SHËNIM: A ka më dosje?

Alqi Koçiko November 26, 2014 15:30

SHËNIM: A ka më dosje?

Hapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit është bërë një temë kaq e vjetruar dhe e lodhur për opinionin publik shqiptar, saqë nuk është çudi që sa herë rikthehet kjo çështje, instinkti i parë i një gazetari është ta inkuadrojë në rubrikën “dossier”. Të jep të njëjtën shije diskutimi i kësaj teme, me atë Konferencës së Londrës 1913, gjyqit të Koçi Xoxes, prishjes me sovjetikët, gjyqit të Kadri Hazbiut, apo kujtimet e këpucarit të Enverit në daçi. Jemi pranë 24 vjetorit të lëvizjes studentore dhe përgjatë këtij harku kohor çerekshekullor, abuzimet me këtë çështje delikate janë mbledhur e bërë mullar aq shumë sa, siç më thoshte një koleg, po barazojnë e tejkalojnë dëmet që vetë bashkëpunëtorët e Sigurimit kanë bërë gjatë aktivitetit të tyre.

Cinike ose jo, shprehja e mësipërme nënkupton një fenomen shumë të rëndë që ka hedhur rrënjë përgjatë këtyre viteve “pluraliste”, dhe që i jep një ngjyrë të fortë vërtetësie romuzit të mësipërm. Nëse vendet e tjera lindore, pas rrëzimit të sistemit diktatorial e kryen herët a vonë, tërësisht apo pjesërisht atë të shumëpërmendur katarsis të shoqërisë, në Shqipërinë jo dhe aq demokratike ndodhi e kundërta. Fillimisht nën parullën “bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës”, komunisti i 1968-ës Sali Berisha mundësoi “përzierjen” e bashkëpunëtorëve të Sigurimit në strukturat politike të sistemit të ri, pastaj u penalizuan vetëm disa hierarkë lokalë e anëtarë byroje, ndryshe zyrtarët ose pjesa e dukshme dhe legale e ish regjimit. Dhe këtu zuri fill dëmtimi i madh, shpërbërja e kolonës vertebrale të shoqërisë post-diktatoriale: Dosjet tundeshin, por nuk hapeshin; komisionet kërcënonin, por nuk dënonin. Dhe ata që kishin një “njollë nga e kaluara”, shërbyen dhe vazhdojnë të shërbejnë nën shantazhin e Arshivistit të Madh; mesa duket, duke i dhënë karar t’i jepnin komandën “Yes” çdo urdhri sado zullumqar, e ndërkaq duke u pasuruar edhe për vete.

Krahas shpërbërjes së nocionit të pronës dhe masakrimit të aseteve fizike të çmuara që kishte prodhuar puna e një populli të tërë për katër dekada, në industri, bujqësi, arsim, shëndetësi etj, dëmi më i tmerrshëm i këtyre viteve është pikërisht bjerrja morale e shoqërisë. Nuk besoj se shkaktoi ndonjë habi deklarata e Afrim Krasniqit dje, ish këshilltar presidencial, se sipas disa materialeve që ai kishte parë, 18 bashkëpunëtorë të Sigurimit figuronin në politikën e djathtë, dhe 10 syresh në të majtën. Prandaj dhe bashkëpunëtorët më të afërt të Berishës, në vite kanë qenë të shantazhueshëm. Jo domosdoshmërisht për bëma të para ‘90-ës, por edhe për akte korruptive të mëpasme. Gjatë kësaj kohe, u bë aksiomë që një CV e pastër dhe fisme, ishte garanci për ngecje të karrierës politike.

Pikërisht kjo lloj sjelljeje e bëri kaq qesharake lojën me dosjet. Dhe në kuadrin e një vendi të vogël e të një shoqërie ku gjithkush njeh gjithkënd, historia e dosjeve u shfry, u sfumua dhe u bë subjekt batutash e barcaletash në tavolina përmes një kanali tjetër: Thashethemit, replikave politike në parlament dhe lajmeve të pjesshme, që media afërmendsh i ka bluar, ripërtypur e përsëritur për vetë natyrën e saj. Prandaj ashtu si dikur, kur nxënësve të shkollave u binte për detyrë të mësonin emrat e anëtarëve të byrosë politike të PPSH-së, sot çdo shqiptar që ka ndjekur zhvillimet politike jam i bindur se mund të t’i thotë pa ngecur aspak, pesë apo dhjetë pseudonime të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit dhe emrat realë të personave përkatës, aktivë në politikë apo në jetën publike shqiptare. Dikush më i vëmendshëm dhe me kujtesë të mirë, të thotë edhe më shumë.

Ndërkaq, çfarë është bërë me këto dosje? Personazhe që kanë patur njohuri për shkak të detyrës, nuk kanë munguar të prononcohen në intervista. Sipas tyre, dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit janë pastruar që në fillimet e demokracisë nga personat e interesuar, secili për pjesën e vet. Dhe sot ka ngelur pakogjë, ndoshta emrat më të parëndësishëm, më të parrezikshmit dhe ata që nuk kanë patur akses, e rrjedhimisht, që nuk kanë qenë të pushtetshëm. Teori të tjera thonë se ato dosje janë ruajtur në pesë apo në shtatë kopje, në pika e vende të ndryshme, dhe në formate të ndryshme, psh, në mikrofilma, ndaj është e pamundur të jenë prekur të gjitha. Padyshim nuk mungojnë zërat se të paktën një kopje të personazheve më kyçë i ka siguruar vetë Berisha. I cili nuk ka munguar që të riqarkullojë temën e hapjes së dosjeve sa herë i duhej, për diversion, ndaj ndonjë skandali akut dhe konkret që i plaste në dorë gjatë qeverisjes. Pas ciklit të radhës të shkrimeve dhe emisioneve me të ftuar vip, ezaurohej edhe kjo valë.

A është riaktualizimi i sotëm, një tjetër diversion në stilin e vjetër? Fjala vjen, që përballë protestës së parë serioze në pjesëmarrje gjatë një viti e gjysmë qeverisje, mazhoranca vendosi të kopjojë kundërshtarin? Ndonjë çudi e madhe nuk është, sepse mesa duket politika kështu e ka. Por në terrenin konkret të gjërave, kryeministri Rama nuk ngjan të ketë mbetur vetëm në nivelin e retorikës. Hapja dhe shndërrimi në pikë të vizitueshme, e bunkerit qeveritar të diktaturës është një akt konkret në këtë drejtim. Kuptohet që pas 24 viteve, nuk është më as ai kurioziteti i dikurshëm i “masave punonjëse” për ish bashkëpunëtorët e Sigurimit, edhe për shkak të lojës së ndyrë që përmendëm më sipër, por që përpara zgjedhjeve, edhe menjëherë më pas, kjo shumicë është prononcuar për këtë çështje. Avokati i Popullit, në korrik 2013 e më pas, në shkurt të këtij viti, kërkoi hartimin e një baze ligjore për hapjen e dosjeve. Formati që Totozani propozoi ishte: “Akses individual ndaj të dhënave të shërbimeve sekrete ndaj të interesuarve, qoftë ndaj atyre që kanë vuajtur nga këto veprimtari apo informatorëve; transparencë e aktiviteteve represive të shërbimeve sekrete, me garancinë se aksesi është personal; mbrojtjen e subjekteve nga cënimi i privatësisë, që mund të shkaktohet nga të dhënat e mbledhura; dhe krijimi i organeve kompetente për menaxhimin e procesit të hapjes së dosjeve”.

A është ky rasti dhe baza mbi të cilën do veprojë mazhoranca? Ngjan një format i esëllt dhe i përmbajtur, pak a shumë sipas variantit gjerman. Edhe kryeparlamentari Ilir Meta, ndërsa mbështeti sot kryerjen e këtij procesi të domosdoshëm, u deklarua për kujdes dhe maturi lidhur me çështje që prekin sigurinë kombëtare. Por meqë jemi këtu, mazhoranca, dikur në opozitë, ka bërë edhe një akuzë direkte me gojën e deputetit Taulant Balla. Në 12 apo 13 mars 2012, Balla asokohe sekretar i grupit parlamentar të PS-së, publikoi në adresën e tij Facebook një dokument në serbokroatisht, për të cilin pretendonte se është dokumenti zyrtar që vërteton se kryeministri i kohës Sali Berisha është bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete të Jugosllavisë. Fakti është që Berishën zor se ka mbetur njeri pa e akuzuar për diçka të tillë. Nga ana tjetër, rezulton se pallati ku regjimi komunist i dha apartament mjekut Berisha në rrugën Fortuzi, quhej dhe ishte Pallati i Sigurimit, ku strehoheshin punonjësit e shërbimit. A është edhe kjo, një çështje sensitive e sigurisë kombëtare?

Ndërkaq, unë besoj se edhe nëse hapet (dhe kësisoj mbyllet përfundimisht) njëherë e mirë kjo histori dosjesh, ka për t’u amortizuar shumë shpejt si diçka normale. Jetojmë ende në një vend ku pandëshkueshmëria ua ka mpirë nervat njerëzve të zakonshëm. Për shumë kohë (sa shpejt kaloi çerek shekulli!) ata kanë qenë dëshmitarë të keqbërësve të pandëshkuar, të grabitësve të pronave që ja kanë hedhur kaq, të vrasësve pa dhe me kravatë e poste, që bëjnë thirrje për protesta, të xhepistëve që ngjiren nëpër tubime. Nuk ka ilustrim më pikant, fjala vjen, sesa një protestë kundër trafikut të drogës ku merr pjesë kryetari i një komune pionere e rekordmene rendimentesh të larta në kultivimin e hashashit.

Dhe përballë një lukunie të pasosur të fajtorëve që bërtasin për drejtësi shoqërore, nxjerrja e emrit të dikujt si bashkëpunëtor Sigurimit të Shtetit, rrezik që të shndërrohet gati-gati në dekoratë. Në mos e tillë, në një fakt të dorës së dytë, detaj i një kohe të shkuar nga e cila kanë përfituar matrapazët e djeshëm dhe të sotëm, dhe kanë humbur idealistët, që janë të pandreqshëm në çdo sistem. Por mbase, mu pikërisht për këtë arsye, mund të jetë kjo koha e duhur që ato dosje të hapen vërtet.

Alqi Koçiko November 26, 2014 15:30
Komento

2 Komente

  1. Fariu November 26, 17:20

    …….Mire ke shkruar miku im,ke te drejte te dyshosh,se cdo gje ben vaki.Nuk zhduket asgje ne ate sektor.Ata qe vune ne pushtet Salihun,Fari Balliun,Fatmir Mediun,etj.u kane rezervuar edhe fotot e tyre diku,se per ndryshe te paret qe do te hanin ishin vete ata,prandaj asnje te mos dyshoje se dosjet jane zhdukur.Kete e thone ata qe kane emrin brenda atyre dosjeve.Zakonishte ne ata sektore punojne njerez qe qine nenen e tyre pastaj nenat e te tjereve.
    Une mendoj se ky mesuesi i vizatimit qe kemi kryeminister do ti hap dosjet,sepse po nuk i hapi,pushteti i tij merr fund me turp dhe qenia e tij fizike do te jete e diskutueshme.Ishin 24 vjet qe kishin mundesi te perfitonin dhe te zhduknin gjithecka ne favor te tyre komunistat,por ata se bene se e pandehen se Salihu nuk vdes dhe cdo gje eshte e jona,mirepo harruan se dikush u bente sehir dhe ky dikushi qe bente sehir po ti linte me gjate me Salihun ne krye humbiste gjithecka te tijen.Tani beri te mundur mesuesin e gjate per te bere gjithecka qe Ai dikushi qe bente sehir te mos humbase gjerat e tij dhe te na beje neve edhe 24 vjet te tjera te mbajme duart shtrire perpara dhe koken lart nga qielli duke pritur te marrim pronat,te na paguajne djersen e hedhur,te vihet ne vend drejtesia,te na vihet ne vend dinjiteti,te gjejme pune,buke,qetesi,te gjejme varret e te pareve tane,por nga te gjitha keto asgje skemi per te gjetur,dhe pas 24 vjet te tjera do te kerkojme hapjen e dosjeve te ketyre 48 vjeteve,sepse te Enverit ska kush ti kerkoi sepse ato do ti hapin sot!

    Reply to this comment
  2. I.Troplini November 26, 18:07

    Germo Tare, germo. Qenin e ngordhur do gjesh.!!

    Te pretendosh, se dosjet e ish Sigurimit te Shtetit, jane te gjitha ne arkivat e shtetit dhe mund “te hapen cdo kohe, mjafton vullneti politik per kete hap”, eshte njelloj sikur te besosh se Sali Berisha dhe Azem Hajdari, jane baballaret e “demokracise shqiptare”.
    Te krijuara per mbajtjen nen kontroll dhe per survejimin e nje populli te tere, ato dosje qe dikur kane qene te arkivuara dhe te mirembajtura, po te ishin bere pjese e nje procesi historik kombetar te njohjes me te kaluaren tone te erret, do kishin parandaluar shume te keqija qe ndodhen ne rrjedhen e ketij cerekshekulli te fundit.
    Deshtimi shqiptar, ne trajtimin serioz te kesaj plage gjysemshekullore, ka te beje me ate mendesine totalitare, njehere e nje kohe te mbjellur dhe kultivuar nga ai sistem qe prodhonte ato dosje. Klasa politike shqiptare, ishte dhe (pjeserisht) akoma eshte, direkt apo indirekt, kontigjent i atij ish Sigurimit te Shtetit.
    Gjermania, merret si shembull qe duhet kopjuar, kur vjen tek e kaluara kriminale e nje sistemi si ai i Gjermanise lindore me ish sigurimin e saj STASI. Arkivi i Gjermanise lindore,,,,”papritur e pakujtuar” gjeti vetveten ne SHBA dhe iu kthye Gjermanise,,,vetem pas 10-15 vjetesh. Shteti Gjerman dhe institucionet e tij, zgjodhen rrugen e transparences totale, persai takonte ketij procesi historik. Cdo gjerman, mund te shkoje sot ne arkivat e ish sigurimit lindor dhe pas vertetimit te identitetit, ka para syve te tij, cdo dokument qe ai sherbim, kish mbledhur per te.
    Pyetjen se, a do hapen ndonjehere ato dosjet shqiptare, mund ti pergjigjemi me ndergjegje te paster,,,se nuk eshte e mundur te hapesh dicka, qe thjesht nuk eshte ne ate vend qe duhet te ishte.
    “Shpresa” e vetme shqiptare ne te ardhmen, eshte ardhja ne krye te institucioneve shteterore, e nje brezi te ri, qe nuk eshte i perlyer ne te kaluaren kriminale te eterve te tyre. Ky do jete ai brez, qe ne vetvete do jete dhe bartes i atij rrezikut real, te perseritjes se historise qe nuk u analizua kurre. Do jete brezi i atyre shqiptareve qe kane nje “shtepi te bukur” por edhe nje bodrum, plot me kufoma.
    Sigurimi i Shtetit, nuk ka mbaruar se egzistuari ne vendin tone. Ai gjalleron dhe lulezon, ne qenien e cdo Sali Berishe apo Edi Rame, qe “hapjen e dosjeve”, e kane kthyer ne mjet per te bere politike. Ata qe kane folur dhe flasin per hapje dosjesh dhe nuk tregojne me vepra, seriozitetin e planeve te tyre, jane po aq djallezore dhe armiqesore me kete popull, sic ishin ato xhelatet e atij aparati sundues.!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*