashmë vendosmërisht në krah dhe në dobi të një komuniteti më të gjerë. Tirana kishte nënshkruar ndërkohë një numër marrëveshjesh bashkëpunimi dy dhe shumëpalëshe. Trupat shqiptare shërbenin në Irak, në Afganistan dhe në Bosnje. Vetëm gjatë vitit 2005, Shqipëria mori pjesë në afro 20 stërvitje të përbashkëta ushtarake, me NATO-n, me Shtetet e Bashkuara dhe me fqinjët e saj, Maqedoninë dhe Kroacinë, duke kontribuuar bashkërisht për ruajtjen dhe forcimin e paqes e të sigurisë në rajon.

Pranimi i vendeve të Europës Lindore e Qendrore në NATO nuk ka qenë dhe nuk është thjesht një çështje reforme ushtarake. Anëtarësimi në këtë organizatë ka nënkuptuar e nënkupton një varg reformash komplekse e të vështira në fusha nga më të ndryshmet. Shqipëria, ashtu si dhe fqinjët e saj, partnerë në “Kartën e Adriatikut”, vlerësoheshin e do të vlerësohen nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO në tërësinë e zhvillimeve të tyre. Nuk është se “një pjesë” ka më shumë rëndësi se një “pjesë” tjetër, apo se “një pjesë” mund të veçohet si “pjesa vendimtare”. Ndryshe nga fizika njutoniane, çdo veprim në këtë proces krijon një reagim, i cili shpesh është i pabarabartë dhe disproporcional. Sikurse kishte vepruar edhe në dy raundet e mëparshëm të zgjerimit të NATO-s, Uashingtoni i shihte dhe i vlerësonte “pjesët” si të pandara; ato të gjitha kishin (dhe kanë) rëndësi. Procesi i anëtarësimit në NATO ka provuar se ai është pothuajse unik në kohët moderne për aplikimin kritik të metaforës se të gjitha pjesët duhet të lëvizin përpara në radhë e të koordinuara njëra me tjetrën. Kjo mund të thuhet gjithashtu edhe për të gjithë ata që na vëzhgojnë―nga brenda dhe nga jashtë―teksa përpiqemi të ndërtojmë e të transformojmë shoqërinë tonë. Disa fokusohen nga afër dhe vetëm në pjesë specifike të punës, të tjerë e vlerësojnë atë si një të tërë.

Po kështu, bashkëpunimi me administratën amerikane dhe agjensitë e ndryshme federale të Shteteve të Bashkuara në ndërveprimet e tyre me Shqipërinë për anëtarësim në NATO nuk ishin thjesht një çështje “të influencuari”, ose “lobimi”, por kishte të bënte në atë kohë―dhe ka të bëjë edhe sot―me përmbushjen e objektivave të caktuar. Në këtë çështje nuk mund të ketë anashkalim, buzëqeshje hipokrite apo maskime kozmetike. Retorika politike nga ana e qeverisë shqiptare apo e çdo qeverie tjetër nuk mjaftonte dhe nuk mjafton. Nga Uashingtoni, ashtu sikurse edhe nga Brukseli sot, gjithnjë janë kërkuar dhe kërkohen veprime që rezultojnë në arritje të dukshme. Kjo është arsyeja që Shqipërisë i duhej të vinte “pikat mbi çdo i” në procesin MAP. Ky është treguesi më i qartë i besimit që Shqipëria kërkonte në atë kohë të fitojnte te Shtetet e Bashkuara dhe te partnerët e saj europianë, si dhe i vendosmërisë së saj për t’iu bashkuar Aleancës së Atlantikut Verior.

Megjithatë, edhe po të përmbusheshin të gjitha kërkesat e MAP, të cilat, me dy fjalë, mund të përmblidheshin në “interoperabilitet” dhe në “kapacitete niche”, kjo nuk do të mjaftonte të Shqipëria të merrte ftesën për anëtarësim në NATO në të njëjtën kohë me shtatë vendet e tjerë të grupit Vilniut-10. Përmbushja e kritereve të MAP ishte vetëm një ndër vështirësitë që duheshin përballuar në procesin e anëtarësimit. Edhe pse MAP ishte një prag (edhe pse teknik), që duhej kapërcyer, ai ishte një predikat i domosdoshëm që çonte në një vendim politik pozitiv mbi pranimin e vendit tonë në NATO. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte në atë kohë i kushtëzuar nga një seri faktorësh që dëshmonin se me ç’maturi vepronte vendi ynë si një demokraci dhe si një ekonomi e lirë tregu. Dhe ishin pikërisht progresi i saj i gjithanshëm dhe angazhimi i saj i vendosur, i demonstruar sa e sa herë gjatë viteve të fundit, ata faktorë që e bënë vendin tonë një kandidat optimist për anëtarësim në NATO në një periudhë të afërt pas vitit 2004.

Ekonomia shqiptare vazhdonte në atë kohë të ishte e qëndrueshme dhe karakterizohej nga një tendencë konstante rritjeje 5 deri 6 për qind në vit. Inflacioni vazhdonte të mbahej nën kontroll në masën 3 për qind për disa vite me radhë. Të ardhurat në buxhetin e shtetit nga mbledhja e tatimeve dhe investimet e huaja gjithashtu kishin shënuar rritje. Po kështum ishin rritur ndjeshëm të ardhurat mesatare për frymë të popullsisë. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar vazhdimisht i kishin rinovuar kreditë e tyre për Shqipërinë, mbështetur mbi performancën ekonomike të saj. Në pranverë të vitit 2005, Bordi i Drejtorëve të FMN-së e kishte vlerësuar performancën ekonomike të vendit tonë “të shkëlqyer…sipas të gjithë standarteve ndërkombëtarë apo rajonalë”. Po në fillim të atij viti, Shqipëria u raportua se ishte ngjitur në klasifikim më shumë se çdo vend tjetër në Indeksin Botëror të Lirisë Ekonomike (World Index of Economic Freedom). Dhe, siç e dimë të gjithë, rritja ekonomike, stabiliteteti ekonomik dhe përmirësimi i klimës për biznesin janë tregues shumë të rëndësishëm të stabilitetit të një kombi. Përveç të tjerash, në atë kohë, qeveria shqiptare kishte nënshkruar një sërë marrëveshjesh të tregëtisë së lirë me të gjithë vendet e rajonit dhe shpresonte që të mbyllte negociatat me Bashkimin Europian për Marrëveshjen e Stabilizimit dhe të Asociimit.

Një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë

Një ndër zhvillimet më të rëndësishme në Shqipërinë e shekullit të 21-të është se shqiptarët tani dinë të çmojnë gjithnjë e më shumë rëndësinë e bashkëpunimit me fqinjët e tyre. Partneriteti i Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të “Kartës së Adriatikut” ka qenë një eksperiencë shumë pozitive dhe e ka zgjeruar jashtëzakonisht bashkëpunimin në rajon në aspekte të tillë, siç janë kontrolli i kufijve, shkëmbimi i inteligjencës, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, reforma në fushën e mbrojtjes e të sigurisë etj. Në mesin e viteve 2000, këta tre vende kishin filluar të bashkëpunoin mes tyre dhe me vende të tjerë të rajonit si asnjëherë më parë. Përveç kësaj, ky partneritet krijoi një kornizë institucionale, e cila shërbeu për të rritur vizibilitetin e rajonit tonë në kryeqytetin amerikan dhe në kryeqytetet e vendeve të tjerë anëtarë të NATO-s. Ai krioi një mekanizëm konkret për angazhimin e drejtpërdrejtë të administratës amerikane në çështje që kishin të bënin me anëtarësimin e vendeve tanë në NATO, ndërkohë që Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia punonin, më vete dhe bashkërisht, për të përmbushur detyrat që kishin në këtë drejtim.

Arritjet e Shqipërisë dhe të dy partnerëve të saj të “Kartës së Adriatikut” për të përmbushur detyrimet që kushtëzonte anëtarësimi në NATO ishin të konsiderueshme; ato u njohën dhe u vlerësuan si në Uashington, edhe në Bruksel. Në fjalën që mbajti në ceremoninë e organizuar në Shtëpinë e Bardhë, më 29 mars 2004, me rastin e pranimit të shtatë vendeve të grupit Vilnius në NATO, Presidenti Bush vuri në dukje progresin e bërë nga Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia dhe shprehu mbështjetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e tre vendeve tanë në NATO në një kohë afërt. Në atë fjalë, Presidenti Bush tha: “Këta tre vende, të bashkuar në Kartën e Adriatikut, po ndërtojnë demokraci të forta në vendet e tyre dhe mund të kontribuojnë në përpjekjet e NATO-s jashtë hapësirës së saj. Shtetet e Bashkuara i mbështesin përpjekjet e tyre. Porta për anëtarësimin në NATO do të mbetet e hapur derisa e tërë Europa të jetë e bashkuar në liri dhe paqe”.

Të nesërmen pas asaj ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan, në Rezolutën 558 që miratoi me 422 vota pro dhe 2 vota kundër, rikonfirmoi më qartë se kurdoherë mbështetjen e organit më të lartë legjislativ amerikan për anëtarësimin e Shqipërisë, të Kroacisë dhe të Maqedonisë në NATO dhe, për të parën herë, u propozoi qeverive të vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut Verior që të përcaktonin një afat kohor, brenda të cilit tre vendet tanë do të merrnin ftesën e antarësimit në NATO―jo më vonë se viti 2007. Kjo Rezolutë përfundonte duke u shprehur se: [Dhoma e Përfaqësuesve] “(1) mirëpret me entuziazëm pranimin e Bullgarisë, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO); (2) riafirmon se procesi i zgjerimit të NATOs forcon sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe të krejt zonës së Atlantikut Verior; (3) shprehet dakord që procesi i zgjerimit të NATO-s duhet të mbetet i hapur për anëtarësimin e mundshëm të çdo demokracie europiane, që është e interesuar dhe plotëson kriteret për anëtarësim në NATO, siç janë përcaktuar në Studimin e vitit 1995 mbi Zgjerimin e NATO-s dhe pranimi i të cilëve do të zhvillojë më tej parimet e Traktatit të Uashingtonit të vitit 1949 dhe do të forcojë sigurinë në zonën e Atlantikut Verior; dhe (4) rekomandon që kryetarët e shteteve dhe të qeverive të [vendeve anëtarë] të NATO-s të konsiderojnë procesin e zgjerimit, duke përfshirë aplikimet e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në një mbledhje të samitit që duhet të mbahet jo më vonë se viti 2007”.

Në “Kartën e Adriatikut”, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia gjetën jo vetëm një motivim, por edhe energjinë e duhur ndërsa bashkëpunonin mes tyre për zgjidhjen e një vargu çështjesh rajonale, me ndikimi në çdo vend të veçantë. Me zgjerimin e veprimtarive të përbashkëta, që synonin realizimin e objektivave të “Kartës së Adriatikut”, u pa gjithnjë e më mirë se sa pozitivisht reflektonin ato mbi Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë dhe krejt rajonin tonë në Uashington, në Bruksel, në Londër apo në Berlin. Dhe, pothuaj njëlloj si në rastin kur prezantohet etiketa e një produkti të ri, “Adriatik 3” apo “A-3” u bë shpejt një term i njohur në zhargonin politik të Uashingtonit, në rajonin tonë dhe më gjerë për rezultatet produktive që filloi të japë bashkëpunimi i vendeve tanë qysh nga nënshkrimi i “Kartës së Adriatikut” në Tiranë, në 2 maj 2003. Në Uashington, në atë kohë, ambasada e Shqipërisë dizenjoi dhe shpërndau në masë një “bumper sticker”, që lexonte: Complete Europe, Go Adriatic: Albania, Croatia, Macedonia.

Partneriteti i ngushtë mes qeverisë shqiptare dhe qeverive të Kroacisë e të Maqedonisë me Shtetet e Bashkuara demonstroi vizionin e përbashkët të tre vendeve tona dhe të Uashingtonit për një Europë Juglindore të sigurtë e në paqe, në të cilën, vendet partnerë të “Kartës” dhe fqinjët e tyre do të ishin anëtarë me të drejta të plota dhe kontribues të një komuniteti Euroatlantik vlerash të përbashkëta. “Karta e Adriatikut” përbënte një instrument të fuqishëm për t’i ndihmuar Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë që të përmbushnin aspiratën e tyre të përbashkët për t’u bërë abëtarë të NATO-s. Që Shtetet e Bashkuara qëndruan përkrah tre vendeve tanë në këtë partneritet kaq besnikërisht, me kaq respekt dhe për kaq gjatë, kjo në vetvete ishte një motivim dhe një inkurajim i madh për qeveritë dhe popujt e këtyre tri vendeve. “Karta e Adriatikut” kishte shumë rëndësi për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë pasi ajo, veç të tjerash, tregoi se sa seriozisht e angazhuar ishte qeveria amerikane për të ndihmuar vendet tanë në arritjen e qëllimeve të tyre.

Shqipëria në NATO

Po të vësh re dinamikën e zgjerimit të NATO-s në këta 70 vite të ekzistencës së saj, kupton se zgjerimi i kësaj organizate me anëtarë të rinj ka ardhur duke u përshpejtuar. Pranimi në marsin e vitit 2004 i shtatë vendeve të rinj anëtarë përbënte jo vetëm zgjerimin më të madh të kësaj organizate me një numër më të madh shtetesh se në çdo zgjerim të mëparshëm të saj, por edhe periudhën më të shkurtër kohore midis dy raundeve të zgjerimit të saj. NATO u krijua më 1949 me 12 anëtarë. Më 1952 kësaj organizate iu bashkuan Greqia dhe Turqia dhe, më 1955, Republika Federale Gjermane. Spanja u bë anëtare e NATO-s vetëm më 1982, pra 27 vite më vonë. U deshën të kalojnë 17 vite të tjerë që kjo organizatë të çelte dyert e saj për anëtarësimin e vendeve të tjerë, këtë herë nga radhët e demokracive të reja postkomuniste, kur, më 1999, Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke u bënë de juro anëtarë të saj. U deshën vetëm pesë vite që shtatë vende të tjerë të Europës Qendrore dhe Lindore, anëtare të Grupit Vilnus, të fitonin anëtarësinë e tyre në NATO. Në mesin e viteve 2000 ishte tërësisht e arsyeshme të besohej se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, të vetmet vende kandidatë në atë kohë që e mbanin gjallë lëvizjen historike për zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s, të pranoheshin në këtë organizatë si anëtarë me të drejta të plota brenda një periudhe kohe më të shkurtër sesa ajo që ishte dashur deri atëherë midis dy raundeve të njëpasnjëshëm të zgjerimit të saj.

Dhe kështu ndodhi. Shqipëria dhe Kroacia morën ftesën për anëtarësim në NATO në samitin e kësaj organizate në Bukuresht, më 2008, dhe u bënë anëtarë me të drejtë të plota më 1 prill 2009. Në atë kohë, Maqedonia, partnerja e tyre në “Kartën e Adriatikut”, u refuzua në mënyrë të njëanshme nga Greqia, përmes vetos së saj, për çështjen e emrit të saj “Maqedoni”. Kjo çështje u zgjidh në mënyrë të dyanshme mes Greqisë dhe Maqedonisë, me Marrëveshjen e Prespës (qershor 2018), kur kjo e fundit pranoi të quhej “Maqedoni e Veriut” (Republic of North Macedonia). Një muaj pas kësaj ngjarjeje, Maqedonia gjithashtu mori ftesën për të çelur negociatat për anëtarësim në NATO dhe pritet, në fillim të vitit të ardhshëm, të bëhet vendi anëtar i 30-të i kësaj organizate, pas Malit të Zi, i cili iu asociua “Kartës së Adriatikut” më vonë, por u pranua si një vend anëtar i NATOs në vitin 2017.

Nga gjithë sa shtjellova më sipër, bie në sy mbështetja e fuqishme e Shteteve të Bashkuara për zgjerimin e NATO-s me vendet e Europës Qendrore e Lindore, duke vënë në jetë vizionin largpamës të presidentëve Bill Clinton dhe George W. Bush. Pa mbështetjen aktive dhe pa ndihmën e gjithanshme të Shteteve të Bashkuara, Shqipëria dhe vendet e tjerë të Ballkanit nuk do të ishin sot anëtarë të NATO-s. Qëndrimi i Administratës amerikane dhe i Kongresit amerikan kanë qenë vendimtar në përcaktimin e kësaj strategjie dhe në tërë procesin e realizimit të saj.

 

(fund)

November 4, 2019 12:43
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*