SHËNIM: Ç’po ndodh me gardën e vjetër të Shqup-it

Bedri Islami May 23, 2015 13:03

SHËNIM: Ç’po ndodh me gardën e vjetër të Shqup-it

Në Partinë Demokratike ka pasur gjithnjë një gardë të vjetër, tejet sulmuese e të ashpër, e cila ka bërë ligjin në të gjitha fushatat zgjedhore, që nga e para e deri tani, kur gjërat si duket, kanë ndërruar. Kjo gardë, e hedhur në fushën e betejës sa herë që gjërat kanë qenë më të vështira dhe e gatshme për të ndryshuar rrjedhën e natyrshme të gjërave, u bënë pjesë e saj pasi kishin dhënë prova të skajshme. Duke lënë mënjanë votimet e marsit të vitit 1992, kur njerëzve u kishte ardhur shpirti në fyt dhe, donin apo nuk donin, duhej të bënin ndryshimin e qeverisjes, në të gjitha të tjerat, “vula” që la pas kjo gardë, ishte njëra nga njollat e turpit të Shqipërisë dhe haraçi i rëndë që paguhet ende sot.

Shumë njerëz kanë lënë emrin e tyre në gardën pretoriane të berishajve, që nga ata më të zellshmit, memiajt e politikës dhe të kërbaçit, e deri tek rrumpallat e rrugëve, të cilët, duke pasur pushtetin në duar, bënë haptas, si në vitin 1996, dhe fshehtas, në të gjitha vitet e tjera, vjedhjet masive, mashtrimet galopante, vendosjen e një klani mafioz e kërcënues njëkohësisht përballë çdo verdikti që mund të sillej nga vullneti i njerëzve dhe, pasi e rropën vendin deri në kërthizën e financave të saj, sollën krejt haptas të vërtetën e një postulati stalinian, se “nuk ka rëndësi se si voton populli, rëndësi ka kush i numëron votat”.

Katër vite më parë, njëri nga gardistët shqupas, Arben Imami, njeriu mbi tank, që më pas u bë njeriu i zi i punëve të errëta, sapo kishin përfunduar numërimet e votimit në kryeqytetin shqiptar, solli idenë se duheshin numëruar edhe të panumëruarat, dhe ristanët e politikës, bënë të mundur që kutitë “të pillnin” vota të reja. Kjo nuk ishte hera e parë, njeriu mbi tank ishte vetëm njëri nga shembujt e pamëshirshëm të politikës, por që nuk ishte as më shumë se të tjerët.

Tani kjo gardë ka heshtur. Një tufë pinjollësh berishistë; Bode, i cili ende sheh pas zgjedhjeve fatin e tij të mëtejshëm; Topalli, e strukur pas tre palë vilave; Ruli, i kënaqur me koncensionet e minierave; Pollo, njeriu i hijeve dhe i dorispakëve, Patozi, tepërt i afërt me hipotekat; Doda, herë e rebeluar e herë kërcënuese me varje në majat e palmave; Halimi, i shquar në komisionin e jashtëligjshëm dhe mjeran të 21 janarit; Bumçi, që nuk dihet se formën e çfarë ene do të marrë në të ardhmen; gjithëfarë “autoritetesh” të deridjeshme, në këtë fushatë, çuditërisht janë të heshtur ose të lënë jashtë loje.

Nuk ka asgjë të re në këtë lënie jashtë, pra, nuk ka asgjë moderne në politikën shqupase të deritashme. Është e njëjta retorikë, ashpërsim deri në skajim, thirrje që po të merreshin si të vërteta populli duhej të ngrihej me armë për të shporrur qeveritarët; një lider, i cili vërtet ngjan me të vjetrën si kotelja me tigrin, por që gjëmën e kanë të përbashkët; skanime dhe montazhe takimesh dhe bisedash, përsëri thirrje kërcënuese. Pra, nuk ka ndërruar asgjë në politikën shqupase, ajo ka ruajtur të njëjtën përmbajtje, por në lojë po futen aktorë të rinj, të cilët, edhe pse është e vështirë të mbahen mend, me emër e mbiemër, janë aty për tri arsye themelore.

Arsyeja e parë: Basha, si duket edhe me ndihmën e këshilltarëve jashtë partisë së tij, po përpiqet të bëjë një distancim me grupit të tij dhe gardës, duke e trajtuar vetëm atë si shkaku i humbjes së 23 qershorit të dy viteve më parë. Nëse në deklarata të tij fillestare, ai fajësoi vetëm nivelin e mesëm qeveritar dhe nuk u ngrit dot as tek drejtorët e drejtorive, pasi ende nuk ishte i sigurt se mund të ishte lider qoftë edhe vetëm de jure i partisë, tani, ai po i mëshon idesë së distancimit të heshtur. Duke lënë mënjanë një grup skifterësh, ai nuk është se po bën politikën e pëllumbit, por, si asnjëherë tjetër, ai është hedhur në krijimin e një ndasie mes tij dhe të tjerëve, shumë nga të cilët, jo vetëm që nuk e duan, por presin ditën t’i vejnë këmbën. Tashmë nuk është më vetëm Topalli e grupi rreth saj të hasmëruar me Bashën. Grupi i hasmëruar është shumë më i madh, pasi mënjanimi i tyre është në fakt alibia e Bashës për humbjen e mëparshme. Duke lënë gjithçka në derën e të shkuarve politikë, ish ministra e qeveritarë të lartë, shefi i Shqupit ka krijuar barrierën e parë mes tij dhe atyre që ende pyesin: “Po ky nga doli”, dhe megjithëse e dinë se është një krijesë e Berishës, përsëri zemërimin e kanë vetëm me të. Me shefin plak nuk ua mban të zemërohen. Ata e dinë më mirë se të gjithë, se të zemërohesh me të është si të bësh gati qefinin politik, pasi për secilin dosjet janë aq të fryra, sa që nuk do të ketë prokurori që t’i kopsisë. Lënia jashtë lojës e gardës së vjetër pretoriane është në fakt braktisja e një humbjeje, për të mos qenë edhe vetë pjesë e saj.

Arsyeja e dytë: Ndoshta njëra ndër më të rëndësishmet. Për çfarë do u flasin njerëzve këta producentë të vjedhjeve masive, krijimit të monopoleve mafioze, në të cilën politika dhe krimi janë bërë një. Basha, sado që nuk di shumë gjëra, e di të vërtetën e madhe se asnjëri prej ish ministrave nuk është i pastër, për të mos thënë se është i zhytur aq thellë, sa që nuk mund të pastrohet më përmes delegimit të tyre në fushatë. Njëri nga devijimet e kësaj rruge, Imami, sapo hyri në Shkodër u ndesh me të shkuarën e tij pak të largët politike, si gjeneral i tankeve, por, po të kishte ndërhyrë edhe më, do të ndeshej me të shkuarën e afërt si njeriu i punëve të errëta. Imami është në fakt gjenerali i familjes berishiane, dhe Basha e do këtë përjashtim nga rregulli, qoftë edhe si alibi për të fshehur një të vërtetë të ardhshme.

Në se do të kishin qenë pjesë drejtuese e fushatës figura të njohura qeveritare të së shkuarës, shumë lehtësisht gjithçka do të ishte kthyer në një dëm të pashoq, pasi zullumi i tyre është kaq i dukshëm dhe ndëshkimi ishte aq i madh dy vite më parë, saqë nuk mund të fshihet më. Kandidati për deputet i PD-së në bashkinë e Tiranës, Kosova, me një naivitet fëminor politik, deklaroi se nëse do të kishte dashur të vidhte si ministër, ai do të kishte pasur një pasuri shumë më të madhe se ajo që kishte vënë në 20 vite punë. Askush nuk e di me saktësi se sa ditë e javë qëndroi doktor Kosova si ministër në pushtetin e Berishës, e megjithatë paska pasur mundësinë të bënte miliona euro. Pyetja pasuese është e thjeshtë: Po ata që qëndruan me vite ministra e kryeministra, po familjet e fëmijët e tyre, po ai i financave që kishte në duart e tij për tetë vite e disa muaj të gjithë financat e shtetit, doganat e tatimet; po ai i minierave, që pasi shkëlqeu aty, e dërguan tek bujqësia; po ai i transportit, po ai i punëve të brendshme, po ai i mbrojtjes… Nuk do shumë mend se aq të ndershëm nuk kanë qenë, sidomos kur sheh vilat e tyre të pashoqe dhe dëgjon për pasuritë që kanë vënë jashtë shtetit.

Asnjëri prej tyre nuk do të kishte mundur të dëshmojë për një të vërtetë, e cila, në një të shkuar tetëvjeçare është bërë, si në përralla, në pasuri shumëmilionëshe.

Arsyeja e tretë lidhet me të ardhmen e shefit shqupas. Askush më mirë se sa vetë ai nuk e di se sa delikate e të luhatshme janë pozitat e tij. Megjithëse kundërshtari i tij kryesor nuk është më, pastë ndjesë, shkoi duke marrë enigmën me vete, kanë mbetur plot të tjerë, që nuk e shohin të largët ditën kur Basha do ta ketë të ndaluar hyrjen në zyrat shqupase. Dhe po punojnë për këtë, jo sepse e ndjejnë veten të rrezikuar, apo se Basha paraqet një mendësi të re, por kjo është lufta brenda llojit, në të cilën çakejtë e politikës nuk duan mjegullinat e ujqërve të mjegullës.

Basha ka kështu provën e parë të madhe të përgatitjes së gardës së tij. Do ia dalë? E vështirë, shpesh herë ujërat nxjerrin në breg leshterikët, megjithëse këto të fundit mendojnë se ata po i nxjerrin në breg ujërat.

 

Bedri Islami May 23, 2015 13:03
Komento

6 Komente

  1. monster May 23, 15:22

    Fol me mire per rilindasit, e lSi se ne ka cakej e ujqer te cakorduar, ne ate stan gjen me shumice.

    Reply to this comment
    • katarakti May 23, 18:55

      Ej Monster. Per rilindasit mund te lexosh te 55-esa sa te duash dhe te kenaqesh. Ketu te “Dita” kemi ne gryke te topit ata qe shkaterruan me themel Shqiperine qe nga 1990.

      Reply to this comment
  2. LOVE May 23, 17:38

    i bashkangjitem dhe une mendimit te komentuesit te pare
    po nga garda e vjeter e pales tjeter , cfare po behet ????
    Kaqin mos e perfshij , eshte ber komunist i djathte 🙂
    S.Gjinushi me duket se ka ik , po ke plot te rinj ….nuk ka lene me “hasan” rilindja pa marre
    rrrrrrrrilindet …..

    Reply to this comment
  3. fraza May 23, 20:06

    Falenderim per z Bedri Islami. Qarte dhe sakt.
    Nga fotografite e mesiperme duket se ”te vjeterit” (jo vetem ne moshe) jane duke lene amanetet…, ose jane duke bere planin, per te krijuar nje peshtjellim social per tere vendin. Ne te dy rastet deshtimi dhe ndeshkimi jane ne anen e tyre.
    Per Rilindasit flasin punet per ndertimin e vendit!

    Reply to this comment
  4. semanjaku May 23, 22:09

    Z,Bedri per keta monstra duhet folur me shpesh dhe me forte. Berisha, Luli Ruli,Imami, Pollo, Mediu, Rusmajli, Patozi Topallja,Ristani etj etj etj keta mafioz grabiten vodhen shkaterruan shiten, dhuruan per interesa vetjake pasurit kombetare, Keta vrane demokracin,atdhedashurin,shkaterruan te kater kollonat e nje shteti,,,,qeverisjen e perdoren per tu pasuruar, parlamentin e perdoren si diktat te shumices ndaj pakices, drejtesis ja hoqen rolin por e perdoren per te goditur kundershtaret kushdo qofshin keta,,dhe median e percan e blen e persekutuan e nxoren jashte detyrave te saje. Prandaj do shkruar me shpesh dhe me forte te degjoje drejtesia,te reagoje shoqata e gazetareve, te leri vendin presidenti kukull.

    Reply to this comment
  5. Demokrati May 24, 12:29

    Te gjithe duhet te largohen. Te tjere me te rinj dhe nje kryetar i ri duhet PD-se , kerkohet shume pune ne te ardhmen per rindertimin e nje Partie Demokratike te vertete demokratike, nderkohe qe te majtet te konsumojne dhe ata pushtetin ne PD te jene bere ndryshimet transformimet brenda saj dhe te behet gati per te rimarre pushtetin.Per kete gje duhet shume pune, pune dhe vetem pune duke pare vetem perpara.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*