Dervishi: Çfarë ndodhi mes meje dhe kreut të Rrugores së Tiranës (INTERVISTË)

Artur Qoraj December 26, 2013 10:16

Dervishi: Çfarë ndodhi mes meje dhe kreut të Rrugores së Tiranës (INTERVISTË)

Ngjarja pati shumë konfuzion edhe në media. Ka ndodhur diku rreth mesditës së djeshme te “Rruga e Elbasanit”, afër urës së vogël, në kryqëzim. Lajmi u raportua direkt si një konflikt mes prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi me një efektiv të qarkullimit në shërbim që qëndron në këtë kryqëzim. Pas debateve mes zyrtarit dhe policit, ka ndërhyrë shefi i qarkullimit të Tiranës që urdhëroi shoqërimin në Komisariatin nr. 1. Më pas u tha se ishte arrestuar prefekti për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe kundërshtim të policisë dhe se ndodhej në komisariat. Por Policia e Shtetit dhe e Tiranës nuk bënë asnjë deklaratë zyrtare, madje mohuan që të kishte pasur incident të rëndë dhe shkelje të ligjit. “Nuk ka shoqërim apo arrestim të prefektit”, thanë burime policore.

Pas disa orësh u sqarua edhe ngjarja. Prefekti kishte lënë makinën në bllokazh dhe ka hyrë në berberane, aty ka ndërhyrë kreu i qarkullimit, Dritan Bonaj, që edhe pse e ka njohur, debatoi fortë me Dervishin. Oficeri pretendon se është fyer nga prefekti dhe ky i fundit e ka mohuar. Të dy kanë bërë denoncim ndaj njëri-tjetrit dhe do të jetë SHKB-ja që do vendosë se kush ka shkelur ligjin. Nuk ka pasur as gjobë dhe as bllokim të mjetit “Peugeot 407” të prefektit dhe nëse do kishte shkelje rrugore do veprohej me sanksion. Me poshtë, një intervistë e prefektit Dervishi për DITA:

Zoti Dervishi, si ndodhi ngjarja ?

Nga Vlora u ktheva mbrëmjen e së martës, me qëllim që të gjendesha pranë familjes edhe me rastin e festës së Krishtlindjes dhe atmosferës së krijuar. Kam dalë në mëngjes me familjen time si një qytetar i lirë dhe për të kaluar shqetësimet e atyre ditëve pas ngjarjes së vendosjes së bombës. Isha me djalin në mjet dhe pasi ndalova makinën duke e parkuar në rrugë, u futa në berberane pasi do qethja djalin. E lash aty të qethej dhe dola të merrja përsëri mjetin për të shkuar diku tjetër, pasi kisha një punë. Por sapo dal, dëgjoj sinjalet e alarmit të një makine policie dhe nga brenda një oficer që më thotë të lëviz mjetin. Ia bëj me shenjë dhe i them se po ikja shpejt e shpejt. Por si duket, me ç’dëgjova më pas, ai e paska marrë për fyerje, sikur unë i kam thënë që të mbushej. Jo vetëm e pabesueshme, të paktën për personin tim, sepse nuk ia lejoj vetes një sjellje të tillë, por edhe e papranueshme sjellja e efektivit. Ai doli nga mjeti, kur unë po hyja në makinë. Dhe as më la të largohesha, por më kapi nga krahët.

 

Ju dhunoi oficeri i policisë?

Nuk më goditi. Por më kapi nga krahët duke më tërhequr. Ia sqarova pozicionin tim dhe rrethanat. Nuk deshi të dëgjonte aspak dhe më çuditi sjellja e tij. Madje më tha:Të njoh se kush je dhe nuk dua t’ia di as për prefekt dhe për askënd!. Ai thotë se ka dëshmitarë që e paskan dëgjuar fyerjen time dhe paska bërë denoncim ndaj meje. Është qesharake. Sigurisht që njerëz kishte plotë në rrugë, por nuk kam fyer askënd dhe pretendimi i tij është i gënjeshtërt. Madje është përhapur edhe lajmi pas incidentit, sikur unë jam arrestuar apo shoqëruar.

 

Dhe çfarë ndodhi më tej?

Ai nisi të telefononte e të kërkonte përforcime. U krijua një situatë e tensionuar. Unë nga ana tjetër u shqetësova normalisht dhe njoftova instancat sipas procedurës, pasi siç e dini jam edhe një person nën mbrojtje fizike për shkak të ngjarjes së ndodhur. Dhe kështu u shkëputa prej aty duke vijuar normalisht. Mora djalin nga berberania dhe e dërgova në shtëpi. Më tej shkova vetë në Komisariatin nr. 1 për të denoncuar dhunën dhe sjelljen e paprecedentë të oficerit të policisë, shefit të Komisariatit të Qarkullimit, Dritan Bonaj. Mësova se paska qenë i larguar nga policia në vitin 2004 për shkelje, dhe rikthyer pak vite më parë në uniformë.

 

Në lajme është njoftuar sikur ju kanë shoqëruar dhe arrestuar?

Nuk është e vërtetë. Siç e thashë edhe më sipër, në komisariat shkova për të denoncuar oficerin për sjelljen e padenjë. Depozitova një kallëzim për akuzën “veprime arbitrare dhe dhunë”. Por normalisht ky denoncim duhej të tërhiqej nga SHKB, pasi oficerët e policisë mbulohen nga kjo instancë. Pasi erdhën përfaqësuesit e SHKB-së kamë bërë denoncimin e plotë duke rrëfyer gjithçka. Pra as nuk jam shoqëruar dhe as arrestuar, por kam bërë denoncim si një qytetar i zakonshëm dhe njëkohësisht si përfaqësues i shtetit. Por si duket, pala tjetër ka nxituar ta paraqesë si një shkelje të rëndë të prefektit dhe si shoqërim apo arrestim.

 

Është njoftuar se edhe oficeri ju ka denoncuar?

Nuk e di. Dëgjova se pretendon se e kam fyer, e kam ofenduar, apo se kam shkelur rregullat e qarkullimit, dhe kjo është qesharake. Ai më fyeu dhe ofendoi mua, duke mos u sjellë siç i ka hije një oficeri policie. Unë jam përfaqësues i shtetit dhe zbatoj ligjet e shtetit, nuk i shkel ato.

 

Ju ishit nën mbrojtjen e forcave të rendit në ato çaste?

Mua më është dhënë mbrojtje fizike për shkak të ngjarjes që ndodhi. Por për të qenë më i lirë kur dal me familjen dhe më i qetë psikologjikisht, ndonjëherë nuk i marrë me vete. Sot (dje) mendova si ditë feste ta kaloja me familjen time.

 

A keni dijeni për hetimet e ngjarjes së 13 dhjetorit?

E kam thënë edhe më parë, se unë nuk kam asnjë konflikt personal. Dyshoj se kjo ka të bëjë vetëm me detyrën që ushtroj dhe luftën ndaj krimit dhe informalitetit. Të gjitha i kam dëshmuar në organet ligjzbatuese dhe ato po hetojnë. Një pjesë e detajeve kanë dalë edhe në media. Ia kam lënë autoriteteve zbardhjen e ngjarjes dhe autorëve.

 

 

**************

SHËNIM: Policia, larg gjesteve teatrale me efekt të përkohshëm

Në media u raportua fillimisht se prefekti i Vlorës Besnik Dervishi u shoqërua në komisariatin numër 1 për shkak të kundërshtimit të forcave të policisë rrugore. Por rrethanat nuk janë plotësisht kështu sipas dëshmive të para mbi ngjarjen. Prefekti Dervishi duket se ka rënë viktimë e tendencës për ekzagjerim që është vënë re edhe në disa raste të tjera këto ditë, sidomos nga policia rrugore e kryeqytetit. Kjo tendencë po shfaqet veçanërisht në veprimet që shoqërohen me vëmendje mediatike.

Protagonisti i ngjarjes me prefektin Dervishi ka qenë kreu i policisë rrugore Dritan Boni, i përjashtuar nga policia në 2004 kur qeverisnin socialistët, i rikthyer në punë në kohën e policisë së Kulicajt dhe i emëruar në fund të tetorit të këtij viti nga ministri i ri Tahiri në krye të policisë rrugore, qartas me mendimin për të vendosur “një dorë të fortë që nuk pyet”, etj ndoshta sipas modelit “Koseni” të pas 97-s.

Padyshim që përpjekja për të rivendosur rregull në qarkullimin rrugor shumë të ngarkuar të Tiranës është e mirëpritur nga publiku. Por ajo duhet të arrihet me ndërhyrje në thelbin e problematikës dhe larg gjesteve teatrale me efekt të përkohshëm.  Bëhet mirë që kërkohet edhe prezenca e medias. Por praktika e sinjalizimit fshehtas të mediave për të shkuar për të filmuar një “prefekt të arrestuar” sapo të dalë nga komisariati, nuk është rruga që çon drejt rezultateve bindëse dhe afatgjata. Infantile është edhe ideja që “të bëhet shembull ndonjë i rëndësishëm” që “të tremben të tjerët”. Nuk do funksionojë gjatë, edhe sikur të funksionojë për momentin. Publiku shqiptar është deri në fyt me modele dhune, nuk ka nevojë për të tjera. Në fund ai i refuzon ashpër ato. Duket edhe krejt paradoksale që nga njëra anë tentohet (me shumë të drejtë) zbutja e imazhit policor në rrugë me femrat e shtuara me uniformë dhe nga ana tjetër vendosen në pozicione kyçe njerëz të një modeli të tejkaluar në kohë.

Thënë shkurt: problemet e qarkullimit rrugor të Tiranës apo probleme të tjera, si edhe vetëdija e pushtetarëve për të qenë në krye të listës së atyre që respektojnë rregullat – kanë nevojë për vizione serioze dhe njerëz seriozë; për hapa të menduar e gjakftohtë, e jo për veprime “të fortësh” në rrugë.

Artur Qoraj December 26, 2013 10:16
Komento

20 Komente

  1. ilirija December 25, 19:32

    Ne boten perendimore inspektoret rrugore nuk kane pune me drejtuesin e mjetit n.q.se ky ka shkelur rregullat e qarkullimit por kryejne proçeduren e rastit me gjobvenie pasi per ate punojne ,hera heres edhe sikur te provokohen nga personat shkeles te ketyre rregullave ata mbajne qendrim rigoroz per t’ua imponuar edhe atyre qe jane “viktima” dhe gjithçka shkon sipas ligjes.Perjshtohen rastet kur ose drejtuesi i automjetit eshte ne gjendje te pire ose dyshohet per ndonje trafik ku organe te specilizuara nderhyjne duke e shoqeruar si mjetin edhe vete personin prane orgneve perkatese.

    Reply to this comment
    • deshmitar December 25, 20:15

      Nuk ka patur asnjë kundërshtim serioz, madje zyrtari ka tentuar të korrigjojë menjëherë veprimin me parkimin e diskutueshëm. E them me pergjegjesi

      Reply to this comment
      • baca malesori December 26, 13:22

        E CKA ME I THU KESAJ A BAN KETEJ KESI GJANA PO POLICI ASHT TU TE HEREN TJATER SE SA KERKU DOKUMENTI MOR BURE E NUK KA HIC GJA ME TY PO TA BAN ATE MULTIN DHE HAJT EC MA E BANE PRAP ME DASHT SE PO E SHEF HEREN TJATER SE SA PO TE VJEN CKA PO DO POLICI ME TE SHA HAJDE SHQYPNI HAJDE

        Reply to this comment
  2. alban December 25, 19:42

    respekte per punen qe beni ju te ‘Dites’. me ne fund nje platforme mediatike qe i njeh pergjegjesite e veta dhe rolin e saj aktiv ne shoqeri !

    Reply to this comment
  3. Eri December 25, 19:42

    Nuk kuptoj qarte mesazhin e ketij shkrimi. Rendi ne Shqiperi eshte ne pike vdekjeje ndaj eshte e domosdoshme qe te vendoset nje politike zero tolerance ndaj cfaredo lloj shkelje e kujdo individi.
    Sa te rritet vetedija qytetare, e ka marre lumi kete vend. Ne bejme proteste masive per armet kimike dhe perseri hedhim plehrat nga ballkoni apo pijme cigare ne ambiente publike, pa respektuar asnje lloj etike, norme, morali apo statusi shoqeror.
    Edhe shtete me te fuqishme jane bere zap nga masa e shterngimit te ligjit e me pas u krijua vetedija e pergjithshme tek njerezit se kur ligji eshte i forte s’ke c’i ben duhet respektuar…per te evoluar me tej mendimi se per respektimin e tij duhet te kontribuojne te gjithe si nje aset i cmuar i nje shoqerie te civilizuar.

    Reply to this comment
    • beni itali December 25, 20:17

      eshte e qarte.
      boll me me “ngjallu frike shqipove qe te rrine urte”… Qe nga koha e Nanos ka kjo histori qe thoshin “q… nenen shqiptareve te te thone babe”.
      projekte serioze dhe afatgjata per rivendosjen e autoritetit te shtetit- mire e thote autori
      Ndryshe ndodh si me ato makinat e deputetëve, të cilët për herë të parë pas shumë vitesh u gjobitën për parkime të gabuara, por nëse rikthehesh në ditët e seancave parlamentare ato janë parkuar po njësoj, aty ku liheshin më parë.

      Reply to this comment
  4. arben December 25, 19:49

    DITA, duhet te jeni ashtu sic keni qene gjithmone te sakte, e jo si ne kete rast, ku keni lajthitje ndoshta edhe per shkak te ndonje “konflikt interesi” te reporterit tuaj!
    Jam gati te ve publikisht bast me ju se D.Bonaj nuk eshte perjashtuar asnjehere nga rradhet e policise e per rrjedhoje s’mund te jete rimare nga “alergjiku” Kulici!!!!!!
    Verifikoni kete rast, dhe ne respekt te dinjitetit tuaj si gazete, duhet te pergenjeshtroni lajmin, edhe nese si kerkoni falje D.Bonaj!!!!!!!!!
    Per te mos krijuar asnje iluzion me komentuesit e radhes, une vete jam nje i perjashtuar nga policia, por prsoni ne fjale JO!!!!!!!!

    Reply to this comment
  5. Fshesa policore December 25, 20:01

    Ky kryepolici rrugor i “rilindjes” se edi ramesdhe i shpelles se sali berishes me emrin e famshem nga veri ne jug si kryehorr Dritan Boni mbahet mend si kryepolic kryehajdut e kryebanidt, kishte shoqeri vetem me trafikane e kriminele, eshte kallep i njejte dhe ne nje grup me Kulicin, Brecanin, Izet Haxhin, Sali Lushajn etj. Ky e ka dosjen ne prokoruri e ne polici me te trashe se Skeja, madje eshte me bandit se Skeja, por jane shok te ngushte bashke.

    Reply to this comment
  6. vlora December 25, 20:46

    Bravo Dita.

    Reply to this comment
  7. ushtaraku December 25, 21:03

    s-hoqem dore ne nga biografite se kuptoj ai p.rrugor eshte oficer karriere, ska pune me partit por a ishte ai ne rregull me detyren?? shkelsi i ligjit ishte prefekti ? nuk kuptoj si llogjikohet, une tani para nje ore shikoj nje postebllok policie tek rruga ali demi dhe me maska tu i zbrit njerzit nga maqina dhe tu i kontrolluar d.m.th. shkelin kushtetuten te drejtat e njeriut, dhe kalojne aty medjat asnje nuk shkruan, o zotrinj te policise se shtetit kujdes me qytetaret se ju e dini mire kush jane kontigjent, por beni sikur punoni ne asnje vend te botes nuk shikon polic keshtu si tek ne, pervec turqise qe nuk eshte ne europe.

    Reply to this comment
  8. sali December 25, 22:51

    Policia ka bere detyren.deri kur do ta kuptoni ju analistet qe shkruani ne gazeta duke qare hallin e te medhenjeve pse i paska shqetesuar polici.Ky zoterija qe eshte Prefekt dhe quhet zbatuesi i ligjit .Perse vajti e parkoi ne kundershtim me ligjin ,Dhe e di pse beri sepse vuan nga mentalitetit se une tani jam i madh e mund te bej si te dua e ligji sme ze ,e aq me keq kur keta tipa miklohen dhe nga ju gazetaret

    Reply to this comment
  9. S.p. December 25, 23:16

    Zap e beri dhe Enveri mor “ERI” per 50 vjet, po ku e ke kulturen e vendosur me force, shikoje ne te gjitha fushat e jetes shkelet hapur ligji dhe jo vetem ne rregullat e rendit e qetesise e te qarkullimit.
    Ketu aktualisht te duket si ne kohen e “Komisarit te Drites” kur vjen nga Europa Perndimore, por me nje spirale me te larte se ne pergjithesi shoqeria dhe teknologjia ka ecur perpara ne te gjithe boten.
    Qe te lexosh duhet te mesosh alfabetin dhe mjafte rregulla te tjera, e njejta gje ndodh edhe ne jete, te ardhurit ne kryeqytet te pakten ju duhen 50 vjet te integrohen e marin kulturen e duhur, nuk po themi ate te salloneve.
    Policia e Shtetit del ne pune me nje kurs 3-mujor, mos themi pa asnje njohuri dhe hiqen kompetent.Duhet kulture proesionale, juridike dhe qytetare e cila nuk mund te merret me 3- muaj, pra duhet hapur domosdoshmerisht shkolla 2-vjecare e policise se shtetit qe ti pergjigjet situates se sotme dhe besoj se keta qe kane mare pushtetin aktualisht do ta bejne.

    Reply to this comment
  10. BJORN December 26, 10:00

    Ne qofte se ka qeveri e kryeminister vendi njeri nga te dy duhet te largohet nga administrata shteterore,ose ne qofte se kan faj te dy te largohen te dy.Ky eshte qendrim qe duhet te mbahet nga opinioni publik,shteti se keshtu ndodh ne boten demokratike,sepse kete me taksat tona paguhen

    Reply to this comment
  11. Ilir December 26, 14:02

    ORE, POR NJE GJE NUK U MORR VESH KETU.

    KY POLICI A E GJOBITI KETE ZOTERINE SIPAS LIGJIT, PER SHKELJEN E BERE APO JO.

    SE I BIE QE PO NUK E KA GJOBITUR, NUK ESHTE POLIC POR ALABAK.

    Reply to this comment
  12. AP December 26, 15:58

    Nuk njoh as njerin, as tjetrin por, ky polici, ne emer te ligjit, te rregullit etj.etj. Ka bere nje zhurme te tepruar per te nxjerre veten ne fokus te publikut. Keta tipa, zakonisht, jane fallso, kastravece, te papjekur, dhe me shume prishin se ndreqin.
    Po te isha ministri, kete sharlatan do ta mbaja vetem police te thjeshte, por kurrsesi jo shef. Keta tipa nuk jane sic hiqen, iu intereson zhurma dhe jo thelbi i problemit!
    Shtoj se vete une s’kam makine!

    Reply to this comment
  13. ilirija December 26, 17:59

    Nga intervista qe i eshte marr z.Dervishi del qe kryerrugori eshte ne gabim sepse eshte fare e thjeshte (duke e sqaruar sadopak edhe ne nje oment te mesipert )se:Dritan Bonaj si shef i insp.rrugor nuk ka pune me asnje person sepse vihen direkt ne konflikt ku sejcili kerkon ti japi vehtes te drejte,ndaj veprohet konforme rregullave me gjobe dhe nuk k perse te behet objekt .Duhe te mesohet a te trajnohen ku ta di une,qe policia e shtetit nuk eshte kerbaçi siç duan ta paraqesin vehten disa te pa gedhendur por mbrojtes te ligjeve kundrfejt shkelesve te tyre e ne sherbim te qytetareve.Nuk duhet te kete police ne policine e shtetit qe meqenese jane te rruges te sillen si rrugçe,por paraqitja e prezantimi i tyre duhet te jete ne shkalle siperore e ne vend te birbilit apo radios te funksionoje intelekti i tyre .Boll eshte mbajtur shteti me cuba e nuk i duhen kerkujt keta por qytetri e z.rregulloreje.Ndryshe mire me prefektin qe se fundi eshte nomeklature e qeverise po me nje qytetar si do te sillej ky vagabond ku me siguri do ta Kish marr zvarre e çur ne polici.Policia e shtetit duhet te pastrohet nje here e mire nga keta vandale e ne te duhet te mbizoteroje rregullorja e qytetria duke na vene ne si qytetare perpara nje reflektimi per ç’ka bejme e perpara kujt ndeshemi.Ne te kundert me gjuhen qe flet polici do te flas edhe qyetari!Uroj qe ky ras te sherbeje si shembull korigjues per perfaqesuesit e policise pasi palen tjeter(prefektin)dua ta konsideroj nje qytetar te thjeshte qe bie preh jo e gjobes per shkeljen e radhes por e rrugaçerise policore!

    Reply to this comment
  14. ofsite December 26, 18:59

    Si ka mundesi qe prefekti i Vlores banon ne Tirane?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim