SHËNIM: MARRË(PËR)VESHJA

July 22, 2016 09:37

SHËNIM: MARRË(PËR)VESHJA

 

DITA – Shënim

 

Ditën e djeshme ra edhe varaku i fundit i njëfarë lustre elegance, që me shumë mundim iu mveshën negociatave për miratimin e reformës në drejtësi. Ishte premtimi zgjedhor e parazgjedhor i Partisë Socialiste, ishte premtim i koalicionit qeverisës gjithashtu. Është e tepër të analizojmë këtu se si dhe në ç’mënyrë ka ndikuar sistemi aktual lemerisht i kalbëzuar i drejtësisë, në jetën shoqërore e ekonomike të vendit. Po ashtu, është e tepërt të arsyetojmë edhe një herë, sesi pandëshkueshmëria proverbiale e politikanëve e zyrtarëve, paligjshmëria e të cilëve ka bërë ligjin në Shqipëri, i ka sjellë e risjellë ata në pushtet, duke shumëfishuar të këqijat që i janë bërë njerëzve të këtij vendi. Jo vetëm kaq, por të super-pushtetshmit janë ricikluar pikërisht sepse ky sistem drejtësie i ndërtuar prej tyre, nuk ka sesi t’i dënojë.

Rrjedhimisht është e kuptueshme vëmendja e gjithanshme ndaj negociatave për reformën në drejtësi. Ishte një vëmendje e medias, padyshim; një nervozitet dhe ankth i rrallë i politikës, dhe një presion gjithnjë e më direkt i faktorit ndërkombëtar. Le të mos gënjehemi se populli ka ndenjur indiferent ndaj këtij procesi, për shkak të pamjeve prej pak “protestuesish” ditën e  djeshme para parlamentit. Jo, mes shqiptarëve brenda dhe jashtë ka patur dhe ka një interes të jashtëzakonshëm. Shoqëruar me një mosbesim të fortë mbi produktin që do jepnin negociatat, dhe një shpresë të shtuar për faktin se më në fund të huajt po e merrnin seriozisht dhe me këmbëngulje të pazakontë përmbylljen e negociatave.

Ishte pikërisht kjo këmbëngulje, përgjatë së cilës PD dhe Lulzim Basha u nominua dy herë haptaz e publikisht si pengues i reformës në drejtësi nga ambasada amerikane (kushedi se ç’i është thënë privatisht!), që tek e fundit solli marrëveshjen. E cila më saktë duhet quajtur një marrë-për-veshi spektakolare, e njëherësh e turpshme. Sepse ekspozon nivelin e katandisjes së klasës sonë politike.

Çfarë s’u tha gjatë këtyre ditëve: Se Rama u soll si ambasador amerikan dhe ambasadori si kryeministër. Se Basha thoshte gjithnjë një po, që zgjaste as sa bënte rruga nga tryeza e negociatave deri tek zyra e Berishës. Se më e afërt ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme sesa miratimi i reformës. Se Meta këmbëngulte te konsensusi pikërisht sepse ky i fundit ishte i pamundur.

Tani shumë nga këto avuj të nxehtë vere po ngelen pas. Por përpara mbetet më e vështira. Zbatimi i reformës në drejtësi dhe çfarë do të sjellë ky zbatim.

Së pari, le ta kemi të qartë se PD dhe Berisha luftuan për t’i hedhur sa më shumë ujë bulmetit të reformës. Yçklat dhe kleçkat do t’i shohim vetëm kur të na shfaqen përgjatë rrugës: Procedura të zgjatura, votime të para, të dyta, pastaj hedhje shorti etj.

Së dyti, le të mos kemi iluzione se “plani dyvjeçar do na sjellë begatinë”, siç thoshte slogani i një filmi shqiptar. Procesi i përzgjedhjes së kandidaturave për plotësimin e strukturave drejtuese të sistemit të ri të drejtësisë, do të jetë i gjatë, i komplikuar dhe me ngërçe që do t’i kuptojmë kur të na dalin përpara.

Së treti, dhe më e rëndësishmja: Duhet të presim e të shohim nëse në analizë të fundit, sistemi i drejtësisë së re do të çlirohet nga kapja dhe korrupsioni. Dhe a do të ketë drejtësia e re kurajën të hetojë krimet e mëdha. Thënë “fshatçe”, populli shqiptar që dha votën plebishitare për mazhorancën me “drejtësinë dhe llogaridhënien” në mendje (të mos gënjejmë veten se njerëzia në 2013-n u bind nga taksa e sheshtë apo me gunga), do presë të shohë a do japë llogari, fjala vjen, Berisha, për gjithçka ka bërë natën dhe në dritë të diellit, pa ja bërë syri tërr? Jo për hakmarrje elektorale, as për llogari politike meskine, por për çuarjen në vend të drejtësisë së ftohtë dhe racionale, që vonon por nuk harron?

Apo, dhe kjo është pyetja e madhe, do të kemi një drejtësi që ka vonuar dhe ka harruar…

July 22, 2016 09:37
Komento

5 Komente

  1. shpatar July 22, 10:37

    Ai qe bene permbysje racjonale ne politiken shqiptare pa dyshim eshte populli qe i heq te keqiat ne kurriz.Deri me sot,ky popull ,ka treguar se nuk orjentohet paqesishte me trysnin politike.Kujtohet ose kur e nxisin te jashtmit ose kur u merr dhe gjene e gjalle per te jetuar.
    E gjithe shoqeria shqiptare, prej vitesh ,eshte e kapur nga politika.Si te mesuar e edukuar, ti mbajme syte nga` Njeshi`,tregohemi te verber perballe lojes se tyre.Kjo mungese emancipimi ka pjelle shume deformime te medha ne 25 vite demokraci.Pyetjet pse; jane te shumta .
    Shpresat sic duken kane mbetur vetem tek Aleatet tone.
    Jam dakorte me artikullshkrusin.U arrit dicka me shume sforco pa vlersuar se cfare do ndodh me pas.
    Ne jo tanj ,por qysh ne hapat e para te pluralizmit shqiptare jemi ndeshur me qendrime diktatorjale per te mbajtur me cdo kushte pushtetin.Pse ka ndodhur keshtu e ndodhe e sot mbas 25viteve.Ombrella pushtetore ka patur si qellim mos ndeshkimin e politikanve qe cfaqen kriminela dhe hajdut me cizme.Kjo ombrelle ngriti dhe stimuloje nje sistem Drejtesi te deformuar, ne kundershtim me konceptin e shtetit te se drejtes se barabarte para ligjit.Ne jemi deshmimtar te qindrave e mijrave palacolleqe te sistemit te drejtesise.
    A do ti kaperxejme tani.Mbrekullia ne Shqiperi ndodhe shume rralle.Shpresa e vetme,si u shpreva me larte,jane vetem Aleatet tane.Me hir opa pahir ,duke na ckulur veshin,do te arrijme te leme pas politikat penguse drejte integrimit.Clirohemi nga keto politika mbas antarsimit ne BE.Gjithcka do jete e monitoruar pa u lene dore politikanve tane te shijne si ne arat e babajte.

    Reply to this comment
    • Une... ti... ne te gjithe... July 22, 22:10

      Po cfare drenjtesie prej ledhi more aman. Ne ua fusim parate me zor ne xhep anetareve te sistemit ne drejtesi.

      Ne nuk eshte se donim ndihme per te arritur deri tek reforma, ne pritem qe ate te na i benin te huajt, edhe per aplikimin e saj ne do te presim nga te huajt -aq sa te na thone ” c’po na cani koken tani” e te na lene ti zgjidhim vet punet tona, qe do jete me e veshtire se te qerojme orixin me doreza boksi.

      Po nuk u derdh gjak politikanesh ne tirane nuk ka drejtesi.

      Reply to this comment
  2. Guri July 22, 10:58

    Pikerisht kjo pyetja e fundit eshte edhe dilema “hamletiane”, qe na mundon te gjitheve. Mire e shkruam dhe e votuam, pavaresisht shterzimeve te dhimbshme, reformen, por a do te zbatohet ajo, apo do ta shtrojme poshte vetes dhe do te fleme mbi te? Koha do ta tregoje. Vetem se me kete klase politike, qe duhet “te kapet per veshi” here pas here, e kam te veshtire te besoj.

    Reply to this comment
  3. shqiptari July 22, 11:55

    kjo eshte pabesia e radhes dhe vazhdimi i poshtersise ndaje ndaje tokave shqiptare dhe shqiptarve derisa nuk denohene ata qe shkatruane ket tok poshte antishqiptaret

    Reply to this comment
  4. guri shabani July 22, 20:20

    Shpresoj dhe mendoj qe me 29 nendor Berisha do jete prapa hekurave ne se behet drejtsi dhe qe cdo gje te behet me rregull.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim