SHËNIM: Ne, një shoqëri pa “WC”

May 8, 2014 10:00 Updated

SHËNIM: Ne, një shoqëri pa “WC”

Prej ditësh mediat janë fokusuar tek një plojë ambientale e quajtur Fierzë. Fjala është për një batërdi mbeturinash mbi syprinën e ujit në një hapësirë të liqenit me të njëjtin emër, në afërsi të qytetit të Kukësit. Flitet se masa e llahtarshme mbeturinave ka ardhur nga Kosova, por kjo pak rëndësi ka. Sepse kjo nuk na ngushëllon fare në faktin se ne jemi një vend i bërë helaq, me terrene të degraduara e të zhulosura, edhe kur ato janë publike. Çdo ndodhi a gjendje, bart ligjësinë e pasqyrimit: o pasqyron diçka o është pasqyrim i diçkaje. Dhe nuk ka dyshim se ndotja masive e tokës dhe e ajrit, pasqyron ndotjen e mendjeve të atyre që jetojnë në këtë tokë dhe thithin këtë ajër. Ajo çfarë i ka munguar shoqërisë shqiptare në këto vite, është WC; WC-ja ku derdhet e keqja.

Shoqëria jonë është  si një shtëpi pa WC, ku aty ku hahet, aty mender dhe përmjeret. Pra, jemi dhënë pas shfrytëzimit të çdo kënaqësie që mund të përftohet nga kjo “shtëpi”, më t`ngrënë, më t`pira e ç`rimon pas tyre, pa pyetur se ku do jashtëqitemi. Dhe ko nuk vlen vetëm për atë lloj pisllëku material, si ai i Fierzës, por më tepër për atë njerëzor, si fillesë e burim i gjithçkaje. E mira dhe e keqja, vlera dhe antivlera, dobia dhe dëmi, gati sa nuk dallohen më dhe distanca mes tyre është ngushtuar së tepërmi; që do të thotë pra se WC-ja ku jashtëqitet e ka humbur domsdoshmërinë në funksion të higjenës dhe largimit të së keqes, duke u njëtrajtësuar me ambiente të tjera të aktivitetit njerëzor, sidozot asaj ku hahet, lexohet, diskutohet, apo bëhet  dashuri. Ndotja e ujrave të Fierzës, është përcjellësja e një metafore plot trishtim, ngase një suprinë uji ndodh që ta shfrytëzojmë dhe si një lloj pasqyre. Aty përthyhen magjishëm rrezet e diellit ç`ka na bën të përjetojmë idile relaksi, e aty tentojnë të shihemi dhe vetë në kërkim të idileve narciste. E në rastin e Fierzës, ne jemi ato çfarë shohim aty! 

P.S. Një lum që kalon mespërmes një qyteti, një liqen a det që i lag brigjet atij, është një lloj pasurie që lum kush e ka. Dhe jo vetëm përfitime të ndryshme, siç mund të jetë peshkimi ose plazhi, por dhe si një terren veçori natyrore shplodhëse, poetike e meditative. Ndërsa tek ne, këto lloj “dhuratash”  janë kthyer në kazane të gjalla plehrash. Sikur asnjë pisllëk mos dukej e shfaqej mbi ujrat e liqenit të Fierzës, mjaft fakti që aty nuk ekziston kurrë ndonjë barkë me ndonjë çift të dashuruarish në të, është trishtues! / E.H.

 

May 8, 2014 10:00 Updated
Komento

1 Koment

  1. Selim Rroshi May 8, 13:27

    Po pra kujtoi ministri mjedisit se duke hequr 5 letra me ca kalamaj u pastrua Shqiperia. E duke bere show neper media per mbledhje sterrmbledhje per mjedisin e asgje ne vije. E kujt ja kan len mjedisin pa le barbareve te LSI qe cdo cep ku shkelin vetem shkaterrojne e vjedhin sa te munden.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*