SHËNIM: Pazari i Byrosë

Alqi Koçiko February 4, 2016 13:06

SHËNIM: Pazari i Byrosë

Partia Demokratike e prezantoi me entuziazëm idenë e Byrosë Kombëtare të Hetimit në zgjedhjet e fundit parlamentare, me premisën që ky ent i ri do t’i japë një goditje serioze korrupsionit në nivele të larta… Por e majta e rrëzoi nismën si populiste dhe uzurpuese e kompetencave të institucioneve kushtetuese, dhe e paditi ligjin në fjalë në Gjykatën Kushtetuese. E cila e rrëzoi me sugjerimet përkatëse… (!)

Po të dëgjosh këto ditë Lulzim Bashën dhe Sali Berishën në retorikën mbi Byronë Kombëtare të Hetimit, të duket sikur ka ndodhur pikërisht si në paragrafin e mësipërm.

E kundërta, siç e dimë, është e vërtetë.

PD-ja e votoi kundër nismën ligjore që parashikohej në ligjin për Policinë e Shtetit, presidenti i saj Nishani e rrëzoi, dhe veç kësaj padia u çua në Kushtetuese.

Atëherë, çfarë ka ndodhur që kreu i PD Basha me një kokorroçllëk fluturak tipik të sjelljes së tij politike, a thua se nuk ka qenë këtu këto dy vjet, i bën presion publik PS-së që ta sjellë urgjent ligjin në parlament; madje se po e vonon qëllimisht, se dikush e pengon, etj etj??!

Basha përmendi gjithë merak “punën e mundimshme të ekspertëve amerikanë” dhe ndihmën ndërkombëtare në këtë ligj, duke folur si për gjellë që nuk duhet lënë të ftohet, sepse i ikën gjithë shija.

La të nënkuptohej dhe punën bindëse që ambasadori amerikan Z.Donald Lu ka bërë me të, derisa e ktheu në rrugën e drejtë, pas shumë e shumë takimesh.

A është ky lloj presioni qesharak, një servilizëm i panevojshëm ndaj SHBA-së, në një kohë kur Ministria e Brendshme ka deklaruar se brenda muajit mars drafti i ri do të jetë gati? Çfarë e ndriçoi befasisht Bashën që e bëri të kuptojë se ky ligj nuk qenkësh aq i zi sa ç’e dinte ai deri vonë?

Si u konvertua kreu i PD në një “byroist” të thekur të Byrosë së Hetimit, e cila në fakt parimisht do duhej të hetonte që në ngritjen e saj, pikërisht krimet që ka bërë Basha vetë si ministër tre llojesh?

Një teatër? Apo PD-ja të ketë rënë dakord tashmë të votojë, me presionin e vazhdueshëm amerikan padyshim, pro ligjit të Byrosë së Hetimit si pjesë e policisë së shtetit?

A është kaq e thjeshtë dhe skematike kjo histori, si një skenar filmash socrealistë ku personazhi i keq Berisha-Basha e kupton gabimin dhe vendos të bëjë kthesë, dhe të ecë me hapin e shokëve?

Apo ka një pazar?

E vetmja gjë që të shkon në mendje, duke patur parasysh aktualitetin politik është që PD ta ketë kërkuar në shkëmbim të Byrosë votimin me 2/3 të emërimeve në postet kyçe në drejtësi.

Po ndodh pra një pakt PS-PD? I tipit: Merrni Byronë tuaj të Hetimit, gjyqtarët duhet t’i emërojmë bashkë; byroja të hetojë çfarë t’i dojë zemra, ama vetëm pasi akuzën ta japin “prokurorët e pavarur antikorrupsion” apo verdiktin ta japin gjykatësit tanë “me integritet”, të përzgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë e nga këshilli i Lartë Gjyqësor me kryetarë të vendosur me 2/3 konsensuale PS-PD…?

Të bësh marrëveshje politike transparente është një gjë, dhe të bësh pakt me djallin është një gjë tjetër.

Me aq ujë sa duhet për t’i hedhur këtyre dy shtyllave të premtimit anti-korrupsion të së majtës, kuptohet se çfarë petullash dalin nëse një pazar i tillë është bërë.

Socialistët nuk janë votuar për këtë; por bash për të kundërtën, që të hetojnë “byroistët” entuziastë të orës së fundit. Si dhe vetveten sigurisht.

Nuk janë votuar as për të regjistruar një sukses diplomatik në karrierën e një ambasadori dhe kaq…

Megjithatë, le të shikojmë nesër se për ç’variant të Byrosë së Hetimit do japë mbështetjen PD-ja. Nëse opozita është për një byro hetimi brenda kuadrit të policisë së shtetit, ajo e kapërdin pa asnjë gotë ujë gjithë grehinën e akuzave gati dyvjeçare për kapje të sistemit nga mazhoranca politike. E në vijim, pranon që mbledhjen e provave ta bëjë një organ pjesë e ekzekutivit, pra e mazhorancës së rradhës, për çka ka protestuar fort deri tani. Por që të lëpijë diçka që ka pështyrë, për këtë parti nuk do jetë hera e parë… E nëse ndodh, do shohim sërish një lojë që PD do e shesë për konsensus. Por do jetë një lojë që publiku duhet ta dijë se luhet për të garantuar statusquonë në sistem, si dhe paprekshmërinë për të korruptuarit e qeverive firmatare të kësaj Pax Albanica…

Alqi Koçiko February 4, 2016 13:06
Komento

4 Komente

  1. A.GRAMSH February 4, 13:24

    Alqi Koçiku,
    Po ke ngelur pa buke si 99 perqind e shqipetareve nderro zanat se ky jo vetem nuk perben informacion por te permendesh emra Basha,Blushi,Berisha,Bode,Bledi pas 25 vjetesh perben jo vetem ‘herezi por tragjedi…..
    Vetem qorrat dhe antishqipetaret nuk e shohin qe ish Shqiperija tashme i perket se kaluares:’SHPREHJE GJEOGRAFIKE’!

    Reply to this comment
    • Astrit February 4, 14:40

      Boll o ti nga gramshi,boll se na jeni bere ju populistet qe fshiheni mbas emrave te rreme neper faqe interneti me keq se ata vrasesit e vertet politikane qe jane ne parlamente. Boll me genjedhtrs dhe kerkim meshire, oll duke e kerkuar pergjegjesine te te tjeret,perse nuk u kerkua njehere njerezve qe te mos largohen nga fshati po te punojne tokat,si nuk u shpjegua njerezve se te mbashe vetem dhtepite te pastra nuk mjafton por duhet te pastrojne dhe ambjentin qe i rrethone,si more A.Gramshi nuk u shkoj ne mendje juve qe shqetesoheni per njerezit ti porosisni dhe tu shpjegoni atyre se po te ndertosh ne buze te lumit rrezikon te BYTESH, Per ta mbyllur mendoj se do te ishte me e drejte te kerkojme qe te ngrihemi kunder te gjitha qeverive pa perjashtim kur e ndiejme se po shkelen te drejtat tona dhe se jemi pa buke,po jo te vemi dhe te shahemi per politikanet.

      Reply to this comment
    • Muco February 4, 17:45

      Sa idiot duhet te jesh, cfare formacioni cerebral handikapat duhet te kesh qe te formulosh fjali si kjo:
      “Vetem qorrat dhe antishqipetaret nuk e shohin qe ish Shqiperija tashme i perket se kaluares:’SHPREHJE GJEOGRAFIKE’!”

      Domethene, eshte antishqiptar ai qe mendon se Shqiperia nuk eshte shprehje gjeografike, por ka shprese? O gramshiot qe ofendon gjithe krahinen me nickun qe ke vu, meriton gjithe te sharat me te ndyra qe ka shpikur robi, por e di qe sdo ti botojne, ndaj po kursehem. Po qe je kokrra e idiotit, pse mban copa mishi si ty, s’bohet ky vend.

      Reply to this comment
  2. idjoti i Bathores February 4, 19:39

    MUÇO,
    Antishqipetaret nuk jane shqipetare ata jane ‘politikane’ e ‘s’bohen’ perfshi edhe disa qe dhe shkronjen e gjuhes shqipe ‘Ç’ e shkruajne ‘Q’!
    Emerin Kaçi e shkruajne dhe e shqipetojne KA QI perfshi edhe ata qe ofendojne A.Gramsh qe ne komentin e tij jo vetem nuk ofendon po ne shenje respekti per bashkeatdhetaret u ben thirrje se po shperbehemi 25 vjet e nuk po e marim vesh si puna jote qe ‘s’bOhet’!Mesohu te lexosh kuptosh e komentosh shkrimet dhe ‘opinionet’ e jo te komentoni kAmentuesit !Respekt!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*