Prurjet e reja të rrëkeve të vjetra

Sokrat Habilaj October 8, 2014 23:18

Prurjet e reja të rrëkeve të vjetra

Ndërsa turma e analistëve pranë PD-së, është në trysni për të gjetur risitw e kuvendit të fundit të kësaj partie, ata me ose pa dashje, i largohen thelbit, duke vrapuar pas ca detajeve nga më qesharaket, të cilat janë herë me ngjyrime politike, e herë me ngjyrime thellësisht artistike. Fillimisht u tha me bujë se ky do të ishte kuvendi ku do të mësynte një “kinezëri” e pafund delegatësh. Më pas, kur u pa se ende kishte vende bosh, në një sallë me kapacitet thuajse katër herë më pak se numri i reklamuar, kur u pa se në sheshin para sallës së kuvendit, më kotë ishin dyndur qoftexhinj pa fund, me shpresë se të ardhurit e shumtë nga larg, do t’i jepnin një dorë biznesit së tyre, kur u pa se në lulishtet përreth kishte shumë pak “kuvendarë” të shtrirë, lodhur nga udha e gjatë, dhe më në fund, kur u pa se numërimi i votave “kineze” përfundoi thuajse me përfundimin e punimeve të kuvendit, analistët hoqën dorë nga kjo risi. Më pas, ata u munduan të gjejnë ndonjë detaj brenda sallës së kuvendit, dhe si një dhuratë për ta ishte kërkesa e faljes nga ana e  drejtuesit të partisë, por shumë shpejt dhe kjo rezultoi një detaj jo bindës, sepse zgjedhjet tani kanë mbi një vit që janë zhvilluar, gjatë kësaj periudhe PD është angazhuar në ca beteja thuajse surrealiste dhe humbëse, e në këto kushte, kërkesa e faljes, nuk duhet të ishte aq e vjetër. Duke mos pasur asnjë zanat tjetër, ata ishin të detyruar të gjenin një risi dhe e vetmja risi që u artikulua gjatë, ishin lotët e ndonjë delegati, për kohërat e arta të prijësit të ikur.

Pavarësisht nga këto, nëse duhet të zbulojmë thelbin e këtij kuvendi, madje arsyen e vërtetë të mbajtjes së tij, mjafton t’i hedhim një sy listës së parisë së zgjedhur të kësaj partie, ku do të konstatojmë se manteli i ri i saj, nuk është gjë tjetër veçse xhamadani i etërve që e ndjejnë se biologjikisht po u ikën mosha. Askush prej analistëve pranë “fisit” le të themi tani, nuk e thotë se ajo që ndodhi, ishte jo thjesht një dukuri e re, por ishte kapja më tragjike që mund t’i bëhet një partie politike, e kësaj vlere kombëtare, prej pinjollësh, shumica  të cilëve, ndoshta kurrë nuk e kanë pasur pasion të lodhin trurin me punë partish. Kapje e partisë nuk ndodhi në një ditë të vetme, as nuk u bë e njohur para kuvendarëve me një pjesëmarrje prej 7, (zerot pas le t’i vendos kush të dojë, sipas dëshirës), si një e papritur e madhe. Kjo parti, e cila veç tjerave erdhi edhe si një shpresë e ringritjes ekonomike të ish shtresës së të pasurve të këtij vendi, pak nga pak këtë mision ia caktoi vetvetes, njerëzve që ishin brenda, ose rreth saj, duke e marrë për vete, atributin e pasurimit të shpejt. Rruga që u ndoq ishte tërësisht hileqare.

Kështu ndërsa kishim përballë një shtresë, e cila padrejtësisht, dikur ishte zhveshur nga prona e saj, partia që erdhi si shpresa e tyre, duket se kishte të tjera qëllime që shkonin tej kësaj shtrese. Kjo shtresë u gjend krejt papritur në një kalvar të pafund ligjesh, pengesash, abuzimesh, premtimesh, iluzionesh, të cilat më së shumti, jo vetëm që nuk nxisnin procesit e rikthimit të pronave tek ata, por e pengonin atë. Dukej se tërësia e  ligjeve, premtimeve, iluzioneve, ishin bërë qëllimisht që veçanërisht kthimi i pronave të mos orientohej tek ata. Kjo shtresë e lodhur nga regjimi, e plakur nga vitet, përditë e më shumë, po kuptonte se pronat e tyre ishin vetëm një iluzion. Nga ana tjetër, Partia Demokratike që i hapi dyert edhe për të gjithë idealistët, njerëz pra që shikonin tej pasurimit vetjak, në udhë e sipër, nisi të seleksionojë këta idealistë të pandreqshëm, duke i vënë vetes si synim, krijimin e një shtrese të pasurish, e një shtrese të re që nuk kishte asnjë lidhje me të pasurit e dikurshëm. Synimi ishte që kjo shtresë, të dilte si një zgjatim ekonomik i formacionit politik. Natyrisht kjo nuk mund të bëhej në një ditë, sepse shumica e atyre që kapën frenat e partisë, si shumica, ose si të gjithë ne, vinin nga bokërimat e varfërisë pesëdhjetëvjeçare. Pikërisht, kur u kuptua se supet e partisë ishin shkarkuar nga pesha e idealistëve, kur u kuptua se ishte krijuar mjaftueshëm “fisi”, kur u kuptua se ky “fis”, realisht kishte marrë frenat e sferës ekonomike, ishte momenti që ai të merrte edhe frenat politike. Dhe për ta shpallur këtë gjë, duhej gjetur një moment solemn, dhe rast më të mirë se sa kuvendi me pjesëmarrës 7 e ca zero pas, nuk mund të kishte.

Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të themi se askush nuk ka të drejtë ta paragjykojë atë grumbull të rinjsh, apo të rejash, por në të njëjtën kohë, nuk mund të mos themi se krahas tyre, janë edhe ca të tjerë, moshatarë me ta. Janë dhe ca të tjerë, të cilët përveç dëshirës për t’u marrë me politikë, nuk kanë brenda politikës as babanë, as nënën, as hallën, as tezen, as krushkun, e as ndonjë kushëri. Janë dhe ca të tjerë që janë ndjerë të tradhtuar, sepse askush nga fisi i tyre nuk ka pasur shansin të jetë në majat drejtuese të partisë, për rrjedhojë, ai ka për të mbetur si një votues i thjeshtë i asaj partie dhe asgjë më shumë. Në këtë kuadër sot jemi para një panorame të tillë kur një parti, përfundimisht, në stafin e saj drejtues, ka pinjollët e baballarëve që po ikin për shkak të moshës, të cilët kanë ardhur aty vetëm për këtë meritë tyre.

Kjo gjë tani ka ndodhur, por për fatin e keq u vlerësua si një prurje e re, dhe aspak nuk u pa se kjo prurje e “re”, ishin rrjedhje nga rrëke të vjetra. Duke marrë në konsideratë ato që thamë më lart, do të duhet të theksojmë se ky është rasti parë i post-komunizmit shqiptar, kur një parti përfundimisht kapet nga fisi, i cili në vetvete shënon një kthesë regresive dhe alarmuese në moralin e politikës shqiptare. Është trishtuese të themi se përfundimisht, PD-ja, tani e në vijim, do vërtitet në qerthullin e ngushtë të babait, birit, hallës, kushëririt, tezes, kunatit etj, etj, ndërsa të tjerët do të enden në periferi të saj. Por e keqja më e madhe është fakti se tani do të kemi një precedent shumë negativ se si një parti në mënyrë legale, shpallet parti-fis. Nëse në vijim edhe partitë e tjera, do të nisnin të ankohen se janë duke mbajtur të shtypur pinjollët e tyre, ndërsa ua kanë prerë rrugët për të marrë majat e partisë, e keqja do të bëhet edhe më e madhe. Pas kësaj, atyre që përpunojnë opinion publik, atyre që nuk dinë të bëjnë asnjë zanat tjetër, s’u mbetet gjë tjetër veçse t’u thurin ditirambe, jo më etërve, por bijve të etërve, ashtu siç po bëjnë analistët pranë PD-së. Ky mund të jetë një pozicion komod për ta, por dinjitoze, kurrë nuk mund të jetë.

 

Sokrat Habilaj October 8, 2014 23:18
Komento

7 Komente

  1. lac-sebaste October 9, 04:08

    sali berisha azem hajdari sudja janullatos vefa pjeter arbnori genc pollo miri i zikes
    ciljeta tritan shehu lek plepi sllobodan milloshevici sinan hoxha eduart halimi aldo bumci jemin gjana cufo bubi kacurrel argita shkelzeni sigurimi ndertimet si ne vendet arabe shkaterrimi i ushtrise,policise,gjykatave, shkaterrimi i shkollave, djegjet e shkaterrimet e fabrikave,vreshtave e sistemit ujites zevendesimi i folkut shqiptar me muzike sllavo-arabe ndihme serbise ne te gjitha fushat e mundshme shitja e detit etj etj etj!
    Gjysma e shqipfolesve ka perkrahur dhe vazhdon te jete mbeshtetese e kesaj partie! vetem faji i Berishes?! nuk me duket,megjithate kush eshte perberja krahinore e perkrahesve te Berishes e dime te gjithe!
    Zgjidhja? ndertimi sa me shpejt i nje sistemi arsimor te fuqishem qe ve ne pike te pare formimin shqiptar! keshtu dhe ajo gjysme e kombit qe eshte pa identitet,te kthehet ne origjine!

    Reply to this comment
  2. Saliu komunist October 9, 05:41

    Kapaciteti i salles se Kongreseve eshte 3 mije vende, PD-ja e Saliut reklamonte 7.5 mije delegate, teprica ishin fiktive dhe i duhej grupit te numetimit te Pijanecit Rirstan per te nxjerre fituese listen e Adolf Berishes te parapregatirur. Kur intetvistoheshin “delegatet” e quanin veten kongresmene si ne USA, por nuk dinin te thonin numrin e kongresit qe po zhvillohej, vetem thonin qe eshte kongres i forte dhe i vazhdimesise , ashtu sic bente Ramiz Alía.

    Reply to this comment
  3. beni October 9, 06:13

    Hahaha do beje fisi politike…une mendoj se cdo shqiptar me pak tru ne koke kurre nuk do denjoje te degjoje per kete parti fis jo me ti votoje.

    Reply to this comment
  4. Mark uk October 9, 08:21

    Partia republikane ne USA ka shpallur si kantidat nje tjeter nga familja Bushi.Prandaj sh Sokrat ben nje artikull te tille.Pse nuk shkruani dicka se ne parlamentin shqiptar jan burre e grue sic eshte Meta.Nuk themi per ata qe u martuan tani se nuk kam te drejt pamvarsisht se bie ne sy.

    Reply to this comment
  5. Tonini October 9, 09:55

    Kjo eshte Shqiperia o Sokrat. Duhet te kesh fis, te jesh 7 vellezer, 6 motra 14 dajallare e xhaxhalllare dhe 25 teze e halla, te besh krushqi me nje tjeter fis te madh ne menyre qe te besh biznes, te hysh ne politike, te marresh vota, te behesh deputet etj, etj.

    Shqiperia eshte kaluar nje vendi tipik oriental ne kete drejtim. Keshtu ka qene ne kohen e Zogut, te Enverit (por me i fshehur) dhe tani ne kohen e demokracise. Kjo ndodh pasi perberja e popullsise eshte ne pjesen derrmuese muslimane, qe pergjithesisht shtohen shume pasi synojne te kene shume femije dhe ne kete menyre te krijojne klanin dhe mbeshtetjen. Shto ketu edhe tendencat krahinore dhe rajonale dhe vajmedet.

    Ketu nuk mund te ndodhe si ne perendim psh ku nese je i afte, ecen ne cdo fushe dhe nuk do tja dije kush sa fis te madh ke, sa vellezer dhe motra jeni, cili klan krahinor te mbeshtet etj, etj. Ne kete kuptim, te krishteret e Shqiperise jane me te humburit ne kete vend, pasi nuk kane klane te fuqishme.

    Reply to this comment
  6. Pëllumb zaimi October 9, 11:14

    Me termin shumë të goditur ” parti-fis” i kini thënë të gjitha i nderuari Sokrat? Nga ky term dalin pastaj gjithë të tjerët “pasuri-fis”, “rrëke-fis”, “fis kongres”, “fis sallë”, “fis delegatë”, “fis kryesi”, “fis këshill”, “fisduartrokitje”, “fis lotim”, “fis emocione”, “fis votim” etj.etj ? E kuptoni o i mënçuri Sokrat sesi me dy fjalë kini arritur të krijoni një fjalor të tërë terminologjie politike? Unë thashë vetëm pak krijime togfjaleshash (a fjalëformime) të rinj por nga “parti-fisi” juaj mund të krijohen me mijra!?? Me mijra togfjalësha apo fjalëformime të tjerë!? Nderime autor me vlera gjuhësore të jashtëzakonshme pa harruar analizën e miré që ka dalë nga ndërthurja me art e këtyre vlerave me logjikën tuaj! Tung!

    Reply to this comment
  7. M A R K O October 9, 23:44

    Prurje … me mire bajga me then…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*