Skënder Gjinushi: Rama, PD dhe e Majta sipas meje

January 10, 2015 13:31

Skënder Gjinushi: Rama, PD dhe e Majta sipas meje

Prof. Skënder Gjinushi, ish-Kryetar i Kuvendit dhe njëherësh kryetar i Partisë Socialdemokrate, një nga aleatët më të ngushtë të Partisë Socialiste dhe LSI-së në këtë mandat qeverisës, i bën skanerin zhvillimeve politike nën qeverisjen e majtë. Cilat janë sipas Gjinushit arritjet më të spikatura të qeverisë së Ramës dhe çfarë nuk është bërë mirë. Aksionet e dështuara të opozitës dhe çfarë e pengon PD-në të kthehet në rolin që i takon. Pse Gjinushi thotë se Berisha në PD nuk është vetëm shpirtërisht, por edhe fizikisht më aktivi. Çfarë mendon ish-Kryetari i Kuvendit për bojkotin 6-mujor të opozitës në Kuvend dhe si e gjykon marrëveshjen midis PS-së dhe PD-së për thyerjen e bojkotit. Pse Gjinushi mendon se është koha që qeveria të ndryshojë një sërë gjerash në punën e saj….

Zoti Gjinushi, cili është perceptimi juaj për qeverisjen e majtë tani që kemi hyrë në vitin që shënon mesin e mandatit qeverisës?

Në përgjithësi vlerësoj se qeveria është përpjekur të përballet me problemet më kryesore të mbartura nga qeverisja e mëparshme, siç ishin stabilizimi makro-ekonomik i vendit, evitimi i shkarjes në krizë e rikthimi te rritja ekonomike, shlyerja e borxheve ilegale e evidentimi e vënia nën kontroll e borxhit publik, rikthimi në marrëdhënie normale të integrimit me BE-në nëpërmjet respektimit të institucioneve e kushtetutshmërisë duke kuptuar se këto kërkojnë reforma reale e të thella e jo fjalë e demagogji si dhe rikthim të ligjshmërisë, veçanërisht në respektim të pronës, detyrimeve ndaj shtetit dhe luftës ndaj trafiqeve e korrupsionit. Pra, qeverisja aktuale po përpiqet të ngrejë një model të kundërt me qeverisjen e mëparshme e cila e mbështeti mirëqenien e saj duke legjitimuar e mbrojtur  paligjshmërinë, si në kultivimin e drogës, vjedhjen e mospagimin masiv të energjisë, ndërtimet pa leje e legalizimin selektiv të tyre, krijimin e monopoleve e stimulimin e kontrabandës, privatizimeve dhe investimeve nepotike e klienteliste. Të gjitha këto sipas preferencave e llogarive politike. Pra, mund të themi se qeveria përpiqet të ecë në drejtimin e duhur ku një seri masash e reformash e kanë dhënë rezultatin e vet si operacionet e policisë apo ato të energjisë elektrike. Disa duan kohën e tyre që të shihet rezultati. Masat e ndërmarra në ekonomi kanë rezultatet e tyre pozitive për teknicienët, por siç dihet në fillim kanë efekt shtrëngues dhe ky është viti i parë ku do shikohet drejtësia e tyre dhe eventualisht nevoja për korrigjim, ndërsa ka dhe masa apo reforma ende të paqarta e kaotike.

 

Çfarë do të veçonit si arritjet më të mira të Ramës dhe çfarë ju ka lënë shije jo të mirë?

Arritjet më të mira janë marrja e statusit kandidat për 8 muaj, gjë që PD s’e arriti, madje e pengoi për 8 vjet me radhë, nxjerrja e KESH-it nga gropa ku po zhytej, hartimi i një buxheti realist që garanton një rritje ekonomike normale, shkulja e bastioneve të mbrojtura politikisht të kultivimit të drogës,vendosja në binarë ligjorë e procesit të legalizimeve, përpjekja për të ndalur trafikimin publik të diplomave e anarshinë e krijuar në arsimin e lartë, kthimi i interesit për turizmin me projekte konkrete. Shije jo të mirë lë në radhë të parë ajo çka ishte pritshmëria numër një e shqiptarëve, e sidomos e ish-opozitarëve. Gjithkush priste e pret një çrrënjosje sa më të thellë të korrupsionit e ilegjitimitetit ku jo për hakmarrje, por për drejtësi, pritej ndëshkimi i atyre që ishin shkaktarët dhe përfituesit kryesorë të ngritjes së korrupsionit,kontrabandës,trafiqeve në sistem. Por ende shihet një ndëshkueshmëri e lartë e të implikuarve poshtë dhe pandëshkueshmëri totale të personave përgjegjës lart. Përshembull arrestohen vjedhës individualë të energjisë elektrike, por s’ka as kallëzim për ata që organizuan këtë vjedhje masive. Ju kujtohet besoj se në qoftë se tani policia arreston vjedhësit në mbështetje të punonjësve të OSHEE-së, në kohën e PD-së policia arrestonte punonjësit kur shqetësonin vjedhësit e energjisë. Tani ndiqesh penalisht për ndërtime pa leje qoftë dhe në tokën tënde, ndërsa ata që ndërtuan e legalizuan pa ligj në zona preferenciale dëmshpërblehen me paratë tona dhe ish-shefat bamirës bëjnë të qetë oponencën e qeverisë në emër të popullit? Pritshmëria e dytë ishte në drejtim të reformës administrative ku ish opozitarët nuk shihnin vetëm një mundësi për t’u punësuar vet, por me të drejtë duke e parë administratën si një instrument tejet të keqpërdorur politikisht nga PD deri tek mitingjet me lista e sidomos si masha kryesore e përhapjes dhe e kryerjes së mitmarrjes, shpërdorimit të fondeve publike, shkeljes së ligjshmërisë e keqqeverisjes prisnin një spastrim real e rrënjësor të saj. Çuditërisht nën presionin e opozitës hartimi i ligjit të ri po kuptohet sikur ai u bë për të mbrojtur ish-administratën, ndërkohë që ajo administratë ishte cilësuar jashtë standardeve të BE-së. Ishte mosplotësimi i standardeve ligjore në administratë një nga 12 rekomandimet e paplotësuara që pengoi marrjen e statusit kandidat. Ligji ri u bë që pas pastrimit të ish-administratës nga paaftësia, inkompetenca, politizimi, korrupsioni e reja të ringrihej mbi respektimin e ligjit të ri konform praktikave evropiane. Hezitimi i kryerjes së këtij operacioni bën që shumëkush ta shohë me dyshim fatin e rilindjes në duart e shumë burokratëve që s’kanë asgjë të përbashkët me këtë term. Madje që jo vetëm se kuptojnë, por dëshirojnë që rilindja të lindë e vdekur. Shije jo të mire la dhe ideja e rritjes se çmimit të energjisë, ndonëse në çdo rast kjo është një faturë e mbartur prej shkatërrimit të qëllimshëm të KESH nëpërmjet privatizimit totalisht korruptiv e konjuktural. Hidhësinë e kësaj mase më shumë e amplifikoi propaganda, pasi përfundimisht kemi një rritje të kilovatorit të fashës prej 300 kë/orë  me 1,8 lekë njësia dhe ulje me 4 lekë të çdo kilovati tjetër, ç’ka bën që shteti nga popullata të mbledhë vetëm  2 – 3 për qind  më shumë të ardhura me tarifat e reja. Duke futur këtu dhe kompensimin me 12 milionë dollarë i bie që shteti më shumë i jep se i merr popullatës në tërësi. Patjetër që rritja e taksave krijon gjithnjë një reaksion negativ pasi shpesh ndihen të prekur edhe ata që s’preken, por edhe se ata që preken janë konkretë dhe e ndjejnë menjëherë. Ndërsa përfitimi është indirekt dhe i jep efektet më vonë, pa anashkaluar faktin se ndonjë prej tyre s’na duket e përshtatshme, si tatimi me 15% i çdo të ardhure të dytë, kur shumëkush megjithë të ardhurën e dytë s’e kalon 1,3 milionëshin (e vjetër); apo mbi shitjet e banesave, kur nxitja e shitblerjes së tyre do të ishte një ndër masat më efektive e më zhbllokuese për shumicën e bizneseve. Gjithashtu duhet rregulluar raporti prishje-ndreqje, e thënë figurativisht. Pra sa më parë duhet të fillojë ndërtimi e transformimi i zonave me përparësi turizmin si “Lungo Mare” Vlorë, organizimi i Golemit, bregu i liqenit të Pogradecit etj, për të përcjellë qartë mesazhin e qëllimin se prishjet nuk bëhen as për penalizim, as për antibiznes, por për një zhvillim të qëndrueshëm, ligjor e të standardeve të kohës.

Po opozitën dhe rolin e saj gjatë kësaj periudhe si e vlerësoni?

Në asnjë lloj literature e përvoje demokratike nuk njihet opozitë që të bëjë opozicion duke u mburrur me të shkuarën e saj, aq më tepër kur vendin e la në krizë, qoftë kjo edhe në kuadrin e krizës globale dhe të rreshtuar në tërë raportet për liritë e të drejtat, për lirinë e shtypit e korrupsionin nga fundi i listës. Nuk njihet opozitë që në emër të kursit të ri, të së resë apo të gjeneratave të reja të pranojë publikisht se modeli i tyre është ish-lideri 20 vjeçar dhe se ky model suksesi është i paarritshëm për ta, ndonëse rezultati i qeverisjes së këtij modeli është Shqipëria e viteve ‘96-‘97 dhe Shqipëria e 2013-s. Kudo opozita e ballafaqon qeverinë me aftësinë për ta nxjerrë vendin nga kriza ose jo, me faktin nëse masat e saj e përmirësojnë apo e keqësojnë gjendjen dhe jo me qeverisjen e vet të dështuar. Ka më absurde kur dëgjon që qeveria ka përkeqësuar standardet e vlerat demokratike të fituara gjatë qeverisjes së PD-së, ndërkohë që Shqipëria merr statusin pas 9 vjetësh stanjacion, sepse BE vlerëson se ka progres në drejtim të standardeve demokratike?! Çdo shqiptar normal pyet veten si është e mundur që kur ishim më mirë me standardet, sipas PD-së, s’na e dhanë statusin, sapo i përkeqësuam e morëm statusin?! Tepër kompromentues për opozitën është fakti që ajo jo vetëm nuk ka asnjë reflektim mbi situatën skandaloze korruptive që kultivoi dhe trashëgoi, por është hapur në mbrojtje të tij. Në çdo operacion policor opozita është rreshtuar në krah të keqbërësit. Qëndrimi i saj gjatë ndërhyrjes në Lazarat është shoqërisht i dënueshëm. Fatkeqësisht s’dihet ndonjë rast që kur akuzohet institucionalisht një përfaqësues a përkrahës i ish-pushtetit, opozita mos ta quajë goditje politike dhe kur akuzohet edhe jo institucionalisht e deri thashethemnisht një jo i opozitës, mos të klasifikohet si i mbrojtur politikisht.

Zakonisht kur flasim për opozitën, nënkuptojmë Berishën. A nuk duhet ndryshuar ky koncept tani që PD ka një fytyrë tjetër me dy figura qendrore të saj si Basha dhe Ristani?

Berisha nuk lë vend për ta nënkuptuar, pasi ai në PD nuk është vetëm shpirtërisht, por edhe fizikisht e më aktivi. Veprimtaria më e dukshme e  opozitës është jeta parlamentare. Gjatë saj dominonte në kohë e procedurë Saliu, i cili i impononte Lulit dhe tërë PD-së qëndrimet e veta dhe shumicës procedurat  e veta parlamentare. Një nga arsyet pse opozita la Kuvendin ishte pikërisht për ta ndryshuar pak këtë praktikë e realitet. Me PD-në në Kuvend opinioni shihte përditë Berishën, çdo javë Bozdon e tek-tuk Lulin, ndërsa jashtë parlamentit del më shumë kryetari i emëruar e më pak i vërteti. Pra bojkoti ishte i vetmi mjet për të balancuar pak raportin midis kryetarit e ish-kryetarit në shfaqjen publike. Pra këtu s’kemi të bëjmë me perceptim a konceptim të gabuar, por me një realitet fatkeq ku opozita kërkon rikthimin në pushtet, kur t’i vijë koha,duke i premtuar shqiptarëve se do të rikthejë qeverisjen sipas Berishës, por pa të. Madje duke theksuar se s’mund të arrijë arritjet e tij? Nuk është rastësi që në emër të së resë në PD janë vendosur pikërisht ata që kanë qenë protagonist në fajet e deformimet më të rënda që ka bërë qeverisja e vjetër. Dihet që manipulimi votës, shit-blerja e saj, fitimi i mandateve nëpërmjet deformimit të votës kanë qenë shkaku kryesor i krizës së ‘96 e tërë përplasjeve e korrupsioneve politike, pikërisht lidershipi ri i PD-së është produkt i këtij fenomeni e përfitues kryesor.

Patëm një bojkot të opozitës për gjashtë muaj vitin e kaluar i cili u mbyll me një marrëveshje që u konsiderua historike midis PS-së dhe PD-së. A ishte vërtet e tillë kjo marrëveshje dhe kush doli më i fituar nga ajo?

Marrëveshja siç dihet, s’ka asgjë konkrete dhe si e tillë kuptohet çfarë vlere ka. Megjithatë PS fiton formalisht faktin se opozita kthehet në Kuvend pa ndonjë shkak të dukshëm, ç’ka do të thotë se dhe ka ikur pa shkak. Ndërsa PD fiton një copë letër, për të gënjyer se “ja, tani u plotësuan kërkesat tona”. Vazhdimisht kam denoncuar faktin që marrëveshjet përshëndeten pa parë përmbajtjen dhe efektin, vetëm pse quhen marrëveshje. Për ne marrëveshjet deklarative me vend e pa vend konsumojnë energji kot, se zgjidhin problemin a problemet,madje pengojnë nxjerrjen në pah të shkaktareve reale të krizës. Konkretisht çfarë efekti ka kur palët deklarojnë se do të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese? Si mund të pranohet se fati i vendimeve të Gjykatës u varka nga marrëveshja midis partive? Si mund të shpresohet që në një vend që shkelen vendimet e gjykatave tani do të respektohen marrëveshjet? Marrëveshjet më të shenjta, më të respektueshme, më solide në një vend demokratik janë vetë Kushtetuta, ligji dhe ç’ka buron prej tyre. Partitë janë betuar në statutin e programin e tyre si dhe para zgjedhësve e organizmave ndërkombëtarë se do t’i respektojnë ato dhe janë të detyruar t’i zbatojnë. Çfarë vlere ka që i betohen njëra-tjetrës?! Partitë bëjnë marrëveshje se si do i ndryshojnë e përmirësojnë ligjet e Kushtetutën, se si do bëjnë reformat kryesore apo se si zhbllokohen gjëra konkrete kur kanë qëndrime të ndryshme, por jo për të zbatuar rregullat e demokracisë. Përpiqen të paraqesin si konkrete bërjen e një ligji për dekriminalizimin? Me sa duket ende se kanë kuptuar se i vetmi ligj dekriminalizimi në demokraci është Kodi Penal dhe kapitulli i lirive e të drejtave në Kushtetutë. Ato përcaktojnë se kur dënohesh, sa dënohesh, ç’të drejta ke gjatë gjykimit, gjatë vuajtjes së dënimit e pas tij, kur jepet si dënim plotësues përjashtimi nga funksionet publike e kur përfundimisht quhesh i padënuar e gëzon çdo të drejtë. Krahas kësaj është dhe dekriminalizimi moral e politik që e bën vota, opinioni publik, pushteti dhe partitë. Por dekriminalizimi i politikës i çdo lloji  duhet të fillojë nga vetja dhe nga maja. BE ka 10 vjet që bën thirrje për nevojën e ndëshkueshmërisë në nivelet e larta, pra për dekriminalizimin në kokë, por sa më shumë bërtitet, aq më jetëgjatë janë të implikuarit. Kur dëgjon këtë kategori politikanësh të bërtasin për dekriminalizimin të kujtohen ankesat e shtëpive publike ndaj prostitutave ambulante që punojnë part-time.

Mendoni se ka ardhur koha që Qeveria të ndryshojë disa gjëra në punën e saj, pasi shikojmë shumë militantë të PS-së dhe të aleatëve të saj që janë të pakënaqur?

A ka ardhur koha që qeveria të ndryshojë…..? Patjetër që duhet të rishikohen e përmirësohen shumë gjëra, ashtu siç ka shumë për t’u vendosur e rivendosur në vendin e duhur sipas kontributit, meritës, aftësisë e performancës. Veçanërisht duhet një ndryshim e reflektim thelbësor në drejtim të dy aspekteve ku pritshmëria, siç theksuam më sipër, ishte më e lartë reforma administrative dhe masat kundër korrupsionit, monopoleve, privatizimeve e përfitimeve të paligjshme si dhe orekseve të reja. Dikush do të thoshte se nuk shkohet në Europë me militantë. Ndoshta, por është e sigurt që nuk shkohet askund me militantët e të kompromentuarit e palës tjetër. Çdo qeveri duhet patjetër të ketë së pari mbështetjen e militantëve dhe simpatizantëve të saj, të grupit parlamentar, aktivistëve dhe përfaqësuesve të çdo niveli si dhe të aleatëve. Por mbështetja nuk sigurohet vetëm me idealizëm a burrëri, ca më keq kur këto dy cilësi tek ne kanë mbetur vetëm si nocion. Ajo do edhe reciprocitet. Çuditem me disa që ende sot flasin me përbuzje për militantë që kërkojnë vende pune apo për aleatë që duan karrige. Përse këta moralistë kur lidershipi i partisë garon hapur për fitore për t’u bërë kryeministra, ministra, deputetë etj, e quan të ligjshme e të moralshme, ndërsa kur mbështetësit luftojnë për punësim a funksione të nivelit të dytë, tretë a të katërt e quajnë pa moral? Përse kur partia e madhe synon dhe merr pushtetin e quajnë normale, ndërsa kur aleatët e saj kërkojnë pjesëmarrjen në qeverisje sipas kontributit quhet etje për karrige?

A ka arsye të jetë i kënaqur një votues i së majtës me ato që ka bërë qeveria deri në këtë gjysmë mandati?

Shumica e votuesve të majtë duhet të gëzohen që me votën e tyre siguruan ndryshimin e madh, dhe kanë siguruar hëpërhë ndaljen e shkarjes së vendit në një krizë më të rëndë se sa Greqia. Berisha foli një vit rresht për skenarin grek, por skenarin e bëjnë ata që shkaktojnë krizën. Pra ata që marrin borxh pa hesap dhe e fshehin atë, dhe jo ata që iu ngelet barra ta nxjerrin nga kriza. Dihet që PD në kulmin e krizës botërore deklaronte se tek ne s’ka krizë. Ky qëndrim i saj i papërgjegjshëm, po të vazhdonte dhe dy vjet, neve s’do na kapte më njeri me dorë. Ndërsa ajo pjesë e të majtës që votoi thjesht për vazhdimësinë e vendeve të punës, pa u merakosur për ndryshimin duhet të jetë e kënaqur se jo vetëm i ruajtën, por dhe i përmirësuan e shumuan vendet e punës. Më hollësisht votuesit duhen të jenë të kënaqur për disa masa që kanë patur efekt, të vlerësojnë masat për stabilizimin e ekonomisë, të presin efektin e disa reformave duke filluar nga ky vit, të jenë të pakënaqur për trajtimin e pabarabartë midis aleatëve e të zhgënjyer që kontributi i shumë prej tyre në rrugën e re që duhet të ecë vendi, mund të jepet vetëm me votë.

Këtë vit kemi zgjedhjet vendore. Si i parashikoni këto zgjedhje që bëhen me një hartë të re territoriale që është bërë pa pjesëmarrjen e opozitës?

Reforma territoriale ishte një domosdoshmëri. Për mendimin tonë  nuk u zgjodh modeli më i mirë, por u mbart thjesht modeli i zbatuar në vendet fqinje të rajonit si Kosova apo Maqedonia. Opozita tregoi paaftësinë e saj të plotë sepse nuk bëri asnjë lloj oponence dhe s’paraqiti opsionin e saj për formën e pushtetit lokal. Deri dje deklaronte se s’kish rëndësi në sa njësi ndahej vendi pasi rëndësi ka vetëm decentralizimi, ndërsa tani pas reforme thotë se ndarja është antikushtetuese? Thuhet dhe se ndarja e re ndikon në zgjedhje, por e vërteta është se ajo nuk ndikon fare në zgjedhjet e përgjithshme, por ndikon negativisht për partitë e vogla në zgjedhjet vendore. Nuk përjashtohet mundësia se për këtë arsye reforma jonë e vendos Shqipërinë të parën në Europë për numrin më të madh të popullsisë për njësi vendore. Ne kemi 50 mijë banorë për njësi, kurse Europa ka mesatarisht  6-7 mijë për njësi, i dyti vjen me 20-30 mijë?

Si po shkon marrëveshja juaj me Partinë Socialiste dhe a do të jeni sërish bashkë në zgjedhjet e radhës?

Për ne s’është ndonjë surprizë që PS sillet ndryshe pas zgjedhjeve. Disa kishin mbetur të fiksuar pas pushtetit që iu kishin marrë PSD dhe aleatët pas zgjedhjeve të 97-s kur kudo, pushteti siç fitohet së bashku me votë, edhe ndahet po sipas votës. Le të krahasojnë  pushtetin tonë atëherë me 10 deputetë, me të shumë të tjerëve më vonë, me një apo katër deputetë pa u ndalur tek cilësia e qeverisjes apo si është përdorur a keqpërdorur ky pushtet. Për t’i mbyllur këto gojë, ne në 2002 nuk hezituam të dalim nga qeverisja, kur pjesëmarrja në të na u afrua si pazar e jo si bashkëpërgjegjësi në qeverisje. PSD mbetet kontributorja numër një dhe më konseguente e të majtës. Pra ne jemi aleatë realë e përfaqësues të bindjeve e interesave të majta, ndërsa aleancat partiake kanë nevojë për reciprocitetin që sot mungon.

Reforma në drejtësi është një nga reformat madhore që ka munguar deri më tani. A e shihni të mundshme dhe të shpejtë këtë reformë?

Sigurisht reforma në drejtësi është më e vështira sepse që në konceptim ka një kontradiksion: Nga një anë i kërkohet qeverisë të luftojë korrupsionin, inkompetencën, deformimin e të drejtës në gjyqësor e më gjerë, nga ana tjetër kërkohet të forcohet pavarësia e mosndikimi i gjyqësorit nga politika. E para kërkon ndërhyrje radikale e urgjente, e dyta kërkon ndërhyrje sa më të kujdesshme e afatgjata. Gjithashtu, ka dhe kontradiksion të dytë, që në kushtet e një shoqërie të korruptuar në të tëra nivelet e ku politika e veçanërisht qeveritë kanë qenë përgjegjëset kryesore, kush duhet të pastrojë njëra-tjetrën? Politika gjyqësorin apo gjyqësori politikën? Kuptohet se në situata të tilla, të rretheve vicioze a thikave me dy presa, janë ndodhur tërë shoqëritë tranzitive te demokracitë e reja, por edhe të vjetra. Dhe ky rreth kudo çbllokohet me votën e lirë, jo të manipuluar a të blerë, me opinion publik që detyron dorëheqjet e penalizimet e kujt gabon, pra politika pastrohet nëpërmjet votës e protestave e presioneve publike, ajo ndiko në pastrimin e pamvarësimin e gjyqësorit, dhe ky gjyqësor pastron më tej politikën dhe shoqërinë. Ky mekanizëm tek ne ka funksionuar në të kundërt në ‘96, me zgjedhjet 100 për qind të manipuluara e me probleme serioze më tej prandaj në vend të pastrimit reciprok politik-gjyqësor ka ndodhur ndotja e komprometimi reciprok. Vota e 23 qershorit në mbi 80 për qind të sajë u dha për ta vendosur këtë mekanizëm në drejtimin e duhur, prandaj duhet një vullnet i plotë deri dhe me vetëflijime, për ta bërë atë realitet.

Rama ka premtuar se do të hapë dosjet. Sa i nevojshëm është ky akt në këto momente dhe kush mendoni se do të dëmtohet më shumë nga hapja e tyre?

E djathta, ata që flasin në emër të saj, s’kanë dashur e s’duan të hapen dosjet. Është absurde të dëgjosh disa që kanë qenë 13 vjet në pushtet të thonë se kanë dashur vazhdimisht t’i hapin dosjet, kur një ligj për hapjen e tyre do një muaj punë. E majta, kur PSD drejtonte Kuvendin dhe qe pjesë e shumicës qeverisëse, kontrolloi mbi 7000 funksionarë, përfshirë ministra e deputetë, nëse kishin qenë bashkëpunëtorë, dhe dhjetëra pranuan dorëheqjen para faktit. Ata që s’kanë dashur hapjen e dosjeve, bashkonin qëllimisht ligjin për dosjet me atë të pastrimit. Këto dy ligje kanë disa ndryshime thelbësore: ligji dosjeve merret me atë pjesë të së kaluarës që s’dihet publikisht, ndërsa ligji i pastrimit merret me të shkuarën e mirënjohur publikisht, pasi qenia e dikujt bashkëpunëtor s’dihet as nga familja, ndërsa qenia sekretar a ministër dihet nga të gjithë. Ligjet e pastrimit janë ligje dënimi kolektiv, por legjitimohen si preventiv për një periudhë të caktuar, pra ato bëhen në periudhat tranzitore e përkohësisht, ndërsa ligji i dosjeve ka qëllim të parë transparencën dhe këshillohet në çdo kohë kur vlerësohet që pasojat e tij sociale janë të përballueshme. Të flasësh për pastrim të shoqërisë a të politikës pas 24 vjetësh demokraci me ligje pastrimi, do të thotë të kërkosh të thyesh rekordet e diktaturës për të vazhduar luftën biografike dhe pas 30 vjetësh?! Kuptohet se një kërkesë e tillë nuk bëhet as nga zelli i madh as nga psikologjira ekstreme, por qëllimisht për ta bërë ligjin antikushtetues e për pasojë të pamundur edhe hapjen e dosjeve, siç dhe ndodhi në 2008. Ndërkohë që një pjesë nuk e do hapjen e dosjeve nga frika e implikimit, liderët e tyre se duan sepse e kanë keqpërdorur këtë fakt. Nëpërmjet presionit me dosjet e sigurimit dhe ato të korruptimit, të krijuara më vonë, janë kontrolluar shumë politikanë madje dhe parti. Sa herë që çuditeni me lëvizjet e dyshimta, të papritura e të pamoralshme të dikujt, ta dini se prapa tij është një dosje e ish sigurimit të vjetër apo e ish SHIK-ut e korrupsionit të ri. Me hapjen e tyre duket sikur i hiqet Berishës e ndonjë tjetri kjo armë, por a do zbardhet dot fati atyre që janë asgjësuar, prekur apo zhvendosur në vende të paautorizuara?

Qeveria Berisha mburrej se kishte shtruar rrugët e vendit, mirëpo këto rrugë duket se fshehin gropa të mëdha financiare dhe abuzime të ish pushtetarëve, a duhet bërë një inventarizim i këtyre punëve që janë bërë ose janë lënë në mes?

Për mendimin tonë dështimi më i madh dhe abuzimet më të mëdha të ish qeverisë janë tek rrugët. Performanca e çdo qeverie në çdo sektor nuk matet me ç’bëri por me ç’ka bërë në raport me ç’duhet të bënte në sasi, cilësi dhe kosto. Në 8 vjet qeverisje duhet të kishin përfunduar tërë rrugët nacionale qendër qarku, nuk përfundoi asnjë prej tyre, duhet të ishin shtruar mbi 10.000 km rrugë të tjera, siç dhe deklarohej, nuk janë bërë as 3-4 mijë, më cilësorja prej tyre e standardit hiper europian në kosto si afrohet as standardit të Kosovës në cilësi. Një mangësi e madhe e administratës aktuale është se flet për korrupsionin e mëparshëm me terma të përgjithshme e jo me shifra. Po të thuhet qartë se vetëm nëpër rrugë janë përvetësuar mbi 600 milionë euro, se vetëm nga privatizimet e mëdha dëmi është tek një miliard në KESH, 200 milionë në naftë etj. etj. Se vetëm nga koncesionet klienteliste në energjetikë, Lotari Kombëtare, naftë, kontroll automjetesh, ikin qindra miliona të tjerë atëherë njerëzit do kuptonin se Shqipërinë në krizë s’e çoi kriza botërore por korrupsioni e pangopësia vendore.

Intervistuan: Erion HABILAJ & Xhevdet SHEHU

 

 

 

January 10, 2015 13:31
Komento

11 Komente

  1. Meteh May 26, 15:15

    Z.skender Gjinushi,si njei i zgjuar qe eshte,si djal i nje gjenerali model,per te cilin ka paur respekt gjithe korpusi i gjeneraleve dhe ushtarakeve te tjer ne ushtri,jep konkluzione te drejta per drejtuaesit e 2 B,(Pra bëm o babë të ngjaj)Do e kshillonim Skenderin te merte pjese si analist pro te majtes,ndonse akoma nuk eshte perfshir ne te,arsyet dihen tashmë.Basha po kerkon te dale si lider,por shpreh ato qe i dikton babi i vet:”Bjeri sa me shume Rames,ndryshe na piu e zeza”Dhe sulmi vazhdoi me LHL te Siris,Tritoli C4 i Saliut-dora vet 23 vjet,problemi avionit te droges te sajuar po nga Sala,tashme po sulmon Kongresin e permetit,fotot e Enverit.Keto marrzi te tyre i di edhe BUFI,ndaj Rama me keto perralla-ka 100 vjet ymer,por ky duhet te shpejtoi largimin e Nishanit,Llalles,Vishos.Krijimin e gjykates penale per te bere reformen ne drejtesin e korruptuar-E PAKORIGJUESHME..!

    Reply to this comment
  2. iremila May 26, 15:15

    Sa te rroje baca sali ,ajo parti per lesh do te shkoje!

    Reply to this comment
  3. tiku May 26, 18:29

    Kjo pjesa per Bashen qeka tamam. Se ky Basha as po perpiqet hic te beje ndonje gje ndryshe si Berisha, po po i ben te gjitha njelloj fare. Sja mban Bashes as te flasi ndryshe, ja ka caktuar Saliu edhe budallenjt Ristani, Noka, Strazimiri njeri me gomar se tjetri. Hajde ndryshim hajde. Tamam si ne diktature.

    Reply to this comment
  4. Jozi May 26, 20:30

    OGJINUSH MOS E DRITH SHUM PRAPANICEN PO NGULU NE NJE HU SE ESHT MIR ME NJE HU

    Reply to this comment
    • jozi May 27, 06:24

      Me fal po po dridhesha vete e mu duke se po dridheshe ti. O edi mos ma luj sumen se po shof me dridhje.

      Reply to this comment
  5. dsf May 26, 20:30

    AI E DI MIRE QE MBROJTJA ME E MIRE ESHTE SULMI SI THOTE POPULLLI.

    Reply to this comment
  6. Pëllumb zaimi May 26, 22:32

    Z. Gjinushi për mua eshtë një polemist “par exelence”! Askush nuk e kap dot ne debat,askush nuk e fiton dot polemikën me të. Ka nje shkathtesi e shpejtesi mendore te habiteshme! E vlerësoj si nder te vetmit te majtë konsekuentë,të qartë në majtizmin e tij dhe pa “bythpërdredhjet” e se majtes ne pergjithësi ? Godet ne shënjen e duhur me saktesine e duhur dhe me vendosmerine e duhur. Njerzit qe e njohin nga afer thone se eshte trim. E mbeshtesin ne shume tregime thenien e tyre!

    Reply to this comment
  7. Marin Gashi May 26, 22:42

    Fol o Gjinush, fol, se kure pate ne dore tigrin e Vicidolit e fale…

    Reply to this comment
  8. Drejtesi May 27, 05:04

    Sa turp per ne shqiptaret qe votojm akoma keta flliqesirat ( gjinushin,milon,meten saliun e ramen, turp te na vij se po Tallin by…. Me neve

    Reply to this comment
  9. N.VJOSA January 10, 18:25

    @Tartuf,
    Nuk eshte pelivani, as ti, as une, qe percaktojme dhe vleresojme nje personalitet Politik, pamvarsisht se njeri nga ne mund ti afrohet te Vertetes !
    Une per vehten time i vleresoj mendimin e kundert, kur bazohet ne argumenta….

    Reply to this comment
  10. SuloKapedani January 10, 18:30

    Z.Gjinushi ka plotèsisht tè drejtè nè analizèn qè bène dhe èshte politikan i shèndetshèm i mbèshtetur nè baza tè forta tè praktikès me shkencèn e filozofisè nďèrsa si disa komentues ,shembull “tartuf”nuk jane gjè tjeter veçse nje matuf me shkollè.Respekte per pjesemarrje nè koment.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*