Shëndeti mendor, simptomat për të cilat duhet të kërkoni ndihmë mjekësore

October 11, 2017 10:23

Shëndeti mendor, simptomat për të cilat duhet të kërkoni ndihmë mjekësore

 

Pranvera Kola – DITA

Ankthi dhe depresioni janë ndër çrregullimet më të shpeshta të shëndetit mendor që po shfaqen në rritje edhe në vendin tonë. Ndonëse nuk ka statistika të mirëfillta, bluzat e bardha ngrenë alarmin se shifrat e të prekurve nga këto çrregullime vijnë në rritje, teksa mbetet ende në nivele problematike diagnostikimi dhe trajtimi i tyre.

Kjo pasi një pjesë e konsiderueshme e këtyre çrregullimeve nuk diagnostikohen në kohë, duke çuar deri në shfaqjen e formave më të rënda të depresionit apo çrregullimeve të tjera, trajtimi i të cilave mund të mos jetë efikas.

Dje në “Ditën Botërore të Shëndetit Mendor”, ekspertët e shëndetit vunë në dukje se fatkeqësisht këto sëmundje nuk po njohin më as moshë, duke shtuar në listën e të rrezikuarve edhe moshat e reja. Ankthi është çrregullimi më i shpeshtë i shfaqur, i cili nëse nuk trajtohet kalon në depresion. “Pa diskutim që shifrat janë në rritje. Ajo që dominon problemet e shëndetit mendor është sëmundja e ankthit, e cila është bërë tepër e zakontë.

Faktori biologjik që është më tepër i akuzuar në vendet tjera, tashmë ka dalë në vendin e fundit tek ne, sepse primare në shkaktimin e këtyre sëmundjeve janë problemet psikosociale.

Ankthi vetë i patrajtuar ka shumë shanse të shkojë drejt depresionit. Por edhe në rastet kur trajtohet ankthi mund të komplikohet. Rreth 30 për qind e njerëzve që nuk e kurojnë ankthin, e precipitojnë atë në sëmundje depresive”, ka deklaruar ditën e djeshme mjekja psikiatre Arjana Rreli.

Sipas saj janë një sërë simptomash për të cilat duhet të jeni të kujdesshëm dhe të kërkoni ndihmë të specializuar mjekësore. Konkretisht, mjekja Rreli shton se nëse vëreni simptoma të tilla, si: “Çrregullime fizike, siç është për shembull frymëmarrja e shpejtë, ritmi i lartë i zemrës, dhimbja e kokës, irritabiliteti i shtuar, një mungesë energjie dhe motivimi, të shoqëruara këto me pagjumësi, apo çrregullime të oreksit, duhet t’i shihni si kambana alarmi që me patjetër duhet t’ju orientojnë drejt ndihmës së specializuar mjekësore”.

Po sipas bluzave të bardha, nëse këto çrregullime kapen që në stadet më të hershme, edhe trajtimi i tyre është më i lehtë, duke shmangur kështu edhe kalimin e tyre në format më të rënduara siç janë depresioni, skizofrenit, apo sëmundje të tjera të shëndetit mendor.

Arjana Rreli

Si mund të parandalohen

Sipas ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, faktorët që ndikojnë në shfaqjen e problemeve të shëndetit mendor janë të shumtë, duke filluar nga ato gjenetikë, fiziologjikë, socialë, emocionalë dhe ekonomikë. Kushtet e jetesës, problemet familjare, kushtet e punës, mungesa e shoqërisë dhe kohezionit social, stresi, mbingarkesa, etj ndikojnë shëndetin tonë mendor.

Në nivel individual secili prej nesh duhet të kujdeset për shëndetin e tij mendor duke zhvilluar një stil të shëndetshëm jetese. Kështu, ushqyerja e shëndetshme, ushtrimi i rregullt fizik, përkujdesja për të mos abuzuar me substancat, mbajtja e kontakteve shoqërore, përfshirja në aktivitete që na zbavisin, shprehja dhe diskutimi i problemeve dhe të kërkuarit ndihmë atëherë kur kemi nevojë, listohe nga mjekët si sjellje që ndihmojnë në një shëndet të mirë mendor, duke parandaluar shfaqjen e problemeve.

“Pjesa më e madhe e sëmundjeve mendore sot janë mjaft mirë të trajtueshme. Është përllogaritur se nëse ofrohet ndihma profesionale e përshtatshme që në stadet fillestare të sëmundjes, trajtohen në mënyrë të suksesshme rreth 60 për qind e skizofrenive, 65 për qind e depresioneve madhore dhe 80 për qind e depresioneve bipolare. Nga gjysma deri në dy të tretat e njerëzve me skizofreni arrijnë një përmirësim të konsiderueshëm ose shërim përtej 20-25 viteve.

Mangësitë në trajtim

Problemet me trajtimin e këtyre çrregullimeve sipas ekspertëve të ISHP-së janë të shumta, të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me zbulimin e sëmundjeve në stadet më të rënduara, kjo edhe për shkak të frikës që ndiejnë pacientët ndaj paragjykimit dhe diaksriminimit, por edhe nga mungesa e stafeve të specializuara në trajtimin e tyre.

Vendi ynë përballet ende me mungesa të profesionistëve të trajnuar për të dhënë ndihmë të specializuar në raport me popullsinë, kjo veçanërisht në rrethe, ku sëmundjet e shëndetit mendor mbeten të nënvlerësuara. Shqetësuese shfaqet edhe ngurrimi i individëve që kanë këto sëmundje për të kërkuar ndihmë profesionale, si pasojë e stigmës dhe paragjykimit.

Megjithëse, problemet e shëndetit mendor prekin të paktën një herë në jetën e tyre 1 në çdo 4 persona, njerëzit që i kanë këto probleme ndihen të paragjykuar dhe përjashtuar nga të tjerët.

“Njerëzit me probleme të shëndetit mendor i përshkruajnë efektet e stigmës dhe diskriminimit si shumë të rënda dhe si më të vështira për t’u përballur, krahasuar me vetë problemet e shëndetit mendor. Stigma dhe diskrimini pengojnë përmirësimin e gjendjes së këtyre njerëzve, mund të përkeqësojnë simptomat e problemit të tyre të shëndetit mendor, si dhe i pengojnë këta njerëz që të kërkojnë ndihmën e duhur dhe në kohën e duhur. Stigma dhe diskriminimi i personave me probleme të shëndetit mendor prek çdo aspekt të jetës së tyre të përditshme, si për shembull punësimin, kujdesin shëndetësor fizik dhe mendor, banimin, jetën familjare, etj”, bëjnë me dije ekspertët e ISHP-së.


Fokusi i 2017-ës tek problemet në punë

Apeli sensibilizues për parandalimin e këtyre sëmundjeve për 2017-ën, fokusohet tek shëndeti mendor në punë. Problemi kryesor që po haset sot në të gjithë botën është pikërisht sindromi i “burnout-it” (ezaurimit).

Është një reagim i zgjatur ndaj stresorëve kronikë emocionalë në punë dhe përcaktohet nga 3 dimensione: të ezaurimit emocional, depersonalizimit (cinizmit) dhe vetpërmbushjes personale të reduktuar (ndjesi jo efikasiteti). Ezaurimi emocional i referohet ndjesisë së të qenurit tepër i shteruar dhe boshatisur emocionalisht.

Depersonalizimi karakterizohet nga një reagim negativ, cinik dhe veçues i personave të tjerë, duke përfshirë kolegët dhe pacientët. Mungesa e përmbushjes profesionale shfaqet kur një person ndihet më pak kompetent në punë.

Sipas të dhënave të raportuara rezulton se të paktën 1 në 5 njerëz përjeton çrregullime të shëndetit mendor në punë. Sipas bluzave të bardha të QSUT-së 2 për qind e personave që vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor përballen me diskriminimin të paktën 1 herë në muaj.

Ndërsa sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një mjedis punë negativ, mund të shkaktojë probleme fizike dhe psikologjike, përdorim të dëmshëm të substancave dhe të alkoolit, tërheqje dhe rënie të produktivitetit.

“Depresioni dhe çrregullimet e ankthit janë problemet më të zakonshme të shëndetit mendor, të cilat kanë impakt në mundësinë e secilit për të punuar, dhe vlerësohet se ulin 5 herë produktivitetin në punë. Në rang global, më shumë se 300 milionë njerëz vuajnë nga depresioni, një shkak që i çon në paaftësi.

Më shumë se 260 milionë jetojnë me çrregullime të ankthit. Shumë prej tyre jetojnë me të dyja problemet. Një studim i kohëve të fundit i OBSH-së, vlerëson se depresioni dhe çrregullimet e ankthit i kushtojnë ekonomisë globale 1 trilion dollarë amerikanë çdo vit si humbje e prodhimtarisë.

Ndërsa në Evropë vlerësohet se kosto vjetore e depresionit në raport me vendin e punës është 617 bilionë euro në vit, të cilat llogaritin mungesat, rënien e prodhimtarisë, koston e kujdesit shëndetësor dhe koston e kujdesit shoqëror (në formën e përfitimeve për shkak të paaftësisë)”, vënë në dukje Specialistët e ISHP-së.

 

 

October 11, 2017 10:23
Komento

1 Koment

  1. karri October 2, 21:43

    na cate karrin

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*