Dhuna e rrugës dhe dhuna e Familjes

Bedri Islami April 21, 2016 12:22

Dhuna e rrugës dhe dhuna e Familjes

Shqipëria më në fund mund të jetë e qetë: njeriu i një mijë e një akteve vandale dhe i dosjeve të stërmëdha, është pas hekurave. Rroftë drejtësia! Tani e tutje njerëzit mund të flenë të qetë, reforma në drejtësi do të miratohet, FBI nuk ka pse të vijë në Shqipëri, pasi kemi në këmbë një prokurori dhe një parti që u jep dërmën të gjithë hajdutëve, kriminelëve, pengmarrësve, vrasësve…Urrrra!!

Emiliano Shullazi, edhe një herë është njeriu i ditës. Ai është në qeli dhe do të qëndrojë aty deri sa të bëhet gjykimi i tij, ose, për arsye proceduriale, të lirohet si të gjithë vjedhësit e mëdhenj. Tani gjykata dhe prokuroria ia morën dorën këtij marifeti. Sa më shpejt e sa më shumë të paguajë, aq më herët do të dalë. Kjo u bë një ekuacion i njohur që nuk ka nevojë për zgjidhje. Sidoqoftë, tani për tani, ai është në qeli dhe ndoshta ngulja këmbë e ambasadorit amerikan do i shkundë paksa të përkëdhelurit e drejtësisë. Nuk është i vetëm në burg, me të janë edhe dy nga bashkëpunëtorët e tij, ndoshta do të ketë edhe të tjerë.

Mijra kilometra larg tij është një pinjoll tjetër, i cili, bashkë me të dashurën, pushon në Kaliforni dhe, pasi na dërgojnë fotot e tyre, duket sikur na thonë se, pasi u kthyem nga Plazhi i Malibusë, (njerëzit pyesin se ku dreqin i bie!), tani erdhëm të shohim një koncert, atë të Guns N’Roses, bëmë edhe disa foto pikante, shprehëm edhe disa dëshira, si ajo e bojsave të vegjël, dhe, mos u trazoni, do të kthehemi.

Shullazi ishte njeriu i quajtur i fortë, sepse pas vetes kishte një trupë njerëzore, që i quante “djemtë”, të cilët, edhe në momentin e arrestimit, ishin të gatshëm të përlesheshin për shefin e tyre. Për më tepër ai ishte njeriu i lidhur me një mijë e një fije me nëntokën e politikës, po aq sa ishte i lidhur edhe me botën e krimit. Prokuroria ka premtuar se këtë pjesën e dytë do e argumentojë fuqishëm, ndërsa pjesën e parë, e dimë vetë.

Njeriu tjetër, ai që është në Kaliforni, ka mjaft të përbashkëta me të parin. Ka pasur edhe ai  gjithnjë një trupë pas vetes, megjithëse ajo ka qenë krejt ndryshe; e kollarisur, e pushtetshme, qeveritare; njerëzit e tij nuk kanë lëvizur me makina të blinduara, por kanë qenë të blinduar nga postet që kanë pasur e disa vazhdojnë t’i kenë, nga lidhjet me strukturat e rendit. Jo vetëm kaq; ai kishte gjithnjë pranë vetes një grup të fortë, përmes të cilëve lëviznin gjithëfarë mallrash, deri tek droga, dhe e gjitha nën mbrojtjen e shtetit dhe të pushtetit.

I pari, është në një qeli burgu, mendoj, e vonuar pas gjithë këtyre bëmave që na jep sot prokuria; i dyti, vazhdon të shetisë gjithë botën, bashkë me të dashurën ose miqtë e tij, dhe, megjithëse ndaj tij kanë dalur fakte të drejtëpërdrejta, akuza nga më të ndryshmet, që nga media e fuqishme ndërkombëtare e deri tek shoqëruesit e tij; ai endet nga të ketë dëshirë nëpër këtë botë jallane.

Çfarë bëri Shullazi më shumë se sa bëri Zeni?

Çfarë bëri i dyti më pak se i pari?

Jam i bindur se një pjesë të shoqërisë shqiptare e kanë prishur shullazët dhe shullazimi i politikës shqiptare. Jam i bindur se më shumë se sa shullazët shoqërinë shqiptare e kanë prishur zenët dhe zenizimi i shoqërisë shqiptare.

Jam i bindur se Shullazi dhe vetë shullazimi i politikës shqiptare është një kërcënim i vazhdueshëm, jo vetëm për pronën, por edhe për jetën. Po aq, e më shumë, jam i bindur se Birboja i Berishës, si precedent, është edhe më i rrezikshëm, kërcënim i vazhdueshëm, jo vetëm për pronën, por edhe për jetën.

Nuk e di se në cilat akte të krimit është përfshirë Shullazi, dhe këtë vjen një ditë dhe e mësojmë deri në një masë të besueshme; e po ashtu, nuk e dimë se pas cilave ngjarje të rënda të krimit qëndron zenizimi i politikës shqiptare, por që birboja i Berishës qëndron pas Gërdecit, këtë edhe lopët e kanë marrë vesh, ashtu si e dinë se pas tij qëndrojnë edhe 26 të vrarë e dhjetra e dhjetra të plagosur.

Politika e të fortit në Shqipëri, në dy dekadat e fundit është shfaqur herë në formën e shullazimit e herë në formën e zenizimit. Të dyja kanë qenë e janë të rrezikshme. Por ndërsa e para, dhuna e rrugës është tmerrsisht e dukshme, e frikshme në vetë shfaqjen e saj; e dyta është po aq, në mos më shumë e rrezikshme, tmerrësisht e padukshme në pamjen e parë, por tejet vrastare. Prokuroria e akuzon Shullazin e grupin rreth tij për kërcënime dhe grabitje pronash. Mund të ketë ndodhur, pasi nuk do të ishte rasti i parë nga bota e krimit. Por, në se ju kujtohet, edhe një shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë sonë, ankohej në ambasadën amerikane për presionin e dhunën e ushtruar ndaj tij, pikërisht nga grupi i Berishës birbo për të çuar sa më shumë, sa më shpejt dhe municione tej parashikimeve në Gërdec. Dy njerëzit dëshmues për Shullazin, bashkë me familjet e tyre, u larguan këto ditë, privatisht nga Shqipëria, duke gjetur mbrojtje diku tjetër. Ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm u largua, me gjithë familjen , por kësaj here me ndihmën e një ambasade të fuqishme.

 

Prokuria do të dëshmojë për pazaret e pista të Shullazit, për njerëzit e kërcënuar, lidhjet mafioze, kërcënimet; në fund të fundit është detyrë e saj të bëjë këtë. Do të dëshmojë edhe për gjobat e vëna bizneseve të ndryshme, megjithëse shumë prej tyre nuk do e pranojnë se ka ndodhur kjo. Nuk do e pranojnë, pasi, si ndodh rëndom, ata do të afishoheshin si njerëz që i janë nënshtruar dhunës së rrugës.

Por, a nuk është bërë proverbial Zeni me çantën e tij që mblidhte paratë nga bizneset dhe, ka mundësi që as i numëronte? A nuk është bërë e fshehtë e hapur për të gjithë se biznesmenët paguanin sa nuk shkonte më tej në ankandet e organizuara nga zonja Berisha dhe askush, as sot e kësaj dite, nuk e di se ku kanë përfunduar paratë e paguara për pikturat që nuk dihet se ku janë?

Shullazi kishte pranë vetes, më shumë si taksambledhës, njërin nga njerëzit e familjes së tij, edhe ai një nga Shullazët, që i vinte kushte të tjerëve dhe kontrollonte lëvizjet e tyre. Kjo ndodhi edhe në Gërdec, ku Zeni i Berishajve solli nga Anglia burrin e tezes së tij, baxhanakun e të atit kryeministër, dhe i shkreti baxhanak, që shkonte në punë me makinë luksoze, bënte të njëjtën gjë si Shullazi në njoftimin e prokurorisë. Këtij, të shkretit, baxhanakut gërdecar, shefi i qeverisë edhe emërin bëri sikur nuk ia dinte, e mohoi tërësisht se kush ishte; zonja Berisha vuri duart në kokë, “aman, si të ja themi Saliut”, kur gjithë ditën e gjithë natën flasin për kodin e familjes; e po ashtu, edhe Shullazi, kur po arrestohej, u foli policëve, “lini të qetë djemtë”, për rojet që kishte pranë shtëpisë së tij.

Mediat saktësojnë se Shullazi lëviste me makina të blinduara dhe ashtu duhet të ketë qenë, pasi njeriu që fshihet pas krimeve, ka frikë nga krimi. Ndoshta ka lëvizur kështu edhe nga droja se pas gjithë atyre ndodhive, si kjo që kërkonte të bënte së fundi, privatizimin e një parku sportiv, dikush mund të hakmerrej. Por, a nuk kemi dëgjuar edhe diku tjetër për një privatizim parku sportiv, pikërisht nga familja kryeministrore Berisha? A nuk kemi dëgjuar për park energjetik? A nuk është vallë tepër shpejt të harrojmë se bija e Berishajve, për një firmë të të atit i kërkonte një biznesmeni 3 milionë dollarë dhe a nuk është kjo vetëm se një shantazh i fuqishëm shullazian?

 

Dëshmues në gjyqe të ndryshme thonë për ngjarje të pazbardhura ende, pas së cilave mund të fshihet dora e Shullazit, por ende qëndron enigma e një gjyqtari në Vlorë, i hedhur në erë me eksploziv, të cilin, jo vetëm vdekja e kishte shenjuar, por as policët nuk i jepnin ndihmë, pasi kishin drojën se kush qëndron pas saj. Askush ende nuk e ka zgjidhur enigmën e vrasjes se gjyqtarit Konomi, por lufta për pronat e tij në bregdet ngjan si dy pika uji me luftën e Shullazit për një “dalje në det”.

Shullazi dhe grupi i tij është njëri ndër precedentët e një shoqërie që i bën vend krimit, e pranon atë, hesht kur ai shfaqet dhe e quan thjeshtë, “ të fortë”. Nuk është rasti i parë dhe, me siguri, nuk do të jetë i fundit. Shteti dhe politika u ka bërë vend atyre, i ka mbajtur ngrohtë, si vemjet, dhe kur ata janë bërë gjarpërinjtë e shtetit, ose i ka përdorur për të helmuar kundërshtzarët, ose ka synuar t’u presë kokën, sipas shërbimit që kanë ofruar. Kjo linjë e “të fortëve”, që, thënë të drejtën, ekziston brenda guackës partiake, është krtejt e mundur të shuhet, nëse ligji bën punën e tij, nëse prokurorët e gjyqtarët e thonë seriozisht fjalën e tyre. Mund të ndodhë, megjithëse, i gjithë sistemi i drejtësisë nuk të lë të mbash shpresë të madhe.

Rasti tjetër, ai i birbove, bijve të kokave të politikës, është edhe më i rrezikshëm, pasi janë të veshur me pushtet; kanë pas tyre ligjet, njerëzit e ligjit, të cilët mund t’i lëvizin sa herë të duan,( kujtoni kërcënimet e Berishës ndaj prokurorëve që donin të hetonin Gërdecin, apo britmat e tij për një “lavire bulevardi” që nuk ishte askush tjetër, veçse kryeprokurorja e Republikës), ata kanë në duart e tyre tërë një mekanizëm qeveritar, (kujtoni fakset e Bumçit drejt Shkëlzen Berishës), ata mund të të shembin gjithë një fshat,kur duan të ndërtojnë një vilë për vete, (kujtoni Malltezin dhëndër në bregun e jugut), ata të vrasin duke pasur në ballë sypeshkaqeni dhe në zemër pangopjen e një peshkaqeni. Këto janë më të rrezikshëm, pasi, për fat të keq, ata po riciklohen, po bëhen të pranishmit e domosdoshëm në jetën politike. Ata nuk guxon askush t’i thërrasë për të vertetuar një akuzë, një thënie, (kujtoni telefonatën e Delijorgjit me Shkëlzen Berishën fill pas shpërthimit në Gërdec dhe qeshjen e tij duke dalë nga salla e gjyqit, pas garancisë që i ishte dhënë), pra ata janë hija e pushtetit dhe hija nuk të shqitet.

Bedri Islami April 21, 2016 12:22
Komento

4 Komente

  1. Claus April 21, 11:03

    Tek lexoj shkrimet e ketyre diteve qe kane lidhje me Shullazin,me vjen keq per gazetaret e majte.Me te vertete qe me vjen keq.
    Kane rene ne nje kurth,dhe nuk po dine te dalin.Duke share Sali Berishen,ata po shfaqin hapur simpati per Shullazin.
    Eshte nje kurth me te vertete shume diskretitues.Por edhe i veshtire per te dale qe andej.Eshte vete rasti qe e ben te veshtire daljen nga kurthi.
    Berisha denoncoi i pari Shullazin.Po te mos ishte Berisha zor se do te kishte ceshtje shullazi sot.
    Kush ka lexuar keto dite shkrimet e gazetareve te majte,ka vene re simpati te hapur per Shullazin.
    Edhe pse rasti i Shullazit eshte shume i rende,ata nuk mund t’i lejojne vetes te mos sulmojne Berishen.
    Mirepo Berisha denoncoi Shullazin,cka krijon kurthin e mossulmimit te Shullazit per te mos u bere pale me Berishen.
    Kjo duket e kuptueshme duke njohur merine e perjetshme te socialisteve ndaj Berishes,por ajo qe habit eshte simpatia qe shprehet pothuaj hapur fare per Shullazin nga socialistet!
    Kjo eshte e habitshme.Sepse eshte e tepert.
    Mund t’ia kursenin vetes kete lloj ndjesie kaq turperuese.Mund te shanin Berishen dhe kaq.
    Por jo.Keta edhe shajne Berishen edhe shprehin simpati per Shullazin!
    Duhet te kete nje arsye shume te forte nje vete-zvetenim i tille moral i ketyre zoterinjve gazetare.
    Te shohim se cdo te nxjerre Shullazi ne ditet ne vazhdim sepse,ndonese i pashkolle, e ka kuptuar se u be kurban…

    Reply to this comment
    • SHKELZENI April 21, 21:06

      “CLAUS”… ! SI GJITHENJE TINZAR , RRI I FSHEHUR PAS FERRES ME KALLASH NE DORE DHE PRET “VIKTIMEN” , ARTIKULL SHKRUESIN E RADHES , PER TU HAKMARRE , PER TE VERTETAT E BERA PUBLIKE . TI , ME SA DUKET , PAGUHESH RANDSHEM , VETEM PER KOMENTET ,SE PER PUNE TJETER NUK JA THUA DOT , .POR EDHE NE SE DO TE DOJE TE BEJE PLUS PUNE TJETER , NUK DO TE KISHE KOHE , SE KETA “DJAJTE” E MAJTE , JANE SHTUAR DHE PERFSHIJNE SHUME TE PERDITESHME,SA QE MEZI TE MJAFTOJNE 12-14 ORE NE DITE . ESHTE PUNE E LODHESHME , NDAJ KERKOJU PUNEDHENESVE TE TE PAGUAJNE EDHE VESHTIRESI , SE NUK U DUHESH VETEM PER SOT .

      Reply to this comment
  2. korçari April 21, 14:07

    O Claus pjeserisht ju pohoni nje te vertete se nuk duhet share Berrisha pasi ai denoncoi Shullazin por nuk duhet harruar se ky Shullaz prishte mitingjet e PS pra i sherbente Berrishes,se dyti u kap me arme pa leje dhe u leshua nga policia e Berrishes dhe se fundmi jam dakord te presim dhe te shohim se nga kush u be kurban ky i pashkolle …

    Reply to this comment
  3. Meteh April 21, 16:09

    Ju lumt Z.Islami,turp ti vij ketij Clausi-puthadori te Saliut.Ky duhet te jet nje kriminel si Saliu,i cili ka vjedher,vrare,shkaterruar kete vend.SB beri thirrje per armatosjen e popullit si ne ’97,’98-ten dhe ky nuk e permend fare.Kjo do te thot se kriminelet kan nje mendim e veprim te perbashket.Thirrjet e SB per destabilizim ne vend nuk jane te parat,as rastesi.I vendosur aty qe ne vitin ’91 nga agjenturat e huaja,ky nuk do te ndalet kurre pa e djegur perseri shqiperin

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*