SHËNIM: Bunkeri i dosjeve

Xhevdet Shehu November 23, 2014 11:19

SHËNIM: Bunkeri i dosjeve

Shumë njerëz janë befasuar dje nga gjesti i Kryeministrit Rama për të çelur ekspozitën video-muzeale “Bunk Art” diku në periferi të Tiranës. Ka kaluar gati një çerek shekulli nga përmbysja e regjimit komunist dhe zbulimi i një bunkeri të tillë përbën lajm. Natyrisht për të rinjtë që nuk e kanë jetuar atë periudhë dhe atyre më te drejtë u duket një absurditet.

Mirëpo ky bunker nuk përbënte ndonjë sekret pas vitit 1990. Ashtu si nuk përbën sekret fakti se bunkerë të tillë kanë ekzistuar thuajse në të gjitha shoqëritë totalitare komuniste.

Ekzistojnë dhe sot e kësaj dite, madje dhe në Shtetet e Bashkuara. Ja si e përshkruan bunkerin e Shtëpisë së Bardhë, ish-shefi i CIA-s, Xhorxh Tenet në mbrëmjen e 11 Shtatorit 2001, kur ndodhi sulmi terrorist, në librin e tij me kujtime “Në syrin e ciklonit”: “Makina ime u vendos në një vend parkimi, ndërsa Shërbimi Sekret më shoqëroi nëpër një korridor të gjatë dhe të ndërlikuar, që të çonte te një bunker, një vend që unë nuk e kisha vizituar kurrë më përpara dhe ku nuk do të shkoja kurrë ndonjë herë tjetër.

Atje ishin Presidenti dhe Zëvendëspresidenti, tok me Dik Klarkun, Kondi Rajsin, Kolin Pauellin, Don Ramsfelldin, kryetarin e Shefave të Përbashkët Gjeneral lejtnant Hugh Shelton, si dhe disa të tjerë, përfshi Llajn Çenej dhe Laura Bush. E mora me mend se “bunkeri” kishte në pjesën mbitokësore fortifikime me thasë me rërë dhe artileri…

Bunkeri i Shtëpisë së Bardhë ishte pak a shumë një imitim i Sallës së Situatave – por në sallë ishte një ndjenjë e qartë luftarake dhe, atë ditë, me shumë emocion të gjallë në një vend që nuk e kisha parë asnjëherë në jetën time…”

Pra nuk kemi pse të habitemi nga bunkeri që zbuloi dje Rama. Ne shqiptarët, në njëfarë mënyre jemi ambientuar me qindra mijë bunkerët e asaj kohe dhe nuk na çudit fakti se u zbulua një bunker më shumë. Ai bunker do të shërbejë si një destinacion turistik dhe bëhet shumë mirë. Por ajo që me të vërtetë ka trazuar shumë shpirtra dje ishte deklarimi i Ramës se do të ‘shpërthejë’ bunkerin e dosjeve.

Ky ishte thelbi i inaugurimit të djeshëm. Me të kaluarën komuniste jemi ndarë qysh në vitin 1990, ndërsa me mentalitetin e saj ende. Dhe ky në thelb është bunkeri më i tmerrshëm që na mundon ende.

Janë dosjet e fshehta të ish-Sigurimit të Shtetit, janë ish-spiunët famëkëqij të atij Sigurimi dhe të shërbimeve të huaja që është thënë shpesh se jo vetëm kanë mbijetuar, por edhe kanë bërë ligjin në këtë vend edhe 25 vjet pas përmbysjes së diktaturës.

E këta njerëz, pseudonimet e të cilëve janë përmendur shpesh nëpër foltore të ndryshme dhe në faqet e shtypit, janë njerëz që kanë mbjellë fatkeqësi, kanë vrarë e internuar njerëz e familje të tëra, ndërsa na hiqen si engjëj dhe vazhdojnë të jenë në politikë.

Dhe të mendosh se jemi i vetmi vend i ish-Europës Lindore komuniste që nuk e kemi kryer këtë akt purifikimi dhe ndarjeje me të kaluarën. Justifikimi për të mos hapur dosjet e së kaluarës ka qenë gjithnjë i mjegullt me një nëntekst kërcënimi: Po u hapën dosjet do të bëhet hataja në këtë vend… Jo, asgjë e tillë nuk ka për të ndodhur.

Kemi ndjekur sa e sa raste në vende të tjera ish-komuniste që politikanët kur u janë hapur dosjet sekrete, kanë dhënë dorëheqjen nga politika dhe janë tërhequr në jetën e tyre private, kur është vërtetuar se nuk kishin kryer krime. Kështu me siguri do të ndodhë edhe tek ne.

Dosjet nuk kanë pse të rrinë mbi kokat tona si shpatë e Demokleut. Më mirë vonë se kurrë, thotë populli. Të paktën ata të përlyerit nuk do të kenë më të drejtën morale të na shesin moral.

Pra, le ta hapim dhe këtë bunker!

 

Xhevdet Shehu November 23, 2014 11:19
Komento

3 Komente

  1. MERIMANGA E KUQE November 23, 23:03

    KY DO TE JETE BUNKERI I LLUMIT HAPE SA ME SHPEJTE O RAMA

    Reply to this comment
  2. JOY -72 November 24, 00:02

    para se te hapen dosjet duhet bere ligji i lustracionit,,,,,,,,,perndryshe,,,,,,!!!!!!!!!!!!!!!!!1

    Reply to this comment
  3. METEH November 24, 09:08

    He me te lumt o Xh.Shehu,shkruaj & nxite RAMEN qe ti hapi sa me pare ato dosje te mallkuara per te dal ne siperfaqe llumi i politikes shqipetare ne keto 24 vite te tranzicionit,ku kane drejtuar spiunet,kriminelet,hajdutet,shitsit e shkaterrimit te pasurise kombetare.Ate bunker qe hapi RAMA,le ta shohin te tere,edhe ata qe kane sindromen e ENVERIZMIT-RAMA,se gjoja ngre figuren e diktatorit pas lufte.Ju lumt RAMA,Xh.Shehut & Gazetes DITA qe publikon keto fakte te reja te maskuara,qe SALA i dinte por nuk guxoi ti hapte,se ishte vet PUTHADOR i ENVERIT 100 karatesh,ndonse ne opinion e perçmon ate.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*