SHËNIM: Opozita, arratisje në surrealizëm

January 7, 2014 13:45

SHËNIM: Opozita, arratisje në surrealizëm

Papërsosmëria njerëzore të lë shumë hapësira për kritiçizëm, për oponencë ndaj dikujt, e aq më tepër ndaj një qeverisje, që kurrë nuk është e mundur të jetë krejtësisht në rregull e plotshmërisht e saktë në atë që bën. Për këtë arsye, ajo ka barrën e madhe të mbajë jo vetëm problematika për t`u zgjidhur, por dhe gjykime të llojllojshme e të ardhura nga s`mund; herë të drejta e herë të fandaksura. Ndërsa opozita, është më komode.

Ajo ka vetëm një barrë: atë të gjykimit mbi mënyrën se si ka zgjedhur të bëjë opozitën, ndërkohë që avantazhohet të shpalosë një sërë asetesh mendimi për çdo çështje, duke kuruar imazhin e vet, në një parapërgatitje për t`u fuqizuar e për t’u bërë e mirëpritur nga publiku me ofertat e saj. Mirëpo nuk ndodh kështu me opozitën tonë të freskët, që duket sikur përjeton sindromin e dëshirës për të qenë ëndërr ajo që në fakt ka ndodhur realisht: është larguar nga pushteti.

Ende nuk po ftillohet dhe kjo e ka bërë që të mos mjaftohet me papërsosmëritë, e pse jo dhe disa rrëshqitje të qeverisjes ende në shpërgënj, për t`i bërë një oponencë dinjitoze, e cila do ia rriste dhe kreditet në publik të bëra rrafsh, por po rrëshqet në një theqafje të ngjashme me atë kur ishte në pushtet, duke e transferuar betejën politike në një hapësirë surreale, me një qeveri që vendos bomba ndaj kundërshtarëve politikë, apo që vendos vetë tritol poshtë makinave të zyrtarëve të saj e në shtyllat e tensionit.

Kjo, jo vetëm e shndërron dramatikisht në qesharake këtë opozitë, por dhe çon në një pozitë të turpshme e të padenjë për të qeverisur nesër një popull që e konsideron aq trushkulur, sa t`ia shesë kaq hapur e paturpësisht sapunin për djathë, e kur pa, në vitin 2013. Ah, të ishim ende në vitet ‘90, të tilla çibuqe të akuzatores politike edhe mund të haheshin. Çështja është se jemi në një kohë, kur shumë dilema janë fashitur e ca të vërteta nuk kanë nevojë shumë për diskutim e debate.

January 7, 2014 13:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*