Erdogan, rrjeti i shkollave Gylen në Shqipëri dhe “gylenxhinjtë” në policinë shqiptare sipas Blushit

May 13, 2015 18:14

Erdogan, rrjeti i shkollave Gylen në Shqipëri dhe “gylenxhinjtë” në policinë shqiptare sipas Blushit

Fetullah Gylen është ish-miku armik i Erdoganit, të cilin presidenti turk e përmendi sot në Tiranë si të padëshiruar madje e etiketoi terrorist duke kërkuar me sa kuptohet mbylljen e zinxhirit arsimor të tij në Shqipëri.

Erdogan mendon se Gylen, botues i fuqishëm, nxiti fushatën e publikimit të disa përgjimeve që rrezikuan rënien e tij para zgjedhjeve të fundit presidenciale.

Se sa do kondicionohen ndihmat e premtuara me këtë kërkesë dhe se si do përgjigjet shteti shqiptar ndaj saj, kjo mbetet për tu parë.

Por në maj 2014 në Tiranë pati një debat për “gylenistët” që ndoshta ka mbetur në harresë.

Debati (lexoni këtu) erdhi pas citimit të një botimi të deputetit Blushi (Hëna e Shqipërisë) ku ky shkruante:

“Një pjesë e mirë e policisë shqiptare, e edukuar ose e trajnuar në Turqi, edhe sot është gyleniste dhe ka burime të besueshme, të cilat pretendojnë se mbi dhjetë për qind e policëve shqiptarë janë gylenxhi”

Blushi mund t`i kishte përmendur dhe si gylenistë, por a e ka bërë me vetëdije apo i ka vajtur gjuha pa dashje, atyre që ndryshe quhen ndjekës së liderit Fetullah Gylen, u ka ngjitur një prapashtesë përçmuese, si të ish fjala për sherxhinjë.

Blushi ka thënë se një 10 përqindsh i radhëve të efektivave të policisë së shtetit përbëhet nga ata, por nuk sqaron se përse i konteston?! Përbëjnë rrezikshmëri shoqërore?! Po si e qysh?! Ç`preçedentë mund të ofrohen  për këtë lloj frike?!

Ka ndoshta dhe shumë prindër të cilët kanë arsimuar fëmijët në kolegjet turke dhe nuk e dijnë se ata i përkasin  një rrjeti arsimor të themeluar prej shumë vitesh nga Fetullah Gylen, lideri fetar që jeton në SHBA.

Emri i tij është bërë më i njohur tashmë për shkak të përplasjeve me kryeministrin Erdogan, pas prishjes së një aleance disavjeçare mes tyre.

Ai ka përkrahës të shumtë në Turqi e në disa vende me përbërje myslimane, ndonëse mendimi i tij fetar nuk has dakortsi nga pikëpamja doktrinore prej shumicës së myslimanëve në botë, por që assesi nuk përfshihet tek dogmat me elementë ekstremistë.

Përkundrazi, Gylen është mbrojtës i kultit të arsimimit tek individi, më tepër se ai i përgatitjes fetare.  Dhe është pikërisht ky kult, prej së cilit kolegjet turke kanë një standart të lartë arsimor.

Kjo ka bërë që pothuaj elita e shoqërisë shqiptare, politikë & biznes, të preferojnë këto kolegje për arsimimin e fëmijëve. Pra, jo thjesht në rradhët e policisë, por në një pjesë të madhe të administratës shqiptare, gylen(xhinjtë)istët janë mëse të pranishëm.

E ndërsa fetarisht nuk kanë asnjë preçedent rrezikshmërie, aq më tepër pra kur dogma e tyre i jep më tepër përparësi arsimimit se formatit tipikisht fetar të individit, ç`rrezik mund të përbëjnë nga lloji i arsimit që kanë marrë?!

E nëse në këtë pikëpamje deklarimi i Blushit nuk saktëson apo sqaron diçka, mbetet që thjesht emërtesa gylenxhinj, t`i përngjajë me ca poterexhinj…në rradhët e policisë!    / Ermir Hoxha

 

May 13, 2015 18:14