SHËNDETËSI / Ankesat, anëtarët e thjeshtë nuk kanë besim te socialisti i familjes

April 11, 2018 18:57

SHËNDETËSI / Ankesat, anëtarët e thjeshtë nuk kanë besim te socialisti i familjes

TIRANË – Ka qenë një problem kronik këto vitet e fundit, dyndja e hallexhinjve të thjeshtë socialistë për të kërkuar shpëtim në në qendrën politikore universitare të Tiranës “Selia Rozë” në kryeqytet, QPUT. Shpeshherë punonjësit e qendrës janë ankuar për mungesë mjetesh e personeli. Nuk kanë munguar as akuzat se të ardhurit janë adresuar nëpër shtëpitë apo zyrat private të drejtuesve kryesorë të qendrës politikore, në shkelje të rëndë të statutit. Deputetët roje apo politikanët dezhurnë shpesh e kanë pranuar këtë shkelje, duke u justifikuar se gjithçka ka ardhur nga pamundësia. Por kësaj situate duket se po i vjen fundi.

Mësohet se në një mbledhje të bordit drejtues të QPUT-së është marrë vendimi që hallexhinjtë të kalojnë nëpër të gjitha hallkat e sistemit të zgjidhjes së halleve, para se të vijnë në qendër.

“Kemi rënë dakord që hallexhiu socialist i rretheve, së pari t’i drejtohet pikës socialiste të lagjes. Në Tiranë ai mund të vijë vetëm pas rekomandimit me shkrim të socialistit të familjes, një strukturë tërësisht e anashkaluar deri tani”, tha për mediat deputeti dezhurn i selisë rozë, Social Listi.

Sipas zotit Listi, për këtë qëllim do të investohet për të ndërtuar e pajisur seli të reja të degëve të QPUT-së nga Vermoshi në Konispol.

Por jo të gjithë janë të kënaqur nga kjo masë, thonë burimet për Gojët e Liga.

“Unë nuk kam besim tek socialisti i lagjes. Shumicën e rasteve ata janë të papërgatitur, e kanë marrë kartën e anëtarësimit me mik, pa u paraqitur fare në mbledhjen e organizatës së lagjes dhe pa bërë jetë partie”, thotë hallexhiu veteran socialist Çokllan Aguridhja nga Delvina, “Ç’domethënë që unë t’i ankohem socialistit të lagjes? Pse, Surja qurrashi do ma zgjidhë hallin mua?”

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike apartiake, mbipartiake dhe lojcake.

April 11, 2018 18:57
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*