Shefki Çota: Prioritetet e mia për Librazhdin

June 12, 2015 10:01

Shefki Çota: Prioritetet e mia për Librazhdin

Kandidati i Aleancës Popullore, Shefki Çota pas pak ditësh pret të fitojë mandatin e dytë për drejtimin e bashkisë së Librazhdit. Në këtë intervistë për gazetën ‘DITA’, ai shpalos programin e tij të qeverisjes vendore për katër vitet e ardhshme dhe tregon se cilat do të jenë prioritetet e tij për bashkëqytarët librazhdas. Një sërë projektesh befasuese për infrastrukturën, bujqësinë dhe turizmin. Ku e mbështet ai optimizmin për realizimin e objektivave që i ka vënë vetes…

– Zoti Shefki, ju kini qenë për katër vjet kryetar i Bashkisë së Librazhdit dhe kandidoni më 21 qershor për një mandat të dytë me mbështetjen e partisë Aleanca Popullore. Cili mendoni se është problemi më i madh i Bashkisë së Librazhdit dhe çfarë hapash do të ndërmerrni për ta zgjidhur këtë problem gjatë mandatit tuaj?

– Për mua problemi kryesor për njësinë e re vendore të Bashkisë së Librazhdit,është infrastruktura rrugore, mungesa e një tregu të produkteve bujqësore dhe papunësia. Detyra jonë është që këto probleme t’i marrim dhe t’i zgjidhim një e nga një. Mendoj se për infrastrukturën hapi i parë duhet të nisë nga hartimi i projekteve për çdo rrugë. Në këtë aspekt dua të shtoj se Bashkia Librazhd aktualisht ka krijuar një binjakëzim dhe një marrëveshje me disa vende si Gjermaninë, Zvicrën dhe Bashkinë e Ulqinit në Mal të Zi. Të gjitha këto projekte mund të thithen nëpërmjet BE, përfshi edhe Fondin e Zhvillimit të Rajoneve. Për sa i përket produkteve bujqësore kemi menduar ndërtimin e një dhome frigoriferike që të jetë pranë qendrës së bashkisë për të thithur të gjitha produktet bujqësore, blegtorale që vijnë nga fshati, në mënyrë që të gërshetohet puna për t’u ardhur në ndihmë prodhuesve, që tepricat t’i kenë të garantuara dhe t’i shesin në çdo kohë në treg. Sa i përket punësimit edhe në bashkinë Librazhd ka një përqindje të lartë papunësie në krahasim me disa vite më parë dhe për këtë kam gjykuar që nëpërmjet tregut të biznesit, duke lehtësuar tarifat dhe taksat, të hapen sa më shumë biznese të reja,duke shtuar kështu vendet e punës. Po kështu, nëpërmjet programit të nxitjes së punësimit, do të hap edhe një fasoneri këpucësh, në bazë të një marrëveshjeje brenda tregut të bashkisë që të punësohen rreth 150 punëtorë.

– Çfarë synoni të arrini në vitin e parë të rimarrjes së mandatit tuaj në disa nga sektorët kyç të ekonomisë ?

– Ne jemi të bindur se Bashkia e Librazhdit mbart problematika të mëdha infrastrukturore dhe mendoj se hapi i parë, do të jetë ndërhyrja në shkolla, çerdhe dhe kopshte, por edhe në ato kulturore sikurse është Qendra Kulturore, muzeu, Qendra Kulturore e Fëmijëve etj. Por kjo bashki ka nevojë për ndërhyrje edhe në Infrastrukturën e rrugëve të brendshme dhe rrugët lidhëse të qendrave të njësisë vendore dhe konkretisht:

Rikonstruksioni i rrugës Mirakë-Polis

Rikonstruksioni i rrugës Qafë Drizë-Orenjë

Rruga e Qarrishtës

Rruga e Lunikut

Rrugët Veçan dhe Kokrevë të Hotolishtit dhe ndërhyrje në disa ujësjellës të rinj që kërkohen nga tri ish- komuna ,siç janë komuna Hotolisht, Qendër dhe komuna Polis.

– Si do të punoni për sigurimin e pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje,si në hartimin e buxhetit, planit urbanistik, ndërhyrjet në infrastrukturë etj?

– Në çdo njësi vendore në bashkëpunim me komunitetin do të merren mendimet dhe kërkesat e atij komuniteti dhe të asaj njësie për hartimin e të gjitha kërkesave të tyre për buxhetin që është një ndër pikat kryesore, për infrastrukturën e rrugëve, çerdhet kopshtet dhe shkollat. Një rëndësi të veçantë për zonat e thella do të kenë qendrat shëndetësore me anë të të cilave do t’ju jepet ndihmë e shpejtë atij komuniteti që jeton aty.

– Bashkia juaj ka sipërfaqe të konsiderueshme pyjore si dhe zona të mbrojtura sikurse është Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë,por që janë të kërcënuara nga rreziqe të shumta e mbi të gjitha nga ndërtimi i HEC-eve. Çfarë do të bëni për ta mbrojtur këtë pasuri?

– Është shumë me rëndësi për zonën e Librazhdit pasi është zona që ka më shumë pyje. Prerja e tyre pa kriter, do të kërkojë menaxhimin e pyjeve nga Bashkia e cila duhet patjetër të ketë kompetenca si njësi e pushtetit vendor edhe për kontrollin e territorit ku ndodhet pjesa e pyjeve. Për këtë arsye, do të ketë një bashkëpunim më të mirë me pushtetin qendror, në mënyrë që edhe bashkia si njësi vendore, të ketë kompetenca dhe të merret leje edhe nga bashkia për shfrytëzimin e pyjeve që ka në territorin e saj. Është një nga kërkesat e komunitetit për të gjitha pyjet komunale dhe shtetërore, pasi është bërë një dëm i madh nga prerjet pa kriter gjatë këtyre viteve. Edhe HEC-et që po ngrihen kanë shkaktuar një dëm ekologjik dhe ky dëm duhet frenuar jo për arsye politike, por ato që janë të dëmshme për komunitetin dhe ujin e pijshëm duhen rishikuar lejet e tyre dhe në bashkëpunimin me bizneset ata duhet ta kuptojnë vetë që ai HEC që dëmton florën, faunën dhe ujin e pijshëm, të mos ndërtohet, por të bashkëpunohet me njësitë vendore dhe bashkinë, specialistët e saj, që atyre t’u jepet mundësia për një biznes tjetër që nuk sjell pasoja në mjedis.

– Njësia juaj vendore ofron resurse të madha turistike,kryesisht të turizmit malor dhe atij natyror. Çfarë keni menduar në këtë drejtim ?

– Po, Bashkia e Librazhdit është një qytet turistik, duke pasur parasysh klimën, mjedisin e saj dhe duke pasur parasysh të gjithë territorin që përfshin njësia vendore më e madhe e Librazhdit e cila ofron shumë resurse për turizmin malor. Për këtë arsye, kam biseduar me dy kompani gjermane të cilat kanë dëshirë të investojnë në bashkinë Librazhd, sidomos në turizëm, infrastrukturë dhe ujësjellësa. Mendoj se futja e këtyre dy kompanive do të sjellë një impuls të ri për zhvillimin e turizmit të kësaj zone, e cila pikë së pari ofron një natyrë të virgjër dhe një mjedis të pa shfrytëzuar nga turistët vendas dhe të huaj. Shebeniku dhe Fushë-Studa, janë perla të natyrës, ku mund të gjesh freskinë dhe ujin e burimit, ushqimet bio dhe gjithçka që kërkohet nga ana e tyre.

– Gjatë kohës që keni kryer detyrën e kryebashkiakut,keni trashëguar një sërë problemesh që kanë të bëjnë me mbetjet urbane. Si e keni menduar zgjidhjen e këtij problemi në mandatin tuaj të dytë ?

Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme, pasi e njoh mirë territorin e kësaj zone. Gjatë kësaj kohe kemi evidentuar se ekzistojnë dy hapësira të mundshme të cilat plotësojnë kriteret mjedisore me afat të gjatë kohor për grumbullimin e të gjitha mbetjeve në formën e landfillit. Mjediset janë shumë të përshtatshme dhe nuk dëmtojnë atë e janë larg zonave të banuara. Gropa aktuale nuk do të jetë më për mbetjet urbane dhe marrëveshja për këtë, do të bëhet qysh në vitin e parë të punës si kryetar i kësaj njësie vendore.

– Cila do të jetë politika e bashkisë gjatë mandatit të ardhshëm në ndihmë të familjeve në nevojë ?

– Aktualisht pranë bashkisë kemi hapur një zyrë kundër diskriminimit, me qëllim që njerëzit në nevojë të marrin totalisht përkrahje si të gjithë qytetarët e tjerë. Me projektet sociale kemi menduar ndërtimin e një pallati për strehimin e tyre në këto banesa sociale dhe synojmë që brenda muajit korrik të fillojë ndërtimi i këtij pallati. Projekti është miratuar nga Enti Kombëtar i Banesave. Nëpërmjet shoqatës së tyre projekte të tjera do të aplikohen, për t’u ardhur në ndihmë atyre familjeve si për ndihmën ekonomike, ashtu edhe në aspekte të tjera.

Infrastruktura në zonat rurale, bujqësia, blegtoria, janë një tjetër fushë e rëndësishme. A përbën kjo një prioritet të punës suaj në mandatin e ri?

– Në të gjitha fshatrat e njësisë vendore,ka nevojë për Investime në sera e në blegtori. Do të synojmë që me përkujdesjen e bashkisë të realizojmë edhe grumbullimin e tyre pranë njësisë së madhe vendore,në një dhomë frigoriferike për të garantuar në çdo kohë shitjen e tyre. Janë bërë edhe marrëveshjet për blerjen e këtyre produkteve nga qytetet e mëdha duke i vënë totalisht në dispozicion specialistët, për të pasur produkte me cilësi gjatë gjithë kohës, për konkurrimin e tyre në tregun e madh.Fakti që në këtë zonë gjendet patatja e Steblevës e cila shumë shpejt mund të certifikohet nga Bashkimi Europian, gjendet gështenja e Gurakuqit të cilën e kërkon jo vetëm tregu shqiptar, por edhe ai italian, por edhe molla apo rrushi, domosdoshmërisht kërkon një investim të tillë, sikurse është një dhomë frigoriferike.

– Librazhdi ka një trashëgimi të pasur kulturore; me folklorin dhe kostumografinë , për të cilat është vlerësuar edhe në skenat ndërkombëtare. Si është menduar të zhvillohet dhe të pasurohet më tej një traditë e tillë?

– Jo më kot thonë se “ëmbëlsira lihet për në fund”. Librazhdi shquhet për një pasuri kulturore dhe këtë ne synojmë ta ruajmë dhe ta pasurojmë më tej. Mua më vjen mirë që atë rrugë të nisur nga i mirënjohuri Sadi Halili, i cili sot nuk jeton më, po përpiqen ta mbajnë të gjallë dhe ta vazhdojnë të tjerë dashamirës që punojnë me pasion për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në këtë qytet. Për ne përbën një sukses të madh si bashki,fakti që një herë apo dy herë në vit,ansamblet e qytetit tonë kanë përfaqësuar jo vetëm Librazhdin, por edhe Shqipërinë, në veprimtari të ndryshme ndërkombëtare si në Turqi, Maqedoni, Kosovë, Bullgari, Greqi etj. Dhe jo vetëm kaq, por tashmë ne kemi disa grupe të tilla kulturore, duke filluar që nga fëmijët dhe deri tek grupet e të rriturve dhe midis tyre ka një konkurencë të dukshme, që në fund të fundit kjo sjell cilësi dhe mbartje të vlerave të trashëgimisë kulturore ndër breza. Prandaj, mbështetja jonë në këtë drejtim jo vetëm që nuk ka munguar, por do të jetë më e madhe, pasi në administratën e Bashkisë do të ketë tashmë edhe një drejtori që do të mbulojë këtë sektor, si dhe atë të sportit. Është rasti të shtoj se këtë vit ekipi i futbollit duhet përgëzuar, pasi nga debutues në kategorinë e parë, u rendit ndër katër ekipet më të mira të grupit të jugut dhe me pak kujdes e vëmendje ky ekip mund të ishte ngjitur në ligën superiore. Por kjo mbetet një nga detyrat e para pas këtyre zgjedhjeve vendore, pasi për shkak të mungesës së infrastrukturës së duhur, ky ekip u penalizua duke i zhvilluar të gjitha ndeshjet jashtë fushe. Ndaj,në prag të sezonit të ri futbollistik,duhet të mendojmë për vënien në gatishmëri të fushës ekzistuese,rregullimin e dhomave të zhveshjes si dhe rrethimin e fushës,në mënyrë që ndeshjet e sezonit që po vjen t’i zhvillojmë në fushën tonë.

Intervistoi Haxhi Balliu

June 12, 2015 10:01
Komento

4 Komente

  1. aurora June 12, 14:46

    Z. Çota eshte njeri punetor dhe i pa korruptuar e meriton nje mandat te dyte edhe per arsyen se nuk eshte pjese e dy partive qe na kane rrjepur per 25 vjet me keq se ne monizem.

    Reply to this comment
  2. ervin June 12, 15:10

    jam i sigurt qe me njerez te thjeshte si ju fitorja eshte e sigurt.duhet dhene nje mesim ketyre politikaneve qe per 20 vjet mashtrojne kete popull.edhe njehere urime dhe forca

    Reply to this comment
  3. astrit June 12, 15:10

    aftesia per te udhehequr nje qytet ne rrugen e duhur nuk varet nga publiciteti,flamujt posterat etj.Gjithcka varet nga aftesite dhe deshira e mire per nje komunitet me te mire

    Reply to this comment
  4. Elian June 16, 08:25

    Z.Shefki Cota jam i bindur qe domta fitoje dhe mandatin e dyte sepse eshte nje njeri me kurajo te forte dhe me aftesi te pa para akoma . I cili do mundohet ta coje Bashkine e Librazhdit ne Drejtimin e Duhur Urime Z.Shefki Cota

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin