SHËNIM: Etika e gazetarit

January 8, 2015 23:46

SHËNIM: Etika e gazetarit

Ardian Vehbiu*

Shpresoj që lexuesi i këtyre radhëve ta ketë ndjekur se çfarë ndodhi me gazetaren televizive Kozeta Kurti, e cila u përfshi në një incident ende të pasqaruar, në një qendër tregtare në Itali; dhe pastaj u përbalt nga mediat dhe rrjetet sociale si “hajdute.”

Nuk është hera e parë që një personi i ndodh kështu: ndryshe nga sistemi gjyqësor, i cili ndjek rregulla të caktuara për të vendosur fajësinë e dikujt, mediat kanë prerogativën për ta ekzekutuar dhe varrosur dikë pa gjyq. Në Shqipëri ato gëzojnë edhe pandëshkueshmërinë kur e bëjnë këtë.

Nuk e njoh Kurtin, nuk di se çfarë ka ndodhur pikërisht në Itali, por i dal pa ngurrim në krah, për ta mbështetur kundër linçimit publik që ia bënë mediat. Askush, dhe aq më pak shtypi i lirë, nuk ka të drejtë t’ia përdhosi kështu dinjitetin një qytetari, për çfarë mbetet tani për tani hipotezë.

Kurti reagoi me forcë të madhe kundër këtij linçimi dhe bëri mirë; duke përfituar edhe nga ekspozimi i saj publik si gazetare. Megjithatë, më tërhoqi vëmendjen kjo thënie e saj, që në fillim të deklaratës për mediat:

Kur dikujt i përlyhej emri pa të drejtë dhe i bëheshin gjyqe publike përpara se drejtësia të thoshte fjalën e saj të fundit, i thoja vetes e të tjerëve: Ah, veç mos më ndodhtë mua, por Zot mos më vër në provë se nuk e di çfarë do bëj.

Sepse është një deklaratë që shpreh, në mënyrën më elokuente të mundshme, çfarë nuk shkon me gazetarinë e sotme shqip dhe angazhimin e saj etik. Në fakt, nga një gazetar do të pritej që, kur “dikujt t’i përlyhej emri pa të drejtë dhe t’i bëheshin gjyqe publike para se drejtësia…”, të dilte menjëherë në mbrojtje të viktimës.

Nuk di nëse Kurti e ka bërë këtë ndonjëherë; por nga çfarë ka thënë tani, shoh se nuk i ka shkuar mendja që pikërisht kjo kërkohet prej saj – si gazetare: t’i dalë në mbrojtje personit, individit, qytetarit që i shkelen të drejtat elementare, nga një pushtet çfarëdo.

S’më mbetet veç të shpresoj që ajo ta përmbushë këtë imperativ etik në të ardhmen – tani që e pagoi shtrenjtë dhe në kurrizin e vet atë lloj linçimi të cilin shumë kolegë të saj e kanë shndërruar sot në profesion.

*Peizazhe të Fjalës

January 8, 2015 23:46
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*